E shtune, 20.04.2024, 11:37 AM (GMT+1)

Mendime

Enver Bytyçi: Thaçi në Dritën e Lamanshit Shqiptar

E hene, 01.06.2009, 07:28 PM


Thaçi në Dritën e Lamanshit Shqiptar

Pa gojë?! Por jo jargavanët llafazanë!

Nga Enver Bytyçi

Dhe cili është predikimi i të qenët "pa gojë" të kundërshtarëve politikë të Sali Berishës.

Shqiptarët shpesh në kuvendin e burrave e kanë pasë përdorur shprehjen "Kam mbetë pa gojë", ose "Kam mbetë pa mend", domethënë "jam habit", "nuk kam mujt me thënë asgjë kundër". Gjermanët e përmbledhin këtë moment në shprehjen "Ich bin sprachlos" (Nuk më mbetet të them gjë). Të përjetosh të pabesueshmen, hapjen e një tuneli 5.6 km të gjatë, ta shkurtosh me këtë tunel një rrugë prej dhjetëra km, të bashkosh botën shqiptare, të ngresh në dy vjet dhjetëra ura madhështore, të shtrosh në të gjithë vendin rreth 6000 km rrugë, të ndërtosh, të krijosh, të realizosh në tre vjet miliarda investime, janë vepra që të lenë pa fjalë, pa gojë. Madje jo vetëm në kushtet e një vendi si Shqipëria.

Tuneli Thirrë-Kalimash bashkoi të dielën dy kryeministrat dhe dy qeveritë e të dy shteteve shqiptare. Berisha dhe Thaçi nuk ishin vetëm protagonistët e dritës së Lamanshit shqiptar, ata i bashkuan duart në Kalimash për t'i dhënë botës shqiptare një mesazh të qartë: duart, zemrat dhe mendjet e bashkuara bëjnë mrekullitë e kësaj bote.

Hashim Thaçi, me përgjegjësinë qytetare e nacionale iu bashkua itinerarit magjik të Sali Berishës. Me aktin e së dielës, i shoqëruar prej bashkëpunëtorëve të tij në kabinet, ai sfidoi shumë pengesa për të qenë dëshmitar i "Jahovait" shqiptar. Pengesa e parë mund të ishin "këshillat" e ndërkombëtarëve, që të mos "bezdisej" nga ky akt Serbia e Tadiçit. Pengesa e dytë mund të ishin enveristët, të cilët nuk mund ta durojnë faktin se kokën e trenit në këto male e kishte premtuar diktatori shqiptar para 39 vjetësh, ndërkohë që e realizoi antikomunisti Sali Berisha. Hashim Thaçi dëshmoi përfundimisht se i përket vetëm një ideologjie, ideologjisë nacionale shqiptare. Ndaj dhe thjesht pjesëmarrja e tij në këtë akt solemn e madhështor i ka lënë pa gojë kundërshtarët e Sali Berishës, kundërshtarët e rrugës Durrës-Morin.

Megjithatë gjenden jo pak harbutë të kësaj toke e të kësaj kohe, të cilët llomotisin, atëherë kur së paku duhet të heshtin. Dikush e kritikon këtë vepër me ironi si "Modeli i Kalimashit", dikush tjetër gërmon si Tarja për të zbuluar "gjuhën e urrejtjes", dikush artikulon me cinizëm antishqiptar paratë që ka ngrënë tuneli dhe thotë se do të ishte më mirë që këto para të përdoreshin diku tjetër... Në vend të mbeten "pa gojë", këta jargavanë, modaliteti i të cilëve është të jargaviten sa herë shohin bashkimin e kombit, lehin, lehin e lehin, edhe nëse temperatura u ka shkuar në 100 gradë. Pikërisht prej kësaj temperature që ua ka shkaktuar drita e tunelit bashkues të kombit, ata në vend të heshtin, jargaviten, dhe bezdisin këdo që ndodhet pranë ekranit ose që mund të lexojë titujt e gazetave.

Në vend të gojës së kyçur, në pamundësi për të thënë një fjalë të mirë, jargavanët nuk mund të heshtin. Ata nuk e njohin logun e kuvendit, nuk e njohin zakonin e shqiptarit, sipas të cilit kur burri zihet me argumente, e pranon humbjen, dështimin ose gabimin. Fakt dhe argument më të madh në veprën e Sali Berishës sesa tuneli i bashkimit nacional të shqiptarëve nuk ka e nuk mund të ketë. Kjo vepër u bën dritë dhe jargavanëve. Madje ata mund të jenë të parët që do ta shkelin natën rrugën dhe tunelin. Si në kohën e luftës në Kosovë. Atëherë unë kam parë me sytë e mi sesi e kishin pushtuar Hotel Grandin e Prishtinës, pikërisht jargavanët llafazanë, të cilët ishin kundër Kosovës së pavarur. Madje kam dëgjuar me veshët e mi që një prej jargavanëve anti Kosovë ta pyeste një shqiptar të Kosovës ashiqare: "A mos u çliruat nga një pushtues dhe ratë nën pushtimin e dikujt tjetër?". Pushtuesi serb krahasohej me forcat e NATO-s, të cilat e çliruan Kosovën. Më pas ky jargavan do të bëhej këshilltar i presidentit Mejdani.

Tash do t'i shohim jargavanët llafazanë të Shqipërisë të udhëtojnë me shpejtësi në rrugën e në tunelin e Sali Berishës për të arritur të parët në kryeqytetin e Kosovës. Këta jargavanë do të jenë ata që do të sajojnë një mijë e një gënjeshtra për t'u paraqitur si patriotët më të mëdhenj dhe përkrahësit e investimit gjigand.

Kjo lojë e ndyrë dhe e pafytyrë e jargavanëve është i vetmi mjet për të lëpirë gëlbazët e qelbëta që kanë nxjerrë me qëllim ndalimin e orës së Shqipërisë te akrepat e sahatit të Edi Ramës.

Nga temperatura që ua ka shkaktuar drita e tunelit bashkues të kombit, ata në vend të heshtin, jargaviten, dhe bezdisin këdo që ndodhet pranë ekranit ose që mund të lexojë titujt e gazetave.



(Vota: 2 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora