E enjte, 25.04.2024, 08:14 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Bashkohen shqiptarët deri në amshim, hapet tuneli Kalimashit

E hene, 01.06.2009, 08:16 PM


Nga Idriz Morina - Bota Sot

Shqipëria në pëllëmbë të dorës. - Perdja e tunelit ra, dhe tanimë gjithçka është gati për historinë e re, shqiptarët janë më afër njëri tjetrit se kurrë më parë.
Kalimash, Shqipëri, 31 maj - Me hapjen e tunelit të Kalimashit, u hoqën barrierat e fundit për bashkimin kombëtar të shqiptarëve, të cilët me këtë ngadhënjyen edhe mbi natyrën, duke arritur për herë të parë bashkimin në liri, pas shumë shekujsh.

Shqipëria dhe Kosova tani më janë bashkë, tha Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, ndërsa këtë e ritheksoi edhe kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi. Edhe ministri i Jashtëm Lulëzim Basha, tha se Kosova dhe Shqipëria janë një.

Hapja e tunelit 5.5 kilometra të gjatë, shkaktoi drithërima të pafundmë emocionesh duke tundur zemrat e mijëra shqiptarëve, shumë prej të cilëve nuk kanë përmbajtur dot lotët, ashtu si edhe vetë kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ndërsa që kishin ardhur të merrnin pjesë mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet etnike shqiptare, Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Kosova Lindore e Mali i Zi, të merrnin pjesë në përjetësimin e bashkimit shqiptar.

Me dy gishtat lart, Berisha doli nga tuneli i Kalimashit, i shoqëruar nga kryeministri Thaçi, që ngrehte dorën lart, bashkëshortja e tij Liri Berisha, të shoqëruar nga shumë ministra të dy qeverive, kryeparlamentarja e Shqipërisë Jozefina Topalli, deputetë të shumtë, ndërsa në dalje priteshin si heronj nga mijëra qytetarë.

“Pas këtij tuneli dhe këtij korridori qeveria ime nuk do të lërë mal pa shembur, nuk do të lërë asgjë pa bërë, në mënyrë që shqiptareve tua japim Shqipërinë në pëllëmbë të dorës”, tha Berisha duke paralajmëruar tronditje të reja gëzimi.

Po ndodh mrekullia, bashkimi

Kryeministri Berisha shembi simbolikisht murin e fundit ndarës të tunelit duke drejtuar vetë eskavatorin goditës, ndërsa më pas mori rrugën për tu takuar në pjesën tjetër të tunelit me kryeministrin Thaçi, i cili shoqërohej nga zëvendëskryeministri Hajredin Kuqi, anëtar të tjerë të kabinetit dhe të tjerë.

Kryeministri tha se donte të ndante gëzimin me shqiptarët e mbledhur të realizimit të ëndrrës gjithëshqiptare. “Sot ne përjetuam këtu realizimin e njërës prej ëndrrave më të bukura të shqiptareve, përjetuam shembjen, jo të një muri, por të një mali, përjetuam shembjen, jo të një muri, por të pamundësisë”, tha Berisha duke e vlerësuar mbi të gjitha hapjen e tunelit, si bashkim. “Ky tunel para së gjithash është tuneli i bashkimit të kombit”, tha Berisha. Nuk ka më pengesa që mund të ndajnë shqiptarët. “Sot ne vendosëm se nuk ka male, nuk ka pengesa, nuk ka asgjë, që mund ta ndajë, jo vetëm shpirtërisht, por as fizikisht këtë komb. Berisha tha se tuneli mund të kishte shumë emra, një nga ata, është “tuneli i miqësisë”, që ia kishte kujtuar miku i tij, pronari i kompanisë turke Enka, ndërtuese e autostradës, Sharik Tara, me origjinë shqiptare. Çmimi për ndërtimit të tunelit, është i pavlerë, në raport me ato që sjellë rruga e re. “Tuneli është një vepër e kushtueshme, por dua të theksoj se për një komb dhe njerëz kohëhumbur siç jemi ne, çmimi i kohës është çmimi i të gjitha çmimeve, ndaj dhe ky tunel kushton shumë më pak, se sa koha e kalimtarëve nëpër të, në një vit të vetëm. “Tuneli ka qenë i vështirë dhe i kushtueshëm, por çmimi i tij është dhjetëra e qindra herë më i vogël, se vlera e tij e madhe morale, se bashkimi që sjell midis njerëzve, se shërbimi që iu bën njerëzve dhe qytetarëve, si dhe dalja në det që i jep Kosovës, dalja në det që i jep jo vetëm Kosovës”, tha Berisha duke i falënderuar të gjithë që morën pjesë në ndërtimin e kësaj, “kryevepre të shqiptarëve”. Ai tha se kishte marrë një mesazh nga shkrimtari Kim Mehmeti me të cilin pajtohej. “Sot Kim Mehmeti më dërgoi një mesazh në të cilin më shkruante se kjo pothuaj është mrekullia shqiptare”.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi u zotua se do ta ndërtojë autostradën në pjesën e Kosovës, Prishtinë – Morinë, ndërsa e përgëzoi kryeministrin Berisha, për kryeveprën. “Sot, është një ditë e madhe për të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë. Sot është një ditë e madhe dhe shumë e rëndësishme edhe për mua personalisht, sepse ekziston një lidhje shumë e fuqishme mes këtij rrugëtimi dhe lirisë së Kosovës”, tha Thaçi, sipas të cilit Tirana dhe Prishtina janë “si kurrë ndonjëherë pranë njëra-tjetrës dhe kështu do të jemi përgjithmonë”. Ai tha se me këtë rrugë Kosova tashmë ka dalje në det. Ai tha se dy vendet tona kurrë nuk ishin larg njëri-tjetri, pavarësisht se “na ka ndarë historia, padrejtësia”. “Na ndanin bjeshkët, malet e thepisura, dhe muret. Sot të gjitha këto pengesa janë zëvendësuar me punë, me vullnet, me ideal, me vizion, duke u shndërruar në dhjetëra e dhjetëra ura dhe tunele komunikimi”, tha Thaçi. Ai tha se kjo është “rrugë e paqes, stabilitetit dhe zhvillimit”.

Shqipëria dhe Kosova janë një

Për shefin e diplomacisë së Shqipërisë, tanimë bashkimi është realitet i pakthyeshëm. “Kjo rrugë është bashkim, bashkim i plotë, i përhershëm dhe i pakthyeshëm, të një kombi të ndarë nga padrejtësitë nga historia dhe nga barrierat fizike. Sot me këtë tunel të hapur, me këtë tunel të shtruar Shqipëria dhe Kosova janë një dhe së bashku rendin drejt Bashkimit Evropian, si dy shtete sovrane”, tha ai. Basha tha se projekti i ideuar së bashku nga dikur Presidenti Berisha dhe presidenti Rugova, tani po bëhet realitet nga z. Berisha.

Tronditet zemra shqiptare

Para se të dilnin nga tuneli kryeministri Berisha rrënoi copat e fundit të daljes së tunelit Kalimashit, në Thirrë, për t’u takuar më pas me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçin në mes të tunelit, që kishte hyrë në ora 11.52 minuta, ndërsa do të dilnin në këmbë nga një pjesë e tunelit në ora 12.35 minuta. Sapo Berisha është shfaqur gjithçka mori pamjen e një drame të pa shfaqur më parë, mijëra shqiptarë shpërthyen në brohorima, bashkim, bashkim, Berisha, Berisha. Ekzaltimi, që kishte filluar që në orët e para të mëngjesit, me daulle dhe valle shqiptare, brohorima dhe gumëzhitje të pandërprera, “Berisha, Berisha”, “Kosovë - Shqipëri, ne jemi një”, “Rruga Berisha” etj.

Ora e bashkimit

Ambienti ishte përgatitur me një thjeshtësi festive, ndërmjet dy tuneleve ishte ngjitur një foto madhështore, brenda së cilës ishin ngjitur dy flamujt shtetëror, ai i Shqipërisë dhe Kosovës, me legjendën, përgjithmonë (bashkë), ndërsa anash tij dy reklama më të vogla, në të cilat shkruhej Tiranë – Prishtinë, jo më 330 kilometra, por 265. Hapësira për rreth ishte zbukuruar me dhjetëra flamuj, të Shqipërisë (kombëtar), të Kosovës, NATO-s, e BE-së, si dhe të kompanisë që ndërton segmentin 61 kilometërsh të autostradës, Rrëshen –Kalimash.

Një rrugë që kur të përfundohet nga Prishtina deri në Tiranë, do të përshkohet për rreth tri orë, ndërsa deri më tash kjo nuk bëhej as për shtatë orë.

“Ora orën nuk po e pret për tu hapur ky tunel,”, thoshte i riu Enver Vata, punëtor në kompaninë Bechtel – Enka, me origjinë nga Kukësi që jeton në Tiranë, ndërsa vazhdonte vallëzimin me një grup nga më entuziastët për të rritur tensionin festiv të ngjarjes. Para se të niste ceremonia, turma e entuziazmuar, shpërtheu rojet, duke u futur në tunelin e majtë, që ende nuk është gati të hapet, ndërsa një flamur i përgatitur enkas nga kuksianët, valonte, në njërën faqe flamuri i Shqipërisë, ndërsa në anën tjetër sikur të kish ndërruar koka tjetër e shkabës dy krenare, ishte flamuri i Kosovës, duke simbolizuar njësimin e Shqipërisë dhe Kosovës në një të vetëm.

“Kjo është një çudi e pamenduar, është një ëndërr që se kemi besuar të bëhet realitet kaq shpejt. Po bashkohet kombi shqiptar. Po realizohet ëndrra e patriotëve shqiptarë”, thotë pensionisti Sherif Kastrati nga Kukësi (53), tani invalid pune, i cili kishte ardhur rreth orës 11.00, ndërsa vazhdonin të vinin lumenj njerëzish, me flamuj kombëtar, por edhe të PD-së, të cilën tashmë gati 20 vjet e udhëheq Sali Berisha dhe pret të fitojë në zgjedhjet e qershorit duke llogaritur edhe në këtë kryevepër.

Tuneli i Kalimashit llogaritet si një nga kryeveprat në rajon, me gjatësinë më të madhe 5474 metra të gjatë, njëri drejtim, dhe po aq tjetri, ndërsa së bashku me zonën e tunelit, arrijnë së bashku në gjatësinë e 12 kilometrave.

Për Adem Çejkun (72), kjo autostradë është madhështi. “Kjo është një nga veprat më madhështore që është bërë ndonjëherë në vendin tonë”, thotë pensionisti Çejku. “Pas 28 nëntorit kjo është festa kombëtare më e madhe për Shqipërinë e Kosovën”, thotë djali i tij, Gëzim Çejku. “Sot, po bashkohet Shqipëria e Kosova”, plotëson djalin e tij pensionisti Çejku.

Mitrovica?

Ali Kadriu, heroi që nuk pranoi asnjë lloj çmimi për të hequr dorë nga trolli i tij, ndërtimi i shtëpisë në veri të Mitrovicës, thotë se edhe ky qytet do të përjetojë një ditë bashkimin. “Bashkimi kombëtar po bëhet me këtë rrugë e me këtë tunel. Edhe veriu do të bashkohet shumë shpejt, sikur kjo rrugë që po bëhet tani”, thoshte plot shpresë dhe emocione Ali Kadriu, i cili ishte bashkuar me grupin e më entuziastëve nga Shqipëria e Kosova, dhe qëndronte vetëm disa metra larg hyrjes së tunelit të djathtë nga drejtimi Kosovë – Shqipëri, për të pritur të dilnin dy kryeministrat, që të shpallnin bashkimin kombëtar. “Ku i thonë ujit ujë, e bukës bukë, na qoftë për hair bashkimi kombëtar”, uron Kadriu.

 

Video:

 



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora