E marte, 16.04.2024, 06:37 AM (GMT+1)

Kulturë

Vangjush Ziko: Erdha në vendin që kam braktisur (cikël me poezi)

E hene, 01.06.2009, 01:04 PM


Vangjush Ziko

ERDHA NË VENDIN QË KAM BRAKTISUR
        
 
KRAHËT

Kam fluturuar në re dhe përmbi re.
Kam fluturuar kur dielli lind dhe hëna fle.
Kam fluturuar nga kontinenti në kontinent,
Nga mall'i vjetër,në mall'i ri që po më pret.
Kam fluturuar me krahë ëndrre dhe dashurie.
Kam fluturuar mbi shpinë brenge dhe xhelozie
Dhe kam rrëshqitur e jam zvarrisur si hidhërimi...
Mbi gur'e varrit më gdhendni krahët e fluturimit.
 
ERDHA NË VENDIN QË KAM BRAKTISUR

Erdha në vendin që kam braktisur,
Vendin ku jeta ime pat nisur,
Tokën ku hijen e parë hodha
Përmbi kalldrëme,shtresa dëbore;
Ku gjurma ime si gjurmë mushke
Mbeti mbi shkëmbin mbuluar myshqesh,
Në një luginë,ku mes dy malesh
Jehon akoma tingull'i fjalës,
Fjalës së shenjtë me emrin Nënë,
Që belbëzoi goja pa dhëmbë,
Goja e foshnjës edhe e plakut
Me shije mjalti edhe farmaku.
 
Erdha dhe prapë do të ik
Si një shtegtar dhe pelegrin.
As aparat,as kamer s'shkrepa,
Celuloidin stamposi zemra.
 
A QUHET IKJE EMIGRIMI

A quhet ikje emigrimi.
A quhet ikje edhe braktisje.
Këtë e di veç zemra ime
Që prapa brinjës përpëlitet.
Këtë e di...Pse ne harrojmë!
Dhe mitr'e nënës jashtë na qit,
Por atë prehër ne veç kujtojmë
Kur grop'e vdekjes na gëlltit.
 
MËDYSHJE

Këtu kam qenë.
Këtu s'kam qenë.
I njëjti diell
E njëjta hënë.
E njëjta ëndërr e paqenë.
E njëjta fjalë e pathënë.
Dhe e kam thënë
Dhe s'e kam thënë.
Nën këtë diell dhe këtë hënë.
Në këtë vend ku nuk kam qenë.
Ku nuk kam qenë dhe kam qenë.
Ku ëndrrat time përjetë flenë
Bashkë me fjalën e pathënë,
Bashkë me fjalën e pëshpëritur,
Me zemërdjegurën të zhuritur.
 
DASMË MALLI

Vargmalet ç'më kujtuan vallen
Dhe fusha sheshin e një dasme.
 
Dhe plepat mbledhur grupe-grupe
Porsi dasmorë të erdhur krushqër.
 
Dhëndri i dasmës isha unë
Dhe nusja nimfë nga një lumë,
 
Lumë që rridhte nga zemra ime...
Korça më ngjau me nënën time,
 
Nënën e thinjur rrëzë kodrës,
Hënës i binte porsi lodrës.
 
MALI

Pse më zemërohesh,Mal!
Nuk të kam harruar.
Mali tim mall
Në shpirt më ka rënduar.
 
Kam ecur fushave pa anë.
Kam fluturuar mbi rrafshe detesh,
Ty të kam pasur pranë,
Në shpirt kam mbartur një mal dertesh.
 
Kam ngjitur e kam zbritur
Shtigjet e jetës sime.
M'i lartë,m'i madh më je ngritur
Mbi malin e kujtimeve.
 
Dhe hije më ke bërë
Dhe dritë mbi mendimet,
Burimi yt i ëmbël
Ka rrjedhur penës sime.
 
S'më ka rrafshuar rrafshi.
S'më ka mbuluar deti.
Në shpirt mbaj tëndin ashtin,
Mal mbetem.
 
SHPESH I THEM VETES...

Shpesh i them vetes kozmopolit,
Jam qytetar i Botës.
Aspak me mua mos u mërzit,
Ndërgjegjja im'e vockël.
 
Atdheu vetë mua ma dha
Shkopin e pelegrinit.
Mirë se më erdhe,Bota më tha,
Në hapësirat time.
 
Mirë se të gjeta,Bot'e madhe,
S'po vij porsi lypsar.
Un'e pranoj pritjen bujare,
Ti ma prano shpirtin krenar.
 
Qumësht të nënës kam në buzë,
Vlagë burimi malesh.
Kozmopolit,-s'është përbuzës.
As patriot,-nuk është tallës.
 
E pati thënë bukur Poeti
Në pragun e epokës,
Nuk janë tjetër gjë sot shtetet,-
Mëhallëza të Botës.
 
Korçë,2008



(Vota: 3 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora