E marte, 23.04.2024, 04:28 PM (GMT+1)

Kulturë

Ali D. Jasiqi: Vdekja si frymëzim poetik

E hene, 01.06.2009, 12:00 PM


VDEKJA SI FRYMËZIM POETIK 

Enver Visoka “Kodi i vdekjes”- Botoi “Faik Konica”- Prishtinë 2008

Nga Ali D. Jasiqi

Vdekja është fenomen në vete, është dukuri prej se cilës nuk mund të shpëtoje askush. Kjo në realitet është fundi i botës reale te njeriut, për të kaluar në botën e amshueshme, siç thuhet. Nis nga ky fakt ajo është bërë shpesh edhe objekt trajtimi në shkrimet poetike, tregimtare apo edhe dramatike të krijuesve të ndryshëm në kohë e hapësirë. Secili prej tyre ka shfaq pikëpamjet e veta për këtë, duke mos mund të gjejnë shpëtim nga kjo, sepse të tillë edhe nuk ka. Në këtë vazhdë është edhe përmbledhja poetike e Enver Visokës me titull “Kodi i vdekjes”që këto ditë doli  nga shtypi në botim të Shtëpisë Botuese “Faik Konica” e Prishtinës. Duke u nisur nga fakti se kodi është përmbledhje e sistemuar rregullash e udhëzimesh, që duhet të  zbatohen në një fushë të caktuar na del se këtu kemi të bëjmë me fenomenin e vdekjes, me rregullat që i përcakton ajo në jetën e njeriut. Mënyrat, përkatësisht format  e vdekjeve janë  te ndryshme, duke filluar nga ajo normale,pra,  nga vdekja si pasojë  e pleqërisë, pastaj nga sëmundja, apo edhe vdekjet e dhunshme: mbytja qoftë nga njeriu apo edhe nga fenomenet natyrore. Dhe pa dyshim se vdekja më  e rëndë është ajo  që vjen në  moshën më te re, në moshën e rinisë se personit, qoftë kjo si pasojë e  sëmundjes apo edhe e dhunshme. Por megjithatë vdekja është diç që ndodh në jetën e njeriut:
ngrihem fantazmë
vdes përsëri i ri
të zë me duar
të puth në gush
në gojë
në gji
(“Vdes përsëri i ri”)

Disa nga këto vdekje zihen në gojë në përmbledhjen e poezive të Enver Visokës, titulli i se cilës është nxjerrë nga titulli i një poezie, në të cilën autori jep pak a shumë përkufizimin e fenomenit të vdekjes, gjegjësisht kodet e saj si dhe reflektimin e kësaj dukurie në qenien njerëzore, në jetën e tij në këtë botë të rreme, siç e përkufizojnë besimtarët e devotshëm:
hija ngërthen bregun e zi
errësirës i bie tmerri
gjoksin ia ngulfat
kodi i vdekjes
buzët ia lëpin
vala e ftohtë e jetës
(“ Kodi i vdekjes”)
Ne realitet vdekja është subjekti lirik më i shfrytëzuar në këtë përmbledhje. Ai është edhe strumbullari i krejt librit, sepse është trajtuar në poezitë  gati  të gjashtë ciklet e përmbledhjes (“Kopshti i tmerrit”,”Shi i zi”,”Pylli i verbër”,”Përjashtimi nga parajsa”,”Kodi i panjohur” dhe “Fund”). Rreth këtij fenomeni sillet i gjithë frymëzimi poetik i Visokës, këtij krijuesi që më parë ka botuar edhe një përmbledhje poezish me titull ”Dhe ëndrrash” dhe romanin me përmbajtje fantastike “Dimensioni i panjohur”. Duke kënduar, gjegjësisht duke shkruar poezi për vdekjen autori i përmbledhjes në shqyrtim do të sjelli  disa përkufizime interesante dhe të logjikshme për këtë fenomen natyror. Sipas tij vdekja troket në dyert e çdo shtëpie, ose edhe dhomë ku qëndron njeriu dhe nuk e lenë  atë të qetë, përkundër kërkesës se tij që të jetë i qetë, i patrazuar, që të mos të tronditi, por ajo nuk dëgjon dhe vjen e papritur, sepse ajo bredhë verdh: “bien klithmat mbi dhê / vdekja bartet në shpinë/ me pëllëmbë dore matet jeta.../” – do të shkruaj Visoka në poezinë “Kopshti i tmerrit”.  Madje edhe poezia vdes nga brirët e dreqit që mbijnë në ballin e njeriut. Dhe me vdekjen e artistit vdes edhe frymëzimi i tij, me një fjalë shuhet një shpirt i trazuar, çfarë është artisti, qoftë ky poet apo edhe piktorë e diç tjetër i kësaj leme. Me vdekjen e njeriut përfundon jeta e tij andaj është mirë që të gjallët të shikojnë përpara dhe të mos mbështeten as në gurët varreve, të cilëve u vjen  era myk, u  vjen e era vdekje.
Vdekja  është vetëm një nga subjektet e shumta lirike të kësaj përmbledhje lirikash të ndjeshme dhe të shtjelluara me metafora të zgjedhura. Një motiv tjetër që e gjejmë në këtë përmbledhje është vetmia, si dukuri që e përcjellë njeriun nëpër valët e jetës, që e shoqëron  vijimisht për ta bërë të ndjeshëm, e herë herë edhe të izoluar nga të tjerët:
“shtrihet kjo mjegull e rëndë vargjeve të mia
të gjitha udhët çojnë kah vetmia”
(“Të vetmuar në vargjet e mia”)
Edhe dashuria është subjekt lirik i poezive të kësaj përmbledhje, si diç që e shoqëron njeriun në rrugën e jetës, si ndjenjë suptile dhe nganjëherë e ngrohtë, por edhe në disa raste si diç që shkakton tronditje shpirtërore. Gjejmë në këtë përmbledhje edhe poezi që reflektojnë mendime filozofike, sosh që të nxisin të mendosh, të meditosh për ndonjë problem apo çështje të caktuar. Në këso rastesh Enver Visoka thur vargje me të cilat shpreh një mendim apo ide filozofike, një mendim që të shtynë të përsiatesh më gjatë që të nxjerrsh përfundimin e caktuar për atë që ta sugjeron autori i përmbledhjes “Kodi i vdekjes”. Kështu, bie fjala, ai do të hartojë vargjet:
“askënd pranë nuk do ta kesh
po nuk pate nuk mund të jesh”
(“Fund”)
- vargje këto  që të nxisin të meditosh për realitetin në të cilin jeton dhe vepron, dhe që të shoqëron në jetë dhe në shoqëri. Duke medituar kështu lexuesi do të vjen te përfundimi i kërkuar për ndonjë çështje të shtruar në vargjet e poezive të përmbledhjes në fjalë.
Marrë në përgjithësi kjo poezi e  dëshmon se Enver Visoka është treguar i kujdesshëm në thurjen e vargjeve, duke u përpjekur që poezia e tij të behet e lexueshme, e kapshme dhe gjithsesi e pëlqyeshme për lexuesit e të gjitha shtresave dhe niveleve të ngritjes arsimore. Poezinë e tij do ta lexojë edhe shkollari, por edhe banori i fshatit, ai që ka kryer shkollën fillore, sepse metaforat dhe mjetet tjera të shprehjes artistike të kësaj poezie janë të kapshme  dhe të zbërthyeshme për të gjithë. E kjo është një karakteristikë e mirë, një element tërheqës i kësaj poezie që meriton që qëndrojë në bibliotekat tona.



(Vota: 47 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora