E enjte, 25.04.2024, 11:20 PM (GMT+1)

Faleminderit

Hajdin Islami: U shënua 10-Vjetori i rënies heroike të Komandantit Rasim Kiçina

E hene, 01.06.2009, 08:45 PM


U shënua 10-Vjetori i rënies heroike të Komandantit Rasim Kiçina

Nga Hajdin ISLAMI

PRISHTINË,1 QERSHOR 2009 - Në përvjetorin e dhjetë të rënies së gjeneral nënkolonel Rasim Kiçinës sot në Sallën e Kuqe në Prishtinë është mbajtur një Akademi Përkujtimore. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se Rasim Kiçina ishte përfaqësues tipik i eprorit të UÇK-së që dallohej për solidaritet me ushtarin dhe qytetarin. Më 30 maj 1999 rënia e Rasim Kiçinës dhe e bashkëluftëtarit të tij Ragip Halilaj pa dyshim ishte humbje e madhe e UÇK-së, u tha në këtë Akademi Përkujtimore. Në dhjetëvjetorin e rënies, Kosova në mënyrë shtetërore dhe institucionale nderon emrin, jetën dhe veprën e Rasim Kiçinës.Me vendim të Presidentit, Rasim Kiçina nderohet me titullin Hero i Kosovës. Rasim Kiçina u dallua në kundërvëniet që brigadat e ZOD-it u bënë forcave serbe në ofensivat e vjeshtës 1998. Kiçina ka meritë të jashtëzakonshme në forcimin dhe organizimin e pikës luftarake “Guri”, e cila përfshinte ushtarë që do të sistemohen në kuadër të Brigadës 113 dhe në atë të njësitit komando, në kuadër të Brigadës 111. Pavarësisht se ishte epror i lartë në Zonën Operative të Drenicës, Rasim Kiçina nuk do të ndahej asnjëherë nga betejat. Ai do të jetë pjesëmarrës dhe frymëzues në shumicën e betejave dhe aksioneve që bënë pjesëtarët e Brigadës 113 dhe ata të Brigadës 111, dhe në territoret e brigadave tjera.

***

Thaçi: Kiçina, figurë emblematike e UÇK-së

Nga Bota sot

Me rastin e dhjetëvjetorit të rënies, përkujtohet figura emblematike e heroit dhe komandantit të UÇK-së, Rasim Kiçina.“Rasim Kiçina ishte përfaqësues tipik i eprorit të UÇK-së që dallohej për solidaritet me ushtarin dhe qytetarin” – theksoi kryeministri Thaçi
Prishtinë- Në përvjetorin e dhjetë të rënies së gjeneral nënkolonel Rasim Kiçinës u bë inaugurimi i tunelit gjashtëkilometërsh si pjesë e autostradës, dhe shënoi edhe një hap më shumë drejt integrimeve tona evropiane. Me këtë rast kreu i Qeverisë së Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi vlerëson se dalja hapur e njësiteve të UÇK-së në vetvete përmbante edhe tipin e luftëtarëve që ishin rryer për vite të tëra nëpër organizime kundër administrimit të huaj të Kosovë, në rezistencë të vazhdueshme dhe aksione konkrete.

Fjala e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në Akademinë Përkujtimore me rastin e 10 vjetorit të rënies së Heroit të Kosovës, Rasim Kiçina

Dalja hapur e njësiteve të UÇK-së në vetvete përmbante edhe tipin e luftëtarëve që ishin rryer për vite të tëra nëpër organizime kundër administrimit të huaj të Kosovë, në rezistencë të vazhdueshme dhe aksione konkrete. Kjo ngjarje e djeshme - nuk kishte si të mos m’i kujtonte lëvizjet e paraluftës të shumë veprimtarëve, nëpër terrene aq të vështira, për t’i forcuar strukturat e UÇK-së, lëvizjen e mijëra vullnetarëve në vitet 1998 1999.

Sot, jemi bashkë për t’i bërë nderime shtetërore Rasim Kiçinës, njërit prej komandantëve më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Rasim Kiçina i përkiste asaj gjenerate që mishëronte më së miri cilësitë e njeriut të vendosur për çlirimin e atdheut. Njerëz të tillë gjeniun dhe temperamentin e tyre e shfaqin dhe realizojnë në mënyrë kulminante në çastet më të vështira, atëherë kur ballafaqohen praktikisht me jetën, organizimin ushtarak, betejat dhe sprovat të tjera. Në mesin e tyre ishte Rasim Kiçina, i cili, përveç tjerash, me bashkëluftëtarët e tij do ta merrte disa herë rrugën e lodhshme, të rrezikshme dhe të gjatë të furnizimit me armatim. Furnizimi me armatim është një kapitull i rëndësishëm, sakrifikues dhe interesant i luftë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bartësit e të cilit, ndonëse të heshtur, kanë një meritë të veçantë. Rasim Kiçina gjithë cilësitë e tij liridashëse dhe personalitetin e tij të kompletuar e dëshmoi sidomos në vitet e luftës së UÇK-së, në fushat e betejave.

Lufta e zhvilluar te Lisi Gjashtënjak më 28 shkurt 1998, ishte njëra nga betejat ku ai tregoi guximin, gjeturinë dhe solidaritetin e rrallë.

Cilësi të larta morale

Me cilësitë e larta morale e fizike, Rasim Kiçina kudo që vepronte mbillte guxim, trimëri dhe besim në radhët e ushtarëve. Me shpirtin liridashës, karakterin e fortë, trimërinë e lindur dhe zgjuarsinë e tij atij ai rrezatonte siguri, besim dhe optimizëm edhe në çastet më të vështira. Në kujtesën time do të mbeten të paharrueshme momentet e kaluar bashkë në kohën e ofensivave të shtatorit 1998. Edhe kur ballafaqoheshim me rrethana të rënda në terren, edhe kur ballafaqoheshim me rënien e ushtarëve dhe komandantëve, ai me zgjuarsinë e tij me humorin e hollë dhe shpirtin e pasur dinte të krijonte situatë lehtësuese. Rasim Kiçina ishte përfaqësues tipik i eprorit të UÇK-së që dallohej për solidaritet me ushtarin dhe qytetarin. Si epror i Zonës Operative të Drenicës, ai së bashku me shumë luftëtarë ishte pjesëmarrës i mbrojtjes së Grykës së Llapushnikut në ditët e ofensivave të furishme. Cilësitë e tij luftarake u shquan në rezistencën e njësiteve të UÇK-së gjatë kohës së ofensivave të forcave serbe në verën e vitit 1998. Rasim Kiçina u dallua në kundërvëniet që brigadat e ZOD-it u bënë forcave serbe në ofensivat e vjeshtës 1998.

Meritat e jashtëzakonshme ushtarake

Rasim Kiçina ka meritë të jashtëzakonshme në forcimin dhe organizimin e pikës luftarake “Guri”, e cila përfshinte ushtarë që do të sistemohen në kuadër të Brigadës 113 dhe në atë të njësitit komando, në kuadër të Brigadës 111. Pavarësisht se ishte epror i lartë në Zonën Operative të Drenicës, Rasim Kiçina nuk do të ndahej asnjëherë nga betejat. Ai do të jetë pjesëmarrës dhe frymëzues në shumicën e betejave dhe aksioneve që bënë pjesëtarët e Brigadës 113 dhe ata të Brigadës 111, dhe në territoret e brigadave tjera.

Sado të kenë qenë situatat e rënda, qoftë në aspektin operativ ushtarak, qoftë në aspektin politik, Rasim Kiçina asnjëherë nuk është lëkundur nga besimi në drejtësinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.Rasim Kiçina, i zgjuar dhe inteligjent, në çdo kohë ka përkrahur vendimet e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, vendimet e Delegacionit të UÇK-së në Rambuje – Paris, si dhe vizionin politik të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës.Me sjelljen dhe zgjuarsinë që kishte ai gëzonte respekt tek gazetarët dhe reporterët ndërkombëtar të luftës. Ata tek Rasimi kishin gjetur njeriun që i kuptonte drejt, por edhe Rasimi ishte nga ata që e dinte rëndësinë e imazhit që duhej plasuar, përmes tyre, në opinionin publik ndërkombëtar.

Rënia e Rasimit, humbje e madhe për UÇK-në

Në prag të ardhjes së lirisë, UÇK-ja mbet pa një komandant të saj. Me 30 maj 1999 rënia e Rasim Kiçinës dhe e bashkëluftëtarit të tij Ragip Halilaj pa dyshim ishte humbje e madhe e UÇK-së. Sot, në dhjetëvjetorin e rënies, Kosova në mënyrë shtetërore dhe institucionale nderon emrin, jetën dhe veprën e Rasim Kiçinës.Me vendim të Presidentit, Rasim Kiçina nderohet me titullin Hero i Kosovës. Lavdi heroit të Kosovës, Rasim Kiçina!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora