E premte, 19.04.2024, 04:38 AM (GMT+1)

Kulturë

Edmond Shallvari: Mos e ndiqni hijen! (Cikël poetik)

E diele, 31.05.2009, 05:06 PM


Edmond Shallvari

I fola vetvetes

Ashpër i fola vetvetes sot
Dhe ndjeva se ç'është ashpërsia
U mundova ta zbut, por më kot
Dhe ndjeva se ç'është mëria.

Fjalë të ndyra vetvetes i thash'
Dhe ndjeva se ç'është ofendimi
Përkulshëm ju luta, "Më fal, më fal!"
Dhe ndjeva se ç'është pendimi.

E mbusha vetveten me lëvdata
Dhe ndjeva se ç'është mburrja
Ajo iku tutje, më la prapa
Dhe ndjeva se ç'është humbja.

U ula shtruar me vetveten
Dhe ndjeva se ç'është logjika
Vendosa, kështu do të mbetem
Dhe ndjeva se vetvetja ësht' timja!

Prush dhe flakë

Shumë i dhamë njeri-tjetrit
Dhe prap' lamë pa i dhënë
Ndaj diçka mangut na mbeti
Nëpër ëndrra na ka lënë.

Dhe naivë dhe të shkrehur
I dhamë flakë dashurisë
Në s'ka zjarr, prushi ka mbetur
Mes të ftohtës së vetmisë.

Rri pran' prushit e zhuritem
Të ndez flakën që u shua
Dhe pa flakë ndër ndjenja ndizem
Prush dhe flakë je për mua.

Dhe i lodhur

Dhe i lodhur ti më shlodh
Sa m'i ndal buzët në buzë
Për çudi, kaq më mjafton
Të të sulem siç  di unë.

Gurgullon në trup gjaku
Si rrëke nga mali zbritur
Thuaj sa të duash, "Ndalu!"
Ai rrjedh për ku ësht' nisur.

Dhe i lodhur, ti më shlodh
Sa m'i hedh krahët në qafë
Ndalu, moj, se s'duroj dot
Se po ndodhi, dua prapë!

Atë kohë

Jetuam realitet në ëndërrkthyer
Shijuam ndjesi në zemërrrahje
Krijuam dashuri në shpirtrrëfyer
Provuam çvirgjërim në skuqjefaqe.

Ëndërrkthyer, na harruan realitetin
Zemërrrahje, ndjesinë na burgosën
Shpirtrrëfyer, dashurinë na e tretnin
Faqeskuqur, virgjërinë na e vodhën.

Me Pak-un

Me pak-un embrionin na lidhën
Oksigjenuar me frymën e paktë
Me pak-un një epokë na rritën
"Sa e shumtë kjo qenka!", thamë.

Zhdrejtësisht triumfalë ecëm
Jeta na pakohej më pak
Veç prapë besnikë të pak-ut mbetëm
Ç'ti bëjmë, embrionit të pafaj?

Ndrysho, o Zot!

Llaf i palarë që veshët m'i ndot
Me plehra zanore të shpirtit të baltuar
Nëse vërtet na ka krijuar një Zot
Akoma s'e gjej, në ç'lloj shpirti ka gabuar.

Mos vallë dhe Zoti e pësoi si njeriu
Që bashkë me krijimin dhe çkrijimin mbart
Mbetjet e krijesës nga hapësira s'i fshiu
Dhe ato u ngjizën në njeriun balt?

Ndrysho o Zot, ligjet e gjithësisë
Lëvizjet e universit mbase duhet të shpejtosh
Të flaken jashtë orbitave baltformat e njerëzisë
Të mbetet përjetë, NJERIU-NJERËZOR!

Mos e ndiqni hijen!!!

Asgjënë e asgjësë do të shkelni
Boshësinë e një materieje boshe
Trupësinë e një trupi pa trup
Që veç hije i bëri kësaj bote.

Aty gjigandoi përmasat
Më xhuçmaxhuçi i trurit njerëzor
Ai dhe hijen e vet ndoqi prapa
Dhe pa të hija hije lëshon.

Mos ndiqni hijen e hijes
Ajo shpirtin e ferrit ka
Durimin kanibal të pritjes
Që dhe pjellën e vet e ha!

LIRIFLAMA

Shshsht, mos fol!!!
I lirë je të flasësh!?
Shshsht, mbyll goj!!!
I lirë je ta hapësh!?

Suus, mos lëviz!!!
I lirë je të ecësh!?
Suus, në do të pish
Dy nëna njëherësh!!!

Shshsht, ç'kujton
Se deti u bë qumësht?
Suus, o i gjor'
Në mos të del për hundësh!!!

Mjafton dhe kaq

Të ndjesh shikimin e shikimit
Mjafton dhe kaq të dashurosh.
Të kesh dyshimin e dyshimit
Mjafton dhe kaq mos xhelozosh.

Të prekësh ëndërrën e ëndërrës
Mjafton dhe kaq për lumturi
Mos kesh dy zemra brenda zemrës
Mjafton dhe kaq, besnikëri.

Të besosh pafundësin' e fundit
Mjafton dhe kaq pavdekësi
Të kesh vetveten jashtbrenda Un-it
Mjafton dhe kaq, të jesh NJERI!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora