E marte, 24.11.2020, 03:14 PM (GMT)

Aktualitet

Vdes minatori, i kërkoi ministrit Ruli në zyrën e tij kushte pune

E diele, 12.08.2007, 05:04 PM


Sërish tragjedi në galeritë e minierës së Bulqizës. Ndahet nga jeta aksidentalisht Zaim Hysa, i cili punoi për 23 vjet në këtë profesion. Rrëfen Shkëlqim Fiku, dëshmitar në vendngjarje

Nga i dërguari ynë
Afrim Vani

BULQIZË – Para pak javësh i kërkonte ministrit Ruli kushte pune, ndërsa sot ai nuk jeton më, pikërisht për shkak se në galerinë ku nxirrte krom çdo ditë, i mungonin ato të cilat ia kërkonte ne ngulm firmës që e kishte punësuar dhe qeverisë. Ky është fati tragjik i minatorit Zaim Hysa, i cili vdiq dje aksidentalisht në një nga galeritë e minierës së Bulqizës. Minatori që ka ushtruar këtë profesion prej 23 vjetësh është goditur nga një masiv i gurtë kromi teksa po bënte kontrollin e përditshëm. Burime zyrtare bëjnë të ditur se ngjarja tragjike u regjistrua të premten, në orën 10.30. Dëshmitari në vendngjarje, Shkëlqim Fiku, thotë se aksidenti tragjik ndodhi teksa minatori po kontrollonte zonën ku do të bëheshin gërmime dhe do të nxirrej mineral. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se vdekja e 43-vjeçarit Hysa erdhi për shkaqe aksidentale.
Ngjarja
Dy minatorët e repartit të shembjes, Zaim Hysa dhe Shkëlqim Fiku, janë nisur drejt nivelit 14 të minierës dhe kanë vijuar punën si çdo ditë. Pasi kanë mbërritur në frontin e punës, Hysa e Fiku kanë nisur kontrollin e zakonshëm. Por, befasisht, krejt papritur, një masiv shkëmbor, afro 2 tonë, me mineral kromi, ka rënë mbi trupin e minatorit Zaim Hysa. Fiku ka parë me sytë e tij tmerrin. Ai me shpejtësi ka arritur të kërkojë ndihmën e minatorëve të tjerë dhe ka nisur me urgjencë largimin e gurëve të mineralit që kishin pushtuar trupin e imët të Zaim Hysës. Brenda një kohe të shkurtër është larguar materiali nga trupi i Hysës dhe, sipas dëshmitarit në vendngjarje, ai është gjetur i gjallë. Minatorë të shumtë, të ardhur nga frontet e tjera, i erdhën në ndihmë 43-vjeçarit të plagosur rëndë. “E morëm në krah ta dërgonim me shpejtësi në spitalin e qytetit, mirëpo pas disa metrash ai ndërroi jetë. E dërguan në spitalin e qytetit, por pa jetë”, - tha kolegu i viktimës.
Në oborrin e spitalit të qytetit ka shumë njerëz. Trupi i pajetë i Zaim Hysës i nënshtrohet autopsisë dhe ekspertizës mjeko-ligjore. Dhjetëra minatorë qëndrojnë në heshtje. Disa pranë portës së morgut, të tjerë ulur aty përreth.
Pas aksidentit
Në Spitalin lokal të Bulqizës mbërrijnë dhe të afërm të tjerë të familjes Hysa. Dhimbja shtohej për faktin se vitin e fundit Zaimi kishte humbur edhe prindërit e tij. Fillimisht nëna dhe më pastaj babai ishin shuar. Vëllezërit ndodheshin jashtë vendit, në emigracion. Të afërmit e bashkëshortes, minatorë, qytetarë, punonjës policie, mjekë, etj., nxjerrin nga morgu arkivolin që mbante trupin e pajetë të Zaim Hysës. Ky është arkivoli i katërt që del nga kjo portë. Mjeku Rizvan Kazani tregon se Hysa kishte mbërritur në spital pa jetë. Ai kishte pësuar dëmtime serioze në trup dhe në kokë. “Së bashku me grupin hetimor konstatuam se vdekja e Zaim Hysës ka ardhur për shkak të aksidentit në minierë”, - thotë Kazani. Minatorët dhe të afërmit u nisën në drejtim të banesës së minatorit. Në lagjen “Minatori” kishte rënë zia. Dy fëmijët e Zaimit nuk i ndalnin lotët. Në përpjekje për t’u siguruar atyre një jetë më të mirë, mbeti nëntokë, i mbuluar nga minerali që sjell kaq shumë fatkeqësi në qytetin verilindor.
Protesta
Në fund të muajit maj të këtij viti, Zaim Hysa ishte në krye të protestave të minatorëve për kushte më të mira pune dhe për paga më të larta. Biles, ai ishte pjesë e delegacionit të minatorëve dhe sindikalistëve që u takua në Tiranë edhe me ministrin e Ekonomisë Genc Ruli. Mjaft i matur dhe i qetë, ai kërkonte dialog dhe zgjidhje të shqetësimeve të minatorëve. Më shumë se kushdo, punonjësi i minierave për 23 vjet me radhë i kuptonte vështirësitë që paraqiste puna nëntokë. Për më shumë se një muaj, ai ishte në grupin organizator të protestave dhe të grevës së urisë. Ai luftoi për dy kolegët që gjetën vdekjen në minierë me 11 qershor, ndërsa sot, kolegët e tij do ta përcjellin Zaim Hysën për në banesën e fundit.

DËSHMIA
Si më vdiq kolegu në duart e mija

Më i pikëlluar nga të gjithë duket ortaku i Zaimit, Shkëlqim Fiku. I rrethuar nga minatorët e tjerë, ngushëllohet për vdekjen e shokut të tij të ngushtë. “Kurrë në jetën time nuk kisha provuar të më vdiste kolegu i punës në duar”, - thotë dëshmitari në vendngjarje. “U futëm si çdo ditë tjetër në minierë, nisëm të kontrollojmë frontin e punës, që realisht është i vështirë. Shembjet në çdo minierë janë të rrezikshme”, - thotë ai. Zaimi kishte një përvojë të gjatë në punë, mbi 23 vjet, si minator shëmbjeje. Sapo ai ka nisur të kontrollojë me levën e tij çatinë dhe “muret” anësore të shembjes, kur krejt papritur një masiv shkëmbor, i përbërë nga mineral kromi, ka rënë mbi kokën dhe trupin e Zaim Hysës. “Mbeta i shokuar”, - rrëfen Shkëlqimi, - “për pak sekonda nuk e kisha pranë kolegun tim të ngushtë”. Bërtita me sa zë që kisha, por minatorët e tjerë ishin larg frontit tonë të punës. Nisa të largoj me shpejtësi gurët e materialin prej inertesh nga trupi i Zaimit. Gati për pesë minuta e kam nxjerrë nga materiali trupin e kolegut tim”, - rrëfen Fiku. Pas pak minutash vijnë në ndihmë edhe minatorë të tjerë. “E marrim në krah, por ai kishte pësuar dëmtime të mëdha, sidomos në bark dhe në kokë. E gjetëm me frymë, por nuk fliste”, - thotë Shkëlqim Fiku, i cili pohon se “pa kaluar shumë metra nga dalja e minierës, jeta e tij u shua”.

Aksidenti, vdesin në minierë dy minatorë

Më 11 qershor të këtij viti, dy minatorë, banorë të Bulqizës, humbën jetën tragjikisht në thellësitë e pusit nr. 5. Burime të sigurta informacioni sqarojnë se Avni Duriçi e Hysen Lezi, përkatësisht 49 e 35 vjeç, në përpjekje për të siguruar mbijetesën e familjes, kanë humbur jetën teksa realizonin shpërthimin e minave në fund të turnit të punës. Një minator, që i ka shpëtuar për mrekulli vdekjes, ka treguar se Duriçi kishte përgatitur eksplozivin dhe fitilin e dinamitit për të realizuar shpërthimin e radhës, mirëpo besohet se një shpërthim i papritur ka ndodhur. Shpërthimi ka qenë vdekjeprurës për dy minatorët e Bulqizës. Menjëherë pas ngjarjes nisën hetimet, ndërsa kanë përfunduar në pranga dy inxhinierë, përgjegjës teknikë për punimet në minierë. Kjo ngjarje përkoi edhe me protestën e 660 minatorëve, të cilët kërkonin rritje page dhe kushte pune. Ndërsa përfituan shtesë në paga, kushtet në frontet e punës nuk kanë ndryshuar shumë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora