E merkure, 24.04.2024, 08:07 PM (GMT+1)

Kulturë

Traboini: Plazmimi i erës - 10 lirika nga libri "Requiem për një gjethe"

E diele, 31.05.2009, 05:01 PM


Kolec TRABOINI

PLAZMIMI I ERËS - 10 lirika nga libri "Requiem për një gjethe"

PLAZMIMI I ERËS

E ndjej vehten fatkeq, se ky qytet,
i rrahur nga borërat e dallgët e oqeanit
nuk e ka siluetën e Asaj si pjesëz të tij,
që të paktën të dilja ta shihja
permes rrigave të shiut
a kalamendjeve të borës.

Erërat oqeanike do t'ja rrëmbenin flokët,
e dielli si dashnor i zjarrtë
nën vështrimin tim xheloz - të egër,
do ti përkëdhelte fytyrën e vogël.

Do ta ndjeja
përmes ajrit që e rrethonte trupin e kolmë,
përmes tingujsh e jonesh
që ndjell pranvera e vonuar veriore
harruar në krah avionësh diku tej në Europë...

Do të më fanepsej sërisht e sërisht,
të nesërmen e të pasnesërmen
e deri në ditën time të fundit,
ecjakja që më ndez e më përflak
nëpër dëshira lojcake,
si lavjerës i kohën sime
ngecur peng në siluetën e saj.

Notoj ne delire erotike dhe psherëtij,
me mbulon trishtimi i pamundësisë
të shoh e të prek ajrin që e rrethon qënien saj
sepse Ajo nuk jeton në këtë qytet...

VARKA E RE

Më thanë një ditë:
-Ti po e shkatrron këtë varkë të vjetër
që si antikuar, gjithësesi vlen
e kjo e reja - për ty - nuk ka kurrfarë fitimi,
se lumi yt, është tepër i ngushtë,
pak do që të dalësh në bregun tjetër.

- Nuk dua të shkatrroj - i them vetvetes
dhe të tjerëve në poezi ua them, -
por nuk rri dot pa ndërtuar varka të reja
e kjo është destina, fatlume a fatkeqe
e racës së pagjumë të poetëve.

Më thanë e u thashë
e secili shkoi me mendjen e në udhën e vet...

E unë në vetminë time
vazhdoj të ndërtoj varken e re
nën argasjen e erës e shkulmeve të detit,
nën fanarët gjysëm të shuar të portit të ëndrrave,
nën tingujt e përmortshme të një këmbana
që tonon më Requiemin e Verdit - triumf mbi vdekjën
e nuk më lë - as ditë ë as natë - të dremis kokën.

SILVA

Silva më thuaj nga ke ardhur
Silva më thuaj nga ke qënë
do të shkoj portë në portë si Princ i Kaltër
e pas gjurmëvë do të bëj zbulesën tënde.

Silva më thuaj nga ke humbur
Silva më thuaj se ku je
do vë një shilarse tek cepi hënës
të rri të shoh se mos të gjej...

Do nis ca pëllumba në përgjim
e harabela portë në portë
se pa dashuri s'u shtyka jeta
e çdo gëzim tjetër është i kotë.

Gjumi në më zëntë nën mështeknë,
këmbanëza e yjeve të më zgjojë,
se ky kerkim nuk paska fund
sa ka frymë njeriu në këtë botë.

RABECKAT E MENDIMIT

Nuk mund të heshtja.
Kisha shumë gjëra ende pa thënë,
shumë ide e mendime që kërkonin të shfaqeshin
dhe ja u hap një portëz dielli, ( e hape ti plot delikatesë)
dhe ato nuk pritën t’u thosha: po dale, ku vini,
rregulli, morali, jeta, familja, fëmijët... Ndalimi!

Nuk pyetën për kurrgjë...e ja tani
ku rrinë si rrufjanë të vegjël rabeckat lozonjare
të mendimit...
në krahun tënd( poetik),
atje ku duhej të rrinte një ëngjëll roje,
sipas ritual-moralit pankristian
për qëndrim statual në publik.

E tani nëpër enigma vegimesh ti më shfaqesh
si një Borëbardhë e revoltuar,
që para se me ëngjëjt e porcelantë
pëlqen të lozësh me rabecka hokatare.

POETËT DHE ZOGJTË

Ndjeva rezonancën e timbrit tënd
drithërimën, frymëmarrjen e gjoksit
ankthin e ikjes hapsirave të ireales,
dëshirën të dëgjosh tinguj kozmikë
që vinë tej e përtej Universit
e të shlodhesh në shezlongun e erërave,
tek thua: "poetët ikin si zogjt pa ligje"
e ëndrrat rëndin qiejve pa adresë...

Vertetë pse rëndin zogjt dhe poetët
nëse ti në qiell nuk ke dalur t’i presësh?!

E PREKA MUZGUN
ME KRAHË

E preka muzgun me krahë
e nëpër ëndrra mesdite çapita,
që nga mëngjezi të shoh një Evë shprese
në udhë - më kot prita.

Vizioni perëndimit diku larg
tek shuhet mes liqenësh veriorë,
më shfaqet me një fytyrë dielli
si zanë Jutbine e përkorë.

- Ti do të më bësh të vuaj - i them-
ti ëndërrim s'do të më lësh të qetë
tani që mengjezi e mesdita kanë shkuar
e botës në buzëmbrëmje peng i kam mbetë.

E preka muzgun me krahë
një tufë harrakat-harabelash më dalin prej gjoksit
e ikin nëpër rrëpira ndajnatë pa strehë...

PO VJEN
AZEM SHKRELI

Nuk e di pse në kohë të tranzicionit
emocioni po na e mund llogjikën
sa të braktisim e harrojmë mendimin
se poetët s' është e mundur të ndrrojnë jetë,

...e se Azem Shkreli,
në "Lufthansën" e vonuar - me dorë në zemër,
në avion drejt Prishtine
që nga viti 1997 - vjen çdo pranverë,

...paçka se ndonjeherë harrojmë ta presim.

Pranverë 2005

MIQTË E MI

Sa herë shoh vajza belkëputur
bëhem Lasgush i palëkundur,

kur shoh të vuaj të shkretin shqiptar,
shpërthen Migjeni në damar,

para ministrave me fytyrë horri,
në hipën nervi i Fan Nolit,

kur nis e meket e vdes vjeshta,
vjen Vangjush Mio nëpër rrjeshta,

sa herë i vetmuar rri përjashtë,
më mblidhen që të katër bashkë,

më thonë të ulem për tu çmallë,
por unë nuk mundem sa jamë gjallë.

2004

DASHURI DYGJUHËSHE

shqiptaro-malazezëve

I lindur nga dashuria e jo nga urrejtja e dy popujve
megjithëse është e drejta ime të shfaqem si ndjehem,
shqiptar pa cene, e kam obligim të derdh në poezi
dashurinë dy gjuhëshe që më lindi...

Do t’më mallkojnë , e di , e do të thonë
tradhëtar e plot fjalë të tjera idhnake
tek kerkojnë varre e eshtra në mes popujsh
për lojra politike dinake.

Por dashuria gjën udhë në mes shtetesh,
nuk do të dijë për kufinjë e ushtarë,
as për ata që në mizori nuk ngopën
Romeo e Zhuljeta duke vrarë...

Po të këndoj miqësinë, do të më mohojnë,
pa Atdhe do të më lënë të dy palët
do të endëm si varkë, harruar detit
nën mëshirën e pamëshirë të dallgëve.

Më lindi dashuria e jo urrejtja e të dy popujve
e kurrë nuk e mohova Atdhenë,
më poshtrojnë, më shajnë, më përbuzin
se dashurisë kurrkush nuk ja ka ngenë...

MIGJENI SI KRISHT

Eshtë tepër e gjërë kjo rreknajë me emrin Migjen,
që zbret prej malesh ku bien rrufe
e kokrra misrit si ortek rrëzohet;
ku ofshamat e shekullit
nëpër buzë të rreshkura,
ende thurin e shthurin legjenda:
"Mos e shkel e te shitoftë zana!",
"A don qymyr, zotni?"
"Kjo tollumbë sikur don me e hangër mësuesin!"…

Kjo vuajtje, ky kalvar, ky mundim,
kjo revoltë, kjo dallgë, ky Krisht nën kryq,
ky lum, ky det, kjo ëndërr që djeg
tej e përtej në bukurën e të dhëmbshurën Arbëri,
nëpër tërë skajet e shekullit të vjetër
tejpërcjellë edhe në shekullin e ri.

Nuk kalohet dot me dy lloga, as me katër lloga,
nuk kalohet as me varkë e as me gomone,
madje është krejt i pakalueshëm,
sepsë është i thellë si Drini,
plot hone, kreshta e harkada
me një dritë të mistershme,
që ta bën ta lexosh, ta duash e ta ndjesh
vuajtjen e tij si vuajtjen tënde,
sa kohë të ketë njerëz që kanë në shpirt
si plumb të shkrirë
perjetësisht një mollë të ndalueme.

…Anipse janë rroposur kaq vjet
nga zjarri përvëlues
i 28 Gushtit të vitit 1938
kur, 27 vjeçar,
prej dhëmbjeve mizore
- të tij dhe të tjerëve
që gjoksin e poetit kishin si vatër-,
tek mbyllte sytë në Torino
si të ishte një ëngjëll i vertetë
në krah të Lulave të Vocërr të të gjithë botës.

Nuk ishte antinjeri - nuk ishte antizot
poeti i mjerimit të jetëve njerëzore,
poeti i kalvarit të fëmijërisë sime,
përpara të cilit mbetem fëmijë edhe sot.
Le të hedhin gurë e baltë sa të duan
nga arkapijat e cmirës e ligësisë
kalimtarët e kësaj jete që i përkëdhelen fatit
e bëjnë veç hije mbi këtë dhè.

Është tepër e gjërë kjo rreknajë me emrin Migjen,
kjo vuajtje, ky kalvar, ky mundim,
kjo revoltë, kjo dallgë, ky Krisht nën kryq,
ky lum, ky det , kjo ëndërr që djeg
tej e pertej në të bukurën e të dhëmbshurën Arbëri,
nëpër tërë skajet e shekullit të vjetër
tejpercjellë edhe në shekullin e ri…

Është tepër e gjërë, tepër e gjërë,
kjo rreknajë me emrin Migjen.

Boston, 16 Janar 2005

ANTOLOGJIA - PORTAL  AVT
“Poezia eshte e folura percart e perendive.” - Platon



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora