E enjte, 25.04.2024, 09:34 AM (GMT+1)

Kulturë

Lutfi Muça: Dëshpërohem kur shpesh herë kënga e bukur popullore deformohet

E shtune, 30.05.2009, 04:40 PM


Flet këngëtari i mirënjohur i këngës popullore tiranase z. Lutfi Muça

Dëshpërohem kur shpesh herë kënga e bukur popullore deformohet

Nga Albert Zholi

Lutfi Muça është një nga këngëtarët më të njohur të kryeqytetit. Për afro 50 vjet rresht ai si është ndarë asnjëherë skenës duke pasur në repertorin e tij me qindra këngë të cilat i këndojnë nëpër dasma dhe këngëtarët më të rinj. Në këtë rrugëtim, me dhjetra certifikata, diploma, medalje, Fletë-Lavdërimi shoqërojnë jetën e tij të pasur skenike. Kur flet për këngën popullore, ai pa dashur loton, duke treguar në mënyrë të sinqertë dashurinë për të, atë dashuri që ai kurrë nuk e shpërdoroi për arsye komerciale. Në bisedë ai është i dashur dhe i qeshur, dhe herë pas here bisedën e lidh me këngën  duke kënduar pjesë të repertorit të tij të pasur. Dhimbja më e amdhe për të është deformimi që i kanë bërë këngëtarët e rinj këngës popullore, duke e shtrembëruar “deri në atë farë feje, sa këngë popullore s’mund të jetë” shprehet ai dhimbshëm. Në këtë bisedë ai rrëfen vitetkur doli për herë të parë në skenë, vitet e konsolidimit, prishjet e planeve për të dalë me Ansamblin jashtë në kohën e diktaturës, nxjerrjen në treg të albumit të parë dhe planet për të ardhmen.

-Z. Lutfi, Tirana ka këngë popullore karakteristike. Këngë që vijnë shtruar, të qeta, të gëzueshme, që ndryshojnë tërësisht nga këngët popullore të krahinës jugore. Kur keni filluar për herë të parë ti këndoni këto këngë dhe çfarë keni kënduar?

-Unë për herë të parë kam filluar të këndoj me grupin amator të ndërmarrjes të mjeteve mësimore sportive “Hamdi Shijaku”. Në vitin 1965, kam kënduar një duet me Shpresa Alian “Falma  mollën”. Aty për herë të parë kam pasur sukses dhe ajo ka qenë rruga që unë e kam vazhduar më  tej këngën.

-Sa  vjeç keni qenë atëherë?

-Kam qenë  21 vjeç.

-Po më parë  a keni kënduar?

-Kam kënduar me shokët nëpër ditëlindje, tek liqeni, në Prezë, në Dajt, Pezë, nëpër shkolla. Që atëherë e kam pasur hobi këngën. I kisha për  zemër këngëtaret si Fitnete Rexha Naile Hoxha, Agim Hoxha, Havza Zyberi etj. Të gjithë këto unë i shikoja nëpër koncerte, dasma. Në Elbasan u interesova shumë me këngët e Isuf Myzyrit. Isuf Myzyri ishte një nga kompozitorët dhe poetët më të mirë, më të mëdhenj, që e kishte këngën në shpirt. Ai njihej shumë në të gjithë Shqipërinë e mesme, ku kënoheshin të gjitha këngët, sikundër disa këngë të tij nuk u lejuan kurrë të këndoheshin. Më vonë në një përvjetor të Isuf Myzyrit, ku u bë një koncert i madh në qytetin e Elbasanit,  isha i ftuar edhe unë me një knëgë të Isuf Yzyrit të Shqipërisë së mesme. Në koncertet masive dola në vitin 1976, pikërisht në koncertin e Majit në Tiranë

-Si titullohej kënga që more  pjesë  në këtë concert?

-Kënga quhej “Rrugicat e Tiranës”. Nuk transmetohet sepse është një frazë aty që thotë shqiponjat e Enverit dhe  fraza të tjera për Enverin. Kam shumë këngë të tjera që kanë nga një frazë për  Enverin dhe sot nuk këndohen. Ashtu ishte koha athere. Bile edhe në tekstet e këngëve epike dhe lirike.

-Si është natyra e  këngës  tënde?

-Natyra e këngës time është popullore,epike, lirike, heroike dhe kënga  tiranase, por me shtrirje jo brenda Tiranës. Shtrirja e këngës time fillon nga Kavaja  dhe shkon deri në Kosovë, sepse duke provuar me profesorët e mi  zhanret e mia , diksioni dhe karakteri im nuk përfshin zona të tjera, përveç sa më lart.

-Reportori  juaj  sa këngë  numëron?

-Reportori im në televizionin shqiptar ka 42 këngë të incizuara dhe të regjistruara në natyrë. Pastaj në repertorin tim duke pasur parasysh këngët e dasmave dhe sebepeve  është tek 2000 këngë.

-Ju keni pasur mundësi që në dekadat e majit të takonit ish-udhëheqësit?

-Unë udhëheqësit i kam takuar në vitin 1978, në Gjirokastër. Ansambli jonë kudo ku shkonin udhëheqësat i shkonin mbrapa. Në atë kohë  ishte mars 1978 dhe në tetor u bënte Festivali i Gjiroikastrës. Në mars ishte shoku Enver në Gjirokastër (vizita e tij e famshme në minoritet, Dropull), dhe ne shukuam me dhënë shfaqje në Derviçan, dhe në disa fshatra të tjera. Ditën kur erdhi shoku Enver u ul tek rrapi. Na pyet se a ishim përgatitur për në Gjirokastër dhe vazhdoi se  kush nga  ne merte  pjesë  në festivalin kombëtar. Mustafa Basha i tha se është këngëtari Lutfi Muça. Më tha se çfarë kënge do të këndosh dhe unë i thashë këngën e Bab Myslymit. Filloi të qeshte dhe  tha se jo në Gjirokastër, por të shkosh në Pezë, të ulesh me fshatarët e Pezës, pastaj  të dalësh këtu dhe ta tundësh kalanë, sepse ashtu u dridhte Peza kur  luftonte Babë Myslymi.

-Në sa festivale të Gjirokastrës  keni marrë pjesë?

-Kam marrë pjesë në tre festivale 1978, 1983 dhe 1988, që ishin në Gjirokastër,  pastaj më vonë nuk mora pjesë sepse u bënin në Lezhë në Shkodër, Vlorë. Këto më Pas ishin mini festivale.

-Po këtë vit ku do të bëhet  Festivali?

-Thonë që këtë vit do të bëhet në Gjirokastër dhe po u bë kam  dëshirë të marr pjesë qoftë edhe si i ftuar. Gjirokastra për mua ishte perla e festivaleve kombëtare që vinin nga të gjithë shtetet.

- Si ishte organizimi në atë kohë?

-Organizimi ishte i përosur. E gjithë dita ishte e programuar. Tirana dhe  Gjirokastra mbyllte festivalin,pasi ishte vendlindja e Shokut Enever dhe   vendi ku kishte jetonte shoku Enver. Dy javë festival asnjë grup nuk rrinte kot në hotel, por shkonim në të gjithë fshatrat e Gjirokastrës, Përmetit, Tepelenës dhe jepnim shfaqje, derisa të vinte dita e shfaqjes. Pastaj Tirana dhe Gjirokastra ishin dy nga ansamblet kryesore ku njëra merrte  flamurin dhe tjetra  merrte  çmimin e  parë.

-Po jashtë  Shqipërisë a  keni dalë në periudhën e komunizmit?

-Nuk kam dalë  sepse  babai dhe  nëna  kanë  qenë me “biografi të keqe” (qesh)

-Po më pas, gjatë periudhës post-komuniste a keni shkuar  jashtë shtetit nëpër  organizime të ndryshme?

-Po kam shkuar në Maqedoni, ku kam qenë i ftuar në festivalin ballkanik .Suksesi ka qenë i madh. Kam shkuar një herë në  festivalin e Ohërit dhe një në Shkup. Kam dhënë shfaqje në të gjithë  fshatrat e Maqedonisë.

-Kur e ke  bërë albumin e parë?

-Albumin e parë e kam bërë në vitin 2002 në  3-vjetorin e  inagurimit  të “Top Albania Radios” ku për herë të parë ai president që nuk është gjallë  sot Artan Hoxha, më ka bërë albumin, prodhim special në studiot më të spikatura të Top Albania Radios.

-Sa  këngë ka Albumi?

-Albumi ka 10 këngë.

-Si titullohet?

-“N’penxhere  m’ke  dalë”, por ku janë përfshirë këngët “shtylla telefoni”, “buzëqesh goca”, “pse më rin kaq vrenu”, “kurbeti”, “putpuri kosovare” etj.

-Si është pritur  në treg ky album?

- Është pritur mirë. U shitën 10 mijë kopje dhe u shitën pa videoklip. Nuk kishte asnjë këngë videoklip.

-A do të  realizoni më ndonjë album tjetër?

-Tani e kisha përsëri gati, më ftuan në Top Chanel mbasi vdiq  presidenti, por e kam lënë të  bëhet 1-vjetori i vdekjes së Tanit. Dhe pastaj do të bëj dy albume, por me videoklipe.

-Shikohet që në të gjithë repertorin tuaj ju i jeni përmbajtur   tabanit popullor dhe sidomos të Shqipërisë së mesme, a ndjeheni mirë për këtë?

-Unë ndjehem shumë mirë, sepse origjina ime është nga Dibra dhe kemi ardhur që në 1920 në Tiranë dhe unë kam lindur, këtu në Palboxhe ku është edhe një këngë “çe mora palboçen”. Fjalët e Ramadan Sokolit  (që njeh të gjithë muzikën popullore të Balkanit, që i njeh të gjitha trevat), në kursin 9-mujor që na çoi Ministria, se ti ia ke  marrë lulet  Tiranës  të gjitha, më mbajnë ende të etur për këngë..

-Sot ka shumë huazime të këngës popullore, cili është mendimi juaj  për këto?

-Mbas ’92, ka shumë këngëtarë dhe kolegë të mi që janë më të rinj se  unë, të cilët për tregëti kanë prishur edhe këngën popullore të Shqipërisë së mesme. Ia  kanë ndërruar  tekstet. Teksti është original, ai që e këndon populli, nuk është e drejtë të bëhet ky deformim. Ndryshe është kur i bën një orkestracion të ri muzikës, (sepse ka qenë  përpara me  tre vegla  si me darje, llahutë ose me gajde), ku mund të fusësh edhe vegla të kohës, por pa e prishur tekstin.

-Kush është arësya  e prishjes  së teksteve?

-Arësyeja është sepse tregu kërkon tani tallava. Këto tallava këndohen nëpër lokale.

-Nga këngëtarët e muzikës popullore kë veçonit ju, që me të vërtetë  janë përmbajtur tabanit dhe janë këngëtarë potent?

-Janë këngëtarët e vjetër që nuk jetojnë si Afsaja, Fitnetja, Agim Hoxha, Naile  Hoxha, por edhe  shumë të tjerë që e kanë ruajtur tabanin deri në fund. Kurëse këngëtarët e viteve 1992, asnjë nuk mund të them që e këndon origjinale këngën. Unë shumë herë nuk i shikoj këto kanale. Por shikoj tek kanali Italian, ku ajo ka një kanal vetëm për këngën popullore italiane. Cdo shtet ka këngët e veta. Një herë unë këndoja në tavernat e pesëmbëdhjetëkatëshit. Kam kënduar 5 vjet. Vinin turista francesë, etj. I thonim përkthyesve se nga janë këto këngë (pasi më thoshin të këndoja dhe këngë franceze), ato thonin nga  Franca. Shoqëruesi i francesëve thonte se ne kemi ardhur  për këngët popullore shqiptare, se francezen e kemi atje. Më bëri përshtypje kur ishte një shkollë e mesme franceze dhe unë fillova me këndu naplonin dhe ato e kërcenin vallzim. Të gjithë këngët popullore që këndoja unë në taverna ato e kërceshin vallëzim.

-A keni ndonjë peng në gjithë këtë rrugë të gjatë të këngës  popullore?

-Pengu imë është se u grumbullova  katër  herë, një  herë në Fier  dhe tre herë në Tiranë për jashtë shtetit në kohën e diktaturës dhe futën të tjerët dhe unë   kthehesha  përsëri në gjirin e shokëve, pa thënë asnjë fjalë.

-Kur ka qenë momenti më i vështirë në skenë gjatë jetës tuaj artistike?

- Më i vështirë ishte kur një sekretar i Komitetit të Partisë së Tiranës  zëvendësi i Xhelil Gjonit më thotë se do do shkosh me Ansamblin në Mal të Zi. Kur e  dëgjuan më thanë se hiqeni se ky imiton Luan Hajron, nuk duhet taçojmë atë atje. Dhe mbas tre ditësh futet një nga opera Gjergj Sulioti  në vendin tim. Në Fier u fut Dhimitër Dushi, që ishte vëllai i Kozma Dushit, këtu në Tiranë u fut Muharrem Herri që  këndonte  muzikë të lehtë, në Uzinën Traktori u fut Myzejen Cami. Kam pasur shumë kundërshtarë, por dhe kam duruar shumë. Të jeshë një këngëtar dhe të jesh me urdhër  të “Naim Frashërit” qysh në vitin 1983, (kam marrë çmime të para dhe të dyta dhe pa u nda asnjë vit koncerteve të majit) dhe të mos dalësh njëherë jashtë shtetit…!!!? .Në çdo ndërmarrje unë isha i ftuar kur ato shkonim nëpër  turne. Unë gjatë një viti, 9 muaj i kisha turne me të gjitha ndërmarrjet e Tiranës, estradat, ushtrinë. Nuk kam lënë fshat të Shqipërisë pa shkelur, nga Konispoli deri në Dragobi tek shpella e Bajram Currit.

-Po  duet a keni kënduar ndonjëherë?

-Dueti ëështë  një këngë e bukur dhe e vështirë. Prej kaq vitesh unë  gjithsej kam pasur tre duete, sepse nuk më puqeshin zërat. E para ka qenë me Shpresa Aliaj me këngën “Falma mollën”, Abite Shkalla  ‘këndon gjeli pika-pika’ dhe e treta ka qenë me një këngëtar  me  këngën  ‘çile  zemrën n’ato kujtime”. Këtë këngë regjizori Osman Mula e transmetoi natën e  vitit të ri  që doli shumë bukur.

-Sa  recitale  keni realizuar?

-Dy recitale kam bërë, një në vitin 1979 dhe në vitin  1989.

-Sa  kanë  zgjatur  këta  koncerte?

-Nga një orë e gjysëm me katër këngëtarë të ftuar të cilët i zgjidhja unë sipas krahinës. Kur shkoja në Peshkopi merja Liri Rashën, në Pukë  Vitore Rushën, në Shkodër  Mukades Cangën. Ndrësa me Justina Alian për herë të parë  kam kënduar në Fierzë.

-Cfarë  synimesh keni në të ardhmen?

-Synimi është që këngët që kam unë do ti bëj album të veçantë. Me tabanin popullor. Pa asnjë huazim. .Dua të kem edhe ato të  nostalgjisë që më kanë filmuar Osman Mula, Vera Grabocka. Por shumicën e  këngëve I kam me Osman Mulën dhe nuk ia  harroj.

……………

box

Osman Mula

Luti është një ndër këngëtarët më të mirë të këngës popullore të Shqipërisë së Mesme. Lutin e kam ndjekur vazhdimisht ai ka qenë i pranishëm në skenë në koncertet e majit, me repartin e mjeteve mësimore, në estradën Migjeni dhe të gjitha këto janë filmuar nga televizioni shqiptar. Unë e kisha në ngarkim që të ndiqja të gjithë jetën koncertale të rretheve dhe të kryeqytetit. Luti ka qenë një nga personazhet më kryesore të bashkëpunimit me televizionit. Ka  qenë një këngëtar me zë interesant që e ka trajtuar shumë mirë këngën lirike dhe epike. Ai kishte një zë të pastër dhe teksti ia kuptoje shumë mirë. Ka qenë një nga  këngëtarët që ishte edhe i preferuar  nëpër ansamblet mbarë vendit. Pas rënies së sistemit komunist, ranë koncertet dhe ato recitale. Luti qëndroi në Shqipëri dhe përballoi jetën koncertale pak të vakët të  këngës  popullore, por  ajo që ka shumë interes. Luti  është një  ndër ato këngëtarë shqiptarë, ku mund të bashkohet me Albert  Tafanin, Mustafa Mehjen, me vllezërit Zena, mbasi e ruajti muzikën tradicionale shqiptare dhe e këndoi ashtu si e kanë kënduar të parët tanë. Unë kam shumë dëshirë që ky brez  këngëtarësh, jo vetëm që nuk duhet të harrohen, por duhet ti tregojnë këtijë brezi që kënga  popullore  këndohet  vetëm si Luti. Brezi i Lutit është brezi që e mori stafetën nga Bik Ndoja, Fitnete Rexha, Luçie Miloti, Havza Zyberi. Ky është një  brez i arsimuar që e ka marrë direkt stafetën i pari. Detyra  e këtyre është që tra përcjellin këtë frymë dhe traditë tek të ritë sot për të cilët ka shumë probleme. Kënga  popullore nuk është kjo që këndohet sot, ku ka  humb çdo traditë, koncepti dhe llogjika, ku luhet me tekstin, kanë shtuar fjalë vetë dhe  kanë ngatërruar komplet ato tekste të mrekullueshme.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora