E merkure, 24.04.2024, 04:23 AM (GMT+1)

Mendime

Viktor Doda: Memli Krasniqi vs Glauk Konjufca

E shtune, 30.05.2009, 07:08 PM


Memli Krasniqi vs Glauk Konjufca

Nga Viktor Doda

Emisioni ‘Jeta në Kosovë’ me autoren Jeta Xharra tash e sa kohë na shoqëron të enjteve mbrëma. Protagonist të emisionit të fundi ishin: Memli Krasniqi zëdhënës i Qeveris së Kosovës, Besim Abazi gazetar i Zërit të Amerikës, Glauk Konjufca nga lëvizja ‘Vetëvendosje’ dhe Ilir Deda nga KIPRED.
Si gjithnjë në këtë emision rrihen tema të nxehta. Tema e radhës kishte të bënte me lirinë e shprehjes në Kosovë. Censura, auto-censura, flitej aty-këtu për mercenarët e gazetarisë të cilët fatkeqësisht në Kosovë janë me bollëk. Flitej për vështirësitë që hasin gazetarët, por edhe qytetarët e rëndomtë në shprehjen e fjalës së lirë, në kryerje e punëve që kanë të bëjnë më informimin publik etj, etj,..
Jo rastësisht në krye të këtij opinioni vura dy emra; atë të Memli Krasniqit dhe Glauk Konjufcës. Meqenëse ashtu sikurse edhe është pritur nga shikuesit, gjithsesi të shumtë të “Jetës në Kosovë”, më të zëshëm do duhej të ishin këta dy protagonistë të këtij emisioni. Meqenëse në jetën e përditshme, në punën ë e tyre të përditshme i kanë rolet e ndara.
Memli Krasniqi, për mua emër i njohur që më 1997 (mbase edhe më herët) kur fiton një çmim në një festival muzikor me këngën “Një ditë do të jetë më mirë”, tani zyrtar i lartë në Qeverinë e Kosovës, sikur nuk qe i përgatitur t’i bëjë ballë tallazeve që hidhte në drejtim të tij protagonisti tjetër i këtij emisioni, Glauk Konjufca.
Si postskriptum i kësaj që shtrova më lart, edhe tash pas sa e sa vitesh ne lutemi; “Një ditë do të jetë më mirë”. Kjo frazë sikur na ka ngelur në grykë dhe vështirë ta marrë rrugën e saj, kthimin e së cilës nuk do ta kishim dëshiruar kurrë.
Thënë të drejtën Memli Krasniqin gjithnjë e kam parë në krye të ndonjë institucioni të rëndësishëm shtetëror, edhe atëherë kur rrugëve të Prishtinës ecte më stilin e një djaloshi paksa të përkëdhelur i cili ka një pasion, këngën, muzikën në përgjithësi.
Fakti se Memli Krasniqi do bëhet president i shtetit të Kosovës nuk do më kishte befasuar aspak. Këtë imazh të cilin e jepte për mua dikur reperi i Prishtinës, këngët e të cilit i dëgjoj jo rrallë më ëndje, sikur e ka zbeh detyra e tij prej zëdhënësi të Qeverisë.
Simpatia për këtë artist nuk ka humbur për faktin se i ka hyrë politikës, jo përkundrazi aty e kam dëshiruar dikur Memli Krasniqin, mirëpo këtë simpati timen sikur e ka zbeh fakti se kjo figurë që për shumë kë ishte e adhuruar ka nisur t’i jap ngjyrat e saj të vërteta prej se ka filluar punën e zëdhënësit të Qeverisë. Pra, ai u shndërrua në kasnec të Qeverisë së Kosovës e cila jo vetëm fjalën e lirë, por ngadalë po ngulfat të gjitha elementet e demokracisë në Kosovë. Kjo Qeveri po ngulfat demokracinë. Kjo u pa më së mirë të enjten mbrëma në emisionin ‘Jeta në Kosovë’.
Ishte paksa i çuditshëm fakti se gjatë tërë emisionit flitej, për mungesën e shprehjes së lirë, për korrupsionin për  zyrtarë të korruptuar etj,, etj, dhe askund nuk përmendej Gjyqësori, faktori kryesor i cili është i obliguar që të merret me rastet e vëna në pah në emisionin e Jeta Xharrës. Si do që të jetë, ballafaqimi  mes Memli Krasniqit dhe Glauk Konjufcës la të kuptojë se në të shumtën e rasteve më argumentues dhe më i drejtpërdrejt ishte njëri nga drejtuesit e lëvizjes “Vetëvendosje’ sesa zëdhënësi i Qeverisë së Kosovë, i cili në emisionin e të enjtes mbrëma la të kuptojë  se brenda institucioneve të Kosovës, vetëm janë ndërruar figurat, rregullat e lojës kanë mbetur të njëjta. Megjithatë, ne vazhdojmë të lutemi; “Një ditë do të jetë më mirë!”.....



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora