E premte, 29.03.2024, 02:43 PM (GMT)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Qeveritarët shqiptar... në sofër pa prunjë!...

E premte, 29.05.2009, 06:33 PM


QEVERITARËT  SHQIPTAR...  NË  SOFËR  PA  PIRUNJË !...

Nga Fritz RADOVANI

Ka shumë kohë që mendoj për këte shkrim që me siguri shumë kujt mund ti kenë shkue mendja posa kanë lexue titullin se mund të më kenë ba përshtypje sesi qeveritarët tonë, madje, vetë udhëheqësit kryesor të shtetit shqiptar, në sofrat e tyne nuk kanë “pirunjë” dhe, as nuk i shkon mendja me i përdorë ata... Ndoshta, kjo vjen edhe nga tradita familjare e tyne, mbasi për fatin tonë në çeshtjet e traditës na shqiptarët ashtu si në anët e mira, po ashtu, për gjanat negative jemi mbartës dhe trashigues kokfortë. Kjo vërtetohet që në vitët e para të formimit Shtetit parë Shqiptar në vitin 1912. Kishin kalue gati 10 vjetë nga ajo ditë e madhe e 28 Nandorit 1912, dhe sofra e qeveritarve tonë shtrohej me traditën alaturka, se nuk ishte e thanun me u ba një hap nga tradita e sofrës evropjane. Këte rrugë ndiqte edhe krejtë administrata shtetnore e asaj kohë. Me ardhjen e Ahmet Zogut si kryeministër dhe ma vonë edhe mbret i Shqipnisë, shumë kush mendoi se tashma duhet të ndryshojnë shumë gjana dhe, kryesisht, modeli sesi shtrohet sofra pritej me ankth nga pjesa ma e madhe e vetë qeveritarve dhe inteligjencës, që ishte e pranishme në të gjitha hallkat e skutat e shtetit.
 Kur burrat e motit uleshin ndër sofra, zakonisht kur ishte e nëvojshme thika, ata kanë mbajtë brisqit përsonal që i përdornin për çdo nëvojë të tyne. Luga ishte e pranishme sëpse na detyronte tradita e gjellnave me lang në shijen e kuzhinës sonë të vjetër. Piruni nuk ishte i nëvojshëm, mbasi “gishtat” e kishin fshi fare kenjen e tij në sofrat tona ç’prej asaj kohë kur burrat shtroheshin me orë të tana ndër tavolinat e rrumbullakta, traditë e cila ruhet edhe sot ndër fshatrat tona malore e fushore. Mësallat e përbashkëta vazhdojnë me kenë edhe sot, ndonse, në shumë zona janë këthye në mësalla përsonale, ndërsa, në qytet janë zëvendsue me “peceta” ose tash vonë edhe me “letra” për atë qellim...
 Mbasi Ahmet Zogu u detyrue me ikë nga Shqipnia në vitin 1924, ai shkoi në një nga hotelët ma të rëndësishëm të Beogradit, në “Bristol” dhe, mbas pak kohe që jetoi aty, ai erdhi kryeministër në Shqipni... Nuk e kam ndër mend fare me shkrue për ardhjen e tij dhe rrugët e ndjekuna për marrjen e pushtetit apo rimarrjen mbas 1925, as për qeverisjen e tij të asaj kohë, as për dokumentacionet që janë botue dhe vazhdojnë edhe sot me u botue për sa e sa marrveshje të dijtuna apo të mëshefta, mbasi edhe vetë “Historia e Shqipnisë” endè nuk asht botue e saktë për ato peridha historike, që mbesin endè të errta e shumë të pasakta.
 Fakti asht vetëm një se: “Ahmet Zogu nuk ka përdorë “pirunjë” asnjëherë as në sofrën e tij mbretnore, deri me 7 Prill 1939, që ka shkue në Greqi!...”
 Në kohën e okupacionit sofrat janë shtrue e çue prej okupatorve, kështu, nuk mund të flasim asgja sesi kanë hangër zotnitë Mustafa Kruja, as Z. Et-hem Biçakçiu, as Maliq Beg Bushati, as At Anton Harapi, Z. Lef Nosi apo Z. Cafo Beg Ulqini etj...
 “Çudia” e madhe ngjau mbas vitit 1944, kur erdhi në krye të shtetit shqiptar Enver Hoxha, i cili edhe pse kishte jetue disa vite në Francë dhe në Belgjikë, posa mërrijti në ata vite të luftës në Shqipni, iu këthye traditës së vjetër edhe ky, tue hangër në sofër, sigurisht, jo kambëturqisht në shtroje përtokë, por në tavolinë i ulun kambëturqisht në karrigë dhe, pa pirunjë në përdorim... Në sofër kishte “thikë dhe lugë...”. Mësallën e kishte përsonale dhe të kuqe, për mos me u pa njollat...ate, e vente në fyt lartë, se kishte marak mos i stërpikët gjoksi i dalun para nga dekoratat e shumta, të cilat i vente të gjitha kur ulej ndër sofra...
 Një shok i byrosë politike që ishte për drekë tek Enveri, tue e mendue harresë në atë sofër “pirunin”, ia kërkoi kamerierit i cili po iu shërbente. Enveri ndërhyni tue i hjekë një vërejtje miqësore shokut të vet: “Je borgjezuar...nuk lexove materialin e fundit të partisë, që i madh e i vogël po punon për të bërë qytetin si fshatin!...”
– Po, shoku Enver, po ja, njerëz jemi edhe gabojmë!
– E, po, mirë, vazhdojmë...Dhe, kështu, vazhdoi edhe dreka...me thika pa pirunjë.
Ka shumë nga ata që mendojnë sesa kuzhinë të pasun me lloje nga ma të ndryshme ushqimesh duhet të hangër ata udhëheqës! Sa ishin të rinj i shkoi jeta ndër kabare e “male” tue “luftue”. Kur erdhën në pushtet qit e prit ambasadorët jugosllav, grek, rus, bullgar, kinez e sa e sa miq e mysafir të kampeve socialiste e komuniste, që shumica e gjellnave prëgatitej sigurisht për guston e tyne dhe, aty nga e vona kur Enveri kishte mundësi me hangër ke të donte e si ta donte, iu desht me hangër edhe gjizën pa krypë, se nuk e lejonte diabeti, vetëm “mishin” e donte të gjallë dhe të freskët, mundësisht me ia mbytë ndër sy kafshët që e kanë rrethue...mbasi me lloje të tjera u pat ngopë aqsa nuk donte ma...rradhë herë kur kishte rasë me shkye përsëgjalli ndonjë klerik katolik, e donte të sharruem eshtnash, se nuk ngopëj tue i thithë palcin e kockave, madje, shpesh i mbante copat ndër xhepa dhe rrinte tue i sjellë nëpër duer ndër mbledhjet e tejzgjatuna të byrosë politike...
Ju donte të shkretit Sulo Gradeci me vrapue me i gjetë nëpër botë ushqime që nuk do ti banin keq si “marksist – leninst”, edhe pse ishin prodhime të shtetëve kapitaliste.
Shumë prej jush mund të pyesin se ku i kam pa unë këta gjana kaq përsonale të tyne dhe, kryesisht mënyrën sesi hanin, ku hanin dhe si rrinin ndër sofra apo, si i shtronin ato në shtëpijat e tyne luksoze, ku as sot nuk mungon asgja ndër tavolinat e pasardhësve të tyne?
Po, vëllazën e motra shqiptarë, ashtu asht...po, duhet të keni gjithmonë parasyshë dhe, kurr, mos të harroni se, udhëheqësit e shtetit shqiptar gjithë jetën e tyne atëherë dhe sot nuk kanë përdorë kurr “pirunjë”, mbasi qyshë ditën e parë që kanë marrë pushtetin me ndihmën e pakursyeme të “miqve” fqinjë jugosllav, kanë hangër gjithmonë me dy lugë ...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora