Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pritja 35-vjeçare e Besës së Kavajës

| E enjte, 09.08.2007, 09:59 PM |


Nga Besnik Dizdari

Nga “Fremad Amager” e Danimarkës 1972 te “Bežanija” e Serbisë 2007 nuk është një 35 vjetor i pasur për Besën e Kavajës. Më 1972 ajo ka mbyllë një cikël të shkëlqyer të saj për të heshtur plot 35 vjet. Gjatë gjithë kësaj kohe, deri në këte kalim në shekullin e ri, skuadra nobël e Kavajës, asokohe Nënkampione e Ballkanit, në fundore të Kupës së Shqipërisë dhe në 16-she të Evropës, ka njohur edhe pesë mungesa historike të saj pjesëmarrjeje në Kampionatin Kombëtar, çka do të thotë rënie në kategorinë e dytë. Dhe natyrisht që kësisoji, për 35 vjet me rradhë skuadra e Kavajës nuk ka patur asnjë mundësi që të mendonte sado pak për një prekje tjetër të Evropës.

E filluar për Shqipërinë më 26.08.1962 në Stadiumin “Idrottsparken”. të Norrköping të Suedisë me ndeshjen e Kupës së Kampioneve IFK Norrköping – Partizani 2-0, aventura shqiptare në Evropën e klubeve për të mbërritur te një herë e vetme midis 16 skuadrave më të mira të një Kupe të Evropës, ka qenëe shtërnguar të presë një dhjetvjetësh për te Besa e Kavajës. E vërteta është se para ngjarjes së skuadrës së Kavajës, Shqipëria ia kishte arritur të realizonte kualifikimin e saj të parë që për kah cilësia e tij ishte madhështor: më 2 shtator 1970, në Stadiumin Kombëtar "Qemal Stafa". PARTIZANI – ATVIDABERG I SUEDISE 2-0 (1-1 ndeshja e parë). Ky ishte kualifikimi i parë i një skuadre shqiptare, veçse për fat thjesht një tur paraeliminator, që nuk e kishte çuar Partizanin e Loro Boriçit më larg se te pjesëmarrja në turin e parë, pra midis 32 skuadrave të Kupës së Kupave.

1.

Duhej të vinte Besa e Kavajës mbas dy vjetëve.

Ngjarja, siç dihet, merr udhë më 4 qershor 1972 kur Vllaznia e Shkodrës shpallet Kampione e Shqipërisë në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafës” mbas fitores 4-1 me Studentin. për herë të parë mbas 26 vjetësh, qysh nga viti 1946, kur qe hera e fundit. Kështu shpërthen Vllaznia në stinën 1971-72. Kampione Kombëtare mbas 26 vjetësh dhe fituese e Kupës së Shqipërisë mbas fundoreve dramatike me Besën e Kavajës 0-2 e 2-0 dhe me 11-metërsha, plot 5 të shënuar nga një lojtari i vetëm, Ragami, i famshmi. Rasti i përket kërshërinave më të rralla të futbollit botëror. E, pak kush mendonte ndërkaq, se kjo ngjarje fundit e humbjes së Kupës nga ana e Besës, një humbje që as sot mbas 35 vjetëve, ka njerëz që nuk bind në Kavajë, do të shndërrohej për te në një kualifikim befasues evropian.

Eshtë një ngjarje e çuditshme që ka lidhje me skuadrën e mrekullueshme të volejbollit të Vllaznisë e cila shkon ndërkaq në Kosovë për një turne dhe mahnit sportdashësit shqiptarë të Kosovës me volejbollin evropian që paraqet. Ata priten me një simpati të papërshkrueshme, sillen si tepër lirshëm rrugëve të Prishtinës dhe Gjakovës, rrijnë e gëzojnë me bashkombasit e tyre, marrin edhe ndonjë dhuratë Kosove, e cila ekonomikisht shndriste në krahasim me Shqipërinë, dhe kthehen me euforinë e vizitës së pashlyeshme në Shqipëri, por këtu i pret gjâma. Përjashtime të pamshirëshme sportistësh, drejtuesish, dënime të frikëshme. Dhe mandej vendimi i vendimit, që ia kalonte edhe Kanunit të Lekës së Shekullit XV, i cili gjakmarrjen e kishte një me një, ndërsa PPSH-ja e Shkodrës dhe e Tiranës dënonte gjithë Vllazninë, jo më për një, por një me të gjithë. Të gjitha skuadrat dhe sportistët e të gjithë llojeve të sportit të klubit shkodran, ndalohen të përfaqësojnë vendin në ndeshje ndërkombëtare!

Skuadra shkodrane pengohet për të marrë pjesë në Kupën e Evropës ndonëse kishte fituar edhe Kampionat edhe Kupë.

Eshtë Besa e Kavajës, e dyta e Kupës së Shqipërisë, ajo që përfaqëson vendin në Kupat e Evropës, ate të Kupave. Ka përballë një skuadër modeste të Ligës së dytë daneze, Fremad Amager, e cila ashtu si dhe Besa nuk e kishte fituar Kupën, por kishte luajtur fundoren (finalen) e saj me Vejle BK, njëkohësisht dhe kampione atë vit. Dhe 1-1 në Kopenhagen më 13 shtator 1972, falë një goli të vetëm të Nimet Merhorit në të 15’ (barazimi i danezëve me Ryde 67’) që ka mbetë në histori. Në Durrës, në kthim është 0-0 dhe për shkak të golit të fushës kundërshtare, Besa me trajner të paharrueshmin Muhamet (Bet) Vila, dhe ndihmës të tij Agim Dizdarin e mirënjohur, bëhet skuadra e parë e Shqipërisë që futet në 16 më të mirat e Evropës, sepse për fatin e saj të dytë kishte luajtur jo në tur paraeliminator por drejtpërsëdrejti në turin e parë!

E rifiksojmë këte skedë historike:

27 shtator 1972. Durrës.

BESA – FREMAD AMAGER 0-0

BESA: Arkaxhiu, Mullaliu, Kapidani, N.Hushi (Qerolli), Dyla, Karriqi, Kashami, Leshteni, N.Merhori, Pagria, Bishtaja (Allaj). TRAJNER: Muhamet Vila.

FREMAD AMAGER: Larsen, Skyte, Jakobsen, Madsen, Masiassen, Christen, J.Anderssen, T.Nielssen, F.Nielsse, Lyde, Leske (Solomonssen).

GJYQTARE: Stimocki (Jugosllavi).

SHIKUES: 11.000

Ai që shkruan këtu është gazetar i asaj kohe, saktësisht i të përditshmes “Bashkimi”, e cila mbas pak do të merrte kreun e popullaritetit të faqes së saj sportive midis tetë gazetave kombëtare të Shqipërisë, dhe ndonëse është pjesëmarrës me pendë në dorë i gjithë ngjarjes, sot e kësaj dite vazhdon të çuditet se si ky sukses i parë i futbollit shqiptar të rastit të parë të një kubi që arrin 16-shen e Evropës, të jetë trajtuar asisoji. Gazeta sportive e kohës “Sporti popullor” mezi vë njoftimin në faqen e fundit të saj , për shortin e dyshes Besa – Fremad Amager. Kështu apo ndryshe, Besa shkon dhe luan në Kopenhagen më 13 shtator 1972 dhe barazon 1-1. Në gazetën “Bashkimi” nuk arrijmë të bindim për t’i blatuar Besës një rradhë më tepër. Nga pala tjetër, “Sporti popullor” është unikal me shpërfilljen që i bën këtij barazimi. Këtij rezultati që pavarësisht kundërshtarit, ishte historik, i jipet vend vetëm 16 rreshta linotipi, siç thonim ne atëhere në epokën e shtypshkronjave të plumbit, fjalë për fjalë kështu:

“Ndeshjen e vajtjes për turin e parë të Kupës së Kupave, skuadra e Besës së Kavajës e mbylli me një rezultat të kënaqshëm. Ajo luajti të mërkurën e kaluar në Kopenhagen të Danimarkës kundër skuadrës vendase Fremad Amager dhe takimi përfundoi me rezultatin 1-1. Sipas të dhënave që ka redaksia, Besa luajti mjaft mirë dhe, në mënyrë të veçantë gjatë pjesës së parë, ku shënoi dhe një gol me anë të N.Merhorit. Në pjesën e dytë vendasit barazuan tetë minuta para mbarimit të ndeshjes. Shtypi danez e vlerësoi mjaft lojën e ekipit kavajas”.

Në historinë e gazetarisë sportive shqiptare ky lloj rasti është për t’u studjuar në shkollat e gazetarisë, për të kuptuar se si një vend trajtonte skuadrën e tij si të mos ishte e tija. E gjithë faqja e parë e “Sportit popullor” spikaste me mbledhjen kushtuar 30-vjetorit të Konferencës së Pezës, me një takim miqësije me notarët kinezë, e, çka është më e rëndësishme, mu pranë këtyre 16 rradhëve të linotipit për barazimin e Besës në Kupën e Evropës, ka një korrespondencë dyfish më të gjatë për “gjallërimin e jetës sportive në Fabrikën e Qelqit të Kavajës”!

Kjo ka qenë Shqipëria.

Kur vjen kthimi i ndeshjes në Stadiumin e Durrësit para mbi 10.000 spektatorëve, duke u mbikqyrur me vemendje të rrepët prej shtetit, ardhja e qindra e qindra tifozëve të Kavajës me trena për në Durrës, jehona natyrisht është diçka tjetër, por për madhësinë dhe rëndësinë e ngjarjes, një askurgjâ edhe kjo, pavarësisht nga shkrimi i mirë i bashkëpunëtorit të “Sportit popullor”, Ibrahim Mullaliu. Janë vetëm nja pesë rreshta të fillimit të faqes së parë, e mandej tri kollona të faqes së tretë, tejet të ngushtuara edhe ato. Të dukej sikur Shqipëria nuk e kishte dashtë këte kualifkim.

Ndërsa autori i sotëm kishte shkruar në “Bashkimi” përveç të tjerave, në shkrimin e tij njëkollonësh të faqes katër, edhe këto rradhë që sot nuk e kënaqin asesi:

“…Ishte një çast i bukur sportiv ai i djeshmi në Stadiumin e Durrësit. Për herë të parë një skuadër e jona kalon në turin tjetër të një kupe evropiane futbolli midis klubeve. Protagoniste është Besa e Kavajës e cila eliminon skuadrën daneze “Fremad Amager” të Kopenhages e krijuar qysh më 1910. Dihej që rezultati 0-0 kualifikonte skuadrën tonë, por Besa nuk zgjodhi rrugën e një loje të fortë mbrojtëse për të marrë barazimin e bardhë. Jo! Kavajasit kanë meritën se e deshën kualifikimin me një fitore të bukur, këte e tregoi vetë loja sulmuese e tyre, e cila nisi e tillë qysh në minutat e para…”.

E tjerë e tjerë. Ende nuk kishte shpërthyer rubrika e famshme e “Bashkimit”.

Kjo ishte historia e Besës së Kavajës në Evropë që i dha futbollit shqiptar 16-shen e parë për te.

Ajo ishte një Besë vërtet e fortë, kompakte, pasionante, teknike. Në portë Arkaxhiu - mbasardhësi më i denjë i Shevqet Topit dhe para tij treshja e mbrojtjes Mullaliu, Kapidani, N.Hushi, të shkëmbyer edhe me Allajn e Qerollin – një dyshe universale e formacionit kavajas - në unitet të plotë. Mandej truri i lojës nën emrin e Muharrem Karriqit, ndoshta futbollisti më i madh i Besës për të gjitha kohërat (ende mungon një krahasim i tij me Altin Rrakllin i cili më fort se i Besës është i Bundesligave gjermane, madje i së parës dhe i së dytës). Rréma ishte gjithçka. Të tjerët po aq të rendësishëm, natyrisht. Prej pinjollit të fundit të Merhorëve, Nimetit, e deri te Dyla, Kashami, Pagria e Bishtaja. Dhe Leshteni - ndihma e fuqishme që asokohe Lokomotiva i blatonte Besës, administrativisht e rrethit të saj, të Durrësit. Pavarësia që nuk ia dhanë kurr Kavajës, siç thoshte një personifikim i Besës, Sadik Merhori, i cili “e qau” gati gjithë jetën këte.

Qer rikthyer në kavcajë trajneri i paharrueshëm Muhamet Vila, një kavajas “doc”, por dinamas i vjetër po kaq, për të çuar këte Besë në 16-shen e Evropës. Xhevdet Shaqiri në Shkodër e Muhamet Vila në Kavajë, të dukeshin si “fundi i shkëlqyer” i dyshes së famshme të Dinamos së viteve ’50, asaj Shaqiri – Vila ose Xhoda me Betin!

Kur vjen turi i dytë, Besa shkatërrohet 7-1 me Hibernian të Skocisë, por në kthim, zhvillon një ndeshje të shkëlqyer 1-1 në Durrës, duke u regjistruar edhe në këte një episod vërtet “gjeopolitik” i padëgjuar. Eshtë rasti që kemi treguar me kohë, e që ka të bëjë me futbollistin e madh të Flamurtarit të Vlorës, Mexhid Haxhiu, të cilin Besa e merr për përforcim për ndeshjen e kthimit, e papritmas askush nuk guxon ta fusë në fushë sepse prejardhja politike e biografisë, vazhdonte t’i shfaqej me ulje e ngritjet e saj yllit të Vlorës. Kur mbaron pjesa e parë, një partiak i tribunës ka “burrërinë” të urdhërojë që Haxhiu të futet në pjesën e dytë. Mexhidi mezi gjen shpejt e shpejt një fanelë të përshatëshme, hyn, ndërton një lojë të tanë, dhe Besa – Hibernian 1-1, duke u regjistruar kësisoj një rezultat i pashlyeshëm me një klub të shquar të Mbretërisë së Bashkuar.

Vllaznia, e dënuara e pafajshme, ndiqte ndërkaq ngjarjet si një spektatore e pafuqishme…Ndërkohë që me Besën e Kavajës merrte fund periudha e parë e pranisë së Shqipërisë në Kupat e Evropës. Mbërrin Plenumi IV famëkeq i PPSH, viti 1973 dhe “mjaft më edhe me futbollin” thërrasin pa pikë mëshire nga zyra e kështjellës së kuqremtë misterioze të PPSH në Shëtitoren “Dëshmorët e Kombit”. Ishte viti fatal 1973. Shqipëria izolohet edhe me klubet në Evropë, për bukur 6 vjet, periudhë izoluese që në një farë mënyre ka ndalë zhvillimin e futbollit shqiptar drejt një rruge moderne evropiane. Nuk do të ketë as Kombëtare dhe as klube në Evropë! Shqipëria është mbyllë me kualifikimin e Besës së Kavajës, me kualifikimin e pak rreshtave të shtypit shqiptar.

Këtu futbolli shqiptar iu vinte kyçin mesjetar portave të futbollit dhe të sporitit. Do t’i hapte mbas gjashtë vjetëve Vllaznia e Shkodrës, e dënuara e madhe e vitit 1972 Shqipëria nuk do të ishte në Evropë me klubet qysh nga ky kualifikim i Besës në këte 1972. Papritmas çelësi për hapjen e portës evropiane i dorëzohet Vllaznisë, kampiones shqiptare të vitit 1978, gjithnjë në duart e Xhevdet Shaqirit, i cili së bashku me Xhelal Jukën e kishin bërë kampione edhe në vitin “fatal” 1972. Dhe 2-0 Vllaznia ndaj Austria e Vjenës – Kampione e Austrisë, kurkjo e fundit vetëm dy muaj më parë kishte qenë në tetëshe të Kupës së Botës! Ky ishte rikthimi i Shqipërisë në Evropën e futbollit të kupave, pas një ndërprerjeje drastike prej 6 vjetësh. Një rikthim Natyrisht jo kualifikim, sepse është 4-1 në Vjenë, ndonëse për çudi është po 13 shtator, si më 1972, Fremad Amager - Besa 1-1 në Kopenhagen…

Për t’u përsëritur rasti i Besës në të vërtetë duhej të kalonin plot dhjetë vjet. Duhej të vinte viti 1982, 17 Nëntori – Linfield i Irlandës së Veriut për Kupën e Kampioneve dhe përsëri falë golit në fushën kundërshtare (1-0 dhe 1-2) për herë të dytë një klub shqiptar shkon në 16-she të një Kupe të Evropës..

Besa mbetej e para megjithate. Dhe e harruar. Ose e vet-harruar. E vet-harruar për 35 vjet rresht!

2.

Deri më 2 gusht 2007. Besa – Bežanija e Serbisë 0-0. Mbasi dy javë më parë kishte qenë 2-2 në Beograd. Një histori e përsëritur. Dhe mu për shkak të golit në fushën kundërshtare. Madje kësaj here të dy golave në fushën kundërshtare. Në këto 35 vjet të heshtjes së Besës, kanë rrjedhur rradhazi edhe 23 kualifikimve të klubeve shqiptare, midis të cilëve dy janë të një buje: 17 Nëntori – Dinamo e Bukueshtit, 1-0 dhe 2-1 për Kupën e Kupave më 1986, si dhe dy kualifikimet e Flamurtarit: ndaj Partizanit të Beogradit 2-o e 1-2, e të Wismut Aue të RDGJ-së 0-1 e 2-0. Me këto tre kualifikime nuk mund të krahasohet asnjë kualifikim tjetër. As ky i Besës së Kavajës më 2007, që vjen 20 vjet mbas atij zâmadh të Flamurtarit të Vlorës i cili mposht po një skuadër të Serbisë si dhe sot Besa. Me dy ndryshime “gjeopolitike”. Ai ishte një Partizan legjendar i Jugosllavisë dhe ishte disa herë më i madh se Bežanija. Por as ai Flamurtar nuk mundi të shkonte përtej 16-tëshes, të cilën sot skuadrat shqiptare as që mund ta ëndërrojnë. Sepse përveç të tjerave, sot Evropa nuk ka më 32 shtete anëtare, por 53!

Me Flamurtarin 1987 mbyllet historia e madhe e shkurtër e futbollit modest të klubeve tona. Ky është paradoksi. Ikja e futbollistëve ia ka çuar forcën Shqipërisë te Kombëtarja, për të shuar atë të klubeve të saj në Evropë. Sot futbolli shqiptar nuk ka një Flamurtar 1987, kjo jo thjesht ngaqë skuadra e famshme e Vlorës sot nuk luan asnjë rol me rëndësi në Kampionatin Shqiptar, por sepse asnjë klub shqiptar sot nuk është në gjendje të mundë një Austria të Vjenës, një Celtic të Gllaskout, një Dinamo të Bukureshtit, në Partizan të Beogradit, një Barcelonë. Kur kështu siç është UEFA, një “raciale”e cilësisë, shorti vështirë se i çon të vegjëlit te emra kësisoji. Atyre iu duhet të bëjnë mrekullinë. E kështu si kanë shkuar punët me Kampionatin Kombëtar, aq më pak klubet shqiptare mund të bëjnë mrekullina.

Na duhet të këpnaqmi me pak. Përshembull, si këte vit të shtatë të Shekullit XXI kur mbetet e vetme Besa e Kavajës, e cila ashtu si më 1972 kalon një skuadër modeste, ndonëse më lart se sa Fremad Aamger. Po ashtu si 35 vjet më parë, edhe Besa e sotme kalon një skuadër për shkak të vlerës së golit në fushë kundërshtare: barazim me gola jashtë, barazim pa gola mbrenda. Kjo është historia e Besës së Kavajës - i vetmi klub shqiptar që ka marrë dy kualifikime në Kupat e Evropës pa fituar asnjë ndeshje dhe pa humbur asnjë ndeshje! Ndoshta diçka tejet e rrallë për vetë historinë e Kupave të Evropës. Pamja e ngjarjes së re kavajase ishte kjo:

2 gusht 2007. Tiranë. Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”

BESA - BEŽANIJA E SERBISE 0-0

BESA: Zendeli, Hoxha, Zekirja Ramadani, Bikolula Nana, Arapi, Krasniqi (Elokan 93’), Belisha, Alikaj (Fortunat 83’), Veliaj (Kaja 93’), Xhihani, Ishaka Abdulla . TRAJNER: S.Dumitrescu.

BEŽANIJA: Jankovic, Vanic, V.Pavlovic, Jalovic, Baranin, Stancevski, Putincanic, Mihajlovis, Vukajlovic, Duroski (Pavlovic B. 74’), Osmanovic (Milic 84’). TRAJNER: M.Ostojic.

QORTIME: Alikaj (52’), Hoxha (53’, 66’), Stancevski 72’, Jankovic 73’.

PERJASHTIME: Hoaxha (66’), Jankovic 73’.

GJYQTARE: J.Sousa, S.B.Nogueira, A.A. Fernando Braga / POR.

SHIKUES: 6000.

Kjo është skeda dramatike e Besës 2007. Dramatike për tri arësye.

E para, sepse na kujton mbetjen me dhjetë lojtarë të skuadrës kavajase në të 66’ dhe rezistencën e saj për shtatë minuta me një lojtar më pak, deri në të 73’ kur një kundërsulm i rrufeshëm detyron portjerin mik të kryejë gabimin e ndalimit të sulmuesit të fundit dhe qysh nga ky çast të dyja skuadrat me nga dhjetë. Dramatik sepse qenë tri shtylla tronditëse të goditura nga Belisha, Veliaj dhe Ishaka Abdulla. Dhe tri shtylla janë si “një gol e gjysëm”. Një Besë që zhvilloi ndeshjen e saj të Shekullit XXI: elasticitet i tanë mbrojtje – sulm, një skuadër taktike që nuk kalon në aventurë, por mbrohet dhe kundërsulmon, godet shtylla dhe detyron daljen jashtë të portjerit mik. Drejtohet qysh nga mbrojtja me një Zendeli të pakalueshëm, me krahët e mbrojtjes Hoxha, Bikoula dhe Arapi që mbrohen dhe nisin sulmin çuditërisht pa e braktisë vendin dhe rolin e tyre. Me treshen e mesit Belisha-Krasniqi-Veliaj që qe kyçi i lojës. Dhe mandej Xhihani e Ishaka Abdulla, prej të cilëve asnjëherë nuk u hoq vemendja e miqve, që shterronin forca kësisoji. Ishte një ndeshje jo për t’u hedhur përpjetë prej gëzimit, po në modestinë e kualifikimit të përftuar, ishte një ndeshje shembullore. Duhet të jetë, të paktën taktikisht, vepër e trajnerit Dumitrescu. Kaq për përmbledhjen e “dramës” së parë.

“Drama” e dytë, ose dramatikja e dytë, është e një lloji tjetër. Po të shtonim edhe tre rezervat Fortunat, Elokan dhe Kaja të cilët i vunë vulën sigurisë së kualifikimit, na del se patëm Besën më pak kavajase në histori. Ndër 14 lojtarë vetëm tre ishin me prejardhje nga Besa.: Hoxha, Xhihani, Kaja. Të tjerët vinin nga Partizani, Vllaznia, Dinamo, Tomori, Kosova, Maqedonia, Kameruni, Nigeria dhe madje edhe nga Franca për hir të nënshtetësisë së Elokanit! 14 lojtarë, 10 prejardhje, prej të cilave 5 nga 5shtete të huaja. Dhe vetëm tre vendas. Mirë apo keq? Kohë tjetër. Kohë presidentësh si i pasionuari Nexhat Bizhdili, i cili duket se kërkon një Besë të fortë, një 11-sh të fuqishëm nën fanelën e Besës. Prejardhja sot nuk ka rëndësi. Si puna e Interit të Milanos, e cila stinën që shkoi 73 përqind të lojtarëve nuk i kishte italianë. Veç ky krahasim nuk mund të bëhet dhe autori i këtij shkrimi nuk i duron krahasimet me më të mëdhenjtë e futbollit. Eshtë botë tjetër. Për t’iu dhënë hapësirë talenteve shqiptare, këte do ta kishte në dorë një rregullore tjetër, e posaçme e FSHF-së.

Drama Nr. 3 është sociale se sa sportive. Besa e Kavajës i ka dhuruar Shqipërisë dy kualiikime në Kuipate Evropës pa laujtur në fushëne vet, në token e saj, mbrenda mureve të kalasë së saj të futbollit, ndër më të vjetrat në Shqipëri. Çka tregon se ende nuk janë rindërtuasr stadiumet e klubeve tradicionele shqiptare.

Pavarësisht nga këto tri dukuri dramatike, për ne ka rendësi që Besa e Kavajës vazhdon ende në Evropë. Mbas 35 vjetëve. Ose paksa si në historinë e saj të 35 vjetëve më parë. Atë vit të fillimit të Shatëdhjetave kur ajo qe bërë edhe Nënkampione e Ballkanit mbasi kishte lënë mbrapa një skuadër jugosllave apo serbe me emrin Cervenka dhe një skuadër bullgare me emrin Etar. Prej ku kishte shkuar mandej në 16-she të Evropës.

Tash, më 2007, mbas eliminimit ë Bežanijas së Serbisë ka punë me Litex të Bullgarisë. Thonë që historia përsëritet. Kushedi…