E premte, 29.03.2024, 01:41 PM (GMT)

Faleminderit

Luan Cipi: Babai im, Kamani

E premte, 29.05.2009, 08:35 PM


BABAI IM, KAMANI
Jeteshkrim

Nga Luan Kaman Cipi
 
Kaman Çipi, babai ynë, ka lindur në qytetin e Gjirokastrës në vitin 1895. I ngelur jetim, pa babë, qysh në moshën 6 vjeçare dhe duke qenë fëmija i fundit, në një familje numerike, ai përballoi halle dhe vështirësi të shumta. Me shumë sakrificë dhe këmbëngulje ndoqi me sukses dhe përfundoi, njërën pas tjetrës, shkollën fillore dhe plotore turke të qytetit të Gjirokastrës, duke u dalluar për mësimin e gjuhëve turke dhe arabe. Me ndihmën e kushëririt të vet, mësuesit avokat Asaf Çipi dhe patriotit Thoma Papapano ndoqi kurset dhe përvetësoi mirë edhe gjuhën shqipe, duke u përfshirë ndër përhapësit e parë të gjuhës së shkruar amtare.
Pa i gjetur mundësitë për mbijetesë në qytetin e vetë të lindjes, duke ndjekur shembullin e vëllait të madh, që kish emigruar në Turqi, po që se kish gjetur mirë veten, Kamani u vendos të emigronte në Amerike, çka ishte bërë modë aso kohe ndër djemtë gjirokastritë. Ishte viti 1913, vit krize dhe reprezaljesh greke në Gjirokastër, që bënte përpjekje për t’u bashkuar, në pavarësinë e Shqipërisë, me qeverinë e Vlorës. Kamani 18 vjeçar, me një grup djemsh gjirokastritë, niset për në tokën e premtuar, Amerikë. I përkrahur nga të tjerë gjirokastritë e patriotë si Lutfi Çipi, Kosta Isaku, Ramiz Harxhi, atje, në Amerikë, fillon e bën çfarëdo lloj punësh e kursesh dhe më së fundi punon si shofer transporti në një fabrikë municionesh. Në këtë mënyrë shpejt siguron të ardhura të bollshme, shlyen navllon e marr borxh dhe ndihmon familjen në nevojë.
Qysh në ditët e para të jetës në Amerikë, duke rënë në prehrin e shqiptarëve revolucionarë e patriotë, Kamani u lidh dhe u vu në ballë të përpjekjeve për bashkimin e shqiptarëve të Amerikës, në përkrahje të krijimit dhe forcimit të pavarësisë së Shqipërisë, sidomos duke iu kundërvënë intrigave të shovinistëve lakmitarë të lobit të fuqishëm grek. Në qytetin Waterwill, ku u vendos së pari, formuan Degën e Bashkimit nr.42 të Shqiptarëve të Amerikës, duke ngritur, njëkohësisht, Klubin dhe Shkollat e Natës, për mësimin e shqipes dhe zhdukjen e analfabetizmit midis emigrantëve shqiptar. Kamani u caktua, i zgjedhur, sekretar i degës 42 dhe mësues nate për alfabetin shqip. Pas 18 muaj pune intensive Kamani largohet, me kërkesën e patriotit Kosta Isaku në qytetin më të madh të Manchester N.H., ku u vu në shërbim të lëvizjes Noliste. Këtu qëndron 8 muaj dhe po me ndërhyrjen e patrioteve, lëviz
për në një tjetër qytet të madh, me grumbullimin më të ngjeshur të shqiptarëve, East Pithsburg Pa.. Edhe atje zgjidhet Sekretar i Degës, që zhvilloi një aktivitet të shquar për shpëtimin e Shqipërisë, sidomos të Korçës dhe Gjirokastrës, që rrezikohej ti aneksoheshin Greqisë. Ishin dramatike dhe emociononte, kujton babai, ato dite të zjarrta manifestimesh, protestash, mbledhjesh, takimesh, grumbullime ndihmash solidarizuese. Me fjalime të posaçme elokuente, me recitime vjershash e monologësh të zgjedhura, të deklamuara publikisht, djemtë e Shqipërisë linin në dispozicion të fushatës deri shuma të mëdha dollarësh, bile kishte raste, krejt kursimet me libreza banke e portofola dhe me lot në sy thërrisnin ”Mbahu nëno, mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë” Ata ishin gati të linin dhe të sakrifikonin çdo gjë të mirë dhe çdo fitore që kishin realizuar me shumë mund e djersë, aty në Amerikë dhe të
vinin e të jepnin gjakun dhe deri jetën, për Shqipërinë e rrezikuar. Kjo gjendje solidariteti u mbajt për një periudhë të gjatë kohe, në disa vjet. Ishte puna e madhe, e vazhdueshme, intensive e Shoqërisë “Vatra”. E njëjta gjendje elektrizuese dhe entuziaste u krijua edhe në vitet 1919-1920, kur pata fatin , thotë babai, të mbaj lart flamurin e fushatës, si Sekretar i Degës, i rizgjedhur në të njëjtin qytet, për të ndihmuar simbolin e shqiptarizmës, patriotin Avni Rustemi, që ishte burgosur në Francë, se kish guxuar, me atë akt të rrallë trimërie, të vriste, në mes të Parazit, trathëtarin Esat Toptani . Në këtë kohë, në East Pithsburg, për ta shoqëruar në mënyrë më të kulturuar dhe demonstrative aktivitetin pro shqiptar, ne, kryesisht djem gjirokastritë, krijuam shoqërinë kulturore “Drita”, ku sërish shokët më zgjodhën mua sekretar, shkruan në kujtimet e veta Kamani, detyra që i mbajta
deri sa u ktheve në Shqipëri.”
Në Shqipëri Kamani u kthye ne vitin 1922. Erdhi për pushime e çmallje, por edhe me një detyrë të posaçme: Të ndërmjetësonte pranë Bashkisë së qytetit të Gjirokastrës për të ngritur një Bandë Muzikore, që do ta gjallëronte ambientin kulturor të qytetit dhe do ngrinte lart entuziazmin popullor, sipas shembullit të qyteteve të Korçës, Elbasanit dhe Shkodrës. Fondet për këtë do siguroheshin nga kontributet e Shoqërisë Kulturore “Drita” të djemve gjirokastritë të Amerikës.
Javer Beu, kryetari i Bashkisë, u shfaq dakord me propozimin për ngritjen e Bandës Muzikore, por tha: Me këtë punë do merrem unë personalisht, ju me dërgoni dollarët. U kuptua ashiqare qëllimi i tij, për të përvetësuar fondet, duke vepruar, si zakonisht, se ai njihej për këto marifete.
Kur përpjekja për krijimin e bandës muzikore dështoi Kamanin e përfshiu rutina e punëve, problemeve dhe ngjarjeve të kohës: Kreu shërbimin ushtarak në Ushtrinë Shqiptare të sapo formuar, filloi aktivitetin privat të transportit interurban në linjën Vlorë-Janinë, me një autoveturë, që e kish sjell nga jashtë, u fejua dhe u martua.. Ndërkohë takohet me patriotë dhe revolucionarë të kohës dhe, pikërisht, Avni Rustemi, ai të cilin e adhuronte aq shumë së largu, ia mbushi mendjen ta refuzojë thirrjen për rikthim në Amerikë dhe ta anëtarësojë në shoqërinë “Opinga” dhe “Bashkimi”
Vrasja e Avniut e dëshpëron dhe e mbush me urrejtje. Fillimi i revolucionit të qershorit 1924 e përfshin, me gjithë automjetin e tij në ato ngjarje të vrullshme në pjesëmarrje aktive dhe luftarake. Merret me lëvizje trupash, ushqimesh dhe veshmbathje; lufton me armë në dorë në betejën e Ardenicës, në çetën e Rrapo Çelos, ku dhe plagoset në pulpën e këmbës së majtë. Dështimi i Qeverise së Nolit, idhullit të tij të përjetshëm, zhgënjimi për masat gjysmake dhe për paaftësitë dhe pasivitetin e tij, mungesa e organizimit dhe e harmonisë ndërvepruese, ndarja në grupe interesash dhe përfituesish grindavecë, e hedh në dëshpërim dhe e bën që të urrejë politikën dhe politikanët interesaxhinje, duke na këshilluar, që dhe ne, bijtë e tij, gjithnjë të qëndrojmë larg tyre.
 
Familja dhe prona u bë qëllimi i jetës së tij...Vazhdoi punën si shofer. Krijoi Axhensinë e Autoveturave Vlorë-Gjirokastër, duke i kooperuar ato pak automjete të kohës, që ishin në luftë konkurruese. Në vitin 1934 mbartet familjarisht në Vlorë dhe në aktivitetin e tij tregtar përfshihet dhe transporti i mallrave. Merë monopolin e shpërndarjes së kripës së detit për zonën e jugut, bën tregti me drithëra dhe lëkurë. Axhensia e Transportit Automobilistik në Vlorë vendoset në Sheshin “Tomson”, në qendër të qytetit. Për hapat e shpejta e të suksesshme shërbeu shkalla e lart relativisht e arsimimit si dhe përvoja, gati 10 vjeçare amerikane. Veç kësaj, aty afër është gjirokastriti Resul Hoxha, me regëtinë e drithërave; përbri nipi i Kamanit, Beti, me distributor karburanti; në të djathtë Hilmi Çipi, i vëllai Kamanit, me Hotel “Korçën”; majtas Fadil Kotoni me Farmaci. Ishte si në një oazë, një
Gjirokastër e vogël, e ringritur aty, në mesin e Vlorës. Veç kësaj, në Vlorën e pasur nga natyra dhe të bekuar nga Zoti, prej kohësh kishin zbritur qindra gjirokastritë punëtorë e kursimtarë, që ishin pasuruar dhe ishin bërë ndër pronarët më të kamur veprues. Ata e përkrahnin dhe e ndihmonin pa xhelozi njeri tjetrin.
Në Vlorë Kamani, shpejt, nisi të zbatojë përvojën e marrë si emigrant nga Amerika, duke u orientuar në bizneset më të leverdishme. Ai përsëriste sentencën “Sa më shumë të ndërtosh, aq më shumë do të rrosh” Dhe gjithë jetën, sa mundi, u mor edhe me ndërtime. ”Ka dy lloj njerëzish, thosh, ndërtues dhe prishës. Ne duhet te jemi nga ata që ndërtojnë, me punë të lodhshme dhe me djersën e ballit” Bleu tokë, në Skelë të Vlorës nga familja “Vlora” dhe më pas nga gjirokastriti Veli Harxhi dhe në vitin 1937 ndërtoi një vilë dy katshe, që për shumë vjet ishte e vetmja banesë e rrugës Vlorë-Skelë. Atje, në kushte shumë të mira banimi, në kopshte të gjelbëruara me shumë pemë, lule, baçe të mbjella me gjithfarë zarzavate gjithëvjetore, me lopë qumështi, pula, kalë shale e automjete të vogla e të mëdha, duke ndjerë nga afër zhurmën dhe erën e detit, banuam disa vjet, deri pak kohë pas
okupacionit italo-fashist. Italianët të vendosur ushtarakisht me kazerma karshi shtëpisë tonë, e kërkuan me insistim dhe imponuan marrjen e saj me qira. Kamani shpërngulet në Vlorë, ku nis ndërtimi i shtëpisë tjetër dy katshe, me gurë, në lagjen Muradie. Guri vinte nga Drashovica dhe shfrytëzohej rruga e kthimit bosh të makinave nga Gjirokastra, sipas përvojës së ndërtimit të shtëpisë së Skelës. Ishte kjo periudha kur Kamani, me gjirokastritët e pasur Musa Gurgaj dhe Syrja Peshkëpia formuan shoqërinë tregtare automobilistike “PEGUÇI”, ku përfshinë 4 automjete diesel të reja të kohës me rimorkio, si Fiat sesantasej, Fiat ventisej dhe Trentakuatro, që administroheshin nga Axhensia Automobilistike e Kaman Çipit në Vlorë.
 
Luftën Nacional- Çlirimtare kundër okupatorit italo-gjerman Kamani e përkrahu pa rezerva, duke e konsideruar atë si “luftën e vegjëlisë, me principe e ideale më të gjëra e më të sakta, nga ato të rinisë time”. Për të argumentuar këtë ai shton:” I riu, që ka pasur fatin për vepra patriotike (aludon për vete), i di dhe i çmon fort, duke i parë nga pleqëria, ku i digjet zëmra, po si punon fiziku”.Ai personalisht, po dhe me djalin e tij, Enverin, antifashist i orëve të para dhe partizan veteran, përkrahu sa mundi luftën me ndihma materiale, strehim partizanësh e ilegalësh dhe me kontribut direkt. Dy pjesmarës dhe drejtues të rëndësishëm të luftës dr.Omer Nishani dhe Rexhep Sulejmani, si dhe nacionalisti Safet Butka, ishin ndër shokët dhe miqtë e tij më të mirë. Kamani u burgos, në kohën e Okupacionit dhe u kërkua për internim.
 
Gjatë luftës Italo-Greke, kur Vlora nisi të bombardohej nga aviacioni anglez, familja jonë, si e shumë vlonjatëve të tjerë, u shpërngul nga Vlora dhe u vendos pranë dajove, në Fier. Edhe atje Kamani bleu tokë dhe ndërtoi një shtëpi tre katshe, në lagjen “Liri”, me vend parkimi, hajate dhe baçe, e gjithë e rrethuar me murr blloqesh betoni. Për punimet e rifiniturës dhe zbukurime e deri piktura murale në këtë shtëpi u përdorën edhe tre italianë, të ngelur rrugëve, pas kapitullimit të Italisë dhe që u mbajtën në familjen tonë, si të ishin pjesëtarë aktiv të saj, duke ngrënë e pirë në një sofër.
 
Në vitin 1944 Kamani kthehet familjarisht në Vlorë dhe vendoset në shtëpinë e Skelës. Rikrijohet Axhensia e Transportit dhe shumë shpejt të gjitha mjetet e transportit të privatëve punojnë të bashkuara, të inkuadruar nga shteti, sipas nevojave për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe rindërtimin e vendit, dhe Kamani caktohet si Kryetar i Këshillit të Transportit Automobilistik të Vlorës. Krijohet Bashkimi i Kooperativave të Transportit Automobilistik dhe Kamani, sërish, zgjidhet delegat permanent i degës së Vlorës pranë Federatës Nacionale të AT me qendër në Tiranë. Pak kohë punoi dhe si përkthyes i anglishtes, pranë Aleatëve në UNRA, shofer në Distilerinë “Skenderbej”, magazinier, po aty, kafexhi privat me një ortak në një dyqan të vetin, pranë Merkatos së qytetit dhe së fundi, deri sa vdiq, Sekretar i Gjyshatës Bektashiane në Kuzbaba Vlorë. Në periudhën e fundit u intensifikua veprimtaria e tij si
përkthyes nga anglishtja, turqishtja dhe arabishtja dhe si krijues i mirëfilltë e sidomos poet pasionant. Selia e Shenjtë e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, me “Dekretin e Shenjtë” nr. 37, datë 15 maj 1950 e shpall Kaman Çipin DERVISH, duke i dhënë të drejtën “ me vesh roben e shenjtë të Haxhi Bektashit në të gjitha Teqetë Bektashiane të Botës “
Duhet thënëse vitet e para pas çlirimit të vendit, disa armiq personal të tij, të pa aftë për punë të ndershme, të liq, ambiciozë e intrigantë, përkohësisht me pushtet, duke u bërë xheloz për sukseset, pasurinë dhe vitalitetin e tij, i sollën shqetësime serioze, që, si të thuash, i shkurtuan jetën. Kamani përjetoi strese dhe poshtërime të pazakonta si presione deri burgosje për dorëzim arri, duke përballuar me trimëri torturat gjurmlënëse të xhelatit të Sigurimit të Shtetit, toger Samiut ( që më vonë, për këto lloj krimesh u ekzekutua); kryejti, përkohësisht, punë angari të pa volitshme për shëndetin dhe moshën e tij si hapje kanalesh dhe punë bujqësore në Llakatund. Po kështu gjurmë të rënda lanë dhe sekuestrimi, pa shpërblim i automjeteve, shtetëzimi i shtëpive dhe dyqaneve e deri shpallja si të pa dëshirueshëm, pa triskë fronti, për disa muaj dhe peripeci të tjera.
Kaman Çipi ishte një burrë i fort fizikisht, i shkurtër rreth 158 cm., gjithnjë i shëndoshë dhe me peshë mbi 75 kg.. Ishte mjaftë dinamik, në lëvizje e kërkim të pasosur njohurish dhe vlerash. Ai ishte shumë i lidhur me punën dhe mjaft i shoqërueshëm; lexonte e shkruante anglisht, turqisht (shkrimin e vjetër dhe të ri) dhe arabisht, fliste greqisht dhe italisht. Kamani shkruante poezi të bukura mistiko fetare dhe për dashurinë familjare dhe thurrte tregime me humor të zgjedhur. Në Bibliotekën familjare i gjeje të gjitha librat shqip të kohës si dhe koleksionet me revistat përparimtare. Ai këndonte shumë bukur me zë të lart e të pastër tenori, duke e shoqëruar me mandolinën e tij “Gibson”, të prurë nga Amerika. E këndonte mirë polifoninë labe, e sidomos atë gjirokastrite, aqsa e kërkonin posaçërisht dhe e vinin në krye te sofrës në davete e ahengje. Ishte një profesionist politeknik dhe mjaftë i
thelluar në njohuritë për mirëmbajtjen, meremetimin dhe eliminimin e defekteve në automjetet. Dallohej për dirigjimin e automjeteve, në kushtet e infrastrukturës mizerabile të kohës, kur për të kaluar në disa ngushtica me dredha duhej të ktheheshe disa herë pas. Tregojnë dëshmitarë okularë, që kishin dëgjuar Drejtorin francez të liceut të Gjirokastrës, pas një udhëtimi në kohë shiu e bore, kur ai u tha nxënësve menjëherë pas kthimit, se jeta e tij kish shpëtuar vetëm në saj të trimërisë dhe zotësisë manovruese të shoferit të rrallë, shqiptarit Kaman Çipi. Ai ishte, i vetmi për kohën, që për të shkuar në Janinë e kalonte automjetin në një urë mbi dy binarët paralel të ngushtë sa gjerësia e gomave. Me autoveturën e tij amerikane tip “Bujk” kishte marë pjesë me sukses në disa gara të përvitshme automobilizmi mbarëkombëtare, të organizuara në Shqipi, para lufte.
Kaman Çipi ishte një burrë me karakter të fort shqiptari. Ai, në një autobiografi, që unë e disponoj, pat shkruar: JAM RRITUR ME EDUKIMIN FAMILJAR TE JEM ARMIK I GËNJESHTRËS, I VJEDHJES, I KRIMIT, I KURVËRISË, I SPIUNAZHIT, I MASHTRIMIT DHE I TRADHTISË, PRA TË JEM MODEST, PUNËTOR, PA FRIKË DHE PA LAJKA .
Kaman Çipi vdiq herët në mëngjesin e datës 9 prill 1953 në shtëpinë e Muradies Vlorë dhe u varros në kodrën e Kuzbabasë, në vorezën rezervate të Teqesë Bektashiane. Vari i mermertë, me eshtrat e tij të mbledhura, disa vjet më vonë, u rikonstruktua dhe u transferua, për nevoja publike, në varrezat e përbashkëta të Babicës Vlorë, parcela nr.4 . Ai, po atje është dhe sot, i rikonstruktuar dhe i përbashkët me djalin e tij të madh, Bektashin. 
 
Dy gjurmë origjinale të Kaman Çipit:
 
1.-Copa nga kohë të ndryshme të jetës
 
Sa të lumtur rronim
Kur ishim të ri,
Kur hënën shikonim
Kokë më kokë, të dy
……………
 
Atje, në dritare
Në odanë e madhe,
Hënëzën vështronim,
Shumë e dashuronim
 
Syrin tënd të bukur,
Ballin kubeli
Oh, llërët e bardha
Ç’ti kishin zili.
 
Leshrat mbi supe,
Që shumë ti doja,
Lehtë ti përkëledhja,
Mos prisheshin droja.
 
Ti moj hënë e plotë,
Hënë e asaj nate,
Kurrë s’ta harrojmë
Dritën që ti pate.
 
Pamjen e së dashurës
Bukur e shkëlqeje
Ashtu, si që ishte,
Hapur ma rrëfenje.
 
Hënëza, lart, atje
Ja dhe këtje.
Hënëza në qiell
Po, dhe në dhe.
 
 
2.-Porositë e një letre
 
-Kryelartësia dhe dëshira ime më e flaktë është që djemtë e mi të jenë të parët në mësime dhe gjithnjë të çquar.
-Mbi të gjitha lëndët vlerëso matematikën, se ajo është superiore dhe peshimi real i kapacitetit mentor të secilit.
 
Shenim: Ky jeteshkrim eshte pergatitur, sipas te dhenave atobiografike te Kaman Cipit, nga djali i tij, Luan Cipi
 
BABAI IM

Nga Luan Kaman Cipi
 
Ti ike i ri, tash gjithçka është tretur,
Dhimbja ka zënë cipë, malli është venitur,
Pesëdhjetë vjet shkuan, kujtimet kanë mbetur,
Po, për sa jetove, si diell ke ndritur.
 
I ngelur jetim, i vogël, pa fat
I katërti vëlla nga fisi Çipat.
Palorto e vjetër, sokakët me gurë
Hallet e mundimet të bënë burrë mbi burrë.
 
Shtatëmbëdhjetë vjeçar u nise kurbetit,
Në Amerikën e largët, shkohej me anije,
Për gati një muaj do lundroje detit
Me drojë e me frikë vallë në do arrije.
 
Duhej gjetur punë, mbulesa e shtresa
Dhe vuajtja shtohej me ditë e me natë,
Hanim bukë thatë dhe flinim me ndresa,
Në kurse e shkolla mësonim zanat.
 
Pa duhej kursyer dhe një cent dollari,
Për të larë navllon dhe borxhet radhë
Para desh familja, me halle shqiptari,
Ndihmë kërkon dhe “ Vatra” me Nolin në ballë.
 
U vure në krye mbi gjithë shqiptarët
Dhe fole guximshëm me bashkatdhetarët:
“Ti mbahu, moj nëne, e kurrë mos kijë frikë,
Se, djemtë më të mirë, ke në Amerikë”
 
Ngrihen emigrantët nga fundi i dheut
Gjer në Francë, larg, shkoi zëri i Atdheut
Mbrojtje e lirim Avniut të Çikës
Nga Vatra Shqiptare e Pan Amerikës.
 
Ti rrojte me brengën e tokës shqiptare,
Përjetove larg Kotën dhe Beunin,*
Po gjithë dimra pe, e kur jo behare,
Kur dhe mbreti Zo shiti Shën Naunin.
 
Nëntë vjet mërgimtar, shumë djersë derdhe.
Me Im Zot Nolin, trima e mendimtarë,
Kur Atdheu u thërriti, ti sërish erdhe
Dhe prapë u radhite në rreshtin e parë.
 
Vitet njeri tjetrit i thoshin: unë ika.
Dështoi revolucioni dhe demokracia,
Nuk bëri njeri siç desh Amerika.
Fitoi mbretëria dhe autokracia.
 
Me tej mbreti Zog, tinëz, po me ar
U largua paq me “trimat” e tij
Dhe fashizmi i zi, na futi në darë
Tha me ne do jeni një perandori.
 
Ti, o babë i dashur, kaq shumë u zhgënjeve,
Dikush do mendonte se të zuri frika,
Ndaj gjithmonë na thoshe: “O djemtë e plebenjve
Mos i ndyni duart, larg nga politika.”
 
Dhe ju fute punës, siç kishe mësuar,
Krijove familjen dhe rrojte me nder,
Që të pesë fëmijët i pate edukuar,
Punën edhe Librin ti kishin fener.
 
Ndërtove dyqane dhe ngrite pallate,
Tregti e transport menaxhove mirë
Disa troje bleve, tregti private,
Mirë pate mbjellur, më mirë në të shirë.
 
Edhe ne luftuam edhe ne punuam,
Po çfarë vallë na ngeli, për shenjë si kujtim,
Kur nxorëm bilancin edhe numëruam
Rezultoi të kishim zero përfitim.
 
Ndaj më shumë për ty, tani shtohet vlera,
Kur shohim lartuar ngrehinat në shtesa
Në pronat e tua në trojet e blera
Rrojnë trashëgimtarët, nipa edhe mbesa .
 
10.01.08
 
*Lufta e Vlorës



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora