E enjte, 25.04.2024, 02:52 AM (GMT+1)

Faleminderit

Halit Bogiqi: Çun Lajçi

E enjte, 28.05.2009, 07:17 PM


Çun Lajçi

Portreti i aktorit tonë të mirënjohur

Nga Halit Bogiqi

Pas çlirimit të Kosovës , në emisionin televiziv”Në orët e vona”  mysafir ishte edhe Çun Lajçi  , njëri ndër personalitetet tona më të  shquara në lëmin e artit filmor dhe teatror.
Për Çun Lajçin dinim shumëçka nga e kaluara e tij artistike por gjërat kryesore nuk i kishim  ditur  asnjëherë, sidomos ato që ishin relevante dhe nxitëse për vokacionin e tij jetësor dhe siç e pamë  në atë  emision, ai asnjëherë nuk kishte menduar se do të bëhej pikërisht aktor!
Gjatë jetës së tij interpretoi role të llojllojshme me të cilat e joshte çdo spektator të pasionuar që artin teatror dhe filmor e ka na zemër dhe shpirt. Ai interpretonte personazhe të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare të cilat kanë mbetur në kujtesën tonë të përhershme si figura të rralla që kishin kontribuar pozitivisht tek popujt e tyre.
Siç mësuam nga ai emision- te Çuin Lajçi ndikim të madh patriotik kishin bërë edhe prindërit e tij të nderuar që kishin origjinën e tyre tek dyert patriotike, bujare dhe me zemër shqiptare, ku babai i tij kishte qenë edhe roja e fundit e atdhetarit të  shquar Bajram Curri, duke ia lënë të birit të tij amanet edhe Lahutën e heroi tonë kombëtar së cilës ishte mësuar t’i binte Çun Lajçi dhe të interpretonte këngë për Bajram Currin dhe Oso Kukën, inspiruar nga “Lahuta e Malcisë” së Gjergj Fishtës.
Që nga bankat shkollore të Normales së Prizrenit, aktori ynë ishte mishëruar edhe me rolin e Bajram Currit të cilin e interpretonte shpeshherë si nxënës i shkollës/në  seksionin dramatik/ ku edhe i kishte lindur dëshira jetësore që të bëhej aktor, ku më  vonë e shohim edhe si anëtar të Teatrit tonë Krahinor, ku mund të inkuadroheshin vetëm talentët e rrallë, siç ishte edhe Çuni..
Duke pasur parasysh një  traditë të tillë patriotike dhe një nostalgji të madhe ndaj heroit tonë të përmendur legjendar ,  Çun Lajçi  rritet, arsimohet dhe edukohet në atë frymë, madje edhe duke interpretuar edhe këngë të ndryshme, kushtuar Plakut të Dragobisë që kishte luftuar shumë gjatë ndaj armiqve tanë shekullorë..
Çun Lajçi dhe veprat e tij:teatrore, filmore dhe muzikore na emocionojnë së tepërmi dhe na bëjnë krenarë që në mesin tonë kemi një artist të tillë aq poliedrik me emrin e të  cilit janë të lidhura disa lloje të artit.
Me mallë të madh i kujtojmë edhe dramat:”Hamleti”dhe”Kaligula” në të  cilat Çun Lajçi  shkëlqeu si një meteor i ndritur i nënqiellit teatror kosovar. Të gjitha rolet e tij ishin tejet origjinale dhe bindëse ngase ai nuk luante çfarëdo roli dhe kush mund t’i harrojë edhe kreacionet e tjera të shumta të tij me të cilat ishte i mishëruar gjatë tërë jetës së  tij  të bujshme artistike.
Me kalimin e viteve ai vinte e bëhej gjithnjë e më i madh, më i  dashur, më i respektuar, me të cilin  është  e lidhur një periudhë mjaft e gjatë e jetës sonë kulturore, e cila shënoi kthesa dhe të arritura të jashtëzakonshme .
Çun Lajçi me recitalet e veta u bë madhështor edhe gjatë luftës sonë çlirimtare kur u jepte forcë dhe gjallëri luftëtarëve tanë të lirisë të cilët kishin marrë armët në duart e veta për çlirimin e atdheut tonë të robëruar nga armiku ynë i pashpirtë..
Vargjet e tij të pavdekshme kushtuar plisave dhe tokës sonë të  shenjtë dhe të shtrenjtë do të mbesin përherë në kujtesën tonë liridashëse., sepse Çuni ishte vetëm një aktor i tillë për aso vargje specifike të cilat kumbonin në  shtatë palë qiej, ose siç thotë ajo shprehja popullore” i zgjonin edhe të vdekurit nga varri”.
Qëllimi i tij ishte modest, vullkanik, i qartë, çlirimtar, patriotik dhe heroik. Themi heroik ngase nuk ishte aspak lehtë që Çun Lajçi t’i recitonte shumë shpesh ato vargje bombastike kur dihej se armiku ynë e përgjonte çdo patriot të vërtetë nga trojet tona.
Vargjet e tij na bënin thirrje të gjithëve, për të na e përkujtuar se atdheu ynë i përgjakur ishte nën kthetrat e pamëshirshme dhe kërkonte ndihmën tonë të menjëhershme. Në këtë kontekst na kujtohen thirrjet e Çunit në një përvjetor kushtuar Vrasjes së Jusuf Gërvallës, vëllait të tij/Bardhoshit/dhe Kadri Zekës, i mbajtur në  Medresen e Prishtinës. Aty hyri Çun Llajçi me atë zë të thekshëm me të cilin bënte thirrje kushtrimi për të zgjuar asociacione dhe emocione të shumta shikuesit..Ishin ato vargje të dala nga thellësitë e zemrës së aktorit ngase, përveç tjerash, ai e kishte shok Jusuf Gërvallën me të cilin ndonjëherë këndonin së bashku me instrumentet e tyre muzikore. Atë ditë  Çuni na thërriste të gjithë neve që ishim të pranishëm në  atë përkujtim të martirëve tanë të vrarë nga dora gjakatare e armiqve tanë. Na thërriste për të na treguar se nuk duhej të rrinim  duarkryq ndaj poshtërimeve të njëpasnjëshme që i bëheshin vazhdimisht këtij populli të pambrojtur por përherë luftarak nëpër epoka të ndryshme të historisë sonë të lavdishme.
Duke lëshuar kushtrimin e tij të  fortë:”Se kjo tokë, as nuk  shitet as nuk blehet”, tregonte se Drenica digjej flakë nga bandat çetnike të cilat ishin lëshuar si hienat me tërbimin më të madh për vrarë dhe për të  zhdukur sa më shumë shqiptarë.
Çuni na bënte të  fortë, stoikë dhe të përlotur në  ato ditë të stuhishme kur atdheut i  duheshin njerëz të tillë me vargje të pavdekshme dhe tragjike, për ta sensibilizuar edhe më tepër çështjen tonë të përgjithshme kombëtare dhe angazhimin tonë për çlirim definitiv të këtij populli nga një  robëri e paparë dhe e padurueshme.
Në atë kohë aktori ishte kudo:në Kosovë dhe  diasporë me plisin e tij tradicional dhe zërin karakteristik që i ngriste në këmbë qindra mijra spektatorë që i përcillnin shfaqjet e tij bombastike. I mobilizonte masat e përmalluara për atdheun e tyre të shkelur nga barbaria sllave, të  cilin e kishin braktisur për shumë arsye, ndër të cilat ishte edhe ndjekja e rinisë shqiptare nga trojet e tyre etnike.
Aktori ynë i madh të gjitha ato përpjekje i bënte me një forcë të pashtershme dhe titanike që buronte nga shpirti i tij i zjarrtë artistik dhe patriotik. Ai vazhdimisht ishte i lidhur me truallin e tij atëror, me plisat e tij të  dashur dhe me gjithçka që ishte shqiptare .
I  afërt me të gjithë, burrëror në biseda me njerëzit e popullit të vetë dhe parasësgjithash, madhështor me veprat e tij artistike, Çun Lajçi mbeti një Promethe i kësaj toke së cilës i shërbeu me dinjitet dhe dashuri të pakursyer, si një bir besnik deri në  fund.
Ai vetëm njëherë e kishte fituar një bindje të vetme dhe kishte mbetur pranë saj, në  mbarë itinerarin e tij kreativ deri në ditët e sotme.
Rolet e tij të fuqishme kanë rrënjë të forta  dhe janë ngulitur thellësisht në mendjet e çdo shqiptari që i përjeton me mishërim krijimet e tij të llojllojshme, duke  e përkujtuar moton”mallkuar qofshin ata që e shesin këtë dhe”.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora