Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Engjëll Koliqi: Diplomacia shumëfytyrëse nuk ka mbarim

| E diele, 05.08.2007, 04:50 AM |


Rreth bisedimeve shtese te delegacioneve të Kosovës dhe të Serbisë

Nuk ka logjikë njerëzore as juridike që mund të arsyetojë këto “bisedime shtesë” dhe afatin e tyre prej 120 ditësh. Askush nuk mund të na bind me marifetllëqet e kësaj dukurie shumëfytyrëshe, n’udhëkryqet e interesave shumëpalëshe, që sipas terminologjisë globale botërore quhet diplomaci. Cili nga “miqt” tanë mund të na e arsyetojë kërkesën për këto bisedime dhe “këshillën” që të mos ngutemi me vendime unilaterale?! Me çfarë logjike mund të arsyetohen kërkesat drejtuar palëve, për “fleksibilitet”?! Diplomaci se jo mahi !!! Për çfarë fleksibiliteti flitet?! Është shumë më mirë që përfaqësuesit tanë (Grupi i Unitetit) të jenë të padëgjueshmit e qarqeve interesfëlliqura ndërkombëtare, se sa të padëgjueshmit e interesave dhe të aspiratave tona jetike. Dhe në fund: më duket se ka ardhë koha që Putinit e Koshtunicës me kompani, t’u thuhen dy fjalë të serta – publike dhe të mençura – LARG DUART DHE KUSURITJET NGA KOSOVA!!!

Shkruan: Engjëll KOLIQI

Engjëll Koliqi
Stubëll, 5 gusht 2007. – Kosova – e shtypur, e shtyrë dhe e pështyrë ende vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes së diplomacisë ndërkombëtare, mjerisht si kartë ksuritjeje n’udhëkryqet e intereseve të palëve të ndryshme.
Ish lideri famëkeq i KGB-së sovjetike – Vladimir Putin – tani si shef i pallatit të Kremlinit, respektivisht si zotshpie i pallatit neocarisht të Rusisë, nga Moska çon pluhur dhe shkakton rrëmuja me bubullima të thata, në diplomacinë e bashkësisë ndërkombëtare, që me qëllim të kusuritjes me palët kundërshtare të bllokut perëndimoro-amerikan, vazhdon të bllokojë e të zvarris zgjidhjen natyrore të çështjes së pavarësisë dhe të sovranitetit territorial – në një rrënjë të vogël, e mbetur nga trungu i madh i Dardanisë. Bashkësia ndërkombëtare, respektivisht palët e bllokut të kundërt (perëndimoro-amerikan), duke pasur parasysh rreziqet fatale që ish lideri komunist i KGB-së famëkeqe sovjetike, e kryeneqi i rrezikshëm Putin, me aktivizimin eventual të mundshëm të butoneve e sustave të centraleve bërthamore, që ai i komandon – në Rusi, në Iran, në Korenë Veriore e gjetiu, mund ta kanos njerëzimin, detyrimisht është vënë në pozicion pa rrugëdalje, e obliguar të lëshojë pe para kërkesave absurde të tij dhe të klikës së tij sllavo-ortodokse të boshtit Moskë-Beograd-Athinë.
Duke pasur parasysh eshe shumë mëkate të deritashme, deri në krime mbi njerëzimin në radhët e popujve të vegjël, bashkësia ndërkombëtare, në emër të njëfarë “diplomacie preventive e të matur”, po bën gabim mbas gabimi, duke rrezikuar madje edhe vetë qenësinë dhe vazhdimin e funksionimit të KS të OKB-së e mbase edhe të OKB-së përgjithësisht.
Hierarkia shoveniste moskovite, e mësuar të jetojë mbi supet e të tjerëve dhe e shërbyer nga të tjerët, tash nuk e ka lehtë ta humb përfundimisht ndikimin në Ballkan, që gjithnjë në histori  e ka ushtruar me gjakderdhje të mëdha ndër popujt e vegjël, nëpërmjet shtetit famëkeq, me emrin Serbi. Edhe hierarkia shoveniste beogradase, e ushqyer me mite përrallore, që ishte mësuar të jetojë dhe të krekoset gjithnjë mbi supet e popujve që i ka shtypur e shfrytëzuar, tash e ka vështirë të pajtohet me “fatin e hidhur”, që përfundimisht të heq dorë edhe nga Kosova. Pra, ushqyer nga mitet përrallore të gjakosura, që kanë mbërritur deri në kremtimin e përvjetorëve të luftërave të humbura, si “fitore kombëtare”, liderët e Moskës dhe të Beogradit, edhe sot këndojnë në sintoni këngët e tyre mitologjike, me të cilat kanë vënë në huti absurde diplomacinë e bashkësisë ndërkombëtare, deri në kërcënime fatale të paqes botërore e madje edhe deri në shkatërrimin masiv të njerëzimit. Mund të themi se në një masë të madhe,, edhe po ia dalin qëllimit, sepse me bllokimin e diplomacisë botërore, e kanë sjellë para bllokimit KS e OKB-së, deri në pikëpyetjen  e ekzistimit.
Me qëllim “të shpëtimit të fytyrës dhe të qenësisë së bashkësisë ndërkombëtare” nëpër telat e ndryshkur të diplomacisë botërore, çështja e statusit të Kosovës është përçuar nga KS i OKB-së në Grupin e Kontaktit (GK), që as nuk është institucion, as nuk ka një akt kostitutiv, as nuk ka një seli, as… as nuk mund të ketë fuqi vendosëse për këtë çështje.
Një potez nga sintonia e këngës diplomatike moskovito-beogradase, përmes gojës së aletatit të madh europian – presidentit të Francës, Sarkozy, u bë “ligj dhe rregull” në bashkësinë ndërkombëtare, duke pjellur njëfarë formule të bisedimeve 120-ditëshe, mes Prishtinës dhe Beogradit. Diplomaci se jo mahi !!! Edhepse, të gjitha palët e bashkësisë ndërkombëtare janë të bindura se nuk del gjë nga këto bisedime të mundshme, të cilat janë të dështuara ende pa filluar, me një zë të fuqishëm dhe me një pompozitet absurd i brohorisin këtij “procesi”, duke i ftuar palët të jenë “fleksibile”! Një kërkesë e tillë, këto ditë, ka ardhë nga taborri i kryediplomatit të BE-së – Javier Solana, i cili me diplomacinë e tij të çuditshme dhe qesharake deri në absurditet, është i njohur edhe si kumbarë i Beogradit, por fsatmirësisht, projektet e tij integruese, në favor të shovenizmit beogradas, janë gjithnjë të dështuara. Është më shumë për t’u habitur dhe për t’u zhytur në shumë dyshime, edhe “përqafimi” i kësaj idee të bisedimeve 120-ditëshe, në mes Prishtinës dhe Beogradit, nga qarqet diplomatike të SHBA-ve dhe të miqve tanë të tjerë europerëndimorë.
Nuk ka logjikë njerëzore as juridike që mund të arsyetojë këto “bisedime shtesë” dhe afatin e tyre prej 120 ditësh. Askush nuk mund të na bind me marifetllëqet e kësaj dukurie shumëfytyrëshe, n’udhëkryqet e interesave shumëpalëshe, që sipas terminologjisë globale botërore quhet diplomaci. Cili nga politikanët dhe diplomatët e diplomacisë ndërkombëtare mund të na e shpjegojë thelbin e këtyre bisedimeve?! Cili nga “miqt” tanë mund të na e arsyetojë kërkesën për këto bisedime dhe “këshillën” që të mos ngutemi me vendime unilaterale?! A e dijnë diplomatët dhe miqt tanë se populli i Kosovës për këtë çështje ka votuar në masën mbi 90%, në referendumin e shtatorit të vitit 1991?! A do të bëhet ndojherë e ditur se për çka duhet të biseedojnë në këto 120 ditë Prishtina zyrtare me Beogradin zyrtar?! Me çfarë logjike mund të arsyetohen kërkesat drejtuar palëve, për “fleksibilitet”?! Për çfarë fleksibiliteti flitet?! Çka kërkohet të lëshohet pe nga palët, që të arrihet deri te një “marrëveshje”?! Me çfarë logjike diplomatike e “konstruktive” i arsyetojnë “miqt” tanë angazhimet për shkëmbime territoriale në mes Kosovës dhe Serebisë?! Në koluaret satanike të Beogradit, planet për ndarjen e Kosovës nuk janë të sotme, por datojnë që nga periudha në mes dy luftërave botërore. Këto qëllime i di fare mirë bashkësia ndërkombëtare.
Pse zgjedhjet parlamentare dhe administrative në Kosovë, që ishin shtyrë deri pas zgjidhjes së statusit, tash duhet të mbahen në nëntorin e ardhshëm?! Kush duhet të instalohet në drejtimin e institucioneve të Kosovës, para zgjidhjes së statusit?! Pse duhet bërë ky ndërrim n’udhëheqjen e institucioneve, përmes zgjedhjeve, të cilat dyshoj se do të manipulohen tërthorazi nga qarqet arbitrare ndërkombëtare. Dyshoj, do të jetë Solana, ai që përmes instrumenteve të OSBE-së dhe të UNMIK-ut do t’i dirigjojë zgjedhjet e nëntorit dhe në bazë të rezultateve të kurdisura t’i instalojë në krye të institucioneve të Kosovës njerëzit me të cilët “mund t’i përmbyll me sukses bisedimet fleksibile me Beogradin, për të gjetur një zgjidhje të kënaqshme dhe të pranueshme nga të gjitha palët”. Në të vërtetë po kërkohet një zgjidhje që do të kënaq aspiratat e Moskës dhe të Beogradit, me bekimin e diplomacisë globale, sipas garancive nga marrëveshja e fshehtë ruso-turke për copëtimin e tokave shqiptare, që e ka zanafillën në vitin 1878, në prag të Kongresit të Berlinit. Si kryqëzim interesesh që dalin nga marrëveshja famëkeqe ruso-turke, e sipërpërmendura, janë edhe projektet zhvillimore të ish Jugosllavisë – të rrjetit rrugor të autostradave dhe të hekurudhave të elektrifikuara, që në asnjë kënd e në asnjë metër nuk e kanë prekur territorin e Kosovës.
Përfaqësuesit e Kosovës në këto “bisedime shtesë”, ose nuk duhet të shkojnë fare, ose duhet të bisedojnë vetëm për dëmshpërblimet e luftës, me të cilat Serbia i detyrohet Kosovës dhe për bashkëpunimin eventual, nëse mund të zhvillohet në mes dy vendeve, si shtete fqinje me interesa reciproke. Të mos i fryejnë më zjarrit të decentralizimit, as të mos zhyten labirintheve të rrezikshme diplomatike, nga të cilat nuk mund të dalin lehtë. Është shumë më mirë që përfaqësuesit tanë (Grupi i Unitetit) të jenë të padëgjueshmit e qarqeve interesfëlliqura ndërkombëtare, se sa të padëgjueshmit e interesave dhe të aspiratave tona jetike. Dhe në fund: më duket se ka ardhë koha që Putinit e Koshtunicës me kompani, t’u thuhen dy fjalë të serta – publike dhe të mençura – LARG DUART DHE KUSURITJET NGA KOSOVA!!!