E enjte, 25.04.2024, 09:51 AM (GMT+1)

Sport » Futbolli Shqiptar

Besnik Dizdari: Aventura e bujshme e Flamurtarit të Vlorës në Kupën e Shqipërisë

E hene, 18.05.2009, 06:17 PM


Aventura e bujshme e Flamurtarit të Vlorës në Kupën e Shqipërisë

Nga Besnik Dizdari

Javën që shkoi në futbollin shqiptar ka ndodhë një befasi e madhe. Kundër parashikimeve paraprake ka fituar me meritë Kupën e Shqipërisë Flamurtari i Vlorës. Madje mbas plot 21 vjetëve. Vitin e kaluar ka fituar Kupën e Shqipërisë, po mbas 21 vjetëve, Vllaznia e Shkodrës. Një vit para saj ka fituar Kupën e Shqipërisë për herë të parë në histori Besa e Kavajës. Të tri këto ndodhina plotësisht dhe jo plotësisht (sepse Flamurtari dhe Vllaznia kanë fituar edhe më parë Kupën) përbëjnë një “risi” të viteve të fundit: për herë të parë në historinë e Shqipërisë, Kupa Kombëtare në futboll fitohet tri herë rresht nga skuadra jokryeqytetase. Në këte “rekord” të periudhës së dhjetëvjetëshit të parë të Shekullit XXI, për një çast mund të mendojmë se Kupa e Shqipërisë ka shpërthyer në një rritje mbarëkombëtare të saj. Nuk mendoj kështu. Madje them se edhe Kupa e Shqipërisë, ashtu si Kampionati Kombëtar, përjeton një krizë, një vendnumëro, një letargji. Por nga ana historike, papritmas, ndodhemi përpara një ndryshimi tërheqës në gjeopolitikën e përhapjes së fituesve të Kupës në Shqipëri që dihet, është veprimtaria nr. 2 për kah rëndësia.

Duke qëndruar te ngjarja e javës së shkuar, shpërthen ndërkaq, një problematikë tejet interesante, prodhuesi i së cilës është skuadra e re e Flamurtarit, e cila sundoi në mënyrën më sensacionale Kupën e Shqipërisë përballë një kundërshtari sot për sot më të fuqishëm, më të organizuar, madje në dit të bukura të tij, kur ndërsa mbërrin fundoren (finalen) e Kupës, kërkon me ngulm edhe titullin e Kampionit. Mirëpo iu dorëzua në Kupë Flamurtarit të Vlorës, i cili jo vetëm se kalon dit të vështira në Kampionatin Kombëtar, kur teorikisht ende nuk i ka shpëtuar rënies, apo atij që quhet “play out”, por ka ardhur në fundoren e Kupës përmes rastit më të vetëm në historinë e futbollit shqiptar.

Kujtoni për një çast. Më 11 mars 2009, mbas humbjes së ndeshjes së dytë me Partizanin 1-0 në Tiranë (kishte fituar të parën po 1-0 në Vlorë) Flamurtari eliminohet nga Kupa mbas 120 minutave lojë dhe 11-metërshave 4-5. Papritmas, shfaqet në skenë Vllaznia e Shkodrës, e cila zbulon se Dinamo, prej së cilës skuadra shkodrane sapo ishte eliminuar në 1/4-tat e Kupës (1-2 dhe 0-0), ka aktivizuar lojtar të pafederuar. FSHF pranon dhe kualifikon Vllazninë e eleminuar. Zgjohet Flamurtari dhe gjithashtu zbulon se Partizani ka bërë po të njëjtin gabim të Dinamos; e në çast zbulohet se po kështu ka gabuar edhe vetë Flamurtari. FSHF çvleftëson dy ndeshjet Flamurtari – Partizani dhe vendos një ndeshje të tretë. Mû këtu aventura e skuadrës së Vlorës përvetëson zhvillime të vrullshme që nuk ishin parë asnjëherë në historinë e 57 edicioneve të Kupës së Shqipërisë. Në mendje zgjohet shpirti karakteristik vlonjat dhe Flamurtari, që nuk ka çka humbet, nis e ëndërron aty ku nuk i shkon nëpërmend askujt: fitimin e Kupës!

Aventura merr udhë mû në këte ndeshje të tretë Flamurtari– Partizani. Durrës. 8 prill 2009. Dhe përsëri 120 minuta. Por tash është 1-0 për vlonjatët me gol të minutës 109 falë një 11-metërshi, po ai element teknik i një ndeshjeje futbolli që e kishte eliminuar në dy ndeshjet e çvleftësuara tashmâ. Dhe prej këtu Flamurtari drejt e në fundoren (finalen) e Kupës së Shqipërisë të cilën me këte turr, mbas 21 vjetëve, e çon në Vlorë!

Në këte çast, ndërsa mbi Stadiumin “Niko Dovana” po binte mbrëmbja, ëndërra vlonjate nis e merr udhë… Një ëndërr që ngrihet mbi një ëndërr tjetër: ëndrrën e eliminimit të parë po prej këtij Partizani të pafat. Një ëndërr që u shndërrua në realitet, deri në përmbysje që për çudi kishte lindur prej një vendimi tryeze në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit!

Çudia tjetër e madhe është se mbas këtij rrëmbimi të së drejtës për në duelin me Sportklub Tiranën ose për premierën me te, Flamurtari ka thënë haptas: “kërkoj të çoj Kupën në Vlorë”, tash pa dashur t’ia dijë për askend. Pa dashur t’ia dijë as për ditët e vështira në Kampionat, as se kishte një skuadër të re përballë një Sportklubi në krye të futbollit shqiptar, madje të një përbërjeje me plot 9 futbollistë të cilët kishin veshur fanelën e Kombëtares së Shqipërisë. Pa dashur t’ia dijë se ishin bërë disa vite të mira që Flamurtari nuk frikësonte askend. Pa dashur t’ia dijë se historia e tij e lavdishme qe harruar diku në arkivat tona “të pluhurosura”. Në fund të fundit, pa dashur t’ia dijë se kishte 21 vjet që qyteti historik i Vlorës, nuk dinte se çka ishte një Kupë e Shqipërisë.

Qofsha i gabuar, por me sa munda të vërej, në Stadiumin “Niko Dovana”, ka patur më shumë vlonjatë – e ata vinin prej 140 kilometrave larg - se sa tiranas të cilët vinin vetëm prej 30 kilometra larg!

Edhe prej këtij fakti mund të kuptojmë forcën e shpirtit sportiv të Vlorës. Dhe ndeshja. Që nuk është asgjë tjetër përveçse kulmi i gjithë kësaj aventure të Vlorës sportive të datuar më 2009. Një aventurë plot trille, vendime kancelerish, zbulime, eliminime e çeliminime, por në fund, një aventurë e shndërruar në një realitet të fuqishëm.

Flamurtari për fatin e tij të madh pëson gol në fund të pjesës së parë, prej ku menjëherë vjen pushimi që duket se ka vënë në gjumë SK Tiranën, krejt e sigurtë se çështja e Kupës mori fund para kohe dhe ky Flamurtar i ri nuk mund të përmbyste. Nuk i ka shkuar ndër mend se kishte përpara një skuadër krejt “të panjohur” për te. Duket si absurd ky përcaktim. Por me sa duket, Sportklub Tirana kishte harruar ose nuk po e kuptonte, se kjo skuadër e re kishte vendosur të luftonte deri në fund. Dhe se forcën për këte luftim, ajo e gjente në rininë po e po, në etjen për sukses, në ringjalljen dhe qetësinë që vinte prej një lejtmoivi të mbrendshëm: “nuk kam çka të humb”. Mbrapa gjithë kësaj qëndronte një bazament historik i fuqishëm që shfaqej nën tre emra drejtuesish: Eqrem Memushi, Latif Gjondeda dhe Geri Çipi. Dy të parët protagonistë të Flamurtarit të pashlyeshëm të viteve ‘80. I treti pinjuell i fisit Çipi, çka do të thotë mbasradhës i të famshmit Kreshnik Çipi të viteve ’80 – shtyllë e Flamurtarit evropian të asokohe, dhe vetë Geri një kombëtaras ndër më të fuqishmit e Shqipërisë moderne të viteve ’2000.

Kësisoji, nëse një psikolog do t’i vështronte me vëmendje mbas mbarimit të ndeshjes së Durrësit këta tre musketerë të pankinës, qoftë edhe përmes asaj çka ata folën, me fytyra të lodhura, të djersitura sikur të kishin luajtur vetë në të blertën e “Niko Dovanës”, do të kuptonte edhe një herë se dëshira vlonjate për ta çuar Kupën në Vlorë ka qenë e papërmbajtëshme. Lart në tribunë kishte edhe një të katërt, ndonëse nuk mendoj se do të mund ta krahasoj me një D’Artanjan: kryetari i Bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika - një ndër kryetarët bashkiakë më futbollistikë që Shqipëria mund të ketë pasë ndonjëherë.

Teksa i kthehem pjesës së dytë të ndeshjes së Durrësit, vërej se aventura vlonjate është shpalosur me gjithë mrekullinë e saj: asnjë epërsi mirëfilli ndaj Sportklub Tiranës, as teknike, as taktike, as të emrit apo të famës. Mirëpo, 1-1 në të 65’ mbas një gabimi a pështjellimi, si të dhuruar nga qielli, të mbrojtjes së 23 herë kampiones, e mandej 2-1 në të 92’ prej një 20 vjeçari me emrin Hair Zeqiri, si në një përmendje a përkujtim të paraardhësit të fisit të tij, Zeqirit të pafat të viteve ’60 – pjesë e fuqishme e brezit të të talentuarve Haxhiu e Saraçi të Flamurtarit të asokohe. Sportklub Tirana pranon në qetësi humbjen dhe trajneri Agostin Kola - një kavalier i madh i sportit dhe i futbolli - shkon dhe përgëzon fitimtarët. Të nesërmen jep dorëheqjen. Mëkat!

Kjo qe Kupa e tretë vlonjate e mbas 21 vjetëve.

A mund të themi se ishte një rastësi? Në të vërtetë ishta ajo që thamë: një befasi, kurrsesi rastësi kur e sheh se Kupa është fituar prej një skuadre, e cila nuk ka humbur asnjë ndeshje, ose ka humbur vetëm 1: atë 1-0 me Partizanin, e rrëzuar nga Federata Shqiptare e Futbollit. Eshtë një Flamurtar, i cili ka fituar duke mposhtur befasisht dy kryeqytetas historikë, të cilët së bashku kanë fituar 28 Kupa të Shqipërisë: Partizanin dhe SK Tiranën.

Kjo është vlera e veçantë e këtij suksesi. Eshtë një vlerë e një Flamurtari të ri, jo atij të gati tri dekadave më parë, zotëruesit të madh të viteve ’80 në futbollin shqiptar, konsakruar jo thjesht përmes shpërthimit të tij të pamatë evropian, por dhe në dy Kupa të fituara të Shqipërisë, trofetë e parë të Vlorës që i paraprinin titullit “të vonuar” e të vetëm të vitit 1991. Në thelb nuk mund të gjesh asnjë ngjashmëri midis dy Kupave të tij 1985 dhe 1988 me këte 2009. Ato të asokohe, Kupa nën Regjim, ishin të stadiumeve mbi dhjetëmijëshe në spektatorë, kur dëfrimi kryesor i shqiptarëve ishte vetëm futbolli kombëtar.

Në përkujtim të së parës, e fituar më 8 shkurt 1985 në stadiumin e Elbasanit, mbas një 2-1 ndaj Partizanit të Perlat Mustës, kësaj rubrike të sotme i kam bashkangjitur shkrimin botuar në “Sporti popullor” (sot “Sporti Shqiptar”) të 12 shkurtit 1985, për të kuptuar disi një atmosferë “optimiste”, së cilës në meritën tonë ne përpiqeshim t’ia ruanim baraspeshën treguese. Nuk u turpëruam, të paktën në kësi çastesh kur përpiqeshim të ishim thjesht sportivë, vetëm sportivë. Nuk ka qenë e lehtë. Por përballë atij Flamurtari, të dukej se politika mposhtej, zbehej, binte, ndonëse qe aq e pushtetshme. Në atë 1985 Flamurtari pësonte vetëm një humbje në Shkodër, 2-1 me Vllazninë, mbasi kishte eliminuar një Besë dhe Apoloni të fuqishme për kohën. Në fundoren (finalen) e Elbasanit, me trajner Leonidha Çurin, e para fundore e Kupës jashtë Tiranës, e transmetuar drejtpërsëdrejti në TV, prej ku merr nxitej shkrimi im “televiziv” bashkangjitur këtu, ka qenë një mrekulli e futbollit shqiptar të kohës. Ishte një Flamurtar tjetër: Birçe, P.Ruci, K.Çipi, Taho, Lushaj, Ferko, Ziu, Zijaj, Gjondeda, Bubeqi, V.Ruci, Memushi. Trajneri - Leonidha Çuri. 8 prej të cilëve vishnin fanelën e Kombëtares. Mendoni për një çast: 8 vetë prej një skuadre të vetme!

Tri vjet më vonë, në fundoren e Shkodrës, po me Partizanin, tash 1-0, ishte thuajse po ai Flamurtar, vetëm tre emra të rinj: Sevo, Iljadhi, Haxhiu dhe një i madh i kohës, i saporikthyer: Sokol Kushta, çka e çonte në 10 numrin e kombëtarasve shqiptarë të Flamurtarit datuar vitet ’80 të shekullit XX. Dhe me trajner Niqifor Thomai - padyshim më “meteoriku” i trajnerëve fitimtar në futbollin shqiptar. Ka qenë 9 qershor 1988. Shkodër. Stadiumi me emrin “Vojo Kushi” (sot “Loro Boriçi”). Pak para kësaj, 5 qershor 1988 kishte qenë “finalja” e parakohëshme mû në këte stadium: Vllaznia– Flamurtari 2-5! Mbasi shkodranët kishin fituar 1-0 në Vlorë!. Kjo po, është kryevepra vlonjate e Kupës që ka mbetë në historinë shkodrane si dita në zi. Dhe shihni çfarë rrjedhe e rrëmbyeshme, e papërmbajtshme: Zmijani 1-0, Laçja 2-0. Punë e mbaruar, sepse me rezultatin e ndeshjes së pare, Vllaznia ishte ngjitur në 3-0! Mirëpo, “madhëria e tij” Vasil Ruci: V.Ruci 1-2, V.Ruci 2-2, V.Ruci 3-2! Dhe mandej Gjondeda 4-2, Bubeqi 5-2! Ky është shkatërrimi më i madh përmbysës, jo vetëm në historinë e Kupës së Shqipërisë, por dhe katastrofa më historike në tokën shkodrane! Mund ta realizonte vetëm një Flamurtar i Evropës, i Barcelonës, i Partizanit të Beogradit…

Mbi këte bazament historik gati të harruar, papritmas sapo ka lindur ky Flamurtar rinor i majit 2009, një çerek shekulli më mbas. Sporklub Tirana kishte harruar mû historinë. Dhe jashtë vullnetit të saj iu dorëzua një historie të re. Shifrat e skedës sime japin një marrëdhënie thuajse “babë e bir”: gati 29 vjeç mosha mesatare e Sportklub Tiranës dhe vetëm 23 vjeç mosha mesatare e fituesit të ri të Kupës. Atëherë: çështje fizike? Apo një kombimnim rinie me pak përvojë? 32 vjeç është kapiteni i Flamurtarit Branko Panic, i cili vjen nga Kroacia, ajo e cila një herë është renditur deri e treta e Kupës së Botës. Flamurtari bëhet kështu klubi i parë në historinë e Shqipërisë që fiton një trofe kombëtar me një kapiten të huaj: Panic, i cili ka guximin të flasë shqip drejtpërsëdrejti në TV. Por dhe me një portjer vetëm 20 vjeçar: Shpëtim Moçka! Me një mbrojtës vetëm 20 vjeçar: Franc Veliu! Me një mesfushor vetëm 20 vjeçar: Hair Zeqiri. Dhe me një tjetër zëvëndësues, i cili nuk është më shumë se 18 vjeç: Ardit Shehaj! Dhe… me katër djem të cilët befasisht kanë veshur fanelën e 21 vjeçarëve dhe 17 vjeçarëve të Shqipërisë: Veliu, Çaushaj, Zeqiri, Shehaj! Dhe me 9 prej të 13-tëve të ndeshjes të së shtunës, të cilët i ka lindur dhe rritur Flamurtari në farishten e pashueshme të qytetit detar dhe diellor të Vlorës! Të gjitha këto e bëjnë edhe më të bujshme, madje edhe më komplekse aventurën e Flamurtarit në Kupën e Shqipërisë të drejtuar me një siguri po trimërore prej trajnerit Eqrem Memushi.

E gjitha kjo përballë një Sportklubi me 6 lojtarë mbi 30-vjeçarë! Përballë një sportklubi, i cili nga 13-tët e tijt të fundores së javës që shkoi, vetëm dy i kishte prodhim të farishtes së tij (Agolli, Sefa), që dikur ka qenë më e famshmja e Shqipërisë! Nuk mund të mos mendosh paksa deri në shushatje madje, përballë këtyre të dhënave të shpejta…

Nuk nxitohem ndërkaq, të pohoj se po lind një Flamurtar si i dikurshmi dhe se Kupa e Shqipërisë është demostrimi i parë i këtij rrëmbyesi të ri të Kupës Kombëtare, i cili është ende i përfshirë në dramën e mosrënies prej Kampionatit Kombëtar. Më 1992, skuadra e Elbasanit e fitoi Kupën e Shqipërisë duke qenë skuadra e 11-të e Kampionatit!

Nuk do ta zgjas më tej. Një gjë është e vërtetë megjithate: nuk shtérrin talentet e Vlorës sportive. Kupa është një paralajmërim.

Ky ishte suksesi kuptimplotë i edicionit nr. 57 të Kupës së Shqipërisë. Kësisoji, me kalimin e ditëve Sportklub Tirana do të gjejë forca të dalë prej “shock” -ut të “Niko Dovanës”. Futbolli kurr nuk është hidhërim. Edhe në ditët e tij “të zeza”, siç shkruan në ditarin e tij Indo Montanelli: “Ditë e zezë. Fiorentina u mund në shtëpinë e saj 2-1 prej Juventusit!” Si Partizani më 1985. Si Vllaznia e Partizani më 1988. Si Sportklub Tirana më 2009. Dhe të gjithë këta prej Flamurtarit të Vlorës.

Ndoshta aventura të tjera të bujshme do të mund të përjetojmë. Dhe jo vetëm prej Flamurtarit…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora