E enjte, 25.04.2024, 09:43 PM (GMT+1)

Mendime

Besart Dovolani: Dy fytyrat e Erion Velisë!!!

E diele, 17.05.2009, 01:01 PM


Dy fytyrat e Erion Velisë!!!
 
Nga Besart DOVOLANI

Kam zgjedhur këtë titull pasi një ndër shprehjet më të artikuluara të liderit të Grupimit Politik 99 dhe de facto nënkryetari i Partisë Socialiste, Erion Velisë është fraza "ky është dopio standard". Aq shpesh e përdor saqë të duket sikur e ka moto elektorale. Demagogjia në politikën shqiptare ka qenë gjithmonë hija e shumicës së politikanëve shqiptarë në të gjithë historinë e Shtetit Shqiptarë dhe këta politikanë dhe demagogë vazhdimisht janë shfaqur fillimisht me tezën që "ne jemi ndryshe nga ata" apo "me ne do arrini të përjetoni ndryshimin e madh e të shumëpritur". Këto fraza patetike dhe shumë të vjetra nuk përbëjnë aspak risi në skenën tonë politike, andaj vë në dukje si dopio standardin e parë te Erjon Velisë pikërisht mënyrën se si e kërkon pushtetin.
Ai flet vazhdimisht për politikë të re dhe bën aleancë me Milon, Gjinushin dhe Ruçin ndërkohë që pranon dhe mbron fuqishëm një kod elektoral që bashkëhartoi Kastriot Islami. Ky kuartet me të cilin Veliaj nënshkroi "besëlidhjen" parazgjedhore shpreh qartë mosinteresimin e tij për një politikë të re, por për një kolltuk të ri, për një rokadë të thjeshtë dhe meskine "hik ti të vij unë", dhe fatkeqësisht ajo çka është edhe më e rënda është tendenca e kësaj politikë që të ringjalli komunizmin përmes bijve dhe bijave të anëtarëve të lartë të Nomenklaturës komuniste.
Dopio standardi tjetër është ai që si mburojë nga kjo lloj akuze e marrin faktin që njeriu s`mban përgjegjësi për mëkatet e prindit, dhe unë jam shumë dakord në këtë pikë, pasi Islami që unë e kam përqafuar thotë që secili do përgjigjet për atë çka vepruar dhe se mëkatet nuk trashëgohen. Por ama në përqindjen më të madhe ndodh që fëmija të dalë si prindi, dhe kjo është shkencë, është gjenetikë, edhe pse normalisht disa herë ndodh e kundërta. Por që tek G99 dhe PS të mos jenë të rinjtë si baballarët tyre i bie që tek të gjithë të ketë rastisur të jenë tek kjo % e ulët e mundësise së "mutacionit gjenetik".
Erjon Veliaj me shokë kur ia kujtojnë këtë fakt ai kundërsulmon me atë se kryeministri i fundit komunist në Europën pas-komuniste na qenka Kryeministri Sali Berisha, duke harruar faktin që ai udhëhoqi rrëzimin e komunizmit, ai tubonte turma që edhe Rolling Stones s’ka arritur ti tubojë dhe ka qenë gjithmonë promotor i ndryshimeve demokratike pavarësisht dritë-hijeve te tij në politikë, gjë normale kjo ngase nuk ka patur klasë politike e djathta deri më`91. Asnjë nga funksionarët e lartë të PD s`kanë patur teserën e Partisë së Punës dhe as s’kanë patur prindërit komunistë. Ka qenë e djathta ajo që ka vuajtur, dhe përderisa elektorati i djathtë voton për Berishën, Erjoni ska çka të merret me z. Berisha, por lë të analizojë gjendjen në kampin e tij ku fytyrat e reja llogariten Edi Rama, djali i Kristaq Ramës, Ledi Shamku, Ilir Beqja, dhe Erjoni vetë, që të gjithë fëmijë të byroistëve.
Partia Socialiste kurrë s’ka dashur (jo se s’ka mundur), që të ndahet nga e shkuara komuniste, pasi qysh në `91 nuk u bë reformimi i partisë, por u bë një fasadë si ato që lyente Bashkia e Tiranës që pas pak kohe u del boja(maska). Të pretendosh ndryshimin duke bërë shok xhaketat e vjetra komuniste të miksuar më të rinjtë në damarët e të cilëve rrjedh gjak komunisti edhe më shumë se dopio standard, është me plot gojën një hipokrizi njerëzore në radhë të parë më shumë sesa politikë që dëshmon qartazi për krizën morale që mbretëron në kampin rozë, ku dekomunistizimi është thjesht një "MISSION IMPOSSIBLE".
Dopio standardi i tretë është transparenca e munguar që për nga rëndësia vlen të jetë edhe në vend të parë. Transparenca së pari duhet të bëhet sa i përket fondeve dhe sasisë përrallore që ka në dispozicion nëe grupim politik më i ri në moshë se dhe vet Kosova, një neë-born që çuditërisht sapo lindi trashëgoi shumë para!!!
A thua paskemi asi anëtarësie të flaktë, pasanike dhe filantropike që të mundësojë në harkun e 6 muajve të ndërtojë seli që jo vetëm që nuk i ka PS dhe PD, por edhe që Berlusconi e Sarkozy do ia kishin zilinë. Nga erdhën këta para, kur e dimë që 50% e anëtarësisë së G99 nuk kanë as të drejte vote (janë minorenë) dhe kur e dijmë fare mirë që te paktën sipas deklaratave të udhëheqësve të G99 dhe mjaftistëve të PS që nuk punojnë për organizata ndërkombëtare, nuk kanë biznese dhe që nuk thithin para nga OJF-të perëndimore. Por fakti që G99 u regjistrua në Gjykatën e Tiranës si OJF dhe jo si Parti Politike është pikërisht fakti që përmes statusit si OJF mund të thithin donacionet e huaja dhe nga mos-regjistrimi si parti politike i shmang nga detyrimi ligjor që të publikojnë dhe të bëjnë transparent çdo shpenzim dhe donacion. Por detyrimi mbi të gjitha është moral, nëse vërtet duam ti dëshmojmë popullit që jemi për punë të mbara. Por kur këtë e bën për llogari të disa organizatave të dyshimta perëndimore me afeksione lindore, që përmes çaushëve në vende si Shqipëria arrijnë të bëjnë pastrime parash dhe të mbajnë gjallë aktivitetet kriminale dhe mafioze(mafia ekonomike është më e rrezikshmja për çdo komb), atëherë është fare e qartë se pse Veliaj s’ka as interesin dhe dëshirën më të vogël të bëjë këtë gjë dhe ne nuk mund ta pranojmë këtë komplot. Transparenca për MJAFT-in dhe G99 është po ashtu një e panjohur aritmetikore, por kur kemi shume të panjohura n matematike atëherë sistemi bëhet tmerrësisht i vështirë për t’u zgjidhur.
Një miku im nga Vlora më tha që selia e G99 në Vlorë ngjan me një ministri gjermane e jo me një shtab elektoral, ndërkohë që edhe në Tiranë shtabet dhe zyrat e partive kryesore janë si mos më keq. Nga vijnë këta fonde që veshin me kostume mijëra dollarësh këta politikanë të "rinj" duke u bërë karshillëk fukarenjve të shkretë të fshatrave të thella të Shqipërisë, duke ua qarë hallin ditën dhe duke i zhvatur natën për të bërë fushata që dhe ne Amerikë do ua kishin zilinë, blerë media e gazetarë, për udhëtime mbretërore, ndërtuar pallate dhe duke pastruar para.
Ky është dopio standardi i kësaj kaste të rinjsh, misionarë të dyshimtë dhe që për para bejnë cmos, sepse bursat universitare dhe pasuniversitare qindra mijë dollarësh tani duhet shpaguar atyre qe ua jepnin duke shndërruar Shqipërine në pronë të SOROS apo tjerë grupe të interesuara që ti zhvatin shqiptarët dhe të pengojnë zhvillimin kombëtarë, kur dihet që një ndër mbështetësit më të fuqishëm të serbëve dhe grekëve është pikërisht George Soros.
Por Veliaj edhe këtu bën dopio standard. Përveç parave që merr nga holandezet, nga shoqatat ne mbrojtje të homoseksualëve apo edhe nga SOROS, për të promovuar idetë liberale europiane të barazisë sociale, ndryshimin e mentalitetit konservator shqiptarë, ky politikan i ri nga ana tjetër po shfrytëzon edhe shoqatat dhe qarqet fondamentaliste dhe konservatore të protestantëve amerikanë duke u shndërruar në "profetin" e evangjelizmit në Shqipëri, shoqata të afërta me republikanët dhe Presidentin Bush, ndërkohe që në publik përmban Obamën dhe demokratët duke u shtirur si liberal. Në tre rastet shohim tre kundërshti më vete pasi ata nga të cilët Veliaj mbush arkën e Partisë kane ideologji diametralisht të kundërta.
Edhe kjo dëshmon që ky grupim ka për qëllim pushtetin e jo zhvillimin, ka për qëllim veten e jo popullin. Pasi s’mund të arsyetohet ndryshe nga tre filozofi të ndryshme politike të marrësh donacione. Veliaj me shokë, se në fakt ai është kukulla aty, se ideatorët e kësaj dredhie dihen kush janë ( Lani, Misha, Ekonomi, Fuga dhe Mazniku, por që punojnë underground), duke nxjerrë në skenë Ramën dhe Veliajn si njerëz të pashëm, me oratori dhe elokuent. Pushteti kriminal dhe mafioz që tentojnë të instalojnë në Shqipëri është i frikshëm. Deri më sot nuk ka dhënë asnjë shenjë vullneti për ta bërë transparencën dhe s’do ta bëjë kurrë sepse do dalin në pah të zezat pafund që janë bërë në kurriz të shqiptarëve, pasi paratë që projektohen për Shqipërinë dhe shqiptarët përfundojnë vazhdimisht në kontot bankare të shoqatave simotra të MJAFT-it e për të përfunduar në duart e Ramës dhe Velisë. Këto metoda janë të turpshme dhe populli duhet ti dënojë me votë. Nuk bëj fushate për askënd, por vetëm për shqiptarët. Pse e përjashtuan nga koalicioni dhe sistemi elektoral LSI dhe z. Meta, që padyshim është kryeministri më i suksesshëm socialist dhe njeriu që i dha më shumë fonde se askush tjetër Edi Rames të transformojë Tiranën. Por kjo ndodh ngase kjo klikë demagogësh dhe mafiozësh nuk interesohet fare për elektoratin e majtë, dhe aq më pak për politikanet progresiste të vërtetë siç janë Meta, Fino, Harasani, Koçi dhe Nano, dhe shumë e shumë socialistë të tjerë të dëshpëruar nga ky ç’natyrim i së majtës duke hequr aksionerët e vërtetë me spekulantët dhe parashutistët që me vetëm 25 apo 30 vjet mbi supe pretendojnë pushtetin. E di që politika ka nevojë dhe për gjak të ri, por ama Obama është 47 vjeç, moshë që është më shumë se dyfishi i mesatares së G99. Edhe kjo tendence e vazhdueshme e G99 dhe mjaftistëve që për çdo marrin pikë referimi politikanët perëndimorë është po ashtu një tallje me shqiptarët dhe një fyerje për inteligjencën tonë.
Të krahasosh Erjon Velinë me Tony Blair apo me Obamën, i bie sikur të barazosh parajsën me ferrin. Të pretendosh që përfaqëson idetë e Obamës dhe të fshehësh donacionet dhe paratë është hipokrizi prej roberspierësh, të thuash që kapitalizmi dështoi është të kthehesh tek ATI i tyre shpirtërorë, Karl Maksi, dhe të mohosh arritjet e Qeverisë Berisha është të mohosh NATO-n, BE, dhe mbi të gjitha 5 milionë shqiptarë jashtë shtetit amë që në masë mbi 90% mbështesin këtë Qeveri të suksesshme. Vota merret më shumë nëse njeh arritjet e qeverive të shkuara, por natyrisht duke premtuar më argumente të fuqishme që po qe se vijmë ne në pushtet do i bëjmë gjërat edhe më mirë. Se politika e mirëfilltë është kjo: Të bësh më mirë se tjetri, e jo të jesh e keqja më e vogël.
Dua t’ju kërkoj ndjesë lexuesve që kam përdorur emra të përveçëm. Unë e di se sa të pafuqishëm janë ata, por nëse nuk ua vëmë veshin dhe nuk i dënojmë me votë kjo lloj mendësie mund të bëhet kanceri i rinisë, dhe kura më e mirë është padyshim parandalimi. Ëndrra e kahmotshme për Bashkim Kombëtar do shuhet nëse ne nuk ua tregojmë vendin atyre që thonë se serbi është po aq vllau ynë sa shqiptari. Mund t’jua tregoj me e-mail të gjithëve fjalët që mi kanë shkuar njerëz të fuqishëm në G99 e PS se me sa mosinteresim e marrin çështjen kombëtare, duke thënë se Shqipëria ka shumë halle për t’u marrë me shqiptarët jashtë saj, dhe më keq që rrugët që lidhin kombin s’mund të bëhen pa u bërë së pari më shumë spitale dhe parqe, thuajse ne nuk kemi hise në atë shtet. Ne jashtë jemi me hisedarë sesa ata brenda, pasi ne e kemi përjetuar agresionin sllav dhe grek, por kjo nuk vjen rastësisht, sepse tani dalim tek dyfytyrësia e radhës. G99 premton votën e emigranteve kur dihet që po të votonin ata PD do dilte me shumicë 2/3, për disa arsye. Shumica e atyre që lanë Shqipërinë ishin njerëz nga familjet e persekutuara. Tjetër, kryefamiljarët e emigrantëve janë ata të rinj të Dhjetorit `90 që për asnjë arsye s’do votonin Marksistët Trendy, dhe e fundit që s’ mund të bindësh një njeri që jeton në Perëndim se me politika anti-globaliste do zhvillosh Shqipërinë. Ndërsa sa i përket shqiptarëve të trojeve etnike jashtë kufirit shtetëror, sikur të kishin të drejtë vote dhe nënshtetësi shqiptare, e dinë mirë ata se ç’rezultat do përjetonin. DOPIO STANDARDET, patetika dhe hipokrizia e pseudo-politikanëve të "rinj" në kampin rozë s’kanë të sosur.
Fatmirësisht, shqiptarët kanë evoluar mjaft dhe kanë arritur një pjekuri politike që i mundëson të dallojë të mirën nga e keqja, të ndershmen nga e pista, të drejtën nga hipokrizia dhe padrejtësia, andaj modeli qeverisës që premton politika ylberiste nuk është veç se një mashtrim i madh i radhës, por që kësaj here shqiptarët nuk janë të papërgatitur si ne 45 kur fjalët e bukura dhe demagogjia pushtonin zemrat dhe indoktrinonin mendjet. Ne si komb kemi shume tradita fisnike, dhe ndër to është respektimi i burrave dhe më të vjetërve. Këta që promovojnë nudizmin po tentojnë po ashtu të na zhveshin dhe nga tradita kombëtare, duke na shndërruar në arrogantë ndaj të vjetërve me pretekst se mosha të bën trutharë dhe të cekët, ndërkohë që mendjet e ndritura botërore pajtohen njëzëri që pleqëria është rinia e trurit.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora