Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Isa Mulaj: Aplikimi në BE - pacipëria dhe mashtrimi i radhes?

| E diele, 17.05.2009, 12:21 PM |


Aplikimi në BE - pacipëria dhe mashtrimi i radhes?

Nga Isa Mulaj

Deklarimet e Ibrahim Rugovës për autostradën Durrës – Prishtinë janë një tjetër sferë e daljes nga tema aktuale bosht. I kuptoj fort mirë shumicën dërrmuese të shqiptarëve nga Kosova që duan të ndërtojnë personalitete të kultit me emra si Ibrahim Rugova, Hashim Thaçi, Sali Berisha, Fatos Nano, etj. Duhet t’i referohemi, siç tha Ardian Harri në shkrimin e tij, rezultateve të prekshme. Në këtë kuptim, Autostrada Durrës – Prishtinë nuk është asgjë sensacionale pos një domosdoshmëri që vie pas 20 viteve të transicionit shqiptar. Kështu një domosdoshmëri realizohet me vonesë tepër të madhe. Se rruga prej Durrësit deri në Prishtinë është dashur të bëhet autostradë edhe para së paku një dekade, këtë e kanë ditur edhe lopët. Rugova nuk ka zbuluar asgjë në këtë drejtim, dhe as që ka treguar ndonjë profeci që t’i bëjë dikujt përshtypje. Kjo do të ishte analoge sikur unë të them se në vitin 2015 Shqipëria do të ketë aeroplanë luftarak F-16, Serbia MiG-35, Turqia F35-Lightening, Rusia T-50 (PAK-FA).
Rugova ka qenë më tepër një komentues dhe futurist pasiv. Është lehtë të thuhet se dikur edhe nga Kukësi do të ketë transport ajror të udhëtarëve për në vendet Evropiane. Dikur edhe kjo do të ndodhë. Në vitin 2600 e tërë bota do të jetë e shqiptarëve! Argument: të gjithë popujt tjerë do të shkojnë në planete tjera – vetëm shqiptarët do të mbeten në tokë!
Këto thënie largpamëse dhe shprehja popullore “po i dalin fjalët” ishin dashur ta marrin për bazë mendimin e John Maynard Keynes-it, se “In the long-run we are all dead” (në planin afatgjatë të gjithë jemi të vdekur). Pra, Keynesi thotë: “lëre ti se çka do të ndodhë në vitin 2600 (atëherë kam frikë se do të na interesoj më shumë çka ndodhë me të tjerët në planetet tjera e jo me neve në tokë!), por më trego se çka duhet të bëjmë sot”.  E çka duhet të bëjmë sot? Sot ne duhet ta qartësojmë pse Fazlliçi si njeri misterioz edhe në Serbi, e bënë rrotë Qeverinë shqiptare (aeroportin, doganat, policinë, prokurorinë)? Mos deshët ju të na arsyetoheni se ne po u dashka ta mbyllim gojën shkaku i aplikimit në BE? Qasje e gabuar. E kuptoj, po e përsëris edhe një herë, e kuptoj fort mirë, se shumë shqiptarëve i nguliten në kokë disa politikanë, dhe çfarëdo që bëjnë ata politikanë, simpatizantët dhe “neutralët” e tyre nuk janë në gjendje t’i pranojnë faktet. Edhe sikur babai im të vepronte me Fazlliçin sikur Sali Berisha, jo vetëm që do ta kritikoja por edhe do të merrja masa. Vritet deputeti Fatmir Xhindi në shtëpi, disa ndoshta mendojnë se kjo është një gjë e parëndësishme nëse Rugova ka thënë kështu për autostradën Durrës – Prishtinë, e Berisha ashtu për BE. Tani është Klani i Zemunit ai që mund t’i vrasë deputetët si të PS-së, e më vonë edhe të PD-së, pa gjurmë. Vrasje të deputetëve ka pasur edhe më herët. Azem Hajdari është vrarë më 1998, Gafurr Mazrekaj (ky duket të jetë me origjinë nga Kosova) ka vrarë në Kuvend një deputet të PD-së (më duket). Tani është shumë më rrezik derisa PD-ja nuk de-Zemunizohet.  Rugova nuk e ka paraparë këtë!
Pyetje përmbyllëse: Çka duhet të bëjmë në afat të shkurtë brenda shtetit?