E premte, 15.11.2019, 04:20 PM (GMT)

Kulturë » Muzikë

Pleqtë e Krujës

E premte, 01.06.2007, 09:03 PM


Historia e grupit, nga 1957-a deri në ditët e sotme

Kush e pagëzoi grupin me emrin “Pleqtë e Krujës”

Dëshira për t'i kënduar traditës krutane mblodhi një grup pleqsh së bashku në vitin 1957. Një ditë të zakonshme, më 25 shkurt të po atij viti, ata mblidhen në zyrën e Fadil Tagës që ishte dhe drejtori i Shtëpisë së Kulturës të qytetit të Krujës. Asnjërit prej tyre, nuk i kishte treguar qëllimin dhe as vetë nuk e ka ditur se nëse do e pranonin ftesën e tij apo jo. Si asnjëherë më parë, 17 burra që ia thoshin këngës kanë zënë vend në zyrën e tij. Mustafa Llubani, Xhemal Kulli, Ali Goga, Latif Nuna, Xhemal e Miftar Hoxha, Ali Hyka, Osman Roshi, Bejte Meneci, Xhemal Dollma, Qamil Qoshja, Et'hem Teta, Hysen Dana, Emin Goci dhe Muharrem Mustafai dhe Jahe Cace e Vogël Taga sapo kanë dëgjuar idenë e Fadil Tagës jo vetëm që nuk e kanë kundërshtuar, por ia kanë nisur menjëherë këngës.

Si u vendos emri i grupit
Ajo që të binte më shumë në sy të grupit që ishte formuar, ishte mosha që kishin gjithsecili prej tyre. Ky grup dominohej nga të moshuarit, bartës dhe interpretues të flokut krutan ndaj dhe mori emrin "Pleqtë e Krujës". Vetë anëtarët e grupit shpjegojnë se emrin grupit ia kanë vënë artdashësit shumë kohë më vonë, pasi ai ishte krijuar. Në të njëjtën kohë, tregohet se këto bëhen të ditura nga shënimet që i janë gjetur Fadil Tagës. Menjëherë grupi filloi të mblidhej një herë në javë ku dhe bënte prova. Fizionominë e plotë, ky grup e mori në shfaqjen e 1 Majit të 1957 -ës dhe në Festivalin e Dytë Folklorik në Tiranë, ku dhe mori çmimin e tretë. Më pas në vitin 1959, anëtarët realizojnë "Dasmën Krutane". Ndërkohë, në vitin 1978 grupi shfaqet në skenë me kostumin origjinal popullor të qytetit të Krujës. Më pas, aktivitetet e tyre shtrihen në gjithë Shqipërinë. Ndërsa pas viteve '90, ata mundën të dalin dhe jashtë kufirit, duke përcjellë më shumë traditën krutane.

Titujt e nderit të grupit karakteristik

1978
Është nderuar me çmimin "Laurat i FFK", Gjirokastër
1983
Është dhënë titulli "Medalja e Naim Frashërit" nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të Shqipërisë.
1994
I jepet titulli "Anëtar Nderi" i Shoqatës Lidhja Kulturore Folklorike Skënderbeu, Krujë.
2001
I jepet titulli "Krenaria e qytetit të Krujës" nga Këshilli Bashkiak Krujë.
2003
I jepet "Mirënjohja - Drenas 2002" në Festivalin Folklorik Ndërkombëtar në Kosovë.
2004
Për herë të parë i jepet "Çmimi i Karrierës", në festivalin mbarëkombëtar të Këngës Popullore Qytetare.

Lista e grupit karakteristik në vite (1957 - 2003)

Fadil Taga, drejtor i grupi të parë, firzarmoniçist
Ali Goga, violinist, valltar, këngëtar
Latif Nuna, firzarmoniçist, drejtues i grupit
Mustafa Llubanai, këngëtar grupi
Xhemat Kulli, violinist, këngëtar, aktor
Emin Goci, këngëtar në grup, aktor
Qazim Berberi, këngëtar në grup
Qazim Qoshja, solist, këngëtar në grup
Hysen Dana, këngëtar në grup
Hysen Kaçiu, këngëtar në grup
Bejte Meneci, solist, këngëtar në grup
Osman Rroshi, këngëtar në grup
Et'hem Teta, këngëtar në grup
Mehmete Hoxha, këngëtar në grup
Ali Hyka, valltar i dyshes krutane
Xhemal Hoxha, valltar i dyshes krutane
Jahe Caca, solist, këngëtar në grup
Meleqe Llubani, bartës dhe krijues
Vogël Taga, këngëtar në grup
Hamdi Hoxha, këngëtar në grup
Xhemat Dollma, këngëtar në grup, aktor
Vogël Mallkuçi, instrumentist me klarinetë
Muharrem Sulejmani, instrumentist me lodër
Ali Tuçi, instrumentist me dajre dhe xhez
Hysen Llubani, drejtor, organizator, (1970 - 1980)
Haxhi Shagaj, këngëtar në grup
Qazim Toska, këngëtar në grup
Rexhep Goga, solist, këngëtar në grup
Mustafa Dervni, solist, këngëtar në grup
Bajram Kërtyta, valltar i valles me gjym ose shtar
Hasan Preza, këngëtar në grup
Haxhi Çopani, këngëtar në grup
Ali Çopani, solist, këngëtar në grup
Muharrem Loci, solist, aktor, valltar
Muharrem Mustafa, këngëtar në grup
Osman Dedja, këngëtar në grup
Mustafa Rroshi, këngëtar në grup
Qamil Kulli, këngëtar në grup
Kamber Kovaçi, këngëtar në grup
Mustafa Hoxha, valltar i valles "Plakë e nuse"
Hami Hyka, valltar i dyshes krutane
Rexhep Dibrani, këngëtar në grup
Sejfulla Blushi, këngëtar në grup
Abdyl Hushi, këngëtar në grup
Nazmi Llubani, këngëtar në grup
Petrit Kasmi, këngëtar në grup
Saba Meçe, këngëtar në grup
Sulejman Lalzi, këngëtar në grup
Nexhmedin Kaloshi, këngëtar në grup, valltar
Asllan Subashi, këngëtar në grup, valltar
Qazim Kupi, këngëtar në grup, valltar
Enver Tufa, këngëtar në grup, aktor
Beg Mema, këngëtar në grup, aktor
Hasan Tufa, këngëtar në grup
Skënder Reka, fizarmoniçist
Myfit Goga, këngëtar, klarinetist
Thanas Papa, solist, këngëtar në grup
Sabri Qesja, këngëtar në grup
Xhemal Llubani, këngëtar në grup
Vesel Nova, këngëtar në grup
Sabri Keçi, instrumentist me xhez
Muhabet Darova, instrumentist, fizarmoniçist
Agim Darova, instrumentist, kitarist
Islam Doku, solist, këngëtar në grup
Saba Tema, solist, këngëtar në grup
Kujtim Tema, solist, këngëtar në grup
Agim Bega dhe Shqipe Bega, valltar të valles "Malenake"
Hajdar Sula, këngëtar në grup
Seid Guni, këngëtar në grup
Muharrem Sheta, violinist, fyelltar
Sali Baruni, këngëtar, violinist
Mehmet Sheta, këngëtar, violinist
Guri Dema, këngëtar në grup
Hasan Tahiri, këngëtar në grup
Luan Sallaku, piktor

Tirana Obserever - Prill 2005

Mustafa Aruçi rrëfen jetën e tij pranë këngës dhe traditës krutane “Do të këndoj derisa të vdes”

Plaku i Krujës: Kënga më shton jetën edhe pse jam 89 vjeç
 
Laureta RRYÇI, Dorina TOPOLLAJ

Është 89-vjeç dhe përsëri quhet lezeti i grupit. Me zërin e tij ka përcjellë traditën krutane për dekada me radhë. Mustafa Aruçi, 89 vjeç, i vetmi nga të parët "Pleqtë e Krujës" që vazhdon të jetë jo vetëm ende në jetë, por dhe aktiv në grup, rrëfen për "Tirana Observer" se si e gjen forcën për të kënduar. Sipas tij, zëvendësimi i pleqve me të tjerë bën që kjo traditë të mos vdesë kurrë.

Kur keni kënduar për herë të parë?
Unë kam kënduar që i vogël, por rregullisht kam nisur në moshën 17-vjeçare, kur merrja pjesë nëpër dasma që bëheshin në qytet apo në rrethinat që janë këtu. Më pas më thirrën që të merrja pjesë në grupin që po formohej në qytet.

Si këndonit në ato kohë?
Atëhere ishte shumë ndryshe nga ç'këndohet tani. Unë ende nuk i kisha mundur 17 vjeç dhe filloja të këndoja nëpër dasma. Kishim rregulla për të respektuar. Mysafirët që vinin në dasmë rrinin nëpër sofra dhe çdo sofër kishte nga një këngëtar. Gjithmonë më linin që t'ia nisja unë i pari këngës dhe pastaj e prisnin të tjerët që ishin në sofra të ndryshme.

Që në fillim keni qenë këngëtar kur u bashkuat me grupin e pleqve?
Jo, në fillim në grup i bija çiftelisë, më pas isha "zëri majë krahut" dhe përfundimisht u vendosa këngëtar mes pleqve të tjerë të Krujës.

Kush ka qenë kënga e parë që keni kënduar dhe si jeni ndjerë në ato momente?
Kënga e parë që kam kënduar më kujtohet si sot, ka qenë "Halili dhe Hajria" dhe për momentin m'u duk e vështirë, por pasi e këndova vura re se dëshira brenda meje për të kënduar ishte shumë e madhe dhe s'kishte gjë të më ndalonte.

Ju mungojnë pleqtë e tjerë që tani nuk ndodhen më?
Më mungojnë shumë. Ata ishin miqtë e mi më të mirë. Tani pa ata më duket vetja si kukuvajkë.

Tani që ka të tjerë që po e përcjellin traditën e "Pleqve të Krujës" mendon se e përcjellin me po aq bukuri si më parë traditën e këngës krutane?
Kam mall për ato këngë të atyre kohëve dhe për zërin e bashkëmoshatarëve të mi. Megjithatë të gjithë këta të rinj që kanë marrë përsipër ta përcjellin këtë traditë krutane them me bindje se po bëjnë një punë serioze. Kur shoh vajzat si kërcejnë valle më duket sikur fluturojnë. Unë mendoj se vetëm kështu "Pleqtë e Krujës" nuk do vdesin kurrë.

Fakti që kohët e fundit janë futur elemente të reja tregojnë se po zbehet tradita e vjetër e këtij qyteti?
Unë nuk jam aspak dakord me këtë. Elementët e rinj e bëjnë muzikën e kohës jo të bezdisshme për të gjithë brezat, mjafton që themeli t'i ketë rrënjët e thella. Tani bëhen prova rregullisht dhe me seriozitet të madh, kështu që s'ka asgjë për të humbur traditën.

Ju jeni i vetmi ndër pleqtë e parë që jeni aktiv në grup dhe sa do të qëndroni të këndoni?
Unë vetëm kur të më dalë shpirti, atëherë do të pushoj së kënduari. Kënga më shton jetën. Herën e fundit kur isha në Kalabri m'u shtua një vit jetë, kështu që të them të drejtën do ta kem të vështirë të vdes me ç'po shoh.

63-vjeçari: Kisha babain një nga "Pleqtë e Krujës"

Është më i riu nga pleqtë, por mbi supe ka plot 63 vjet. Skënder Dana tregon për "Tirana Observer" se është një nga anëtarët e "Pleqve të Krujës", i cili po përcjell traditën mbi këngën që i ka lënë i ati. Në të njëjtën kohë, 63-vjeçari shpjegon ndryshimet që kanë ndodhur në grup.

Që kur keni marrë pjesë në grupin "Pleqtë e Krujës"?
Unë që i vogël i kam parë nga afër "Pleqtë e Krujës" dhe i kam ndjerë të gjitha këngët që këndonin ata, sepse kam pasur tim atë në këtë grup. Më vonë pastaj i kam rënë një vegle muzikore dhe pas vitit 1992 u futa në grupin e këngëtarëve dhe jam më i riu i pleqve.

Çfarë kujtoni nga pleqtë që kanë qenë në fillim?
Ata kanë qenë të mahnitshëm me zërin e tyre. Kanë pasur një dëshirë të papërshkrueshme për të kënduar dhe një humor të hollë, duke goditur me këngë persona apo vese të ndryshme.

Po grupi i tanishëm?
Tani njerëzit janë më të formuar, për sa i përket muzikës dhe në të njëjtën kohë mundohemi të jemi shumë korrekt me vlerën e vërtetë që ka kënga, në mënyrë që të realizojmë me sukses trashëgiminë e brezave mbi traditën krutane. Jo vetëm unë po shumë anëtarë të tjerë të grupit, sepse grupi nuk ka vetëm këngëtarë, por dhe valltarë dhe orkestrantë, janë po aq specialistë sa këngëtarët.

Ali Goga
Ali Goga është një nga nismëtarët e krijimit të grupit karakteristik të "Pleqve të Krujës". Roli i tij në këtë grup është ai i këngëtarit, valltarit dhe instrumentistit. Goga vjen nga një familje e pasionuar pas muzikës, madje këtë e tregojnë edhe pasardhësit e tij. Ndërsa që i vogël Ali Goga, ashtu si i ati, luante me instrumente popullorë e sidomos me laurë. Por edhe fëmijët e tij kanë ndjekur rrugën e të atit, duke kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë në grupin e "Pleqve të Krujës". Ata janë Myfti Goga, këngëtar popullor, klarinetistë, Sanije e Hajdie Goga, këngëtarë dhe valltarë popullor, ndërsa Avniu kontribuon edhe sot si instrumentist me dajre në grupin e "Pleqve të Krujës".

Latif Nuna
Karriera e Latif Nunës ka filluar me instrumentin e mandolinës. Për vlera të origjinalitetit akoma edhe sot ruhen në arkivin e Radio Tiranës. Nuna është pasionant në zanatin e muzikantit autodidakt, mbasi kthehet nga ushtria prezantohet si firzamoniçist. Ka qenë menaxher i artit dhe i kulturës për 50 vjet rresht në grupin e "Pleqve të Krujës", si dhe në të gjithë lëvizjen kulturore artistike të Krujës. Për disa vjet me radhë punoi si drejtor i Shtëpisë së Pionierëve (sot Qendra Kulturore e Fëmijëve). Në vitet e fundit punoi si metodist në Shtëpinë e Kulturës Krujë, ku krahas aktivitetit me grupin e "Pleqve të Krujës" si organizator udhëhoqi dhjetëra brigada kulturore për gjallërimin e jetës kulturore të Krujës.

Jahe Caca
Kontributin e Jahe Cacës, si artist amator e gjejmë shumë herët. Pjesëmarrja e tij është evidentuar që nga Festivali i Parë Folklorik i Qytetit të Tiranës në vitin 1954. Jahja në këtë vit ka kënduar dhe shoqëruar me çifteli deri në vitin 1997. Ai është një këngëtar popullor me zë të veçantë. Caca ka kënduar së bashku me këngëtarin Ramiz Kovacin këngën "Figaro". Në lëvizjen artistike popullore, Jahja përveç se dallohej si interpretues i këngës popullore krutane, njihet dhe si anëtar i grupit të "Pleqve të Krujës". Por Caca ka kënduar këngët popullore në këtë grup si "Hajde dalim nga kalaja", "Ç'po më rri goca te pusi", "Moj zoge", e këngë të tjera.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT