E marte, 23.04.2024, 06:30 AM (GMT+1)

Shtesë » Shoqëria

Një grua si shefe

E enjte, 09.08.2007, 06:49 PM


Klea Faniko

Psikologe, kandidate në Ph.D, Universiteti i Lozanës

Eja të flasim, të ndajmë idetë, dyshimet dhe shqetësimet. Është më mirë të flasim sesa të heshtim. Kështu ndihmojnë njëri-tjetrin dhe njerëzit rreth nesh. Për çdo ide që dëshironi të trajtojmë në faqet e revistës sonë më shkruani në: Klea.Faniko@unil.ch

Para ca ditësh po lexoja disa statistika rreth posteve të rëndësishme në Shqipëri. Edhe tek ne sikundër në shumë vende të tjera të botës, gratë përbëjnë një pakicë në të gjithë sektorët. Në sektorin publik për shembull, gratë zënë 26.3 %  të posteve drejtuese, ndërsa në Parlamentin Shqiptar aktualisht vetëm 7.1 % e posteve përbehet nga gratë. Si shihen gratë që kanë pozicione drejtuese? A ka dyshime rreth aftësive të tyre? Si janë në marrëdhëniet që krijojnë me stafin? Opinionet  e 310 personave që kam kontaktuar në Tiranë i përgjigjen pyetjeve së mësipërme.

A dinë të komunikojnë?

“Një nga pikat e mia të forta në marrëdhënien që kam krijuar me sfatin tim, është komunikimi. Me shefin tim të dikurshëm nuk arrija të komunikoja dhe ky ishte një handikap i madh për institucionin tonë” - thotë drejtuesja e një institucioni. Komunikimi, aftësia për të dëgjuar, për të shprehur ndjesitë dhe mendimet konsiderohet si një tipar tipik femëror. Gratë priren të flasim dhe të shkëmbejnë më shumë sesa burrat, duke inkurajuar në këtë mënyrë shprehjen e opinioneve të ndryshme. Sa më shumë opinione, aq më shumë debat dhe progres si rrjedhojë. Për më tepër, gratë në poste drejtuese shihen si më komunikuese se burrat në të njëjta poste, më të afta për të krijuar një atmosferë të këndshme dhe më të priruar për të krijuar lehtësira për kolegët. Sigurisht, duhet theksuar se gratë e intervistuara janë më të prirura se burrat për të vënë në dukje këtë aftësi komunikuese të grave në poste drejtuese. Sipas tyre, shpesh meshkujt në poste drejtuese në ndryshim nga gratë mbyllin “portat” e komunikimit.

A dinë të bëjnë dallimin midis jetës private dhe jetës personale?

“Nuk është e lehtë, – thotë Elona, drejtuese e një organizate jo-fitimprurëse. -Çdo problem familjar duhet ta harroj sapo mbyll derën e shtëpisë, ndryshe nuk arrij të punoj siç duhet. Dhe jo gjithmonë arrij të bëj këtë shkëputje”.  Pavarësisht nga pozicioni që ka secili prej nesh, shpesh problemet personale ”interferojnë” sferën profesionale. Një problem me partnerin, diçka që nuk shkon me shëndetin e fëmijës, një problem financiar shndërrohet në obsesione që shpërqendrojnë vëmendjen dhe pengojnë aktivitetin profesional. Për më tepër, një pjesë e mirë prej nesh e shohin gruan si një qenie të brishtë dhe emocionale, që nuk arrin të fshehë lehtësisht problemet e saj. Të intervistuarit tregojnë se gruaja, pavarësisht nga pozicioni që ka shpesh “dominohet” nga problemet personale. Nga ana tjetër, kur një grua ka një pozicion drejtues, vëmendja përqendrohet tek ajo dhe është më e lehtë të kuptosh luhatjet e humorit.  “Shefja ime është gati një libër i hapur. E kuptoj shumë shpejt nëse diçka nuk shkon në jetën e saj personale. Nëse ajo ka një problem personal, është gati e pamundur të komunikosh me të”.

A janë autoritare?

“Nuk është e lehtë të jesh shefe, sidomos kur para teje ka patur një shef ose kur ekipi yt përbëhet nga meshkuj. Shpesh herë më duhet të bëj autoritaren për të ruajtur kontrollin”-thotë një drejtoreshë tjetër. Shpesh autoriteti konsiderohet si një mënyrë për të ruajtur kontrollin dhe pushtetin, për të evituar që të tjerët do të shkelin mbi ty. Megjithëse burrat konsiderohet si më autoritarë, qëllon që gratë në pozicione drejtuese të jenë më autoritare në marrëdhëniet që krijojnë me vartësitë e tyre. Në thelb, autoriteti mund të mos jetë pjesë e natyrës femërore, por pozicioni brenda një institucioni dhe roli i shefes mund të çojë në shfaqjen e tij. Gratë e intervistuara, në krahasim me burrat, e konsiderojnë një grua në pozicion drejtues si më autoritare. Ndoshta sepse vartësit mund të jenë më pak të ndjeshëm ndaj pushtetit, që shefet ushtrojnë ndaj tyre dhe mund ta kenë më të vështirë të pranojnë që një grua mund të jetë autoritare ndaj tyre.

Si janë ndaj kolegeve?

“Kam përshtypjen se shefja ime është armiqësore ndaj grave dhe i jep përparësi kryesisht burrave”- thotë punonjësja e një institucioni. E si mund ta shpjegojmë këtë reagim? Ndoshta ju mund të keni dëgjuar për “Sindromën e Bletës Mbretëreshë”, sipas së cilës, gratë të cilat kanë pozicione të rëndësishme, janë më armiqësore ndaj kolegeve të tyre dhe nuk ndihmojnë ngjitjen e tyre profesionale. Pavarësisht nga aftësitë e tyre komunikuese dhe atmosfera e këndshme që mund të krijojnë në punë, shpesh gratë në pushtet krijojnë pengesa për gratë e tjera. Ato përkrahin kryesisht burrat dhe krijojnë një rreth mashkullor, të cilin ato kërkojnë ta dominojnë. Sigurisht, kjo është një formë të sjelluri. Ka shumë gra të tjerë në pozicione kyçe, që janë më të hapura dhe më mbështetëse ndaj grave, të prirura për të mbështetur ngjitjen profesionale të kolegeve të tyre. Personat e intervistuar mendojnë se gratë në pozicione drejtuese nuk janë të njëanëshme në marrëdhëniet që krijojnë. Për to, shefet nuk janë armiqësore, nuk krijojnë pengesa për koleget dhe nuk krijojnë klane në varësi të gjinisë së vartësve.

A janë të afta?

“Kur në fillim u emërova drejtuse e institucionit,  ndjeja që vartësit e mi dyshonin në aftësitë e mia. Të qënit grua krijonte një lloj mosbesimi, i cili më inkurajoi të punoja më shumë. Dhe ja ku jam tani që prej pesë vjetësh në krye të një institucioni shumë të rëndësishëm” - shprehet një drejtuese tjetër.  Pjesa më e madhe e posteve drejtuese historikisht është “okupuar” nga meshkujt dhe në këto kushte thjesht për inerci, këta të fundit mund të konsiderohen si më të aftë për të përmbushur  detyrat e këtyre posteve. Por jo gjithmonë ndodh kështu. Gratë në pushtet shihen të zonjat, krijuese, të përgjegjshme, të vendosura, të pavarura dhe intuitive. Ata mund të sjellin ndryshime dhe t’i japin një imazh të ri institucionit të tyre. Megjithatë duhet theksuar se gratë e intervistuara janë më shumë të pritura se burrat, t’i shohin pozitivisht gratë në pushtet. Për to, nuk është gjinia që përcakton aftësitë e dikujt, por përpjekjet dhe puna. Burrat ende kanë dyshimet e tyre ndaj grave që kanë pozicione të rëndësishme, dyshime këto që ndoshta mund të zbuten me rritjen e numrit të grave në poste kyçe dhe emancipimin e shoqërisë shqiptare.

Zgjedhjet presidenciale do të zhvillohen së shpejti në Shqipëri. Koalicioni Shqiptar për Promovimin e Gruas, të Rinjve dhe Minoriteteve në Politikë, para disa ditësh ka zhvilluar një forum gjatë të cilit ka propozuar “Një grua si presidente të Shqipërisë”. Kjo është një përpjekje e përmasave gjigande në një vend si Shqipëria, ku gruaja ende nuk ka vendin e duhur në familje, në shoqëri dhe në tregun e punës. Përvoja tregon se në Shqipëri gratë në poste drejtuese janë të suksesshme.

Pse jo një grua si presidente . Le të presim opinionet tuaja dhe reagimet e Parlamenit!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora