E enjte, 18.04.2024, 04:56 AM (GMT+1)

Mendime

Ali Podrimja: Diktatura dhe mësuesja ime

E shtune, 16.05.2009, 01:44 PM


Nga Notesi

DIKTATURA DHE MËSUESJA IME

Nga Ali Podrimja

Nuk dihej dhe kush e kishte lansuar sloganin: Proletarë të të gjithë botës na falni… Sipas të gjitha gjasave nëntoka ruse ishte përplot me të pakënaqur, të cilët kishin përjetuar golagun, internimet, burgjet dhe gjërat më të poshtërta. Ishin vënë në lëvizje. Intelektualë e disidentë vepronin dhe botimet e tyre të shumta i shpërndanin shpesh dhe falas. Kryesore te lexuesi të arrijë e vërteta se çfarë shteti kishin. Kisha pasur rastin të shfletoj edhe ndonjë libër në Hauptbahnhof-at e Gjermanisë. E si depërtonin nëpër Evropë një zot e di. Nga tekstet që hasje lexoje pendesën e tyre se çfarë u kishte shkaktuar hegjemonia ruse si dhe logjika e diktaturës komuniste. Pëshpëritej  në metropole se intelektualë e disidentë sa vinin e shtoheshin. Protestat e tyre dhe deklarimet nëpër sheshe e tubime kishin dorë në derdhjen e më vonshme të Bashkimit Sovjetik. Sindromi rus kishte prekur popuj dhe i kishte bërë të “dëgjueshëm”, të vegjëlit i kishtë shndërruar në shtete kukëlla tek i bindin se do e mundin dollarin dhe do të dominojë ideja: një shtet, një gazetë dhe një radio. Në mënyrë më të çuditshme kishin dorë në asimilimin e të vegjëlve; do jemi vëllezër dhe në krim.
Popujt kishin zënë të vetëdijësohen, ndryshe filluan ta shikonin rendin e ri botëror, perandoria e errësimit të trurit sapo humbaste në horizontin e përgjakur. Por terrori ishte më i rëndë në shtete të vogla, ku mungonte arsyeja, njerëzorja, mu për atë dhe më së shumti e paguan. Konkretisht ndodhte që dhe për një varg a inskenim teksti në teatër terri ta kapërbin autorin.
Në fillim të erës së demokracisë (1992) edhe pse e brisht, Qeveria e Shqipërisë pat rastin të marrë veten në dorë, të lirohet nga zymtësia e së kaluarës dhe t’u kërkojë falje familjeve, që kishin pësuar nga terrori komunist, t’u kthejë besimin shqiptarëve, se ajo që i bashkon dhe i bën më të fortë mbetet vëllaznia, e ardhmja. Vendi çfarë është yni rrëshqiste kah fundi; se krimi, internimet, e varrezat e kalterta duhet harruar. Mu për këtë dënimi i krimit do qetësonte gjakra dhe do kthente paqjen shpirtërore, besimin në të ardhmen dhe mes shqiptarëve.
Me rastin e 60-vjetorit të NATO-s përcolla dokumentarin italian ku jipeshin dhe sekuenca nga udhëtimi ynë prej Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë (1912) e deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Por nuk mund të harrohet morbiditeti i shtetit të ri komunist shqiptar. Rreshtimi i tetëmbëdhjetë parlamentarëve para tytave ishte ngjarje pikëlluese, e paharrueshme. Kishin qëndruar krenar para tytave pse ndryshe e shikonin Shqipërinë, më Zonjë, siç do të thoshte poeti dhe miku im i ndjerë, Azem Shkreli apo siç thoshin rilindasit: për një Shqipëri Europiane me ligje e qëndrim dinjitoz.
Kohëve të fundit lexova ca libra, që për autorë kanë Uran Butken, Sadik Bejkon, Petrit Palushin. Aty përballesh me të vërtetën për atë që kishte ndodhur dhe deri ku kishte shkuar krimi, i cili ishte dhe vepër e atyre që na luftonin me shekuj. Nuk mund të pranoja se shteti, i cili ishte ngritur mbi trupa e varreza tona ishte pa fije dinjiteti, qëllonte të pushkatonte dhe krijues të fjalës së bukur. Vrasja e poetit do thotë se ke vrarë shpirtin e fjalën e një populli. Kujtoj shpesh Genc Lekën, Vilson Blomshin tek sa kishin filluar lojën me fjalë u ndeshkuan nga gjaku i vet. Kjo ishte më e rëndë se kur të vrasin të huajt. E, të vrarët nga fqinjtë janë të panumërt. Por e dhembshme është kur të vret i yti, i gjakut tënd.
Fatëkeqësisht, martirë të fundit kurrë nuk patëm. Më 10 gusht 1988 u var në Kukës poeti Havzi Nela, ndërsa shtetet rreth nesh, që pritnin momentin të na fshinin nga harta, trokitnin para portave të Evropës me racizëm të theksuar. Të dëgjojmë se ç’thotë Dobrica Qosiq. “Kjo shtresë sociale, politike, morale dhe barbare e Ballkanit, bëhet aleat i Amerikës dhe BE-së në luftë kundër popullit më demokratik, më të civilizuar dhe më të arsimuar të Ballkanit – popullit serb”. Mirëpo, kjo çmenduri serbe nuk është e sotme, të vjen keq se në çfarë gjendje është… Shpërlarja e ndërgjegjes te ne nuk ndodhi as e pamë veten para pasqyres së arsyer. Me ikjen e diktatorit, gjurmëve të tij pakkush besonte se Ramiz Alija do ecte. Si duket i mungoi kurajoja qytetare t’i lë shënden të zezës që na trupëronte.
Në vitin e ´70-të, të shek. XX na kishte tubuar në Tiranë një përvjetor i Naim Frashërit. Ishte hera e parë që e shihja Shqipërinë. Nga librat e mi kisha marrë vetëm një ekzemplar të “Torzos”. Pas dy ditësh takoj princin e fjalës shqipe Lasgush Poradecin. Qëndronte në mes të Nonda Bulkës dhe Skënder Luarasit. Nuk di as vetë si shikimin kisha ngulur te poeti i Nositit, kishte të veshura dy parë pantollona të lidhura fort me një rrip gati të grisur. Përmes pamjes së tij peshoja dhe shtetin. Mes dy shtatorëve, Leninit dhe Stalinit kisha pështyer. Nga atëherë shenjat e para ishin shfaqur në kujtesë të një poezie “Rrënimi i përmendores së turpit”. Nga xhepi kisha nxjerrë librin dhe ia kisha dhuruar Lasgushit. Do shihem nesër, kishte shtuar Ai. Ashtu kishte ndodhur dhe pyetja e tij e parë ishte: Si e ke shkruar poezinë “Macja e zezë”? Edhe unë kam dëshiruar ta kem një macje të zezë, por ia e paske Ti. Në një Panair të Librit për këtë më kishte folur edhe vajza e tij, Maria. Miku im akademik Ali Aliu, në gaz kishte shtuar: Aliun shpesh macjet e zeza nuk e lënë të qetë. Kishim qeshur të tretë.
Në udhëtimin tim të parë në Shqipëri kisha vendosur të takoj mësuesen time, e cila ma kishte mësuar shkrim-leximin, por ditët iknin dhe unë nuk mund ia gjeja shtëpinë. Kisha pyetur ca të Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, por u mungonte kuraja, nuk bëzonin. Rastësisht një mbrëmje u gjeta përballë mësueses. Djaloshi që më kishte shpien të apartamenti i saj, u nda vrap nga ne. Shihesha me ikonën time pas pesëmbëdhjetë vjetësh, quhej Emine Gjakova. M’i kishte pëshpëritur germat aty rrazë Çabratit që e tallja mikun tim, Xhevahir Spahiun, se është më i lartë se Tomorri.
U ktheva dikur vonë në hotelin “Dajti”, duke u përbiruar mes hijeve. Në holin e hotelit bridhte i shqetësuar, Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve Z. Dhimitër Shuteriqi. Nga pyetjet që m’i bëri e kuptoja se vështirë ishte të jesh qytetar i lirë në Shqipëri në kohë të diktaturës. Ndjeja dhembje për shqetësimin e tij. Kryesore mësuesen e kisha parë dhe kisha njohur ca shkrimtarë, që më buzëqeshin tani në bibliotekën time.
Në Tiranë duhet të qëndroja dhe një jave, por kisha vendosur të kthehem në Ulpianë. Ndodhka pra të braktisësh dhe vendin që shpesh e shihja në ëndërr. Njëra prej arsyeve ishte mësuesja, ndërsa tjetra: një Karaxhoz, i cili sillej si nuk i ka hije. Pas sa vitësh në gazatat “Panorama” dhe “55” lexova se me çfarë ishte marrë. E turpshme. E kisha parë pastaj në Kështjellë të Atlantikut, ku debatohej për fatin e Dardanisë. Kishte komunikuar me Perëndimin përmes gishterinjve. Ndërsa sapo ishte kthyer, iu kishte drejtuar polemit: vendin nuk bën ta lëshojmë. Dy javë pas kur bombat e NATO-s e derdhen Ulpianën time, largohesha për në Këln dhe dëgjoja Zotërinë tek akuzonte: ata që nuk e braktisin atë copë tokë, janë lojalë të Kasapit të Shumadisë. Kjo ishte çmenduri e një Karaxhozi ta shihte Dardaninë një varrezë masive.
Në Qafë të Hotit prof. Fehmi Aganin, Zonjën e tij dhe mua na kishte qitur një makinë e Universitetit të Tiranës. Kisha besim se Shqipëria do lirohet nga tërmetet e diktaturës dhe do ketë më pak kampe e burgje. Parandjeja atë që mbështetnin rilindasit se: “Dielli ynë lind në Perëndim”. Ajo dritë si duket u shfaq më 4 mars 2009 kur Shqipëria u lirua nga hijet e së kaluarës dhe kërcnimet tinzare të pansllavizmit. NATO-ja kishte shkelur në dherat Shqiptare. Me këtë besoj se do pushojnë dhe grindjet rreth çeshtjes së identitetit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora