E enjte, 28.03.2024, 12:33 PM (GMT)

Udhëpërshkrim

Saranda dhe Belek, dy qytete me bukuri përrallore përballë njëri-tjetrit

E enjte, 09.08.2007, 05:27 PM


Misteret e vendeve turistike...

Shqipëria është një ndër vendet me bukuri të rralla natyrore dhe me të drejtë që në kohët antike dhe këto moderne ka zgjuar interesin e shkrimtarëve dhe historianëve vendas dhe të huaj. Por e rëndësishme është përmirësimi i kushteve dhe dhënies përparësi të turizmit arkeologjik. Megjithëse nuk duhet përjashtuar fakti se edhe turizmi shqiptar po jeton sot fazat e para të lulëzimit të tij. Përkatësisht turizmi detar është i përqendruar në perëndim të vendit dhe veçanërisht në Durrës, Vlorë dhe Sarandë.    

Këto qytete ofrojnë dhe një numër të madh shërbimesh, hotelesh e restorantesh dhe vihet re nga viti në vit tërheqja e vëmendjes së turistëve, jo vetëm shqiptarë, por edhe të huaj. Këtë numër ne kemi vendosur të rrëfejmë historinë e dy qyteteve bregdetare, një shqiptare dhe një të huaj. Saranda është qytet që ndodhet në Shqipërinë jugore, i vendosur në bregun e detit Jon, përballë ishullit të njohur grek të Korfuzit. Ky qytet është i vendosur në një shpat mali. Saranda ndodhet rreth 300 km larg Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë. Përkohësisht mjeti i vetëm i udhëtimit për në Sarandë janë automjetet. Transporti detar i Sarandës e lidh qytetin vetëm me qytetet greke të Korfuzit dhe Igumenicës. Është projektuar ndërtimi i aeroportit të qytetit në fshatin Vrion, 1 km larg tij. Emërtimi i këtij qyteti  në kohët antike ka qenë  quajtur Onhezmi. Arkitektura e vjetër  është shkatërruar në shekullin e V-të nga pushtimet barbare. Saranda ofron shumë hapësira për zhvillimin e industrisë së turizmit.

Nuk janë vetëm dielli, rëra dhe uji që plotësojnë ciklin e pushimeve dhe argëtimin e një pushuesi, por edhe turizmi kulturor. Ata që kanë pasur rastin të kalojnë pushimet në Sarandë, me siguri që kanë vizituar qytetin antik të Butrintit. Butrinti është një mrekulli. Saranda e rajoni përreth nuk kanë vetëm Butrintin. Saranda u ka dhënë kënaqësi dhe shenjtorëve, madje jo pak, por plot 40 të tillëve. Këtë e tregon më së miri manastiri i famshëm i 40 shenjtorëve, nga ku ka origjinën dhe emri i qytetit, Lëkursi, Manastiri i Mesopotamit, i Demës, Foiniki i lashtë etj. Vetëm që këto duhet të bëhen të vizitueshme. Por si gjithkund tjetër, një problem mbetet infrastruktura rrugore që të çon në këto monumente të rëndësishme kulture. Format klasike të turizmit nuk mund të mbeten të vetme. Kërkohet një ndërthurje dhe zhvillim i turizmit kulturor në një rajon që i ka të bollshme monumentet e kulturës.   

Larmia jo e vogël e aktiviteteve kulturore gjatë gjithë vitit, siç është Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në qytetin e Butrintit, konkurse të ndryshme për miss-e, koncerte etj. Ato plotësojnë më së miri kohën e lirë të pushuesit dhe i japin mundësi të angazhohet me aktivitete serioze kulturore. Nuk duhet harruar larmia e zonave etnografike e kulturore. Gjithë kjo pasuri mundet të bëhet e njohur dhe të krijojë variacione për zhvillimin e turizmit kulturor. Turizmi në Sarandë përshkon një vijë të gjatë të bregdetit, duke vijuar nga Saranda në Himarë. Sepse pa dyshim Butrinti, si një qendër arkeologjike e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, është sipas të gjitha standardeve një vend veçanërisht i bukur, me një magji karakteristike të antikitetit. Asgjë e ngjashme nuk ekziston në Korfuz. Shumë shpejt, me hapjen e superstradës që do të lidhë Butrintin me Igumenicën nëpërmjet Konispolit, numri i turisteve do vijë në rritje, duke arritur ndoshta deri në 200 000 rreth vitit 2010.  

Belek, zbulim i vonshëm natyror…

Një parajsë e vërtetë për turistët në brigjet e Mesdheut, në mes të pyjeve me pisha. Bukuria natyrore e Belekut u zbulua më 1984 dhe zona u shpall “Qendra Turistike Belek”. Më pas Beleku u bë ai qytet që është sot, një parajsë në tokë, kjo dhe në sajë të bashkëpunimit midis Investitorëve Turistike të Belekut dhe Ministrisë së Turizmit. Beleku, i ndodhur në rajonin e Mesdheut, është i pozicionuar 30 km në pjesën lindore të Antalias. Kohët e fundit është përzgjedhur nga Ministria e Turizmit si një qytet turistik model, jo vetëm për turistët e sotëm, por edhe për ata që do ta vizitojnë në 1000 vitet e ardhshme! Beleku…, një parajsë turistike!

Zona ka 32 hotele me 5 yje dhe fshatra turistik të klasit të parë, si dhe 5 kurse golfi. Të gjitha lehtësirat që janë emërtuar si të klasit të parë, krijojnë një atmosferë ideale për familjet dhe ofrojnë mundësi dhe shërbime të shumta, që kanë për qëllim të kënaqin turistët. Të gjitha ambientet ndihmëse kanë fusha tenisi, pishina në ambientet e brendshme dhe te jashtme, qendra shëndeti dhe fitnesi të kompletuara, kënde lojërash dhe shumë mundësi të tjera. Punonjësit e hoteleve të Belekut ndihen krenarë që Beleku është tashmë fytyra e re e turizmit në Turqi. Pushime dhe ture, kjo është zgjedhja e një pjese tjetër turistësh, të cilët nuk duan thjesht të argëtohen, por edhe të vizitojnë e të mësojnë për vende të ndryshme, duke përfituar nga koha e pushimeve.

Por edhe pushimet aktive janë gjithnjë e më të preferuara. Pushime ku përfshihesh në lojëra e aktivitete të ndryshme sportive e muzikore. Në shumicën e rasteve, aktivitetet janë të përfshira në çmimet e pushimeve. Por mundësitë janë të shumta dhe një pjesë edhe me pagesë ekstra. Për shembull, nëse zgjedh pushime në një hotel ku ka fushë golfi, mund të përfitosh nga rasti për të ndjekur kurse të këtij sporti elitar. Nëse nga zhytja nuk ke fare haber, mjaft të zgjedhësh një hotel ku të ofrohet kursi i zhytjeve. Fitnesi dhe sauna ofrohen pothuajse në të gjithë hotelet. Fitnesi falas, domethënë i përfshirë në çmimin e pushimeve, ndërsa sauna përgjithësisht me pagesë.

Ndërkaq të gjithë hotelet janë të pajisura me pishina për fansat e pishinave, ose ata që ujin e kripur nuk e preferojnë. Mund të zgjedhësh edhe paketa turistike shumë sportive, me shumë udhëtime dhe sporte në det. Ata që udhëtojnë në familje zgjedhin komplekse të mëdha pishinash, përveç detit, ku fëmijët mund të zbaviten më shumë. Zakonisht këto ambiente janë shumë të populluara dhe shtrihen në hapësira shumë të mëdha. Tenisi dhe pingpongu janë gjithashtu aktivitete të ofruara përgjithësisht brenda çmimit total për pushuesit. “Janë pikërisht këto mundësi që i afrojnë më shumë shqiptarët me plazhet e huaja, pasi plazhet shqiptare janë shumë të varfra në aktivitete dhe zbavitje”, - shprehen drejtues të agjencive turistike.

Sportet ujore kolektive gjithashtu nuk mungojnë në rastet e udhëtimeve të organizuara në grup, por edhe për pushues individualë që bashkohen me miq të rastësishëm plazhi. Nga ana tjetër ka edhe komplekse vilash e hotelesh të veçuara për ata që duan të bëjnë pushime më të qeta, zakonisht në çift. Oferta të tilla janë më të kushtueshme, por ofrojnë më shumë intimitet dhe ambiente romantike.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora