E enjte, 04.06.2020, 09:16 PM (GMT+1)

Komente

Islam Velija: Për kualitet në ndërtimin e rrugëve

E shtune, 16.05.2009, 11:32 AM


Për kualitet në ndërtimin e rrugëve

Nga Islam Velija

Pas luftës ka ndodhur një mrekulli. Rruga e asfaltuar ka arritur në fshatra të cilat as që kanë mundur të imagjinojnë një gjë të tillë. Tani kemi një ministri të transportit e cila ka krijuar një përvojë administrative dhe teknike bashkë me resorët përkatës të komunave. Të bëhet zemra mal kur sheh çdo ditë rrugë të reja e planifikim rrugësh të reja. Por njeriu kurrë nuk duhet të jetë i kënaqur, dhe tani mund të jemi kritikë dhe të kërkojmë kualitet. Pa qenë fare profesionist në fushën e inxhinierisë së rrugëve, ka disa gjëra që si qytetar të bien në sy që nuk shkojnë.

Planifikimi i rrugëve shpesh bëhet shkel-e-shko. Harrohet që ajo rrugë do të jetë aty për dhjetëra, nëse jo qindra vite dhe bëhen ndonjëherë lakesa që syri i një qytetari të zakonshëm e sheh që janë të panevojshme dhe me shumë pak punë (heqje dheu) do të mund të eliminoheshin.

A mund të tregojë kush çfarë po ndodh me kualitetin e asfaltit? Si është e mundur që rrugët e shtruara me mjete shumë primitive në vitet shtatëdhjetë e tetëdhjetë vazhdojnë të shkëlqejnë edhe sot e rrugët e ndërtuara pas luftës brenda vitit të parë mbushen me gropa? Siç pat thënë njëfarë lideruci në një kohë shumë të keqe, një dreq i madh është këtu!

Është plotësisht e pakuptueshme mungesa e konsideratës që kompanitë e ndërtimit kanë kundrejt qytetarëve të thjeshtë gjatë ndërtimit dhe riparimit të rrugëve. Gjëra që mund të bëhen lehtë injorohen duke vështirësuar jashtë mase lëvizjen e qytetarëve. Pikë së pari, shenjëzimi gjatë ndërtimit është shumë i mangët, që ka quar edhe në aksidente fatale në disa vende. Është një kosto e papërfillshme për kompanitë e ndërtimit, të cilat ne qytetarët po i paguajmë mjaft mirë, të vendosin shenjat ne vendet e duhura që ta bëjnë ndërtimin më të dinjitetshëm.

Shpesh rrugët dëmtohen nga qytetarët për punë të tyre dhe lihen ashtu me muaj e vite. Shteti duhet të japë dënime për ata qytetarë të cilët tregohen të papërgjegjshëm me pronën publike dhe për të zgjidhur një çështje të tyren private e dëmtojnë lëvizjen e lirë të bashkëqytetarëve.

Mirëmbajtja lë shumë për të dëshiruar. Nuk e kuptoj pse duhet të pritet që gropat të bëhen të pakalueshme para se të intervenohet. Përpara përdorej një formë e thjeshtë e mbulimit të gropave dhe të qarave me një materie që dukej si zift dhe ia zgjaste jetën rrugës. Ajo metodë përdoret në shtetet fqinje dhe në perëndim, a e di kush pse jo te ne!?

Shpesh fillohen punët e lihen në gjysmë për ditë e javë e edhe muaj. Kompanitë duket e zhvendosin punën në ndonjë kontratë tjetër dhe i lënë qytetarët të lëvizin në pluhur e gropa. Pa marrë parasysh cilat janë arsyet për këto vonesa, duhet të ndryshohen rregullat e lojës që këto gjëra të mos ndodhin më.

Edhe një gjë që bie në sy është puna në mes të ditës në qendër të qyteteve. Të duket që punëtorët i bëjnë karshillëk normalitetit duke e bllokuar trafikun në kohën kur ka më së shumti lëvizje. Këto punë do të mund të bëheshin shumë më lehtë natën, kur qarkullimi është më i vogël.

Por një gjë që është risi pas luftës është hapja e gropave nga vet kompanitë e ndërtimit të rrugëve dhe lënia e tyre hapur me javë e bile edhe muaj të tërë në mes të rrugës. Ky është një gabim trashanik në menaxhimin e punëve. Gropa nuk bën të hapet nëse nuk planifikohet të mbyllet brenda disa orëve e e shumta një ditë. Nëse hapen ato gropa, ato duhet të shoqërohen me shenjëzimin përkatës që të mos rrezikohet prona, rehatia e bile ndonjëherë edhe vet jeta e qytetarëve. Kjo është thjeshtë një papërgjegjësi unike e kompanive të ndërtimit të rrugëve dhe është një lëshim i madh i autoriteteve kontraktuese. Një gjë e tillë s’ka asnjë logjikë dhe duhet të ndryshoje menjëherë. Rregulli i lojës duhet të jetë mbylli gropat brenda ditës.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora