E enjte, 28.05.2020, 08:52 AM (GMT+1)

Aktualitet » Bota

Tmerr në Jonestown

E shtune, 16.05.2009, 09:24 AM


JIM JONES DHE KULTI I VDEKJES

"Ndërtesa e madhe kryesore ishte e mbushur me ngjyra të ndezura. Dukej si një parking i mbushur me makina. Kur avioni u ul pak më shumë, makinat u "shndërruan" në kufoma. Qindra kufoma me fustanë të kuq, këmisha blu, bluza jeshile, sandale rozë dhe pulovra shumëngjyrëshe fëmijësh. Çifte me duart përreth njëri-tjetrit, fëmijë që mbanin përdore prindërit. Asgjë nuk lëvizte. Fushat sapo ishin pluguar. Përreth, pemë bananesh dhe vreshtat lulëzonin. Por asgjë nuk lëvizte".

Kështu raportonte korrespondenti i revistës "TIME", Donald Neff, një prej të parëve gazetarë që shkoi për të raportuar nga katundthi i vogël i Jonestown në xhunglat e Guajanës, në brigjet veriore të Amerikës së Jugut. Skena poshtë tij ishte ajo e një masakre të paimagjinueshme. Në një demonstrim të frikshëm se si një udhëheqës karizmatik mund të bindë mendjet e ndjekësve të tij, përmes një përzierje djallëzore altruizmi të shfaqur dhe tiranie psikologjike, 900 pjesëtarë të tempullit të Popullit me qendër në Kaliforni vdiqën gjatë një rituali vetëvrasjeje dhe vrasjeje masive.

Që nga koha kur civilë japonezë u hodhën në krahët e vdekjes që nga shkëmbinjtë e Saipanit, teksa forcat amerikane i afroheshin ishullit të Paqësorit në Luftën e Dytë Botërore nuk ishte parë një akt i krahasueshëm vetëshkatërrimi kolektiv. Ndjekësit e rev. Jim Jones, një bamirësi dikur të respektuar nga Indiana, i cili degjeneroi në egomani dhe paranojë fillimisht u kishin ngritur pritë një grupi vizitorësh amerikanë, duke vrarë kongresmenin e Kalifornias Leo Ryan, 53 vjeç, tre gazetarë si dhe një anëtar të kolonisë së tyre në Jonestoën. Më pas, të nxitur nga lideri i tyre, të trembur nga roje të armatosur dhe të qetësuar me sedativë, prindër dhe infermiere përdorën shiringa për të injektuar një sajesë cianid kaliumi dhe klorid kaliumi në gjuhët e fëmijëve. Të rriturit dhe fëmijët më të mëdhenj e pinë të njëjtin helm vdekjeprurës me kupa të sajuara me kartonë.

Gjatë të gjithë javës që pasoi, një botë e tmerruar u shtang para detajeve të rinj të masakrës si dhe mistereve të reja për kultin e Jones. Ndërkohë që trupat fryheshin dhe kalbeshin nën diellin tropikal, dy avionë ushtarakë amerikanë shkuan për të marrë dhe kthyer në shtëpi kufomat. Në të njëjtën kohë, disa helikopterë nisën kërkimet në xhungël për të gjetur të mbijetuar që mund të kishin ikur prej kultit. Kish zëra se kolonia ishte terrorizuar prej Jones, i cili mendohej se vuante nga kanceri.

Pisikiatër dhe ekspertë të tjerë të psikologjisë së grupeve dhe teknikave të kontrollit të mendjes ofruan më pas shpjegime racionalë mbi mënyrën se si qeniet njerëzore mund të kushtëzoheshin për të kryer akte të tillë irracionalë. Megjithatë, historitë e rrëfyera nga ata që mbijetuan ishin të frikshme dhe të pashpjegueshme njëkohësisht. Si mundej që një grup kaq idealist, në mos naiv njerëzish të ndërtonin një parajsë idilike larg nga trysnitë e shumta të shoqërisë moderne dhe ta shndërronin në një koloni të vdekjes. Ja se si masakra e Jonestown u shndërrua në një makth:

Në pranverën e 1977, Ryan, një liberal, por demokrat i pa parti foli me një mikune tij të hershëm, fotografin e "Associated Press", Robert Houston. Houston, që ishte sëmurë i tha Ryanit se i biri, bob ishte gjetur i vdekur në oborrin e stacionit të tretnit të San Franciscos ku punonte, vetëm një ditë pasi kish vendosur të largohej nga Tempulli i Popullit. Ndonëse autoritetet thanë se i biri vdiq për shkak të një rënieje aksidentale, Houston pretendonte se kulti kish kërcënuar prej kohësh me vdekje dezertorët.

Ryan nisi menjëherë të bëjë kërkime në lidhje me Jim Jones dhe ndjekësit e tij, që sapo kishin nisur të pastronin një hapësirë 900 akra në pyjet e Guajanës. Të tjerë të afërm të pakënaqur e të trembur i thanë kongresmenit se ishin shantazhet dhe rrahjet, e jo dashuria vëllazërore që i bënin kultistët të punonin në koloninë e re. Pjesëtarët shaheshin në mënyrë rutinë nga Jonespërpara komunitetit dhe më pas rriheshin me kamzhik për gjëra të tilla si duhanpirja apo kur nuk ishin të vëmendshëm gjatë predikimeve të Jones. Një grua që u akuzua se kish një marrëdhënie me një pjesëtar të kultit u detyrua të kryejë marrëdhënie seksuale me një person që ajo nuk e pëlqente, ndërkohë që i gjithë kulti vështronte. Një mënyrë e indoktrinimit të fëmijëve: atyre u vendoseshin elektroda tek krahët dhe këmbët dhe iu thuhej të buzëqeshnin kur të dëgjonin të përmendej emri i udhëheqësit tëtyre. Të gjithë urdhëroheshin ta thërrisnin Jonesin 'Atë".

Ryan i kërkoi në mënyrë të përsëritur Departamentit të Shtetit që të hetonte për zërat mbi keqtrajtimin e amerikanëve në Jonestown. Ambasada amerikane në Georgetoiwn dërgoi pjesëtarë të stafit në koloni, të cilët intervistuan 75 kultistë. Asnjëri, sipas tyre nuk donte të largohej.

Kjo nuk e kënaqi Ryanin, që vendosi të shkojë vetë për të parë se ç'bëhej. Ryani i shkroi Jonesit se disa prej zgjedhësve të tij kishin shprehur shqetësim mbi të afërmit e tyre në koloni. Por atij iu kthye një letër jo nga Jones, por nga Avokati Mark Lane, që kish ndërtuar një karrierë përmes teorive të tij të komplotit mbi vrasjet e John Kennedy dhe Martin Luther King Jr. Lane akuzonte se pjesëtarët e Tempullit ishin detyruar të largoheshin nga SHBA për shkak të "persekutimit fetar" nga qeveria dhe linte të kuptohej se mendonte që Ryan kish nisur një gjueti shtrigash. Nëse kjo vazhdonte, thoshte ai, tempulli do të detyrohej të largohej në një prej dy shteteve që nuk kishin "marrëdhënie m iqësore" me SHBA (mendohet Rusia dhe Kuba). Lane kërkoi që udhëtimi të shtyhej deri kur ai të ishte i lirë ta shoqëronte. Ryan refuzoi. Ai mori me vetë tetë gazetarë si dhe shumë të afërm të pjesëtarëve të tempullit që shpresonin të bindnin të afërmit të ktheheshin. Në Jonestown, ata u përshëndetën ngrohtësisht nga Jones, që vetëm buzëqeshte.

Pjesëtarët e tempullit organizuan një performancë të shkëlqyer për vizitorët. Gazetarëve iu tregua tenda kryesore që shërbente si shkollë dhe si vend mbledhjesh. Më pas, vizitorët panë kantierin e sapopërfunduar të sharrave, librarinë me 10 mijë vëllime, çerdhen e pastër, ku bebet flinin të qeta në dyshekë kashte. Spitali i kolonisë kish sjellë në jetë 33 bebe pa as edhe në vdekje të vetme.

Kulmi i vizitës ishte një mbrëmje argëtuese. Teksa një grup muzikor luante një seri këngësh, nga rock në muzikë disko dhe jazz, kolonistët shpërthyen në këngë përshirë një kor emocionues që këndonte Amerika e bukur. Edhe Ryani skeptik mbeti pa fjalë. Ai u ngrit për t'u thënë mikpritësve: "Nga ajo që kam parë, ka shumë njerëz këtu që mendojnë se kjo është gjëja më e mirë që u ka ndodhur në jetë". Audienca duartrokiti fort. Jones u ngrit i pari të përplaste duart.

Privatisht, Ryan shprehu disa rezerva. Disa prej atyre që intervistoi ishin disi më të gjallëruar se normalisht, ndonëse askush nuk kish shprehur pakënaqësi për jetën në Jonestoën. 'njerëzit këtu janë të lumtur për herë të parë në jetë", u tha Jones gazetarëve. Por ditën tjetër, kur një gazetar i NBC e pyeti në lindje me zërat për armë të rënda në koloni, Jones që kish gëlltitur shumë pilula shpërtheu: Na kanë mposhtur gënjeshtrat. Jam mposhtur. Mund të vdes!" fasada e kolonisë po shembej.

Një banor i Jonestown i kish dhënë një pusullë fshehtas në dorë gazetarit: "Katër prej nesh duam të largohemi".

Ryanit po i luteshin edhe kultistë të tjerë që të ktheheshin në SHBA. Kur pyetën Jones, ai u përgjigj se "çdokush është i lirë të ikë e të vijë. Unë dua t'i përqafoj para se të largohen". Por më pas, ai u bë më i hidhur: 'Ata duan të na shkatërrojnë. Gjithmonë gënjejnë kur largohen".

Shenjat e para të dhunës erdhën kur Ryan bisedoi me Jones për të marrë me vete ata që donin të largoheshin. Lane, si dhe avoketi i hershëm i Jones, Charles Garry nisën negociatat në një dhomë brenda tendës kryesore. Krejt papritur, një kultist që më vonë u identifikua si Don Sly erdhi nga pas Ryanit me një thikë në dorë dhe ia vuri tek fyti. "Do të të vras", i tha. Lamne dhe Garry mezi arritën t'i largojnë thikën, duke e prerë aksidentalisht Slyin. Gjaku spërkati rrobat e Ryan, ndërkohë që Jones shihte pa bërë asnjë lëvizje.

Në pamje të jashtme, Ryan u shfaq i qetë dhe u duk sikur e injoroi këtë sulm. Gazetarët dhe të afërmit u alarmuan. Kolonistët që donin të iknin u frikësuan. Por planet për ikjen vazhduan. Grupi u nis në rrugën e keqe drejt Port Kaituma ku e prisnin dy avionë. Lane dhe Garry qëndruan pas në Jonestown, duke e ditur se avioni do të ishte i tejmbushur. Kur mbërritën, dy palët u ndanë. Në avionin e Ryan hipi dhe një djalë i ri, për të cilin një nga ish-kultistët i tha: "Kujdes, ruhu prej tij". Teksa hipnin, një traktor iu afrua pistës. Tre burrat në të nuk dukeshin të armatosur, por kultistët që po largoheshin u tmerruan. Dhe teksa iu afruan avionëve, ata morën në duar armë dhe nisën të qëllojnë pa pushim.

JONESTOWN/Çmenduri kolektive

Brenda avionit, i riu me emrin Larry Layton vërtetoi se kongresmeni duhej të ruhej prej tij. Ai hapi zjarr me një pistoletë, duke plagosur një grua që qëndronte pranë pilotit. Layton u largua nga avioni. Kur përfundoi gjithçka, Ryan dhe disa prej gazetarëve ishin shtrirë të vdekur në pistë.

Të mbijetuarit kaluan një natë tmerri në një bar pranë Port Kaituma. Duke pirë kafe të përzierë me rum ish kultistët nisën të rrëfejnë se sa shumë ishte larguar komuniteti nga ëndrra utopiane. Ata jetonin të frikësuar, sepse Jim Jones u kish thënë që qeveria e Guajanës i kish dhënë leje të qëllonte këdo që përpiqej të largohej. Të arratisurit kujtonin "ushtrimet e natës së bardhë", ku nëpërmjet megafonëve u kërkohej banorëve të zgjoheshin e të mblidheshin në qendër.

Ata do të mblidheshin më pas në tendën qëndrore ku Jones do t'u fliste për "bukurinë e vdekjes". Të gjithë rreshtoheshin dhe u jepej një pije që u përshkruhej si helm. Ata do ta pinin, duke pritur të vdisnin. Më pas, Jones u thoshte se lëngu nuk ishte i helmët, pra e kishin kaluar testin e besnikërisë. Por, shtonte ai, nëse kolonia do të rrezikohej ndonjëherë nga jashtë, "vetëvrasja revolucionare" do të ishte reale. Të mbijetuarit e masakrës së pistës nuk mund ta dinin që nata e fundit e bardhë kish ndodhur tashmë në komunitetin e Jonestown. Po kaq të paditur për vrasjet në pistë, avoketërit Lane dhe Garry u bënë dëshmitarë të shenjave ogurzeza të fatkeqësisë që po afronte. Garry kujtonte: "Kur 14 nga njerëzit e tij vendosën të largohen me Ryan, Jim Jones u bë si i marrë. Mendonte se qe hedhur poshtë puna e tij. U përpoqa t'i them që 14 nga 1200 nuk është hiçgjë, por ai qe i dëshpëruar'.

Pasi grupi i Ryan u nis, dy avoketërit dolën për një shëtitje, duke krahasuar mbresat e vizitës. Kur u kthyen në qendër të fshatit, gjetën të gjithë banorët të mbledhur në tendën e mbledhjeve. "Ti dhe Mark më mirë të mos merrni pjesë, sepse ka shumë tension kundër jush", i tha Jones garryt. Ai dhe Lane shkuan në një shtëpi për mysafirë disa qindra metra larg.

Avoketërit u trembën kur panë tetë vetë që vrapuan në një ndërtesë aty pranë dhe morën që aty pushkë dhe kuti municioni. Garry kujton: 'Më pas, ata erdhën drejt nesh, duke buzëqeshur. Do të vdesim për betejën kundër fashizmit dhe racizmit, thanë. Do të vdesim në një vetëvrasje revolucionare - me dinjitet dhe nder! Kisha përshtypjen se erdhën të na heqin qafe".

Por Lane pati një ide të shkëlqyer. Ai u tha: "Charles dhe unë do të shkruajmë historinë e asaj që ju djema besonit". Dy djemtë që ishin aty miratuan, i përqafuan dhe u larguan. Dy avoketërit u nisën turravrap drejt xhunglës. Teksa iknin, dëgjuan Jones që ulërinte: "Nënë! Nënë! Nënë!" Dëgjuan të shtëna dhe ulërima, e më pas asgjë.

Bota jashtë, për dy ditë me radhë nuk do të merrte një lajm të saktë për atë që kishte ndodhur. Por një i mbijetuar, Stanbley Clayton 25 vjeç, raportoi se kish patur më shumë forcë dhe frikë se sa devocion e besnikëri kur erdhi testi final. Clayton po gatuante bizele në kuzhinën e kolonisë kur u dëgjua alarmi për t'u mbledhur. Ai kujton: "Një rojë sigurie erdhi në kuzhinë, na drejtoi pistoletën e na tha të dalim të gjithë tek tenda". Jones kishte urdhëruar tashmë që të nisnin përgatitjet për vetëvrasjen masive. Por një grua, Christine Miller protestonte. Clayton vazhdon: "Ajo i tha Jones se kishte të drejtë të bënte atë që donte me jetën e saj. Roje me armë po e ngacmonin, ndërsa Jones përpiqej ta bindte se duhej ta bënte".

Më pas, një kamion erdhi tek tenda kryesore. "Njerëzit brenda tij nxituan tek Jones. Ai deklaroi se kongresmeni Ryan ishte vrarë dhe se tani duhej ta kryenin vetëvrasjen. Urdhëroi infermieret të nxitonin me helmin. U tha të kujdesen për fëmijët. Dhe shtoi se çdo i mbijetuar do të gjymtohej dhe torturohej nga ushtria e Guajanës", rrëfen Clayton.

"Infermieret nisën të marrin bebet nga nënat. Jones thoshte vazhdimisht: Nxitoni, nxitoni. Por njerëzit nuk po reagonin. Më pas, rojet u afruan dhe nisën t'i detyrojnë të pijnë helmin". Clayton kish parë shumë. 'tashmë ishte bërë errësirë. Unë i shkova pas secilit roje, i përqafova dhe u thashë: shihemi më vonë. U largova drejt xhunglës. Krejt papritur nisa t'i them vetes: Nuk më besohet. Jim Jomes është i çmendur".

Një tjetër i mbijetuar, Odel Rhodes tha gjithashtu se roja të armatosura i shtrënguan kultistët të pijnë helmin. Por shumë prej tyre, sipas tij e kishin pirë me dëshirë. Shumë nëna, sipas tij ia dhanë vetë cianidin fëmijëve dhe më pas e gëlltitën edhe vetë. I ulur në karriken e lartë prej xunkthi, Jim Jones vazhdonte t'i bënte thirrje turmës, duke këmbëngulur në idenë që "të gjithë do të piqemi diku tjetër". Skena u bë shumë shpejt kaotike. Rhodes kujton: "Bebet ulërinin, fëmijët ulërinin dhe kishte konfuzion masiv".

Megjithë këtë, pirja e helmit vdekjeprurës vazhdoi. Kultistët mbushnin filxhanët e tyre nga një enë metalike në qendër të tendës dhe më pas iknin për të vdekur, shpesh herë në grupe me krahët përreth njëri-tjetrit. Qetësuesit brenda përzierjes mund t'i kenë topitur: secilit iu deshën 5 minuta për të vdekur.

Asnjë i mbijetuar nuk ish bërë dëshmitar i ritualit të vdekjes deri në fund, kështu që mbetet e paditur se si vdiq Jones. Ai u gjet në këmbët e karriges së tij me një plumb në kokë, në dukje një vetëvrasje. Një pistoletë ishte aty pranë, autopsia më pas nxorri se Jones nuk e kish pirë helmin dhe se ai nuk ishte i sëmurë me kancer, siç u kish thënë ndjekësve.

Korreespondenti i "TIME", Neff u kthye në vendngjarje me njërin prej avionëve që kish mundur të largohej nga pista e masakrës së parë. Ai raportonte:

"Trupi i parë që gjeta ishte një burrë, i vetmuar, me fytyrën të fryrë. Më pas, kish trupa të tjerë, të shtrirë në oborr. Groteskë në pamje, por në dukje të relaksuar, a thua se gjenin komfort në faktin që ishin të gjithë bashkë. U ktheva pas një qosheje dhe para syve më doli masa e madhe e trupave. Kutërbimi qe i rëndë, pamja e pafjalë. Nuk kish shenja dhune, as gjak. Vetëm disa trupa kishin shenjat e frikshme të zgërdhirjes prej cianidit. Jashtë kish tre qenë të ngordhur, të helmuar. Qetësia thyhej vetëm nga mjaullima e një maceje". Skip Roberts, asistent komisioneri guajanez për krimet i tha Neff se trupat e para që kishin mbërritur kishin gjetur shtëpinë e Jones të plaçkitur dhe një kasafortë të madhe përtokë, të hapur e të boshatisur. Dy viktima brenda shtëpisë ishin qëlluar: një prej badigardëve të Jones si dhe e dashura e tij, Annie Moore. Shumica e 8 burrave që dyshohej se kishin kryer masakrën e aeroportit ishin gjithashtu të vdekur prej helmit.

Ata që mbërritën të parët thanë se, kishin gjetur 500 000 dollarë amerikanë para cash, bono thesari amerikane një sasi të madhe floriri dhe afro 870 pasaporta amerikane. Fakti që mendohej se Jones kish 3 milion dollarë në komunitetin e tij ngriti dyshime mbi sasinë e munguar të parave. Pasaportat ishin shumë më tepër se numri i trupave që janë gjetur në Jonestown, gjë që bëri të besohej se shumë kultistë ishin larguar për në xhungël. Por deri në fundjavë, autoritetet guajanezë bënë një korrigjim, duke thënë se i kishin numëruar keq. Nuk ishin 409 por 900 trupa. Ambasada e SHBA e pranoi këtë duke shtuar se kish ndodhur ngaqë shumë trupa foshnjash e fëmijësh kishin qenë poshtë të rriturve gjatë numërimit. Më vonë, Departamenti i Shtetit bëri të ditur se ishin gjetur edhe trupa të tjerë në ndërtesa të tjera. Ndërkohë, nisën të përhapen zëra se Jones kish patur një ekip vrasësish që kishin dalë nëpër xhungël për të ekzektuar ata që kishin shpëtuar. Pas gjithë kësaj ngjarje të rënda, plasi polemika mbi mundësinë e shmangies së kësaj tragjedie. Pjesëtarë të stafit të kongresmenit Ryan pretenduan se ambasada e SHBA në Georgetown duhej ta kish ditur potencialin e kultit për akte dhune dhe duhej ta kish paralajmëruar. Të afërm të viktimave akuzuan se Departamenti i Shtetit dhe FBI duhej të kishin dëgjuar me kohë paralajmërimet e tyre për Jonestown.

Grindjet, hetimet, dhe frika e vrasësve nbë xhungël vazhduan për shumë kohë. Megjithatë, faji kryesor për tragjedinë e Jonestown është i Jim Jones. Edhe djali i tij 19-vjeçar në atë kohë, Stephan pranonte: "E urrej tim atë. Ai thoshte se nuk kish frikë nga asgjë, gjë që ishte një rrenë. Im atë ishte një njeri shumë i frikësuar".



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora