E marte, 16.04.2024, 11:36 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Nikollë Loka: Gjika, dinastia shqiptare që shkëlqeu në Rumani

E premte, 15.05.2009, 07:06 PM


Ballina e librit te Ahmet Kondos
Ballina e librit te Ahmet Kondos
Gjika, dinastia shqiptare që shkëlqeu në Rumani

Historia e familjes Gjika, me origjinë nga Përmeti, që emigroi në Vllahi. Si e sunduan zonën e Vllahisë për disa breza radhazi, që nga viti 1660

Nga Mr.Sc. Nikollë LOKA

Të parët e familjes Gjika largohen prej Zërecit të Përmetit dhe vendosen në Kostandinopojë në kërkim të një jete më të mirë. Ata u morën me tregti dhe arritën të hynin në lagjen Fanari, ku qëndronin të krishterët e pasur të Perandorisë. E vazhduan profesionin e tregtarit, madje edhe Gjergj Gjika, themeluesi i dinastisë, e ushtronte këtë profesion kur u njoh me kryevezirin me origjinë shqiptare, Mehmet Pashë Qypriliu, i cili e ndihmoi të ngjiste shkallët e rangut shoqëror dhe i hapi dyert e pushtetit. Familja Gjika, ndoshta në kohën e Gjergjit, shpërngulet nga Kostandinopoja dhe vendoset në territoret rumune, që përfitonin prej statusit të “Dar al sulli”, - toka e pajtimit, që u lejonte këtyre territoreve të kishin strukturat e tyre politike, administrative dhe ushtarake, pra të kishin vetëqeverisje të plotë të brendshme, ndërsa politikën e jashtme ishin të detyruar ta harmonizonin me shtetin osman, sipas parimit se principatat danubjane do të ishin “miku i mikut dhe armiku i armikut” të Perandorisë Osmane. Me ndihmën e kryevezirit shqiptar Mehmet Pashë Qypriliu e princit shqiptar Vasil Lupi, natyrisht duke patur edhe miratimin e sulltanit, themeluesi i dinastisë Gjika u përzgjodh për të sunduar Moldavinë dhe pastaj Vllahinë. Përgjegjshmëria në kryerjen e detyrës, respekti i madh që kjo familje fitoi, si dhe kontributet që dhanë në konsolidimin e të dyja principatave bënë që pjesëtarë të tjerë të familjes, njëri pas tjetrit, për dyqind e pesëdhjetë vjet radhazi, të drejtojnë fillimisht në principatat e Vllahisë dhe të Moldavisë dhe pastaj në Rumaninë e bashkuar. Pjesëtarë të familjes Gjika u lidhën me anë të martesave me shumë familje të shquara aristokratike europiane dhe dhanë personalitete të shumtë. Për arsye politike, pas vendosjes në Rumani të regjimit komunist, shumë prej tyre u larguan nga Rumania dhe emigruan në qendrat e mëdha botërore: Nju Jork, Uashington, Berlin, Drezden, Vjenë etj., duke lënë gjurmët e tyre në këto qytete. Megjithatë, gjurmët e familjes Gjika në Rumani janë të pranishme kudo dhe pjesëtarët e kësaj dinastie, krenarë për origjinën e tyre, vazhdojnë të japin ndihmesën e tyre për zhvillimin e shtetit dhe të shoqërisë rumune.

Gjergj Gjika, themeluesi i dinastisë Gjergj Gjika lindi rreth vitit 1600 dhe në vitet e para të jetës së tij është marrë me tregti dhe kishte në Kostandinopojë një pozitë për t’u lakmuar. Ai u lidh me kryevezirin shqiptar, Mehmet Pashë Qypriliu, i cili e ndihmon që të ngjitet në rangun shoqëror. Ka të dhëna se gjatë kësaj kohe shkon në principatat rumune, ku njihet me princin me origjinë shqiptare, Vasil Lupi, i cili e futi në radhën e fisnikërisë. Me ndërhyrjen e kryevezirit Qypriliu, princi moldav Stefan Georgiu e emëroi Gjergj Gjikën Kapua Kehaia (përfaqësues i princit të Moldavisë pranë Portës së Lartë). Pastaj Gjergji u bë fillimisht princ i Moldavisë në vitet 1658-1659 dhe i Vllahisë në vitet 1659-1660 dhe 1673-1678. Gjergj Gjika la gjurmë të pashlyera në historinë rumune, pasi e transferoi kryeqytetin prej Tirgovishte për në Bukuresht, ku ndodhet edhe sot. Gjithashtu ai themeloi një dinasti princërore që shkëlqeu për rreth dy shekuj e gjysmë, duke dhënë sundimtarë dhe qeveritarë të shkëlqyer, politikanë dhe diplomatë, njerëz të artit, kulturës dhe të fesë, që kanë dhënë ndihmesën e tyre të madhe në zhvillimin e shoqërisë rumune.

Grigori I Gjika

Grigori i Gjika ishte djali i Gjergj Gjikës, që sundoi në Vllahi në vitet 1660-1664 dhe 1672-1673, si dhe në Moldavi në vitet 1672-1673. Ai u lidh së pari me familjen e Cantacuzino-ve, por pastaj u armiqësua me ta, duke urdhëruar ekzekutimin e Senechal Constantin Cantazino-s dhe përndjekjen e të gjithë familjes.
Grigori II Gjika Grigori II Gjika ka qenë princ i Moldavisë katër herë, përkatësisht nga tetori i vitit 1726 deri më 16 prill 1733, pastaj prej 27 nëntorit 1735 deri më 14 shtator 1739; herën e tretë, prej tetorit të vitit 1739 deri në shtator të vitit 1741 dhe herën e fundit, prej majit të vitit 1747 deri në prill të vitit 1748. Gjithashtu ka qenë dy herë princ i Vllahisë: herën e parë, nga 16 prilli 1733 deri më 27 nëntor 1735 dhe herën e dytë, nga prilli i vitit 1748 deri më 3 shtator 1752. Grigori II Gjika e zuri fronin e Moldavisë me ndihmën e princit të mëparshëm, Nicolae Mavrocordati, pas shkarkimit të Mihail Racovita-s nga Porta e Lartë. Grigori uli taksat, por zgjodhi të ndjekë politikën e mëparshme të dhënies së funksioneve shtetërore për grekët dhe levantinët, në vend që të përkrahte fisnikët lokalë. Ai futi përdorimin e gjuhës greke në administratë. Për shkak të këtyre qëndrimeve u përballë me kundërshtimin e Dimitrie Racovita-s, që u përpoq ta largonte Grigorin nga froni me ndihmën e tartarëve. Me shpërthimin e Luftës ruso-turke dhe pushtimin rus, Grigori II Gjika u detyrua që ta lëshonte fronin për një periudhë të shkurtër në muajt shtator-tetor 1739. Megjithëse kishte dijeni për intrigat e Konstandin Mavrokordatit me Portën e Lartë, Gjika u largua nga detyra vetëm në vitin 1741, kur shkoi në ekzil, për t’u kthyer përsëri në fron në vitet 1747-1748. Gjatë sundimit të Grigorit II Gjika iu kushtua rëndësi zhvillimit të sistemit arsimor të vendit. Si pjesë e trashëgimisë së tij është manastiri në Frumoasa të Iasit dhe një spital për të sëmurët, ku shërbenin murgët ortodoksë. Përmendet edhe për punën që bëri për forcimin e strukturave shtetërore në të dy principatat ku sundoi.
Matei Grigor Gjika Djali i Grigorit II Gjika u bë sundimtar i Vllahisë nga 4 shtatori 1752 deri më 3 korrik 1753 dhe i Moldavisë nga 3 korriku 1753 deri më 19 shkurt 1756. Përmendet për taksat e rënda që vendosi mbi popullin. Ai ndërtoi në kodrën Frumoasa një manastir, në themelet e të cilit kishte qenë një kishë dhe një pallat mbretëror. Matei mbështeti botimin e kronikave Ghiculesti.
Skarlat Grigor Gjika Skarlat Gjika u bë princ i Moldavisë nga 2 marsi 1757 deri më 7 gusht 1758 dhe dy herë princ i Vllahisë nga gushti i vitit 1758 deri më 5 qershor 1761 dhe nga 18 gushti 1765 deri më 2 dhjetor 1766. Ishte djali i Grigorit II Gjika dhe vëllai i Matei Gjikës. Vdiq në detyrë më 2 dhjetor 1766 dhe u varros në bazilikën e Shën Spiridonit në Bukuresht.
Aleksandër Skarlat Gjika Djali i princit Skarlat Gjika sundoi në Vllahi prej 13 dhjetorit të vitit 1766 dhe deri më 26 tetor 1768.
Grigor Aleksandër Gjika, ose Grigori III Gjika Grigor Aleksandër Gjika, ose Grigori III Gjika është djali i vëllait të Grigorit II Gjika. Grigori III Gjika ishte dy herë princ i Moldavisë midis 29 marsit 1764 e 3 shkurtit 1767 dhe shtatorit të vitit 1774 e 10 tetorit të vitit 1777. Sundoi edhe në fronin e Vllahisë prej 28 tetorit të vitit 1768 deri në nëntor të vitit 1769. Në luftimet e zhvilluara kundër rusëve në vitin 1769, kapet rob dhe mbahet në burg deri në vitin 1774. Pastaj rikthehet në detyrë. Paqja e Kutçuk-Kanardja-s u njihte të drejtën princave të Vllahisë dhe të Moldavisë të kishin në Stamboll një ambasador të vetin, por kjo nuk e pengoi Portën e Lartë që përballë presionit rus, pa miratimin e princit Gjika t’i japë Rusisë rajonin e Bukovinës. Kjo hasi në rezistencën e armatosur të udhëhequr nga princi, i cili mori mbi vete zemërimin e sulltanit dhe u dënua me vdekje. Grigori III Gjika la si trashëgimi të sundimit të tij një sistem të ri fiskal dhe rregulla të reja për marrjen e punonjësve në punë, në përpjekje për pakësimin e abuzimeve në administratë.
Grigor Dhimitër Gjika, ose Grigori IV Gjika Grigor Dhimitër Gjika, ose Grigori IV Gjika lindi më 30 qershor 1755 dhe vdiq më 29 prill 1834. Ishte djali Dhimitrit, vëllait të Grigorit III Gjika, vëllai i princit Aleksandër Gjika dhe xhaxhai i Elena Gjikës. Grigori IV Gjika u martua me Maria Hangerly, me të cilën pati gjashtë djem: Costache, Iorgu, Scarlat, Grigor, Panait dhe Dimiter. Në martesën e dytë me Eufrosina Saveskun pati dy vajza: Maria dhe Aleksandrina. Grigori ishte princ i Vllahisë midis viteve 1822-1828 dhe është konsideruar si i pari në linjën e sunduesve që nuk vinin nga Fanari. Gjatë sundimit të tij filloi një periudhë qytetërimi dhe u zhvillua letërsia e vërtetë kombëtare rumune.
Aleksandër Dhimitër Gjika, ose Aleksandri II Gjika Aleksandri II Gjika lindi në vitin 1796. U bë princ i Vllahisë më 2 prill të vitit 1834 deri më 19 tetor 1842. E rimerr fronin princëror për pak më shumë se dy vjet të tjera nga 29 korriku 1856 deri më 30 tetor 1858. Gjatë sundimit të Aleksandrit Principata e Vllahisë pati ndryshime të rëndësishme. U hapën rreth njëmijë shkolla dhe u krijua sistemi postar i Principatës. Ai ishte i interesuar për afirmimin e kombit rumun; nxiti rritjen dhe zhvillimin e qyteteve përgjatë Danubit, modernizimin e Bukureshtit dhe zhvillimin e arsimit të lartë në kolegjin “Shën Sava” në Bukuresht. Ndryshe nga paraardhësit e tij, ai veshi së pari uniformën ushtarake moderne, duke hequr rrobat orientale. Nën sundimin e tij porti Breila deklarohet port frëng, çka do të thotë se atje mund të eksportoheshin, importoheshin dhe depozitoheshin mallra pa paguar doganë. Bënin përjashtim vetëm duhani dhe pijet alkoolike, për të cilat Këshilli Bashkiak mblidhte një taksë. Zhvillim më të madh këtij qyteti-port i dha dekreti princëror i datës 1 maj 1836 sipas të cilit shtetasit e huaj fitonin të drejtën të blinin shtëpi dhe magazina në qytet, duke qenë të detyruar tu bindeshin ligjeve të vendit. Ky ligj favorizues nxiti emigrimin e shqiptarëve, të cilët u vendosën me shumicë në këtë qytet dhe falë lidhjeve me bashkatdhetarët e tyre që ishin vendosur më parë përballuan me sukses problemet e shumta në periudhën e parë të emigrimit. Megjithatë duhet theksuar se sundimi i Aleksandrit II Gjika nuk kaloi pa probleme. Ushtrimi i pushtetit të tij u kufizua nga prania e konsullit rus. Gjithashtu klanet rusofile në vend kundërshtuan me ashpërsi çdo afrim me Anglinë dhe me Francën. Megjithatë Aleksandri ndoqi një politikë të pavarur dhe ndihmoi në bashkimin e principatave rumune në një shtet të vetëm. Vdiq në vitin 1862.

Tre pinjollët e familjes Gjika që drejtuan Rumaninë

Historitë dhe karriera e Grigor Gjikës, Ioan Gjikës dhe Dhimitër Gjikës. Si i drejtuan qeveritë dhe institucionet më të larta politike dhe shkencore

Nga Mr.Sc. Nikollë LOKA 

Grigor Aleksandër Gjika, ose Grigori V Gjika Grigori V Gjika lindi në vitin 1803. Ishte nipi i princit Grigori IV Gjika. U martua me Helenën, vajzën e princit Ioan Sturza, që kishte qenë princ i Moldavisë nga viti 1822 deri në vitin 1828 dhe rridhte nga një familje e njohur fisnike rumune. Grigori u arsimua në Francë dhe pastaj në Gjermani. Kthehet në vendlindje, ku lidhet me opozitën nacionaliste dhe liberale që kundërshtonte princin Mihail Sturza dhe regjimin e Rregulloreve Organike. Pas Revolucionit të vitit 1848 dhe largimit të Sturzës nga pushteti, pavarësisht zgjedhjes së tij politike, me aprovimin e Rusisë dhe të Perandorisë Osmane, Divani i Moldavisë e emëroi Grigorin si princ për një mandat shtatëvjeçar, sipas Marrëveshjes së Balta Liman. Pas ngjitjes në fron Grigori ndërmori disa reforma modernizuese. Me nismën e tij, për herë të parë në historinë e principatave rumune, u krijua xhandarmëria për ruajtjen e rendit, që njihet si periudha e themelimit të xhandarmërisë së sotme rumune. Gjika rishikoi sistemin agrar; nxiti sipërmarrjen publike dhe u mor me organizimin e sistemit arsimor. Në vitin 1851 emëroi intelektualin transilvanas August Treboniu Laurian, një mbështetës i nacionalizmit rumun, si inspektor i shkollave të Moldavisë. Po kështu, gjatë sundimit të tij, u zbut censura dhe u shtuan veprimtaritë letrare. Programi i sundimit të parë të Grigor Aleksandër Gjikës përfundoi me luftën e Krimesë, kur trupat ruse pushtuan principatat danubiane për t’i përdorur gjatë sulmit mbi Perandorinë Osmane. I larguar nga pushteti, në qershor të vitit 1853, ai shkoi në ekzil në Vjenë, në tetor të atij viti.. Kur trupat pushtuese u larguan në vitin që pasoi, Grigori mori përsëri në dorë drejtimin e Moldavisë.
Gjatë sundimit të dytë, princi Grigor Gjika hoqi skllavërinë e romëve. Ishte fundi i një procesi gradual, pasi Mihail Sturza, në vitin 1844, kishte lënë të lirë romët që ishin skllevër në pronësi të shtetit, por kishte mbetur ende skllavëria e romëve, që ishin në pronë private të pasanikëve. Gjika përmendet gjithashtu për mbështetjen që i dha programit nacionalist të bashkimit të Moldavisë dhe Vllahisë, si dhe mbështeti aktivitetet e Partisë Nacionaliste, duke shkaktuar zemërimin e Austrisë dhe të Perandorisë Osmane. Në vitet e fundit të sundimit, Grigori emëroi disa nga përfaqësuesit e Partisë Nacionaliste në pozicione qeveritare. Në vitin 1856 Grigori i dha fund censurës në Moldavi dhe shpalli lirinë e shtypit.

Sundimi i dytë

Pas përfundimit të sundimit të tij, Grigor Aleksandër Gjika la vendin dhe shkoi në Paris. Në vend të tij, pas një periudhe të shkurtër, Porta e Lartë emëroi Teodor Bals, me titullin e Kajmekamit. Si kundërshtar i vendosur i bashkimit, Bals dëshironte të fitonte mbështetjen që do ta bënte princ titullar. I tërhequr në pronat e tij, në Le Meé-sur-Seine, Grigori vazhdonte të mbështeste bashkimin, që u bë më i realizueshëm me Traktatin e Parisit. Gjithashtu, ai mbështeti mbajtjen e zgjedhjeve të lira në Moldavi dhe kërkoi anulimin e zgjedhjeve që kishte bërë Nicolae Vogoride, që kishte zëvendësuar Bals-in. Kjo bëri që kundërshtarët e bashkimit të përhapnin fjalë kundër tij. Gjika u prek thellë nga fyerjet dhe nga refuzimi që i bëri Perandori Napoleon III për një audiencë me të. Në këto kushte, Grigor Gjika vrau veten më 24 gusht 1857. “Unë jam viktimë e hidhërimit të madh që më kanë shkaktuar shpifjet, megjithëse jam krejtësisht i pafajshëm. Do të vijë dita kur e vërteta do të dalë, prandaj unë i pres armiqtë e mijë përpara gjykimit të Zotit”,- shkruante në letrën e tij të fundit.
Dy ditë pas vetëvrasjes së Grigorit, autoritetet osmane vendosën që të mos njohin zgjedhjet e zhvilluara nga Vogoride. Arritjet e Gjikës u vunë në themel të shtetit të ri rumun kur u realizua unioni Moldo-Vllahian. Ligjet e Gjikës për censurën shërbyen si model për legjislacionin e ri dhe u përgjithësuan për të gjithë Rumaninë. Në shenjë mirënjohje për rolin e tij, në krijimin e xhandarmërisë, shkolla për oficerë në Dragasani u emërtua me emrin Grigor V Gjika.

Ion Gjika
 
Ion Ghica lindi më 12 gusht të vitit 1816. Ai është një personalitet i shquar i shekullit XIX: shkrimtar, politikan, akademik, diplomat, matematicien dhe profesor. Ka qenë dy herë kryeministër i Rumanisë nga 16 korriku 1866 dhe deri më 13 mars 1867 dhe nga 28 nëntori 1868 deri më 14 shkurt 1870, katër herë kryetar i Akademisë së Shkencave të Rumanisë në vitet 1876-1882, 1884-1887, 1890-1893 dhe 1894-1895, si dhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë në vitin 1848.
Në vitet e rinisë, Ion Gjika i kreu studimet në Bukuresht dhe pastaj në Francë, ku studioi për inxhinieri dhe matematikë prej vitit 1837 deri në vitin 1840. Pasi përfundoi studimet në Paris shkoi në Moldavi, ku u përfshi në organizatën e fshehtë “Vëllazëria”, që synonte bashkimin e Moldavisë dhe Vllahisë. Po në atë kohë, ai dha mësim në Akademinë Mihaliane të Iasit. Kalon disa vjet në Itali, Francë dhe Angli. Në vitin 1847 martohet me Aleksandrina Mavrokordatos, vajzën e kryeministrit të Greqisë, Aleksandër Mavrokordato. Kthehet në atdhe dhe bashkohet me kampin revolucionar vllahian. Në emër të Qeverisë së Përkohshme, të vendosur atëherë në Bukuresht, shkoi në Stamboll për tu afruar me Portën e Lartë. Ion Gjika mori pjesë edhe në ndërmjetësimin në bisedime midis liderit rumun të Transilvanisë Avram Iancu dhe Qeverisë Revolucionare Hungareze të Lajos Kossuth.
Pas dështimit të revolucionit të vitit 1848, shkoi në ekzil për dhjetë vjet rresht. Në atë periudhë ngarkohet nga Porta e Lartë me detyrën e Guvernatorit të ishullit Samos, në periudhën 1854-1858. Këtu dallohet për luftën ndaj piraterisë. Pasi plotësoi më sukses këtë detyrë, Sulltani Abdyl Mexhidi I e dekoroi me titullin Princ i Samos. Përpara kthimit për në Rumani, Ioni kaloi për një qëndrim të shkurtër në Austri.
Kthimi në Rumani Në vitin 1859, pasi u krye bashkimi i Moldavisë dhe Vllahisë, princi Aleksandër Ioan Cuza e thirri Ion Gjikën të kthehet në Rumani. Megjithëse ishte besuari i Cuza-s, ai mori pjesë në grupin sekret që përgatiti largimin e tij nga pushteti. Ndërkohë, Ion Gjika u bë udhëheqës i Partisë Liberale dhe u zgjodh kryeministri i parë i princit të Rumanisë, Karol të Hohenzollern-it. Qëndroi në postin e Kryeministrit të Rumanisë në vitet 1866-1867 dhe 1870-1871. Ion Gjika mbahet si një ndër figurat më të shquara në mes të liberalëve të Rumanisë dhe njëri ndër udhëheqësit më të shquar të Partisë Liberale. Në vitin 1881 u emërua ambasador i Rumanisë në Londër, ku qëndroi për dhjetë vjet rresht. Përveç veprimtarisë politike dhe shkencore, Ion Gjika është marrë edhe me veprimtari letrare, duke fituar popullaritet me Letrat e tij që ia dërgoi Vasile Aleksandrit, shokut të tij të jetës. Të shkruara gjatë qëndrimit të Ion Gjikës në Londër ato paraqesin një pasqyrë të shoqërisë rumune të kohës. Ai është autor i “Koleksioneve prej Ekzili”, të shkruara në vitin 1848 dhe “Bisedime mbi Ekonominë”, ku parashtrohen idetë e tij mbi zhvillimin ekonomik. Ai ishte i pari që mbrojti idenë e mbështetjes së nismave lokale në futjen e investimeve të huaja në industri dhe tregti. Në vitin 1891 tërhiqet nga jeta aktive politike dhe shkon në fermën e familjes në Ghergani, ku i kaloi ditët e fundit të jetës. Vdiq në Ghergani në vitin 1897.

Dhimitër Gjika

Dhimitër Gjika lindi në vitin 1816. Ishte djali i princit Grigori IV Gjika dhe gruas së tij të parë Maria Hangerly. Dhimitri u martua me Charlotte Duprond, me të cilën pati dy vajza: Maria dhe Iza. U angazhua që herët në politikë, në radhët e Partisë Konservatore, duke u bërë njëri ndër udhëheqësit kryesorë të saj. Shërbeu si kryeministër i Rumanisë nga 28 nëntori 1868 e deri më 14 shkurt 1870. Më 10 maj 1886 u caktua të njoftojë popullin rumun për kalimin e vendit nga republika në monarki. Vdiq në moshë të thyer, por ende në politikën aktive, në vitin 1897, kur ishte kryetar i Senatit të Rumanisë.



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora