Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Arben Çokaj: Kumbari i Jozefinës në polici rrëmben makinën time BMW‏

| E enjte, 14.05.2009, 08:17 PM |


Kumbari i Jozefinës në polici rrëmben makinën time BMW‏

Nga Arben Çokaj*

Të shtunën, më 9 maj 2009, rreth orës 12:20 të mesditës, ndërsa vëllai im mjek Dashamir Çokaj kishte parkuar makinën time, tip BMW me regjistrim gjerman, në parkimin e hotel “Coloseo”, një patrullë policie, e përbërë nga policë rrugorë dhe të ndërhyrjes së shpejtë, kërkojnë që të largojnë makinat e parkuara aty. Ndërkohë që vëllai im po përpiqej të largonte makinën, shefi i qarkullimit rrugor të Shkodrës, Agron Guri, kumbarë me znj. Topalli, i kërkon vëllait tim dokumentet. Pasi vëllai i jep dokumentet atij, dhe ndërsa lëvizja e makinës ishte bllokuar nga mbrapa nga një makinë e policisë rrugore, Guri jep urdhër, që makina ime të shkojë në komisariat. Ky urdhër nuk ka arsye, është i paqartë, i pabazuar në ligj, tendencioz dhe i dyshimtë.
 
Punonjës të policisë hynë me forcë në makinën time dhe e kanë detyruar vëllain tim ta drejtojë makinën e ta parkojë në Komisariatin e Policisë së Shkodrës. Sipas logjikës së ngjarjeve, duhej që makina të përfundonte patjetër në komisariat. Ndoshta për të bërë ndonjë veprim të dëmshëm në makinë, ndërsa makina qëndron në ambientet e komisariatit?
 
Jemi në prag-fushatë dhe Jozefina, e mësuar të përdorë policinë si vegël qorre të saj, për t'u bërë keq kritikëve, konkurrentëve dhe kundërshtarëve të saj, po mundohet në këtë rast të shkaktojë precedent për të vënë përgjues në makinën time, ose më keq ndonjë lëndë të palejueshme, që të më kontrollojë ose të më inkriminojë më pas. Këtë standard politik njeh fatkeqësisht znj. Topalli, e cila në kohën kur unë me shokë u ngritëm të sillnim demokracinë me Lëvizjen Studentore '90, ajo merrej me kultivimin e misrit dhe orizit.
 
I alarmuar për ndodhinë, sidomos edhe nga gjendja ime fizike dhe nga ndodhitë e pakëndshme të ndodhura më parë si pa të keq nga punonjës policie, shkova në Komisariatin e Policisë së Shkodrës dhe ndërkohë kontaktova me SMS Zv. ministrin e Brendshëm, Strazimiri dhe komunikova në telefon me tre krerët e policisë së Shkodrës, Drejtorin e Policisë, Shefin e Komisariatit dhe Shefin e Qarkullimit Rrugor.
 
Shefi i komisariatit të Shkodrës, z. Metko erdhi në zyrë pas pak minutash dhe patëm një bisedë të shkurtër me të. U informua rreth incidentit nga shefi i qarkullimit rrugor dhe një punonjës policie, që ishte në vendngjarje. U la që makina të dalë në komision ditën e hënë, sepse kështu janë rregullat. Makina nuk kishte arsye të shkonte në komisariat dhe në këtë mungesë arsyeje, lind pikërisht dyshimi.
 
Rregullat janë rregulla, gjithkush i kupton. Por ajo që nuk kuptohet këtu është:
 
1. Pse çohet në rajonin e policisë një makinë e parkuar në rregull, në parkimin e një hoteli, ku roja i hotelit e aprovon parkimin e makinës?
2. Pse çohet në rajonin e policisë vetëm makina ime dhe të tjerat jo?
3. Pse policët shprehen herë se vëllai i paska kundërshtuar, herë se vëllai nuk është pronari. Pastaj pohojnë se i kanë pasur dokumentet në dorë? Si i morën dokumentet atëherë?
4. Pse merret makina e çohet në komision dhe jo dokumentet, apo drejtuesi i automjetit në rast dyshimi?
5. Pse u ngutën kaq shumë policët ta çonin makinën time në rajon, pa pritur që unë të vij e të sqaroj se jam unë pronari i saj dhe makina është në rregull?
6. Pse një makinë tjetër e parkuar aty pranë, qëndroi në parkim dhe makina ime përfundoi në komisariat?
 
Janë pyetje këto që sqarojnë faktin se një aksion policor është porositur nga një telefonatë e vetme atë ditë për të dhunuar makinën time. Të tjerat janë pretendime dhe justifikime të policisë.
 
Mendoj se policia ka kryer një veprim të parregullt ligjor me një qëllim të caktuar, e urdhëruar nga ndonjë person politik, i cili / e cila ka qëllimi terrorizim elektoral kundrejt meje dhe vëllait tim. Veprime të padrejta nga punonjës të caktuar policie, të urdhëruar nga politika, janë kryer edhe më parë kundrejt nesh, prandaj ne jemi të detyruar të bëjmë një denoncim në prokurori, që të hetohet kjo çështje dhe të merret vesh se kush është ai person, që ka urdhëruar marrjen me forcë të makinës sime.
 
Me krerët e policisë së Shkodrës u sqarova ditën e shtunë dhe u thashë se, nëse nuk ma jepni makinën në moment, atëherë mbajeni për vete, dhe më ktheni vlerën e blerjes së saj.
 
Të drejtat dhe liritë e individit në Shqipëri, të drejtat tona si njerëz të lirë, që ngremë zërin e arsyes kundrejt veprimeve negative në shoqëri, po kërcënohen më shumë në këtë prag-fushatë nga politikanë diletantë, që nuk e meritojnë votën e zgjedhësve. Dikush është i interesuar të manipulojë zgjedhjet në Shqipëri, përmes blerjes së medias dhe represionit
policor. Eshtë vetëm fillimi i një fundi ogurzi...

*Gazetar dhe analist i pavarur

09.05.2009