Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vangjush Saro: Provincializmi dhe snobizmi

| E enjte, 14.05.2009, 10:05 PM |


Provincializmi dhe snobizmi

ose

Polemikë me munxëdhënës…

ose

Snobizmi nuk e mund dot letërsinë

(Shënime lidhur me një intervistë, ku errësohet pa të drejtë letërsia shqiptare dhe veçmas ajo për fëmijë)

Nga Vangjush SARO

Është pak të thuhet se kam mbetur i befasuar nga një intervistë e kohëve të fundit e zonjës Rita Petro, poete dhe botuese. Intervistën e kam lexuar rastësisht tek “Pasioni.net”. Çdokush do të mbetej i shokuar nga analiza (shkatërruese) që ajo bën për letërsinë shqiptare në përgjithësi, por sidomos për letërsinë për fëmijë. Është pak të thuash se nota e saj për këtë letërsi, është fyese dhe përçmuese. “…Nuk kemi asnjë shkrimtar dhe studiues që të ketë bërë diçka të mirë për fëmijët. Ata mund të kapin tema të ditës, por nuk i japin në mënyrë të afërt, natyrale, për fëmijët. Ose ata arrijnë deri aty sa bëhen edhe qesharakë.” Besoj, pas këtyre radhëve, edhe lexuesi më i painformuar dhe qytetari më indiferent, do të thoshte me gojën plot: “Sa poshtëruese!”
Nuk dëshiroj të kapem me askënd, ca më pak me kolegë apo njerëz të tjerë të letrave. Gjithaq, nuk mund të cilësohet gjithçka si e pavend në atë intervistë. Ka mjaft tema që hanë debat dhe që do të duhej të zgjonin vëmendjen e shkrimtarëve, kritikëve dhe botuesve. Por në tërësinë e vet, biseda e Rita Petros, me gazetarin që pranon të zbulojë provincializmin në letërsinë shqiptare, na duket pa sens. Është tjetër gjë liria e të shprehurit dhe krejt tjetër “marrja nëpër gojë e një letërsie të tërë”; pa pikë, pa presje, pa më të voglën mëdyshje, qoftë edhe për ndonjë detaj tek-tuk. Mënyra se si kurdisen e flasin dy protagonistët e kësaj interviste, gazetari i painformuar dhe zonja keqdashëse, të krijon përshtypjen se në këtë vend, çdolloj tangërlliku mund të shitet për stil.
Po çfarë na rrëfen analiza e ngutur e zonjës Petro për letërsinë? Na rrëfen që nuk kemi aso. Që nuk mund të matemi me botën. Që jemi skaji i fundit i hapësirës së pafund ku shkruhet letërsi. Krijuesja dhe botuesja e rënë në pesimizëm, thotë shprehimisht: “…Ne vërtet kemi shkollën kombëtare dhe duhet të ngrejmë sa më shumë vlerat tona, por po t’i krahasojmë shkrimtarët shqiptarë me botën, ata nuk janë të krahasueshëm.” Sa për shkrimtarët e periudhës që sot quhet soc-realizëm, kolegia e trishtuar shprehet me cinizëm: “Ata janë vërtitur rreth kufijve ku i mbylli Enver Hoxha, rreth kufijve të familjeve të veta, janë vërtitur rreth fustanit të nënës, pastaj rreth fustanit të gruas, nga shkolla te puna e nga puna në shtëpi... Vetëkuptohet që brenda këtij rrethi të ngushtë, ku ata janë vërtitur, nuk mund të bëhet një letërsi e madhe. Pikërisht kjo gjë e bën edhe më lokalizuese veprën e tyre.” Mëria e pakuptimtë e Petros, zbrazet edhe mbi letërsinë e pas viteve ‘90. “Ne kemi edhe një brez të ri shkrimtarësh dhe vërtet ata vijnë pas viteve ‘90, por provincializmi fshihet edhe te ata. Nëse te shkrimtarët e para ‘90-s provincializmi gjendet te ideologjia, censura, etj., edhe te shkrimtarët e rinj të pas ‘90-s nuk mund të themi se nuk fshihet provincializëm.”
Më tej, në intervistë ka edhe ndonjë “përpjekje” për t’i gjetur shkaqet e provincializmit dhe vektorët ku ai “gjen terren”. Dhe ja se si: “Nëse marrim trajtimin e temës së dashurisë nga shkrimtarët shqiptarë, te asnjëri nuk gjen një histori apo një çift që të mbahet mend edhe pas shumë kohësh kur e ke lexuar librin. Po kështu, tema e seksit, që vazhdon të mbetet tabu dhe të shikohet si diçka banale, është një fakt tjetër që tregon sa provincialë janë autorët…” Në të vërtetë, provincialë dhe madje më shumë se kaq, duken protagonistët e kësaj interviste; që “pikën e fundit të helmit” e zbrazin mbi letërsinë për fëmijë: “…nuk kemi asnjë shkrimtar dhe studiues që të ketë bërë diçka të mirë për fëmijët.”
Kështu. Po çfarë nënkupton mllefi i zonjës Petro për letërsinë, në veçanti për letërsinë për fëmijë dhe protagonistët e saj? Më së pari, snobizëm. Është një sëmundje e vjetër, tashmë mjaft e njohur. Ka patur dhe do të ketë gjithnjë njerëz - edhe intelektualë - që kënaqen duke prodhuar snobizëm. Disa prej tyre, mendojnë se duke përbaltur një autor apo një letërsi të tërë, bëhen sadopak interesantë dhe, pastaj, edhe të famshëm. Kohët e fundit, bie fjala, është eksperimentuar shumë në këtë marrëzi, duke goditur veprën letrare të Ismail Kadaresë dhe Dritëro Agollit. Rruga më e shkurtër për të justifikuar mungesën e informacionit dhe të njohjes në këtë fushë, është mohimi. Bie fjala, edhe zonja Petro nuk e njeh letërsinë për fëmijë; ia ka pohuar këtë një prej bashkëpunëtoreve më të afërta të saj për tekstet shkollore. (Për etikë, nuk po zë goje emrin; është fjala për një shkrimtare, skenariste dhe botuese të njohur.)
Natyrisht, çdokush është i lirë të flasë dhe të shkruajë për fenomene të ndryshme të jetës, qofshin këto edhe letrare e kulturore. Edhe zonja Petro është e lirë të bëjë ç’të dojë dhe të flasë si t’i vijë, për letërsinë dhe për autorët, në daçi edhe për veten e vet. Problemi është se ajo ka fituar të drejtën për të botuar një sërë tekstesh të shkollave nëntëvjeçare e të mesme. Dhe ka botuar këso më shumë se kushdo tjetër. Punë e saj dhe e instancave që e kanë inkurajuar. Pyetjet që shtrohen, janë disi në kufijtë e estetikës dhe të moralit. Ç’cilësi e ç’dashuri mund të derdhë ajo në tekstet e saj, kur (pothuaj) i urren kolegët krijues, më e pakta, i denigron? Sidomos shkrimtarët për fëmijë. Qofshim të gabuar, por na duket se kemi të bjëmë me një eklektizëm të papranueshëm. Edhe pohon se nuk ka asgjë, është një shkretëtirë - së paku për letërsinë për fëmijë - edhe merr përsipër të hartosh tekste; që natyrshëm sjellin të ardhura të konsiderueshme(!)
Më në fund, është po kaq e çuditshme që askush nuk fyhet e nuk reagon, a thua është fjala për shkrimtarë që jetojnë në Mars. Edhe kur letërsia për fëmijë u dëbua nga podiumet e çmimeve letrare të vitit - të Ministrisë së Kulturës - edhe kur në ceremoninë e ndarjes së tyre M.M., i kudondodhur, bëri gjithashtu snobin për letërsinë për fëmijë, askush nuk u trazua. Me ndonjë përjashtim të rrallë. Për raste të tilla, duhet thënë: “Hape gur gojën!” Mbase shumëkush mendon se duke kundërshtuar pohimet absurde të njërit apo tjetrit snob, rrezikon të mbetet jashtë teksteve e çmimeve zyrtare. Epo, kjo nuk shkon, të nderuar kolegë. Një fjalë e urtë popullore thotë: “Atë e pështyjnë në turi, ai thotë bie shi…” E jo. Nuk po bie shi. Po sulmohen disa breza shkrimtarësh; me një guxim të frikshëm dhe jashtë çdolloj etike e detyrimi për informacion. Dhe kjo është e papranueshme.
Të zbrazësh kaq shumë helm, pa më të voglën keqardhje. Nuk di ç’emër mund t’i vihet kësaj historie. Ajo bëhet edhe më e dhimbshme, po të mendosh sa pak është inkurajuar dhe inkurajohet kjo letërsi; sa pak është çmuar dhe çmohet; sa shumë është paragjykuar dhe paragjykohet. Kam lexuar njëherë një prind - analist, që shkruante diku për letërsinë për fëmijë dhe rrëfente se si fëmijëve të tij iu rekomandonte të lexonin “Harry Poter”. Do ta mirëkuptoja, madje do ta nxisja çdo prind të vepronte në këtë mënyrë; por druaj se disa e bëjnë  për t’u dukur, për modë. Dhe kështu, nuk ndreqim shumë duke shkuar symbyllazi tek titulli më i fundit, pa u këshilluar më parë ose ndërkaq edhe me Andersenin, me Tuenin, De Amiçizin, Kolodin, Molnarin, etj. Pse jo, edhe me letërsinë më të mirë shqiptare për fëmijë e të rinj. Shtegu që zgjedhin rëndom snobët, është ai më i ngushti. Përkohësisht duket se diku të çon. Më tej, rruga humbet në pyllin e pikëpyetjeve dhe dyshimeve, që vetë i ke sajuar.
Kaq mund të them në lidhje me intervistën. Shpresoj të jetë e qartë, që më shumë se sa kuptimi mbi protagonistët e saj, ka rëndësi tema; që mund të ceket edhe nga të tjerë, edhe tjetërsoj.