Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gjovanni Firera: “Ja plani si do t’i ndihmojmë emigrantët shqiptarë në Itali”

| E enjte, 19.07.2007, 07:35 PM |


Konsulli pranë Presidentit italian, Gjovanni Firera: “Ja plani si do t’i ndihmojmë emigrantët shqiptarë në Itali”

Konsulli i Nderit, Firera, shpjegon si po ndihmohen të burgosurit, viktimat e punës, si dhe të gjithë emigrantët shqiptarë në Itali. Si po hartohen strategjitë për përmirësimin e imazhit të Shqipërisë nëpërmjet artit, kulturës dhe turizmit shqiptar ne Itali.

Giovanni Firera, Konsull Nderi pranë Presidentit të Italisë për marrëdhëniet me Shqipërinë, shpjegon arsyet përse i ndihmon dhe i do shqiptarët. Firera, njeriu që mund të thuhet se është dashuruar vërtet me shqiptarët dhe Shqipërinë, është njeriu që ka kontribuar më shumë në njohjen dhe në vlerësimin e resurseve dhe vlerave që ofrojnë shqiptarët. Ai është një njeri që në emër të autoriteteve të shtetit italian punon për të mbyllur mjaft probleme dhe për të shkurtuar distancat mes autoriteteve dhe shtetit italian dhe emigrantëve shqiptarë që jetojnë e punojnë aty. Numri i lartë i të burgosurve në Itali, numri i lartë i emigrantëve, i të vrarëve në punë, por edhe shumë vlera të shqiptarëve, konsiderohen si arsyet që duhet të afrojnë dy vendet.

Cili është imazhi aktual që kanë italianët dhe që ekziston për shqiptarët dhe Shqipërinë në zonën tuaj të Piemontes dhe në Torinë në veçanti?

Mund t’ju them se puna e mirë e bërë në tërë këto vite nga shumë shqiptarë në Itali dhe nga ne ka bërë që imazhi për shqiptarët dhe për Shqipërinë të përmirësohet ndieshëm. Puna dhe dinjiteti kanë prodhuar tashmë një rezultat mjaft pozitiv, i cili po shërben si një element mjaft i mirë për të përmirësuar imazhin dhe klimën në përgjithësi për shqiptarët. Por më përpara nuk ka ekzistuar absolutisht një imazh dhe një opinion i mirë për shqiptarët. Mendoni çfarë mund të ndodhë kur vijnë 50 mijë emigrantë shqiptarë përnjëherë në një rajon të Italisë. Kjo ka ndodhur dikur edhe për vetë italianët që dihet që kanë qenë një popull emigrantësh. Por Shqipëria dhe shqiptarët nuk janë sot i vetmi problem për Italinë, kur dihet që vendi ynë sot është një portë që pret refugjatë nga disa kontinente. Në Itali jetohet mirë, ushqehesh mirë, i ke të gjitha kushtet, megjithatë është një vend që pa diskutim ka shumë probleme, por jo për faj të të huajve. Por ajo që duhet theksuar është fakti se sot në Itali askush nuk i dhuron asgjë tjetrit. Ç’dua të them? Në Itali sot duhet punuar si në çdo vend tjetër, demokracia është konsoliduar ndër vite etj. Pikërisht edhe unë në punën time si Konsull nuk bëj gjë tjetër veçse ndihmoj këtë zhvillim dhe këtë avantazh. Po kështu, unë përpiqem që të bashkoj miqësitë mes italianëve dhe shqiptarëve për të favorizuar zhvillimin e vendit tuaj. Në fillim kjo punë ishte shumë e vështirë, ku kujtoj për këtë edhe punën që kanë bërë mediat pasi vij nga kjo fushë. Fillimisht edhe kolegët e mi gazetarë italianë nuk kishin një opinion të mirë dhe nuk flisnin mirë as në kronikat e tyre për këtë vend. Por kanë qenë vetë shqiptarët që me punën dhe veprat e tyre demonstruan të kundërtën. Në këtë kuadër, edhe unë u përpoqa ta favorizoja këtë proces, duke bërë miqësira me shumë shqiptarë, duke ndërmarrë shumë iniciativa dhe duke bërë mjaft aktivitete për shqiptarët. Kjo edhe për një arsye pasi unë jam me origjinë siçiliane dhe siçilianët si mentalitet dhe si karakter janë shumë afër me shqiptarët. Nisur nga kjo, unë arrija të kuptoja mjaft mirë principet dhe vlerat njerëzore të shqiptarëve. Në këtë mënyrë nisa që ta ndihmoj fillimisht Shqipërinë nëpërmjet aksesit tim në media. Më pas filluam që të krijonim raportet mes shqiptarëve dhe institucioneve të shtetit tonë si prefekturat, kuesturat, komunat, gjykatat dhe deri tek institucionet politike dhe ato sociale. Unë mendova se zhvillimi social i Shqipërisë do të vinte edhe nëpërmjet integrimit të këtyre njerëzve që ishin në Itali.

Si e trajtojnë imazhin e shqiptarëve mediat italiane? A ekziston ende opinioni negativ për të gjithë shqiptarët?

Duhet bërë një diferencim ndërmjet rajoneve të ndryshme të Italisë për të kuptuar këtë që kërkoni ju. Por unë dua që t’i referohem rajonit ku unë jetoj, Piemontes, në të cilin sot Shqipëria dhe shqiptarët janë të mirëpritur dhe të dashur nga italianët. Unë udhëtoj falë detyrës që kam me shumë prefektë, kuestorë, gjykatës, të cilët janë njerëz që kanë raporte direkte me cilindo dhe mund të them se opinioni i tyre për shqiptarët në Piemonte është shumë pozitiv. Mund t’ju kujtoj se vetëm në shkurt të këtij viti, institucionet e shtetit italian në Piemonte hapën portat e tyre për të pranuar dhe për të regjistruar si qytetarë të denjë mbi 200 shqiptarë. Unë mundësova që të shkonim në vizita zyrtare te prefekti me këta shqiptarë, te kuestori, te kryetari i bashkisë dhe te drejtori i universitetit të Ekonomisë në Torino. Kurse përsa u përket keqbërësve, ata nuk janë vetëm shqiptarë. Ata mund t’i përkasin çdo lloj kombësie pasi keqbërësit nuk kanë as komb dhe as flamur. Por unë dua të flas më tepër për lidhjet, ku tani për më tepër kemi edhe një linjë ajrore mes Shqipërisë dhe rajonit të Piemontes në Itali, nëpërmjet një kompanie ajrore shqiptare. Ky mund të konsiderohet edhe si një tjetër sukses për qytetarët shqiptarë që duan të shkojnë në vendin e tyre, por edhe sidomos për investitorët italianë dhe ata shqiptarë që duan të shkëmbejnë eksperienca dhe kanë gjetur urën ideale për t’u lidhur.

Si e shikoni çështjen e vizave mes Shqipërisë dhe Italisë? A mendoni se duhen lehtësuar shumë burokraci që pengojnë lëvizjen e lirë?

Për italianët tashmë ka shumë lehtësira ku njëra është udhëtimi drejt Shqipërisë vetëm me kartën e identitetit, pa nevojën e pasaportës. Kurse përsa i përket lëvizjes së shqiptarëve në drejtim të Italisë, mendoj se në fillim duhet të jetë vendi juaj dhe qeveria shqiptare që duhet të kërkojnë më shumë dhe të plotësojnë sa më shumë standarde të vendosura nga BE-ja.

Çfarë mendoni në lidhje me kujdesin që qeveria italiane dhe ajo shqiptare duhet të tregojnë për pensionet e emigrantëve?

Është e njëjta gjë që ka ndodhur dikur edhe me italianët kur shkonin emigrantë. Gjithsecili nga ne dhe sidomos historia duhet të na mësojë respektin për të huajt. Për këtë çështje kam zhvilluar bisedime edhe me palën shqiptare përsa u përket sigurimeve shoqërore. Duhet që punëtorëve dhe të gjithë emigrantëve shqiptarë jashtë vendit dhe sidomos atyre në Itali t’u krijohet reciprociteti dhe e drejta për të përfituar pension. Këta njerëz që jetojnë në shumë vështirësi kur janë jashtë vendit duhet të paktën të kenë të drejtën e përfitimit të mundit të tyre nëpërmjet pagesës së kontributeve të pensionit. Në Itali, këta individë paguajnë kontributet shoqërore për të patur një pension nesër dhe shteti italian është i detyruar t’ua njohë ato. Mendoj se e njëjta gjë duhet të ndodhë për ta edhe në Shqipëri.

Në Itali ka sot shumë shqiptarë të dënuar në burgjet tuaja. Cilat janë raportet që keni me ta dhe çfarë po bëni për të lehtësuar disi dënimet e këtyre njerëzve?

Mund t’ju them se kjo për mua është dhe një arsye personale për t’u marrë pikërisht me këta njerëz që janë vërtet shumë. Unë mundohem që atyre t’u çoj vëmendjen e autoriteteve dhe institucioneve italiane. Por unë duhet të jem afër tyre pavarësisht nga ajo që kanë bërë, pasi nuk duhet të mendohet se kush gabon duhet të hidhet në det. Vetëm në burgun e Torinos kam takuar dhe vizitoj shpesh rreth 120 të burgosur shqiptarë. Ka qytetarë shqiptarë të burgosur që do të dalin nga burgu në 2030, pra pas rreth 23 vjetësh. Ose shqiptarë të tjerë që janë dënuar me burgim të përjetshëm. Ka edhe një shqiptarë që do të dalin nga burgu i Torinos më 19 korrik dhe këtë shqiptar e kam bërë mik dhe e kam ftuar për një darkë ditën që do të lërë qelinë. E takova gjatë një spektakli teatral në burgun ku ai vuante dënimin dhe që aty u bëmë miq. Me anë të kësaj u mundova që të tregoj se institucionet e një shteti duhet të qëndrojnë afër qytetarëve, veçanërisht afër atyre që vuajnë një dënim. Mua do të më pëlqente që edhe konsujt e tjerë të bënin të njëjtin veprim, por mbase është me ta ndjerë. Sensibiliteti dhe ndjeshmëria sociale dhe personale nuk janë një gjë që mund t’u mësohen kollaj të tjerëve, pasi është një ndjenjë që vjen spontanisht dhe jetohet. Po kështu, brenda burgut të Torinos do të organizoj edhe një ndeshje futbolli në gusht ku do të luajnë të dënuarit shqiptarë me të dënuarit e tjerë. Këtë ndeshje do të vijnë për ta arbitruar dhe për të qenë bashkë me të burgosurit edhe dy lojtarë, njëri i Juventusit dhe tjetri i Torinos, Klaudio Sale dhe Bepe Furino. Këto janë disa nisma, të cilat mund të bëjnë dhe do të bëjnë krenarë të dënuarit shqiptarë. Ata ma kanë thënë këtë edhe kur kam nisur që të sjell në Tiranë letra të ndryshme nga të dënuarit që vuajnë dënimin atje. Kam sjellë kësaj here letrën e një të dënuari që duhet të heqë një dënim prej 15 vjetësh në Itali dhe ai më tha që t’i takoja familjarët dhe t’u flisja atyre për të. Në këtë mënyrë do të mundohem që t’u shpreh familjarëve të këtij të dënuari se një konsull italian është afër tyre në këto momente dhe nga ana tjetër kujdeset për të afërmin e tyre që po vuan një dënim. Kjo në një farë mënyre është dhe njëra prej detyrave që unë kam.

Si janë kushtet e punës për emigrantët shqiptarë që punojnë në Itali?

Kjo është një çështje mjaft e mprehtë. Për këtë unë kam shumë argumente që mendoj se duhet të konsumohen në një intervistë të re. Pikërisht për këtë çështje unë jam takuar dy ditë më parë me zëvendësministrin shqiptar të Punës, Kastriot Sulko, me të cilin kam diskutuar për këto tema. Aktualisht mund t’ju them se jam duke organizuar një takim të veçantë në Torino, ku do të diskutohet mbi punën e emigrantëve dhe kushtet e saj. Mbi këtë tezë unë do të përpiqem që të hap temën e të vdekurve gjatë punës ose “vdekjen e bardhë”. Mund t’ju them se ka shumë raste të tilla ku vdesin shumë nëpër kantieret e punës si pasojë e mungesës së masave të sigurisë dhe pjesa më e madhe e tyre janë emigrantë shqiptarë dhe rumunë. Për këtë çështje kam ngritur zërin kohët e fundit dhe kam biseduar dhe me presidentin tonë të Republikës, Napoletano, për të rritur kujdesin dhe nivelin e masave të sigurisë nëpër këto kantiere. Është e vertetë që falë punës së emigrantëve po ndërtojmë Italinë, por nuk kemi pse ta ndërtojmë mbi trupin e të vdekurve. Prandaj jam duke e përgatitur këtë takim dhe deri tani kam marrë “ok”-ein e qeverisë italiane, nga autoritetet e komunës së Torinos, nga drejtori i Përgjithshëm i Sigurisë së Punës për rajonin e Piemontes, si dhe nga autoritetet e qeverisë shqiptare dhe të Ministrisë suaj të Punës. Kam takuar për këtë çështje shumë shqiptarë në të gjitha anët e Italisë dhe më kanë inkurajuar.

Veljera “Ameriko Vespuçi”, nga Venecia në Vlorë për të promovuar turizmin shqiptar

Në përpjekjet e shumta të Konsullit Italian të Nderit, Giovanni Firera, është edhe promovimi i vlerave të artit, kulturës dhe turizmit shqiptar si në Itali ashtu dhe në të gjithë Bashkimin Europian. Në dobi të kësaj iniciative, Konsulli Firera është duke përgatitur një tur anijesh historike me vela që do të nisen nga Venecia në drejtim të Vlorës. Për gazetën “Albania”, Konsulli Firera ka thënë: ”E bëj këtë për të promovuar turizmin shqiptar në Itali, ku jam duke punuar për të përgatitur një aktivitet që do të nisë nga Triestja në Shqipëri. Do të jetë një lundrim anijesh të vjetra me vela “Regata”, nga Venecia në Vlorë. Kjo do të shërbejë edhe si një binjakëzim mes Vlorës dhe Venecias në të tilla aktivitete dhe unë do të thërres për këtë gazetarë nga të gjitha anët e botës për ta bërë sa më të njohur vendin tuaj. Jam duke biseduar që në Vlorë të sjell në këtë udhëtim fantastik edhe të famshmen anije historike me vela “Ameriko Vespuçi”. Përveç kësaj, kemi dhe një sit web ku flasim pikërisht për këto aktivitete dhe mund t’ju them se është më i vizituari në Itali. Këtë vit mundësuam edhe zhvillimin e dy aktiviteteve mjaft të rëndësishme për shqiptarët në Itali. Çuam filmin e Edmond Budinës “Letra në Erë” në Torino, ku u pa gratis nga të gjithë qytetarët shqiptarë atje, zhvilluam dhe një takim me autoritetet më të larta atje, si dhe bëmë të mundur dhe shfaqjen për herë të parë të një filmi shqiptar në festivalin internacional të “Kinemasë së Kufijve” që u mbajt në Sirakuzë. Për herë të parë aty Shqipëria ishte “e ftuar nderi” e këtij evenimenti ku në natën finale u ngjit në skenë edhe regjisori Edmond Budina me filmin e tij “Letra në Erë”. Aty ishin të thirrur edhe mijëra shqiptarë që e ndoqën filmin e Budinës që shfaqej në gjuhën origjinale, pra në shqip, duke patur mundësinë që ta dëgjonin filmin në gjuhën e tyre. E gjithë kjo unë mendoj se duhet dhe shërben për të lidhur më fort atë miqësi, solidaritet dhe vëllazëri që ekziston mes dy vendeve tona, Italisë dhe Shqipërisë.

Ervin Koçi - albania