E enjte, 25.04.2024, 07:01 PM (GMT+1)

Kulturë

Ayelet Zurer

E shtune, 09.05.2009, 10:00 AM


Ayelet Zurer
Ayelet Zurer
"Po bën shaka, apo jo? Unë nuk jam një yll!". Ayalet Zurer, aktorja izraelite është protagoniste së bashku me Tom Hanks në filmin "Engjëj e djaj", vijimi i "Kodi Da Vinçi", i cili do të shfaqet në kinema në mes të majit. Në katin e 45-të të një hoteli në Tokio, e ulur mbi një kolltuk, aktorja u përgjigjet të gjitha pyetjeve që i bëjnë gazetarët. Ayalet është prezantuar në Hollivud nga regjisori i famshëm, Steven Spielberg, që në vitin 2005 e zgjodhi për të luajtur në filmin "Munich", përkrah Eric Bana, më pas ka qenë protagoniste në filmin tjetër "Fugitive Pieces" (2007) dhe "Vantage Point" (2008). E re, e bukur dhe nënë e një fëmije ("familja dhe djali vazhdojnë të mbeten gjërat më speciale për mua") ajo i ka të gjitha premisat për të qenë një divë e madhe. Është fjalëpakë, profesionale dhe asnjëherë nuk i ka pëlqyer ideja që të flasë për veten. "Nuk mendoj se njerëzit duhet të më njohin si person. Syri i publikut që sheh një film, duhet të mbetet i tillë, të mos ndikohet nga ajo që bën ose jo aktori në jetën private. Sa më pak të dihet për jetën e një aktori aq më mirë është. Të paktën ky është mendimi im dhe kjo vlen kur unë shoh një film si spektatore e thjeshtë".

Që Ayalet nuk ishte një personazh i zakonshëm kjo ishte kuptuar që nga prezantimi i filmit: "Zonja dhe zotërinj, mirëmbrëma. Ju sjell përshëndetjet e Ron Howard dhe Tom Hanks. Nuk janë të pranishëm këtu sonte, sepse po punojnë për prodhimin e filmit. Ju falënderoj për pjesëmarrjen dhe ju uroj shikim të këndshëm".

Një përshëndetje moderne, elegante për një mesazh të qartë: shikojeni filmin dhe gjykojeni. Më në fund një aktore bukuroshe, misterioze, një grua pa mani protagonizmi. E zgjuar, e gjallë, shumë e vëmendshme, Zurer është zgjedhur nga Ron Howard për të interpretuar një personazh të ndërlikuar, Vittoria Vetra: "Kur telefonohesh nga Tom Hanks e Howard për një rol, natyrisht që do ta pranosh!. Por përveç kësaj, më pëlqente të interpretoja rolin e Vittoria-s, sepse është një grua e zgjuar dhe shumë e shkathët. T‘i jepja forcë dramatike m‘u duk një sfidë interesante. Ajo që kam vlerësuar më shumë tek ajo, janë forca e vullnetit, shpejtësia e të vepruarit dhe të menduarit". Historia e "Engjëj dhe djaj", marrë nga bestselleri i amerikanit Dan Brown, bazohet te dualizmi i përhershëm mes shkencës dhe fesë. Tema bëhet edhe më interesante kur ajo që interpreton rolin e Vittoria Vetra-s është një aktore që ka lindur në Izrael, një vend i cili gjithmonë ka pasur një lidhje të veçantë me besimin. "Po, është zbavitëse, por për mua Vittoria nuk ka një fe të vërtetë: është rritur në një manastir, me një prift katolik, por pavarësisht këtij formimi, nuk është një njeri besimtar. Ajo është më tepër person i shkencës dhe në film përfaqëson pikërisht këtë, mendimin e një personi që ka nevojë për një eksperiment për të provuar se diçka ekziston. Për mua personalisht ka qenë shumë interesante të studioja krishtërimin dhe kishën katolike kur punuam në Romë. Isha kureshtare të mësoja gjithçka që lidhej me personazhin".

Pjesa më e madhe e filmit është xhiruar në studio në Los Anxhelos, me disa skena të realizuara në Itali. "E adhuroj Romën, kam qenë shumë herë, por sërish nuk ngopem duke vizituar sërish të njëjtat vende e muze. Më pëlqen arti, dua t‘i vizitoj të gjitha vendet në këmbë. Është një atmosferë e jashtëzakonshme. ‘Vdes‘ për kuzhinën dhe modën italiane". Ayalet kujton momente të paharrueshme: "Një natë të bukur, unë, Hanks dhe Howard, pasi mbaruam xhirimet, shkuam së bashku me trupën të shihnim një ndeshje futbolli. Më pas u ndamë: unë, Tom dhe Ron qëndruam bashkë dhe vendosëm që të shkonim në "Piazza Navona" të shijonim mbrëmjen. Ishte shumë vonë, dyqanet ishin të mbyllura, fatmirësisht gjetëm hapur një restorant dhe sapo hymë brenda të gjithë kuzhinierët dhe kamerierët filluan të duartrokisnin. Çfarë emocionesh. Ishte një natë me hënë, nuk kishte asnjë këmbë njeriu në rrugë, kështu që ai dhe Tom filluan të më tregonin për xhirimet e filmit "Apollo 13". Ishte shumë bukur. Nuk më besohej që isha aty me ata, duke dëgjuar ato histori. Më dukej vetja si në përrallë".

Romë, Hollivud, Izrael, por edhe Tokio. Nuk është rastësi ta takosh Ayalet edhe në kryeqytetin japonez, sepse ky qytet ka një vend shumë special në zemrën e saj. "Gjatë xhirimeve të filmit ‘Engjëj dhe djaj‘ erdhi për të na takuar një grup i ‘Sony Production‘. Duke biseduar për promovimin, u thashë atyre se po planifikoja ta bëja prezantimin e filmit në Japoni dhe do të më pëlqente që të shkoja. Ata ma plotësuan dëshirën. Fakti është se pikërisht në Tokio, vite më parë, vendosa të bëhesha aktore. Jam ngjitur për herë të parë në skenë në moshën 16-vjeçare dhe e kam pasur aq të thjeshtë saqë nuk kuptoja se ku qëndronte "specialiteti" i kësaj pune. Para shumë vitesh në Japoni firmosa një kontratë si modele. Duke punuar në botën e modës, takova një vajzë e cila ndikoi shumë në zgjedhjet e mia. Pasi u ktheva në vendlindje, i kërkova që të takoheshim, me qëllim që të më provonte. Duke interpretuar një personazh kuptova se sa e bukur është të shfaqësh nga vetja një pjesë ndryshe. Sigurisht, falë saj vendosa që t‘i kushtoja më shumë seriozitet këtij profesioni. Me paratë që fitova në Japoni si modele, arrita të studioj në Akademinë e Arteve në Nju Jork. Tani që jam pjesë e këtij filmi të madh, mendoj se jam me shumë fat".

Diva

E re, e bukur dhe nënë e një fëmije ("familja dhe djali vazhdojnë të mbeten gjërat më speciale për mua") ajo i ka të gjitha premisat për të qenë një divë e madhe. Është fjalëpakë, profesionale dhe asnjëherë nuk i ka pëlqyer ideja që të flasë për veten

Filmi

Për mua Vittoria nuk ka një fe të vërtetë: është rritur në një manastir, me një prift katolik, por pavarësisht këtij formimi, nuk është një njeri besimtar. Ajo është më tepër person i shkencës dhe në film përfaqëson pikërisht këtë, mendimin e një personi që ka nevojë për një eksperiment për të provuar se diçka ekziston. Për mua personalisht ka qenë shumë interesante të studioja krishtërimin dhe kishën katolike kur punuam në Romë. Isha kureshtare të mësoja gjithçka që lidhej me personazhin

Personazhi

"Kur telefonohesh nga Tom Hanks e Howard për një rol, natyrisht që do ta pranosh!. Por përveç kësaj, më pëlqente të interpretoja rolin e Vittoria-s, sepse është një grua e zgjuar dhe shumë e shkathët. T‘i jepja forcë dramatike m‘u duk një sfidë interesante. Ajo që kam vlerësuar më shumë tek ajo, janë forca e vullnetit, shpejtësia e të vepruarit dhe të menduarit"



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora