Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mentor Xhemali

| E merkure, 01.06.2005, 09:50 PM |


Nje kujtim i paharruar per bilbilin e kenges shqiptare ne 80 vjetorin e lindjes

U lind ne muajin qe bilbilat nisin te kendojne, ne maj te vitit 1925 ne qytetin e bukur te Permetit. Te gjithe e dine se perpara se te nderronte jete, diten e 9 Prillit te vitit 1992, artisti i madh Mentor Xhemali vazhdonte ende te kendonte dhe te regjistronte kenget popullore permetare.
Pas vdekjes atje ne Permet eshte shpallur "Qytetar nderi", krahas vellezerve Frasheri, dhe kengetarit e klarinestistit te famshem Laver Bariut. Ja, kane gati kaluar 12 vjet qe nga ajo kohe dhe nje nga lirikat me te bukura popullore "Zura nje bilbil me vese" nuk eshte degjuar ende te interpretohet aq embel, aq bukur e aq shtruar ashtu si e kendonte dikur Mentor Xhemali.

Mentori i lidhur shume me qytetin e Permetit, duke bashkuar me kengen edhe muziken shungulluese te nje artisti tjeter te shquar nga Permeti, Laver Bariut, i ka dhuruar nje arkiv brilant me rreth 30 kenge permetare, Radio-Tiranes. Pikerisht, per ta nderuar edhe njehere kujtimin e tij, ne sallen e koncerteve-holl ne TKOB, me rastin e 80-vjetorit te lindjes se "Artistit te Popullit", Mentor Xhemali, u organizua nje ceremoni e madhe perkujtimore ne bashkepunim me Shoqaten Atdhetare Kulturore Permeti.

Ky bashkepunim mes shoqates ne vendlindjen e bilbilit te kenges popullore permetare dhe Teatrit Kombetar te Operas dhe Baletit Tirane mundesoi disa veprimtari te dobishme, ne nderim te kengetarit te shquar per muzike klasike dhe muzike folklorike. Ne teresine e aktiviteve qe u realizuan diten e lindjes se artistit te madh Xhemali, nder te parat ishte ceremonia e celjes se ketij aktiviteti, e cila u shoqerua me fjalen e mbajtur nga drejtori i Operas dhe Baletit, zoti Zhani Ciko, i cili nder te tjera tha: "Emri i Mentor Xhemalit eshte nje nga emrat me te medhenj te muzikes shqiptare. Emri i tij eshte nje nga medalionet e muzikes shqiptare, sepse Mentor Xhemali perfaqeson rastin me tipik se c'domethene talent i kombit. Ishte nje ze i rralle, me nje cilesi vokale te padiskutueshme, i ralle edhe per truallin e rajonit ku ne jetojme".

Duke e vleresuar me pas zerin e tij te mrekullueshem Ciko tha se Mentor Xhemali ka kenduar qe diten qe ka lindur dhe deri atehere kur ka mbyllur syte. Duke permendur cilesite e tij te ralla vokale ne harmoni me cilesite fizike teper te pershtashme per skenen, Ciko kujtoi periudhen kur Mentor Xhemali mori pjese ne lufte dhe atje kendoi. Gjithe repertori i tij qe fillon qe nga asambli i ushtrise dhe deri tek pjeset e medhaja klasike qe ka kenduar pas shkollimit ka mbetur i paprekur, tha drejtori i Teatrit te Operas dhe Baletit Zhani Ciko. Jane te medhaja meritat e tij si kengetar dhe i rralle ka qene zeri i tij qe nga menyra si merrte fryme, si improvizonte si e dridhte zerin dhe kjo e bente ate qe te persoste cdo element muzikor te kengeve poullore. Ai u jepte vlera te jashtezakonshme me timbrin e zerit te tij kristal. "Emri dhe vepra e Mentor Xhemalit do te mbetet nje mesim i madh per brezat qe do te vazhdojne te kendojne ne fushen e kantos dhe gjinive te tjera te muzikes", tha ne fund te fjalimit te tij Zhani Ciko.

Ishte i pranishem edhe Ministri i Kultures, Rinise dhe Sporteve, Blendi Klosi, i cili u ndje i kenaqur me pjesemarrjen e tij ne kete ceremoni. Ai tha se "nuk kam pergatitur nje fjalim per kete rast, por edhe po te kisha nje fjalim, vepra dhe jeta e Mentorit do te flisnin me shume se fjalet qe do te kisha pergatitur ne nje rast tille. Ministri Klosi tha se ka pasur kenaqesine e pjesemarrjes ne kete ceremoni.

Nderkohe, ceremonia ka vazhduar duke e rikujtuar edhe njehere jeten dhe vepren e artistit te shquar, ndersa ka vazhduar me tej me nje promovim te librit monografik, te cilin e ka hartuar Dhimitraq Lole, me titull "Mentor Xhemali". Muzikantet me te degjuar kane qene te pranishem dhe jane bere mjaft biseda per jeten dhe vepren e artistit. Pasi eshte dhene nje koncert nga artistet e TKOB-it, eshte shtruar nje koktejl per te pranishmit nga familja dhe u eshte dhuruar atyre monografia "Mentor Xhemali"

Nderron jete me kenget e Permetit goje

Mentor Xhemali qe mbeti ne historine e muzikes shqiptare, jo vetem si nje kengetar i shquar lirik, por edhe si interpretues i ralle i kenges popullore permetare, femijerine e ka kaluar ne qytetin e lindjes, ku edhe familja e tij shquhej per dashurine dhe interpretimin e kenges popullore permetare.

Ne moshe te vogel, per arsye ekonomike, detyrohet te punesohet ne portet e Sarandes dhe me vone ne portin e Durresit. I lidhur me levizjen e rinise se kohes, ne vitin 1943, si shume te rinj shqiptare, merr pjese ne ushtrine partizane per clirimin e Shqiperise. Por menjehere ai aktivizohet ne formacionet muzikore te kesaj ushtrie dhe me pas me krijimin e Ansamblit te Ushtrise nga muzikanti Gaqo Avrazi merr pjese ne korin e saj.

Zeri i tij shquhet me i bukur se zeri i te tjereve dhe ne vitet 1952-1955 Mentor Xhemali dergohet nga qeveria e kohes per te studiuar per kanto-bass ne konservatorin "Cajkovski" ne Moske.

Mentor Xhemali pas kthimit ne atdhe e filloi punen si solist ne Teatrin e Operas dhe Baletit ne Tirane, ku ka interpretuar rolet me nje profesinalizem te larte. Per pak vite ai u be kengetari me i famshem ne Shqiperi dhe ne vitin 1975 ishte nje nga te paktet artiste qe vleresohet me titullin e larte te kuvendit te asaj kohe, "Artist i Popullit".

Mentor Xhemalin e kane bere te famshem kenget "Per ty atdhe", romanca "O ju male" e Cesk Zadese , aria e Don Bazilios nga opera “Berberi i Seviljes” e XH. Rosinit etj.

Ndersa me kegen popullore ne menyre speciale merret sapo del ne pension pas viti 1977. Nder to jane kenget me te degjuara si "Mora rrugen per Janine" dhe "Zura nje bilbil me vese". Pas viteve '’90, ai u be i famshem edhe ne Europe me veprimtarite koncertale ne France, Danimarke, Hollande, Belgjike, Gjermani, me kengen popullore permetare dhe shoqerine e sazeve te familjes Lela.

Pervec kesaj Mentor Xhemali duke shperthyer kornizat e nje folklori muzikor lokal ka regjistruar dhe publikuar disa kenge ne CD ne France ne vitin 1992, qe jane realizuar prane studios diskografike Indigo.

Tashme Radio-Tirana i ka ne pronen e saj kenget e regjistruara nga artisti i madh Mentor Xhemali, si "Hajde te dalim nga Lipa", "Bilbili me vese", "Morra rrugen per Janine", "C'm’i preve baluket", "Kishe dale ne bahce". Mentor Xhemali ka per te mbetur gjate ne historine e muzikes shqiptare.

Sipas drejtorit te operas Zhani Ciko, menyra e kengetimit te Mentor Xhemalit si ne opera ashtu edhe ne kengen popullore do mbetet nje rast unikal per vlerat qe krijoi ai ne keto dy fusha.

20 Maj Tema

Flasin fëmijët e këngëtarit Mentor Xhemali

"Ju rrëfejmë jetën me babain tonë"

Ishte fare i ri dhe të vetmen pasuri të tijën kishte zërin. Vetëm pak më vonë, teksa luftonte në male, atë do ta zbulonte rastësisht Gaqo Avrazi. Basi i madh lirik, Mentor Xhemali, në fakt është më shumë se një talent, interpretues i shkëlqyer i këngëve të kohës së tij, bilbil i këngës popullore e mbi të gjitha shumë njerëzor. "Ishte tip alegro, tip që s'prishte gojë me asnjeri. Nuk kishte ambicie personale dhe nuk kishte pse të kishte, sepse ai kishte atë mundësinë që ia kishte dhënë Zoti, atë zë të kristaltë", kështu thonë në një intervistë për "Tirana Observer" dy fëmijët e këngëtarit të madh, Mentor Xhemali, teksa rrëfejnë me dashuri për jetën e kaluar me babain e tyre.
Cila është gjëja e parë që ju vjen ndërmend kur flisni për babanë tuaj?
Vajza: Unë e mbaj mend atë vetëm duke kënduar që kur kam qenë në kopsht derisa ai mbylli sytë. Momente të bukura ka plot, por unë mbaj mend kur kam qenë e vogël. Ai më merrte në mëngjes, më krihte flokët, më rregullonte, më bënte si kukull, më çonte në kopsht. Rrugës më ndalonte gjithmonë në një pastiçeri dhe më jepte një ëmbëlsirë, që e kisha racionin e përditshëm. Pastaj shkoja në kopsht, ai shkonte në punë e ndërkohë ndihmonte edhe nënën. Gatuante shumë mirë se ishte kuzhinier i shkëlqyer. E pastaj këndonte, ulej në piano, interpretonte ato pjesët e veta. Pra, gjithë ditën mendjen e kishte te muzika, te kënga dhe te fëmijët.
Cila është kënga që babai juaj kishte më për zemër?
Natyrisht kënga "Për ty atdhe". Ai të tëra këngët i kishte këngë të zemrës, "Asim Zenelin", ariet e ndryshme, apo këngët popullore që bëri në fund, por mbi të gjitha kishte "Për ty atdhe".
Mund të thoni diçka të veçantë për këngën "Për ty atdhe". Si është realizuar kjo këngë?
E mbaj mend kur kishte ardhur Pjetër Gaci në shtëpi dhe i ka thënë: O Mentor, kam në kokë një melodi shumë të bukur dhe atë melodi vetëm t'i mund të ma këndosh. Dua t'i bëj një himn Shqipërisë. Mbaj mend që kanë ndenjur një javë e ca të mbyllur në dhomë me orë të tëra, derisa u godit dhe doli ajo këngë që është sot. Atë këngë tentuan ta këndojnë edhe këngëtarë të tjerë, por ajo ishte këngë që vetëm Mentor Xhemali mund ta këndojë.
Çfarë ju ka treguar babai për fillimet e tij në muzikë?
I biri: Ai ka lindur më 1924 në Përmet dhe si familje ishin të varfër, jo në gjendje të mirë ekonomike. Ishin gjashtë vëllezër, kishin dhe një motër. I ati punonte kasap. Fëmija i madh ishte babai, Mentori. Pastaj Mentori filloi të aktivizohet në grupet ilegale, u detyrua të dalë maleve partizan, shkoi në çetën "Kote Hoxha", derisa përfundoi në Brigadën VI, deri në Jugosllavi. Nuk e njihte njeri për këngëtar, por kur u krijua Ansambli i Ushtrisë, Gaqo Avrazi dhe të tjerë filluan të merrnin elementë në reparte ushtarake. Aty i thanë është edhe një Mentor, Mentor që ka zë të bukur. Kështu, në 1945-ën u integrua në Ansamblin e Ushtrisë.
Çfarë tipi ishte babai juaj? Si e kujtoni atë?
I biri: Ishte tip alegro, tip që s'prishte gojë me asnjeri. Nuk kishte ambicie personale dhe nuk kishte pse të kishte, sepse ai kishte atë mundësinë që ia kishte dhënë Zoti, atë zë të kristaltë. Kështu, ai i ndihmonte shumë të rinjtë, madje kur vinte puna për të bërë role ai u thoshte atyre të rinjve: hajde ti para meje! Bëje ti premierën." Kur dilnim nga puna bashkë dhe vinim rrugës për në shtëpi, që nga opera në Rrugën e Durrësit e ndalonin rrugës dhe i thoshin: O shoku Mentor ç'kemi! "O babi, i thosha, hajde se më plase shpirtin". Njëri i thoshte hajde të pimë një gotë raki bashkë dhe e merrte nga krahu. Dhe ai nuk ia prishte askujt. Kishte shumë miq e shokë. Ishte njeri i jashtëzakonshëm.
Mund të kujtoni ndonjë moment të veçantë të jetës së babait tuaj, që tregon dashurinë e tij të madhe për muzikën?
E bija: Për babain kënga, muzika ka qenë gjithçka. Para disa vitesh Ansambli i Përmetit bën një vizitë në Zadrimë, një fshat të Përmetit dhe siç ishte në kohën e komunizmit nuk duhej të bënin vizita në shtëpitë e kulakëve, ose të ballistëve. Mirëpo, babai nuk e dinte që atje ku shkoi ishte shtëpia e një kulaku. I zoti i shtëpisë i priti mirë dhe të nesërmen bëhet bujë e madhe që Mentor Xhemali ka darkuar dhe ka fjetur në shtëpinë e një kulaku. Anëtarët e Organizatës së Partisë së Përmetit dërgojnë relacione lart dhe këngët e babait pezullohen për nja gjashtë muaj të tërë nga radioja. Për babin kjo ka qenë një vdekje. Si përfundim, pas gjashtë muajsh ishin Festat e Nëntorit dhe e hap radion rastësisht në dorë. Dëgjoj hapjen e këngës "Për ty atdhe". Rrëmbeva radion dhe me vrap shkova në kuzhinë e i them: "Babi, kënga jote në radio". E hapi deri në fund zërin, i ra murit me dorë e tha: "Ja, të keqen baba. Babi yt nuk vdes, babi yt do të rrojë gjithmonë". Duke qarë dhe duke dëgjuar këngën e këndonte vetë bashkë me radion.
Cilët kanë qenë "idhujt" muzikorë të babait tuaj, nëse mund të shprehemi kështu?
I biri: Ata që ka pasur kolegë në konservatorin "Çajkovski" në Moskë. Por ai ka qenë në të njëjtin nivel me ta. Kështu në Moskë ishte një Nikola Garovi, një nga basët më të mëdhenj që doli pas Mentorit. Në Festivalin Botëror të Vjenës, pesë minuta pasi këndoi Mentor Xhemali, salla rrinte në qetësi e pas pesë minutash kanë shpërthyer duartrokitje të fuqishme dhe u mbyll festivali. I erdhi radha Garovit për të kënduar dhe ai tha: "Jo nuk dal të këndoj, sepse nuk këndohet pas Mentor Xhemalit". Garovi i ulej në gju e i thoshte: "O Mentor më jep pak zë nga ai zëri yt. Kush ta ka dhënë këtë zë kaq të bukur ty"? Fakti është që Garovi u bë basi më i mirë i botës, kurse Mentori u izolua këtu brenda.
Në 1959-ën kur ka marrë Medaljen e Arit në Festivalin e Vjenës, babait i është afruar dikush me çantën plot me sterlina. Ai i tha: "Mentor hajde me mua të bëhesh i madhi i botës. Do të marrësh vilën, dy vetura. Ja ku i ke të gjitha". Mentori më tregonte se për një çast mendohej nëse të ikte apo mos të ikte.
"Të iki do të bëhem i madh, me para. Po fëmijët e mi ç'do të bëjnë? Do të vuajnë, do të internohen nëpër burgje. Atëherë preferova këtë të dytën". Faleminderit shumë, i tha. "Mua më ka dhënë vilë Enver Hoxha. Ju do të më jepni makinë, por unë në Shqipëri kam avion dhe fluturoj me avionin tim personal".
Përveç muzikës kishte ndonjë pasion tjetër babai juaj?
Vdiste për peshk. Unë kam gruan nga Saranda dhe babai shkonte në Sarandë, që në gusht e deri në fund të shtatorit e gjuante peshk nga mëngjesi deri në darkë.
Ndihej i vlerësuar babai juaj?
Për kohën që ishim atëherë, në krahasim me popullin dhe masat e gjera, natyrisht ndihej i vlerësuar, por jo tamam ashtu si duhet të vlerësohet një këngëtar i rangut të tij, i rangut botëror. Familja e tij sot ka mbetur pa shtëpi. Familja e një artisti të madh është e pastrehë, sepse i ka dalë pronari dhe nuk e di si do t'i vejë filli. Ja, ky është vlerësimi që ka marrë im atë sot.
Keni menduar të këndoni ndonjëherë këngën e babait tuaj "Për ty atdhe", meqë dhe ju jeni këngëtar lirik?
Jo, unë jam tenor. Nuk jam bariton dhe nuk kam zërin e babait.
Si e kujtoni babain në vitet e fundit të jetës?
Ai i sëmurë ka qenë, por këngën nuk e ka lënë asnjëherë. Ka qenë shumë i sëmurë, por zërin për të kënduar, fuqinë për të dalë në skenë dhe prezencën e kishte.

PASAPORTA

Emri: Mentor
Mbiemri: Xhemali
Viti i lindjes: 1924
Vendlindja: Përmet
1944: Bëhet pjesëtar i Korit të Ushtrisë (më pas i Ansamblit të Ushtrisë)
1955: Nderohet me çmimin e tretë në Festivalin e Varshavës
1956: Interpreton rolin e Shabanit në operetën "Agimi"
1957: Interpreton rolin e Mihës nga opera "Nusja e shitur" Vlerësohet me çmim të dytë në Festivalin e Moskës
1958: Interpreton rolin e Don Bazilios tek "Berberi i Seviljes"
1959: Nderohet me çmim të parë në operën e Vjenës
1961: Interpreton Doktorin tek opera "Lulja e kujtimit" Vlerësohet me çmim të dytë në Festivalin e Rinisë Botërore në Helsinki
1963: Interpreton figurën e ciganit plak nga opera "Aleko"
1965: Interpreton rolin e Sparafuçile në operën "Rigoleto"
1966: Interpreton rolin e Gjinit në operën "Mrika"
1968: Interpreton rolin e Tanush Topisë në operën "Skënderbeu"
1969: Dekorohet me titullin "Artist i Popullit"
1977: Që prej këtij viti fillon të merret gjerësisht me interpretimin e këngës popullore
U nda nga jeta në vitin 1992

Blerina Goce - TO - Qershor 2005