E premte, 29.03.2024, 03:53 PM (GMT)

Sport » Futbolli Shqiptar

Flamurtari fiton Kupën e Shqipërisë

E enjte, 07.05.2009, 07:24 PM


Flamurtari përmbys gjithçka, fiton “in-extremis”

Nga Dorian Agolli

Vlonjatët shënojnë në minutat shtesë, duke bërë të pavlefshëm golin e Dabullës në pjesën e parë

Flamurtari - Tirana 2 : 1
Shënues: Dabulla 43?, Mema 65?, Zeqiri 92?

Flamurtari: Moçka, Paniç, Beqiri, Veliu, Begaj, Kuqi, Çaushaj, Zeqiri, Alvizh (Brajkoviç 71?), Mema, Strati (Shehaj 55?). Trajner: E.Memushi.
Tirana: Nallbani, Osmani (Muzaka 46?), Pezo, Dabulla, Abraham, Muka, Devolli, Patushi (Sefa 79?), Agolli, Xhafa, Memelli. Trajner: A.Kola.
Gjyqtarë: B.Pashaj, E.Doda, D.Rexha (Tiranë)
Kartonë të verdhë: Alvizh

“Radiografia”

3? Veliu shkëputet nga krahu i majtë, kalon në qendër dhe godet fort, por grushton Nallbani.
12? Çaushaj depërton nga e majta e sulmit vlonjat dhe hyn brenda zonës, duke u gjendur përballë Nallbanit, por ka gjuajtur lehtë.
15? Muka harkon në zonë për Memellin, që godet me kokë dhe pret me vështirësi Moçka.
27? Pas një kombinimi midis Çaushaj dhe Stratit, ky i fundit godet fort, por topi ka përfunduar jashtë.
33? Patushi ka dalë i lirë në hyrje të zonës dhe godet fort, por grushton Moçka.
36? Agolli ka dhënë një krosim të saktë brenda zonës për Memellin, por në momentin e gjuajtjes ka ndërhyrë Moçka.
42? Goditje këndi, topi në zonë goditet me kokë nga Dabulla që ngrihet mbi të tjerët, duke e dërguar topin në rrjetë. 1-0 për Tiranën.
44? Nga krahu i majtë i sulmit Çaushaj kroson në zonë për Memën, i cili godet me kokë pranë portës, por topi përfundon mbi tra.
55? Kuqi godet rrezikshëm në hyrje të zonës, por pret në pozicion Nallbani.
56? Agolli kroson saktë për Memellin në zonë, i cili sërish godet fort, por topi i tij kalon përsëri pak mbi tra.
60? Topin e kthyer nga mbrojtja e Flamurtarit e kontrollon Muka në hyrje të zonës, që krejt i lirë godet në pozicion qendror, por topi i tij ka kaluar pak centimetra mbi traun e portës së Moçkës.
65? Nallbani ka lënë portën, por në këtë moment nuk merret vesh me Abrahamin, i cili tenton të largojë topin që përplaset në trupin e njërit prej mbrojtësve, duke u kontrolluar nga Mema, i cili shënon pa problem. Flamurtari barazon në 1-1.
80? Xhafaj ka kaluar me kokë një top për Memellin, i cili godet një predhë të vërtetë, por pret në pozicion Moçka.
92? Zeqiri ka shpërthyer me shpejtësi, duke i shpëtuar mbulimit të mbrojtjes tiranase dhe ka goditur, mposhtet edhe Nallbani. 1-2 për Flamurtarin.

Komenti

Flamurtari e ka merituar plotësisht Kupën e Shqipërisë, duke fituar me rezultatin 2 1 në “Niko Dovana” dhe duke ekzaltuar tifozët e shumtë vlonjatë që kishin ndjekur ekipin. Megjithëse kanë qenë në disavantazh, vlonjatët kanë treguar karakter duke arritur jo vetëm të barazojnë, por edhe të fitojnë ndeshjen brenda 90 minutëshit, më saktë në çastet e fundit të ndeshjes.

Në një ambient festiv të mbushur nga mijëra tifozë të dy ekipeve dhe me banderola gjigante kuqezi, si dhe bardheblu është luajtur kjo ndeshje “fair-play”, ku është dhënë vetëm një karton i verdhë dhe ku gjithçka ka marrë përmasa feste, duke u konkluduar në fund me dhënien e kupës fituesve nga vetë Presidenti i Republikës, Bamir Topi.

Pjesa e parë ka filluar me vlonjatët në sulm, të cilët kanë pasur një rast ideal që në minutat e para, por nuk e kanë shfrytëzuar si duhet. Vlonjatët kërkojnë një gol në këto minuta, por kanë ndeshur në vendosjen e mirë të Tiranës në mbrojtje, që me kalimin e minutave është hedhur gradualisht në sulm, duke fituar terren dhe duke rrezikuar portën e Moçkës, por pa rezultat.

Flamurtari ka filluar të mbyllë mirë hapësirat në mbrojtje dhe tenton të kryejë kundërsulme, por pa sukses, ndërkohë që Tirana nuk ka një mesfushë shumë të lëvizshme dhe luan me topa të gjatë kryesisht me krosimet e Agollit, që Memelli nuk i drejton dot brenda kuadratit me gjuajtjet e tij.

Sulmet e Tiranës nuk arrijnë të finalizohen derisa vijnë çastet e fundit të pjesës së parë, ku Muka ka ekzektuar një goditje këndi, duke krosuar në mënyrë perfekte në zonë dhe atje Dabulla ka kërcyer përmbi të gjithë mbrojtësit vlonjatë, duke shënuar golin e vetëm për ekipin e tij.

Pjesa e dytë ka filluar me Tiranën që mendon të administrojë rezultatin, duke shfaqur pakujdesi në mesfushë e në mbrojtje, ndërkohë që Flamurtari fillon dalëngadalë të krijojë më shumë lëvizshmëri e të rrezikojë me kundërsulme.

Në pjesën e dytë, vlonjatët u dukën më të freskët se tiranasit, që ishin të lexueshëm në veprimet e tyre dhe nuk kishin asnjë element befasie në sulm. Tiranasit rrezikojnë në dy-tri raste, por pa sukses, pasi godasin nga distanca, ndërkohë që vlonjatët në kundërsulmin e parë të rrezikshëm në pjesën e dytë barazojnë rezultatin.

Ka qenë pikërisht gabimi i Nallbanit që ka lënë portën, por edhe i Abrahamit që nuk e ka parë fare daljen e Nallbanit dhe për pasojë gabon në ndërhyrje duke karamboluar një top, i cili është gjendur në këmbët e Memës, që ka pasur punë sa ta shtyjë pak për në rrjetë.

Në këtë moment loja hapet sërish dhe ndizen shpresat e vlonjatëve. Muka tenton goditjet nga distanca fare pa sukses, ndërkohë që Agolli kroson vazhdimisht në zonë, por atje asnjëherë nuk ka sulmues që të godasin saktë. Flamurtari nga ana e tij i gjendur gjithsesi nën trysninë e Tiranës, që luan për shumë minuta në gjysmëfushën vlonjate, kërkon të rrezikojë vetëm me kundërsulme dhe të mbrohet mirë pa lëshaur asnjëherë terren.

Tirana e hedhur në sulm dalëngadalë krijon hapësira prapa, që shfrytëzohen pikërisht në sekondat e fundit të takimit, ku Zeqiri i ka befasuar të gjithë me sprintin e tij, duke hyrë në zonë dhe duke shënuar një gol që u jep kupën vlonjatëve. Kjo ka qenë një goditje vdekjeprurëse, pasi tashmë nuk ka më kohë për asgjë. Flamurtari feston për herë të tretë Kupën e Shqipërisë nën entuziazmin e mijëra tifozëve vlonjatë të pranishëm në stadiumin e Durrësit.

Deklarojnë…

Agustin Kola, trajner i Tiranës: “Flamurtari e meritoi fitoren, sepse besoi deri në fund dhe shfrytëzoi në maksimum gabimet tona. Ne, pas golit që shënuam, nuk arritëm të shënonim edhe golin e sigurisë, ndërkohë që bëmë gabime prapa dhe u ndëshkuam dy herë për pakujdesitë tona.

Gjithsesi, desha të them që mungesa e Lilës u ndje. Pikërisht në drekë ditën e ndeshjes komisioni i disiplinës merr vendim të dënojë Lilën, gjë që ishte fare e paparashikuar për ne, sepse ndodhi vetëm dy orë përpara ndeshjes. Po kështu edhe për Dabullën na u komunikua pak orë përpara ndeshjes që nuk kishte tre kartonë të verdhë. Ishte një lloj çoroditjeje që ndikoi negativisht, por me këtë nuk dua të justifikoj asgjë.”

Të veçanta

Në stadium kanë qenë më shumë se 6 000 tifozë të dy ekipeve.
Në tribunën “VIP” ka qenë i pranishëm Presidenti Bamir Topi, kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, dhe kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, nënkryetari i KLD së Kreshnik Spahiu, deputeti i PS, Blendi Klosi, donatorët e Tiranës, Halili e Ngjela, presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu etj.

Pas mbarimit të takimit, medaljet e fituesve dhe kupën i ka dhënë Presidenti Bamir Topi së bashku me kryebashkiakun Gjika, ndërsa për vendin e dytë u ndanë nga presidenti i FSHF së, Armand Duka.
Pas ceremonisë, Presidenti Topi ka shkuar në shkallët e mbushura me tifozë vlonjatë, të cilët thërrisnin emrin e tij dhe i ka përshëndetur.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora