E marte, 23.04.2024, 04:23 PM (GMT+1)

Faleminderit

Fritz Radovani: ''Festë të madhe ka...Shqipëria'', në zi e në futë u mblue Malësia!...

E merkure, 06.05.2009, 09:49 PM


Don Dedë Malaj
Don Dedë Malaj
“FESTË  TË  MADHE  KA ... SHQIPËRIA”,                 
 NË  ZI  E  NË  FUTË  U  MBLUE   MALËSIA !...

Nga Fritz RADOVANI      

 Ishte një pranverë e bukur ajo e vitit 1959. Gjelbrim dhe bukuri natyre kudo anë e kand Shkodres. Lulja e blinit kundërmonte me aromen e saj krejt Fushën e Çelës. Bulevardi po riparohej nga rrjedhat e ujit në faqatat e mureve të shtëpijave të vjetra, të cilat përditë po ndryshonin pamjen e tyne të lanuna mbasdore. Ndërmarrja komunale e qytetit vazhdonte me orë të zgjatuna lymjen dhe dekorimin e tyne. Shumë ndërtesa nuk ishin prekë me dorë që nga koha kur ishin projektue nga arkitekti i madh Kolë Idromeno. Nuk ishte një punë e lehtë me i ba si të reja ata ndërtime që nuk ishin as lye gati kurr qyshë se ishin ndërtue. Edhe në dyqane u rregulluen vetrinat me drita, shitësit filluen me i mbushë me prodhime e fruta që Shkodres nuk i kanë mungue në asnjë stinë të vitit. Libraria ziente. Sa delnin një palë hynte pala tjetër me ble fotografinë e Nikita S. Hrushovit, të cilën do ta kishte çdo qoshe e skutë, mbasi me 25 Maji ai do të vizitonte Shkodren, dhe flitej se ka me qendrue dy javë këtu në Shqipninë e vogël të “kampit socialist”, e cila shumë shpejtë ka me kenë “një kopësht i lulëzuar” i socializmit. Doli në qarkullim libri “shtojcë” e veprave të Leninit në gjuhë shqipe, ku ishte edhe testamenti i tij, i cili ishte botue në Berlinin e Lindjes. Revista sovjetike “Ogonjok” filloi me pasë pamje nga vendi ynë. Reparti i pikturës së qytetit kishte angazhue të gjithë piktorët që do të shkruenin parullat e “mirëse ardhjës”! Mue më ngarkuen me shkrue parullat në gjuhën ruse, mbasi tjerët nuk i njihnin shkronjat cirilike. Piktori i njohtun Jakup Keraj me një grup tjetër, do të punonte një portret të madh të Hrushovit, mbi 15 ml. që do të vëndosej përballë tribunës qendrore, në Sheshin e Dëshmorve, ku do të mbaheshin fjalimet dhe do të zente pamjen e Xhamisë së Fushës së Çelës, gja e cila i pat ba përshtypje Hrushovit, siç ka tregue përkthyesi, që i ka pasë shpreh çudinë E.Hoxhës, se: “Nuk e kishe mendue kurr vetën të varun në një minare Xhamije!...” Aty vërtetohej thanja se “nuk hin minarja në thes!...”, ajo shihej se shihej...
 Dukej periudhë e qetë, por si gjithmonë në këta raste “ziente kazani...”, mbasi nuk kishte shumë kohë që ishte dënue kulti i Stalinit edhe në Shqipni. Për Jugosllavinë e Titos nuk bahej asnjë fjalë, mbasi pak kohë ma përpara Tito kishte kalue pushimet në Krime...
 Gjipsi i gjeneral Hilmi Seitit, shetiste rrugë pa rrugë mbërthye në të katër anët e qytetit me forcat e Sigurimit të Shtetit, për të sigurue “qetësinë” e qytetit të Shkodres, e cila ishte mbledhë e hy si “coha magjarrit” që në vitët e para të terrorit komunist. Aty këtu flitej se asht ba ndonjë arrestim, por “pa zhurmë”, vetëm sa me na kujtue ne se, “na jemi ata që kemi kenë gjithmonë vigjilent!...” pra, mbyllni mirë gojën me dry se ju gjet e zeza!...
 Prëgatitjet ishin të mëdha dhe me shumë shpenzime, mbasi ishte hera e parë që në Shqipni vinte një udhëheqës i një shteti të madh siç ishte BRSS, ndonse i njohtun prej nesh që kur kishim fillue me marrë mend, mbasi të gjitha ngjarjet tona mbas vitit 1944 lidheshin me BS dhe Stalinin “e madh”. Ndër shkolla dinim shumë ma tepër për BS se për Shqipninë e, asgja për Kosovën apo Hotin e Grudën që kishim pranë ma afër se Tiranën...
 Papritmas, aty nga data 22 Prill 1959 u vëndos në darkë një parullë e madhe, e kuqe kundër fesë në ballin e kinema “Republika” të qytetit dhe shumë shpejtë u përhap lajmi në pjacë për pak minuta. Nuk dinim qellimin e vërtetë të cilin e mësueme po atë natë.
 “Nesër fillon gjyqi i “popullit” kundër Don Dedë Malaj dhe grupit “armik” të Tij”.
 E çka nuk ndigjueme atë natë për këte grup?!... Pak kohë ma përpara ishte dënue po aty edhe Don Ejëll Kovaçi, që u  pushkatue me një grumbull akuzash false e shpifje një vit ma parë, me 10 Nandor 1958, në moshën 38 vjeçare dhe mbas tij Sigurimi komunist kishte prëgatitë gjyqin tjetër, që ishte një “kurban” i komunistëve fanatikë anadollakë për “mikun e shtrenjtë” të popullit shqiptar, që së shpejti do të vizitonte Shqipninë “socialiste”.
 Don Dedën e kam njohtë shumë pak. Në vitin 1957 kam pasë rasën me hangër një drekë në fshatin Trush më Té, prej Don Mark Hasit, në festën e atij fshati. Dijshe, se në atë kohë kur punohej nga shteti për aprovimin e “Statutit të Kishës Katolike Shqiptare”, Don Deda ishte kundërshtar i atij “statuti” të cilin nuk e pat firmue as Ky, as At Konrrad Gjolaj, që ishte i arrestuem me Té dhe, as Don Ejlli që u pushkatue para Tyne. Ishte pikërisht koha kur vdiq daja i em Don Kolec Prennushi, në vitin 1950 dhe, shumë shpejtë në vendin e Tij në Dajç të Bregut të Bunës shkoi famullitar Don Deda.
 At Konrrad Gjolaj, françeskan i vëndosun e i brumosun me një kulturë të gjanë dhe,  me një mendje shumë të mprehtë po, edhe me një memorie të pakrahasueshme arkivore në librin e Tij “Çinarët”, botue në vitin 1997, ka lanë një thesar me vlerë të madhe historike për shumë ngjarje të rëndësishme të Klerit Katolik Shqiptar, nga vitët 1944 e deri në botimin e librit, tue theksue në mënyrë të veçantë skalitjen e figurës së Mësuesit të Tij, Misionarit Don Alfons Tracki dhe shokut e mikut të gjithë jetës së vet Don Dedë Malaj.
 Nuk do të hyj në shpjegime biografike, në hollësi që vërtetojnë kjartë mënyrën sësi Sigurimi komunist, me anën e spijunve të ndytë e të regjun “formoi” këte grup, as ideatorët dhe zbatuesit e platformës së Sigurimit që ishin që nga Enver Hoxha, Kadri Hazbiu, Hilmi Seiti, Xheudet Miloti, Ali Xhunga, Nevzat Haznedari, Hamdi Ulqinaku, Zija Dibra, Çesk Shoshi, Asim Halili, Idriz Seiti, Hekuran Kubazi, Fadil Kraja (oficer), Shyqyri Çoku, Gjon Prennushi, Gjon Jaku, e deri tek Hoxha i Kuçit i vitit 1958 – 59, as tek Lulash Toma e Don Nikoll Troshani etj. që koha i treti në baltat e llomin e padronve të tyne, që i shërbyene për shumë vite tue çue shumë të pafajshëm në tortura shnjerzore, hetuesi, vuejtje e tmere që dita e pushkatimit për Ta ishte ditë e dishrueshme dhe shumë e pritun!
 Një Martirë, vërtetë i tillë i Kishës Katolike Shqiptare kjé edhe Don Dedë Malaj.
 Ka lind në Selcë të Vermoshit, nga prindët Keq e Lula Malaj me 16 Nandor 1917. Studimet e larta i kreu në Romë dhe në vitin 1941 u shugurue meshtar në Gjenacan. Ishte famullitar në Velipojë, Mal të Jushit e së fundi në Dajç të Bregut të Bunës. Dy vëllazën i vdiqën të rinjë, Nikollën e patën pushkatue në ditët e para të marrjes pushtetit komunistat, ndërsa, Frani vdiq në 1948, kur Don Deda ishte i arrestuem herën e parë. Frani la një vajzë të vogël që quhet Drande, të cilën mbas vdekjes së gjyshes Lulë e mori dhe e rriti Don Deda në qelen e Tij. Mbas viti 1959, Drandja mbet pa asnjë njeri të afërt të vetin.
 Me dashtë me përshkrue prejardhjen e Don Dedës dhe trashigiminë e Tij nga malët e ashpra e të thepisuna të Selcës, ahët vigaj të atyne majave e krepave aq të njohtuna dhe të përmenduna në historinë e lavdishme e të shkrueme me gjak malësorësh, ku çdo pritë e ka ndërtue vetë natyra për me i ba ballë anmikut shekullor, ku edhe gjethët e pemve dukën gjithmonë të skuquna nga flaka e luftës që selcanjorët kanë ba pa pushue kurr me armët e Tyne të lavdishme kundër bishave përbindshe turke e sllave, ku Nana Lulë nëpër qumësht i pat mkue djelmëve të Saj sokola e, ma fort se sokola drangoj, trimninë e shijën e barotit pa iu pasë hjekë endè shpërgajt, do të duhëj që unë me guxue me shkrue një “Lahutë të dytë”...
E, kjo nuk mund të bahet prej meje edhe pse në fundin e muejt Prill të 1959, ndigjova me veshtë e mij, tue predikue ma shumë se tue folë një prej Atyne vigajve, që historia do ta daltojnë me shkronjat e veta të arta ndër fletët e prarueme të Heronjve të saj.
 E kush do të më besojë për shka kam ndigjue e po shkruej nga brezi i rinj ?
 E kush nga ne mund të mohojë se Don Dedë Malaj, nuk i tha këto fjalë:
 “Unë jam anmik i komunizmit që në moshën 9 vjeçare, kur kam shkue nxanës tek Don Alfons Tracki, aty mora vesh këte emen dhe nuk kam dashtë me ia ndigjue zanin kurrma, sëpse jam brumosë me ato ide...”
 “Kam vazhdue me kenë anmik deri ditën e arrestimit, mbas asaj ditë nuk jam ma asgja. Nuk kam pasë si me iu dashtë unë ju, se në ditët e para që keni hy në Velipojë, më keni vra vëllanë!...”
Kur prokurori Rrapi Mino, e pyet: “Po, ku, kemi hy ne?”, Don Deda përgjigjet:
– Ju keni hy, se kështu thotë populli për të gjithë ata që nuk i ka dashtë.
– Ju kërkoni me më pushkatue edhe mue vetëm e vetëm se jam prift katolik!
– Kam pritë me shumë andje një Revolucion si ate të 1956 në Hungari, dhe më ka ardhë keq për disfatën e popullit hungarez të pësueme nga tanket sovjetike...
– Bashkimi Sovjetik ka shfrytzue të gjitha demokracitë popullore të Lindjes, mbasi prej tyne ka marrë të gjitha prodhimet tue përfshi edhe metale e minerale, ndërsa, ai atyne edhe ne na çon disa hekura të ndryshkuna, që ba me ia hjekë ngjyrën del se çfarë vjetërsinash na çon edhe këtu, tue fillue me traktora, fabrika e kombinate.
– Bashkimi Sovjetik jo vetëm që nuk na ka falë gja, por na ia kemi pague disa fish vlerën e atyne vjetërsinave...e hekurishtave.
– Përsa i përket dyshimeve të mija për Statutin e Kishës, unë i kam dërgue një letër Vatikanit nëpërmjet të Don Ivo Bozhiq në Jugosllavi, po kje se atë letër ai ia ka dhanë UDB - së jugosllave asht puna e tij, unë nuk i kam shkrue atyne, po Vatikanit, Papës në Romë, se dojshe me ditë se kush i ka aprovue ipeshkvijt që po shuguroheshin në Shqipni, për mos me ra në gabim unë vetë.
Kur prokurori e pyet se çfarë i ke thënë fshatarve për hyrjen në kooperativë? Ai tha:
– I kam thanë hyni e mos kundërshtoni! I kam thanë kështu se, e dijshe mirë sësa miljon vetë ka zhdukë Stalini nga ata që i kanë kundërshtue me hy në kolkoze.
– I kam thanë hyni se këta ju qesin fare, se Enver Hoxha nuk ndryshon aspak prej Stalinit, por shifni punën e mos bani za edhe pse nuk ju paguejnë mundin tuej.
– Fshatarit ju nuk i pagueni as një të dhetën e mundit tij. Ai merr aq pak sa nuk siguron as bukën e fëmijve. Sikur të shpërblehej për djersën e derdhun në punë të kooperativës, ai do të ndërtonte pallate disa katesh e jo kasolla ku jeton sot.
– Ai nuk ha mish kurr vetëm njëherë në vit...edhe nuk di a e ka njëherë në vit!
Prokurori e pyeti nëse ti i ke lejuar për të ngrenë mish edhe ditë premte, pse e bëre këte gjë, përderisa ditën e premte juve ua ndalon feja?
– Sëpse nuk dojshe me i lanë pa hangër mish gjithnjë, mbasi në Shqipni asht përditë e premte, madje, jo e premte, por e Premtja e Zezë...
E, e Premtja e Zezë në Shqipni ka fillue me 29 Nandor 1944 dhe, ka me vazhdue derisa të mbarojë komunizmi!.”.(Dosja 2199. Arkivi M.P.M Tiranë).
 Sigurisht, nga kushdo që lexon këta pak rreshta asht i kuptueshëm përfundimi!...
 Kryetari i gjyqit Mustafa Qilimi, me 27 Prill dha vëndimin për Don Dedë Malaj me vdekje me pushkatim...Kur doli nga salla dhe e hypën në rrimorkjo të një kamjoni, edhe sot kujtoj dy sytë e Tij të skuqun, madje të gjakosun, ku nuk dallohej as bebja e synit të kaltërt!
 Kishte mbetë vetëm një njëri që interesohej për Té, mbesa e vogël jetime Drandja.
 Vetëm Drandja 13 vjeçare do të përpiqej me i shpëtue jetën axhës së vet. Drandën e ndihmuen dy priftën në këte fatkeqsi që ishte, Don Marin Shkurti, ish nxanës i Don Dedës, që në vitin 1969, dhetë vjet mbas Mesuesit të vet u pushkatue edhe Ai, si edhe Don Pjetër Gruda, mik besnik i Don Dedës, që  edhe Ky vdiq në burg në vitin 1989, plot 30 vjet mbas Don Dedës, pak muej pa plotsue dënimin...pra, të tre pësuen një jetë tragjike.
 At Konrrad Gjolaj në librin “Çinarët” fq. 169, e shpjegon kështu:
 “Drandja me ndihmën tyne shkoi në Tiranë me 1 Maji 1959 për me takue Enver Hoxhën. Kje e pamujtun, madje as Haxhi Lleshin, kryetar i Kuvendit Popullor të Shqipnisë.
Mujti me takue sekretarën e tij, Nexhmije Hoxhën, që i takonte me kenë dora vetë.
 Drandja e vogël tue e kujtue vetën para një “gjyshës”, ra në kurthën e asaj që populli e ka quejtë “pantera” dhe, vajza jetime me lot përfaqe i kërkoi faljen e jetës së axhës së vet, tue i shpjegue asaj se nuk ka asnjë njeri në këte botë. Nexhmija iu përgjigj: “Pse t’ia falësh jetën atij, ai është armik i popullit. Ti nuk ke mundësi të interesohesh për te, mëse do e mbash ate?” Drandja, iu përgjigj: “Atë e mban burgu, s’ka gja veç, të jenë i gjallë, aman të lutëm ma ban këte nderë, se nuk kam as nanë as babë, veç këte axhë!...”
 Me datën 9 Maji Drandës i erdhi përgjigja. “Lutja e yte refuzohet”.
 Kjo asht kenë Nexhmije Hoxha!”
 
 Në vitin 1996, në pragun botimit të librit të At Konrradit, bashkë me Té, kemi shkue dhe i kemi ba një vizitë Drandës “së vogël”, në rrugën Canej, në Shkoder, ku Ajo tash banonte me familjen e Saj. Nuk kuptohej a jemi në Selcë apo në Shkoder! Mikpritja e Saj, Ajo dashni aq e madhe e rujtun në kafazin e krahnorit të Asaj Burrneshe, për zëvendsin e denjë të Axhës së vet At Konrradin, që ishte në krye të vendit, një ngrohtësi fjale e bisede me mue që më shihte për të parën herë në konakun e Saj bujar e fisnik, një mënyrë krejt e pashpjegueshme sësi filloi me tregue për kujtimet që ndryente në kujtesën e Saj të freskët për miqësinë e At Konrradit me Axhën e vet, episode vërtetë të ruejtuna në zemër me kujdesin ma të madh, aqsa tronditëse kur i shpjegonte e, papritmas në fëtyren e Drandës “së vogël” tash nanë, filluen ...të rigonin lotët padashjen e Saj si Malësore!
 Ripërsëriti me At Konrradin takimin me Nexhmijen...
 Nuk përdori asnjë fjalë fyese ndaj saj... Në fund e mbylli bisedën me këto fjalë:
 “Po ku mund ta zbutshe unë sa i dromcë bash kulshedrën, që ka veshë me të zeza gjysmën e Shqipnisë?!”. Heshtëm pak minuta...e, derisa u kujtuem ashtu si sot, se:..
 Me datën 11 maji 1959,  Don Dedë Malaj në moshën 42 vjeçare u pushkatue!...
 Plot 50 vjet ma parë!...

 Vëllazën e Motra Bashatdhetarë!
 Ju lutëm, “mos e bani veshin shurdhë!”, thotë populli!
 Shpesh kam pa filmin italian “Don Mateo” me artistin e madh Terenc Hill.
 Kam mendue gjithnjë me vete: A thue do të gjindet në Botë një mundësi që me u ba një film nga Artisti i madh Mr. Terenc Hill, që ka Një Portret, një pamje të kompletueme me të gjitha tiparet e vetitë burrnore e, që ngjason aq shumë me  Don Dedë Malaj, me Atë Meshtarin me veladon e me “atë kapelën republikë me streh të gjanë”?
 Nëse “Don Mateo” asht përsonifikimi i Priftit të kudondodhun me i shërbye Popullit të vet, një film i “Don Dedë Malaj” do t’ishte Madhështia Atdhetare dhe Fetare e një Prifti Shqiptar, që lindi Selca dhe u ngrit në Elterin e Heronjve, se ruejti të pacenueme trimnisht e besnikisht Fenë e Krishtit!
 Ju lutem, ndihmoni në përjetsimin e Atdhetarit trim Don Dedë Malaj!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora