Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Berisha: Kremtojmë më të lehtësuar Ditën e Dëshmorëve, si një vend anëtar i NATO-s

| E marte, 05.05.2009, 06:34 PM |


Nga Saimir Kola
 
Kryeministri Berisha bëri homazhe në varrezat “Dëshmorët e Kombit”, me rastin e 5 Majit, ndërkohë që ishte edhe në familjen e Azem Hajdarit, të cilin e cilësoi si një tribun të përjetshëm të lirisë së shqiptarëve

Me rastin e 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve, Kryeministri Berisha bëri homazhe në varrezat “Dëshmorët e Kombit”. Gjatë ceremonisë zyrtare përkujtimore, Kryeministri Berisha, në shenjë kujtimi dhe respekti të veprës së tyre heroike, vendosi një kurorë me lule pranë monumentit “Nënë Shqipëri”. Kryeministri Berisha, në prononcimin e tij për mediat e pranishme u shpreh se shqiptarët e nderojnë këtë ditë më të lehtësuar se kurrë ndaj të rënëve të tyre, pasi Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, ëndrrën dhe idealin e tyre e ka të sigurt një herë e përgjithmonë. “Sot, është një ditë që çdo shqiptar përulet me nderimin më të madh dhe shpreh mirënjohjen më të thellë ndaj të gjithë atyre që flijuan jetën, rininë dhe çdo gjë të shtrenjtë për lirinë e kombit dhe të vendit. Sot më shumë se kurrë shpirti i tyre shkëlqen dhe rrezaton si ky diell pranveror në zemrën e çdo shqiptari, ndriçon rrugën tonë drejt të ardhmes. Sot, ne shqiptarët e nderojmë këtë ditë më të lehtësuar se kurrë ndaj të rënëve tanë, pasi Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, ëndrrën dhe idealin e tyre, për të cilin ata ranë për t’u bërë të pavdekshëm, e ka të sigurt një herë e përgjithmonë. Edhe një herë shpreh nderimin më të thellë ndaj atyre që ranë për të qenë ne të lirë; ndaj atyre që u flijuan për të pasur ne dinjitetin kombëtar; ndaj atyre që sot shkëlqejnë me shpirtin e tyre dhe ndriçojnë rrugën e kombit. Pra, të gjithë familjeve të tyre, të gjithë familjeve që u mungojnë të afërmit, që u mungojnë fëmijët, që u mungojnë prindërit, sot është një ditë e nderimit të madh të kombit ndaj tyre”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Kryeministri Berisha ishte për vizitë në familjen Hajdari

Më pas, Kryeministri Berisha bëri vizita në familjen e martirit të demokracisë, Azem Hajdari dhe në familjen e zonjës Luftare Ngjela, motra e dëshmorit Shyqyri Buzi dhe heroit të popullit Hiqmet Buzi. Pas vizitës në shtëpinë e të ndjerit Azem Hajdari, Kryeministri Berisha gjatë një prononcimi për mediat, vlerësoi lart figurën dhe kontributin që Azem Hajdari ka dhënë për lirinë dhe dinjitetin e shqiptarëve. “Erdha sot për të nderuar një tribun të lirisë së këtij kombi, Azem Hajdarin, i cili ka bërë më shumë se kushdo tjetër si individ për liritë dhe dinjitetin e shqiptarëve. Vitet në liri shtohen dhe kjo është një gjë mjaft pozitive, por 19 vjet më parë Azem Hajdari u shndërrua në tribunin e lirisë së shqiptarëve. Sa herë i rikthehem asaj periudhe e përfytyroj atë si një lëmsh të zjarrtë që me qindra e qindra takime dhe mitingje vrau frikën e shqiptarëve. Ai, me shembullin e tij personal, i nxori shqiptarët nga kompleksi i tmerrshëm i frikës duke denoncuar atë që ishte për t’u denoncuar; duke i ftuar dhe duke i thirrur ata që të ndjeheshin të lirë; duke i ftuar që të bashkoheshin në vullnetin për të përmbysur diktaturën që aq shumë i kishte shtypur, varfëruar dhe depersonalizuar. Sot është ditë nderimi shumë e madhe për Azem Hajdarin dhe veprën e tij”, u shpreh Kryeministri Berisha. Në varrezat e Dëshmorëve të Kombit si dhe në familjen e Azem Hajdarit, ka kryer sot një vizitë edhe presidenti i Republikës, z.Bamir Topi

G. 55