E enjte, 28.03.2024, 01:55 PM (GMT)

Mendime

Mërgim Korça: Një analizë e pazakontë (Ardian Vehbiu: Mos m'u mallëngjeni kaq shumë me malësinë)

E premte, 10.07.2020, 07:44 PM


Mos m'u mallëngjeni kaq shumë me malësinë

Shkruar nga: Xha xhai

Këtij romantizmi i ka dalë boja të paktën që në vakt të Migjenit.
Malësia shqiptare kur nuk është mit në koka të fantaksurish, është e prapambetur për vdekje.
Kur nuk i shpifet imazhi nga faqet e zverdhura të poemave, është e krimbur në mjerim, në sëmundje, në agoni, në autizëm, në kurvni, në jetërsim. Fëmijët i rriten pa brekë e me buzë që u kalben nga qyrret. Se familja e fëmija nuk mbahen me folklor, as me traditë; dhe punë e para në malësi nuk ka.
Herën e fundit që kam qenë atje (në Dardhë të Fierzës), na u bllokua makina në rrugë nga bora e madhe e na shpunë për të fjetur në një shtëpi ku kishin VETËM NJË GOTË për të pirë ujë. Vetë shtëpia mbante erë cjap, megjithë një pirografi të Skënderbeut që kishin varur në mur me gozhdë dhe me veprën 7 ose 12 të Enver Hoxhës shtrembëruar e tëra në sergjen nga lagështia.
Apo malësori e shuan etjen në gurrat e bjeshkës, prandaj s’ka nevojë për gotë?
Malësia nuk po jeton dot pa injeksione, ndihma, lëmosha, subvencione, bamirësira, paterica, injeksione, serume, rimorkjime, lecka të përdorura, fondacione, kamiona me bukë, helikopterë që t’ia hedhin thasët e miellit nga lart.
Malësia është në agoni, ju i thurni vargje! Turp!
Është një rezervuar i trishtuar superpopullimi, ose qyqarësh mëngëngrënë e dhëmbërënë që marrin teposhtë me trasta në krah për të kolonizuar djerrinat e rrethinave qyteteve të fushës.
Përsëri: mos më përmendni hidrocentralet dhe minierat. Hidrocentralet dhe minierat i shfrytëzojnë ata që i ndërtojnë. Kur ngriheshin këto, malësorët i këndonin me gifteli e lahutë Kukësit të Ri dhe majës së shpatës së bacë Enverit.
Malësia sot nuk luan kurrfarë roli pozitiv në jetën e shtetit shqiptar, përveçse të shkaktojë dhimbje si plagë e hapur, e molepsur, rrjedhëse, e gangrenizuar. Është kaq mbrapa, sa njerëzit atje gjithnjë më kanë lënë përshtypjen se as konceptin e shtetit e kuptojnë dot plotësisht.
Kanuni po e shkatërron edhe më keq se ç’është e shkatërruar, ju ia duartrokitni kullat, ngujimet, përbetimet!
Kur ikin që andej, njerëzit vijnë e çelen. Gjejnë punë, mbledhin ndonjë kacidhe, blejnë një veturë shkatërraqe, pijnë me vëllezër e probatinë të dielave. Brezat e dytë dhe të tretë të malësorëve lindur larg malit qytetërohen për bukuri, stërhollohen, zbukurohen. E keqja nuk është në genet, por në antropologjinë e mbrapshtë që u imponon bjeshka.
Shteti ka disa detyrime të mëdha ndaj malësisë. Kryesori është të ndërtojë një rrugë që t’i bjerë mes për mes, që t’u shkojë pak dritë qytetërimi. Malësorët vetë nuk e bëjnë dot, as dinë ta bëjnë, as kanë para të investojnë, as e kuptojnë mirë se u duhet. Kur të hapet rruga, edhe ai plaku i fjalimit do të bjerë në Tiranë dhe do t’i lypë Edi Ramës një bythë tokë në zgrip të qytetit, për ta rrethuar me teneqe me vrima e për ta shpallur banesë (por jo kullë).
Malësia ka halle të mëdha, për të cilat më dhimbset. Por entuziazmi i të gjithë atyre që ia shohin malësorët si mishërim krenar të heronjve të Fishtës përnjimend më neverit.

Një analizë e pazakontë

( e gjith’aq e pakëndëshme )

Shkruar nga:  Mërgim Korça

Kam ditë që matem të ulem e t’a analizoj shkrimin që u bë shtysa të ulem edhe të replikoj. E kuptoj që gjykimi i parë që do të jepej, dhe me shumë të drejtë, do të qe : ... me siguri stépja të ka ardhur nga personaliteti i autorit të shkrimit ... Jo, sinqerisht jo. Stepja erdhi jo vetëm nga keqardhja që ndjeva për autorin e atyre radhëve, i cili kësisoji e radhit veten, pa e kuptuar, në të njajtin nivel me keqdashësit më të egër ndaj Shqipërisë, por nga ana tjetër me që njihem edhe me prindët e tij. E të dyja këto arësye së bashku, më stepën deri më sot.
Detyrohem t’a pohoj se mbrapa pseudonimit Xha xhai qëndron z. Ardian Vehbiu të cilit nuk i përgjigjem dot pa e ditur lexuesi se kush është autori i atij shkrimi. Zoti Vehbiu është padyshim një personalitet në fushën e tij të letrave si edhe të studimeve gjuhësore. Si analist na ka dhënë nganjëherë analiza, mund të them me plot gojën, vërtet të vyera. Mirëpo krahas shkrimeve, analizave si edhe studimeve me përmbajtje të lartë shkencore, tek ç’ka ka hedhur ai në letër, gjejmë edhe mendime, konsiderata si edhe idera kaq absurde për një intelektual shqiptar sa që ... më ngrin fjala në gojë !   Rrekjen time për gjetjen e kreut të fillit atij lëmshi aq të ngatërruar psikologjikisht siç është truri i z.Ardian Vehbiu, unë e gjej tek ajo ideja fikse e tij ... mos më pyesni pse, nuk më pëlqen Fishta ... kur nuk i shpifet imazhi (Malësísë- M.K.) nga faqet e zverdhura të poemave ... malësorët si mishërim krenar të heronjve të Fishtës ... si poet Fishta sinqerisht më mërzit ..
Ose kur i zihet në gojë se si Prof. Eqrem Çabej ishte shprehur botërisht se ... Lahuta e Malcisë është vepër arti e plotë, e përsosur dhe e përkryer në vetvete, z.A.Vehbiu shprehet ... estetikisht edhe Çabejt i kishte mbetur ora në Vienën romantike të shekullit të XX-të ...
E kësisoji keqardhja e ime për z.Vehbiu, nisur nga konsiderata që ruaj për të,  detyrimisht më shtyu t’a analizoj këtë qëndrim të tijin dhe të dëshiroja sinqerisht t’a gjeja burimin jashtë personit të tij.
Z.Vehbiu, si të gjithë njerëzit e kësaj toke, e ka filluar parabolën e tij jetësore mbi tokë si bashkësí genesh të trashëgimísë prindore. Mirëpo në formimin e njeriut një vënd të rëndësishëm dhe ndikimplotë ka patjetër edhe mjedisi ku njeriu lindet, rritet, edukohet, mësohet e dora dorës edhe zhvillohet. Pikërisht në këtë drejtim dua t’a gjurmoj edhe ngjizjen shpirtrore të z.Vehbiu ku mjedisi e ka lojtur atë rol skajshmërisht negativ, rezultat i të cilit është tashti ky njeri i cili flet me përçmim për Fishtën, e shikon me neveritje malësorin tonë, mban qëndrim kritik ndaj servilizmit mjeran që diktatura i a imponoi atij fatkeqi, e konsideron Kanunin fatkeqësínë e Malësísë, mikpritjen e fukarait të fukarenjëve e përçmon dhe e përflet, etj.etj. Me pak fjalë, tek “sindromi“Vehbiu”, jam i prirur të mundohem t’a gjurmoj pafajshmërín’e vetë pacientit.
Përgjatë këtij konteksti dua të bëj një krahasim ku, ndikimi i mjedisit , duket qartë se sa i madh ka qenë. I ndjeri im Atë më detyronte të studjoja jashtë detyrave shkollore, vargjet e Fishtës së madh si fjala vjen Ded Gjolulin, Konferencën e Londonit, Te Ura e Rrzhanicës, etj. Bilé më pati kërkuar të bëja një analizë nga këndvështrimi patriotik e të krahasoja “Cubat” e Fishtës me “Cubat” e Schillerit. Kjo gjë ësht’e qartë nuk kish se si të ngjiste tek z.Vehbiu. Atij mund t’i jetë dhënë p.sh. t’a studjojë e t’a komentojë nga ana patriotike veprën e sh.Enver për figurën e “Haxhi Qamilit”. Dhe studjuesi e analisti i ardhëshëm, edhe po të kishte ndonjë mendim jo mirëdashës ndaj asaj figure, doemos edhe në rrethin e tij të ngushtë detyrohej t’a fshihte atë rebelim shpirtëror ! E kështu, me kalimin e viteve, trysnía e mjedisit filloi edhe ndikoi dukshëm, patjetër, në zhvillimin e tij intelektual.
Zoti A.Vehbiu, gjatë periudhës diktaturës, u formua intelektualisht si edhe u brumos në mjedisin e ngushtë edhe në atë shoqëror me urrejtjen klasore. Ky formim i njëanshëm, mbase nuk do t’ia kishte deformuar aq shumë nënvetëdijen e tij. E keqja më e madhe do të kishte qenë se sot do të kishim të bënim me një intelektual por ... të indoktrinuar. Sa për një paralelizëm, unë e njoh e kam edhe një farë muhabeti me një person i cili mban titullin dr.shkencash, është njeri që ka patur një farë pozite relativisht të lartë në administratën e diktaturës, por edhe atëherë ka qenë njeri që prirej nga logjika dhe drejtësía dhe i mënjanohej dukshëm zbatimit të verbër të luftës së klasave. Aq sa, në ato kushte, ai konsiderohej edhe si një farë disidenti. Kurse sot, po të hysh në biseda me të, ai i pranon si faje pushkatimet masive të viteve të para mbas fundvitit 1944. Pranon si tradhëtí dorëzimin gjunjas, fillimisht Jugosllavisë e pastaj edhe të tjerëve. Sistemin e ekonomisë së përqëndruar nga shteti e quan me pasoja fatale për vëndin tonë. Por, po erdhi puna tek personi E.Hoxhës ... prishesh me të ! E ka idhull ! Kështu do të kishte qenë puna edhe me z.A.Vehbiu. Por e keqja është që mbasi u edukua në mjedisin e ngushtë si edhe në shoqëri me edukatën komuniste, si djalë i aftë dhe me dhuntí intelektuale natyrore, duke qenë edhe i besuar politikisht, u dërgua të specializohej në Itali. Dhe atje ndodhi edhe e pabëra.
Edhe në Institutet italiane binte ajo pika e cila e çpon gurin, por binte nga kahja e kundërt me atë përgjatë së cilës binte kur A.Vehbiu jetonte në Shqipëri. Cila qe pasoja ? Në Itali, ku mendimi çfaqej pa frikën se jo vetëm ti që e pëson por edhe e gjithë familja edhe rrethi yt, erdhi edhe u ngjiz hibridi  intelektual Ardian Vehbiu ! Kur ai u kthye nga Italia, ishte e qartë se nën ç’trysní psikologjike e ndjente veten i ziu. Të menduarit e lirë, (pa le gjëndjen ekonomike të krahasuar me atë të Shqipërisë nën diktaturë), intelektuali ynë donte t’a thoshte me zë të lartë, por e kuptonte se ç’e priste. E kësisoji së rishmi u struk edhe u rrudh. Por edhe kjo periudhë nuk është se nuk i ka lënë gjurmët e saja në nënvetëdijen e tij. E pastaj edhe goditja fatale : ardhja në Amerikë, vëndi i lirive skajore (doemos brënda ligjeve). Këtu ndërgjegja e tij si duket e pësoi edhe goditjen e fundme dhe z.Vehbiu, pa e kuptuar, është transformuar në një chimera psikologjike në rastin e tij, (ku chimera qenë quajtur krijesat mitike në Greqin’e Lashtë si rezultat ngjizjeje njeriu me kafshë ose kafshë të ndryshëme mes njeratjetrës, ëndrra e klonimeve shkencore sot).
Vetëm kjo fatkeqësí e tija, të qënit i përkëdhelur nga regjimi komunist përgjatë diktaturës, kam bindjen se e solli në këtë pikë ku krahas shkrimeve bazuar në logjikë rigoroze, i shkasin nga pena edhe shkrime si i mësipërmi që paraqitëm.

I bëjmë tashti një analizë të shkurtër shkrimit të z.Ardian Vehbiu
“Mos m’u mallëngjeni kaq shumë me malësinë”
Në shkrim lexojmë ... Kur nuk i shpifet imazhi nga faqet e zverdhura të poemave, është e krimbur (Malësia-M.K.) në mjerim, në sëmundje, në agoní, në autizëm, në kurvní, në jetërsim. Fëmijët i rriten pa brekë e me buzë që u kalben nga qyrret. Se familja e fëmija nuk mbahen me folklor, as me traditë; dhe punë e pará në malësi nuk ka ...
Unë këtu shquaj shpërthimin e egër të fjalës së lirë, por ... me shumë dhjetëvjeçarë vonesë ! Përgjatë diktaturës z.Vehbiu as guxonte të mendonte, pa le të shprehej kësisoji. Kurse tashti, ashtu natyrshëm, i del në sipërfaqe ajo e vërtetë paçka se dëndur e deformuar. Kush veç diktaturës është fajtore që për gjysëm shekulli e la Malësinë pa një rrugë, (siç e ze në gojë z.Vehbiu), edhe ato troje të punueshme që fshatari ia kishte rrëmbyer malit duke i mbajtur me ledhe gurësh, kush me dhunë i kooperativizoi ? Kush i pushkatoi ose i burgosi ata qyqarë që ishin më punëtorët e fshatit duke i quajtur kulakë, e në krye të punëve vuri më dembelët e më servilët ? Pikërisht me atë paragraf z.Vehbiut nga njera anë i del në sipërfaqe ndjenja e tij atavike e ndrydhur me servilizëm brënda vetes gjatë dhjetëvjeçarëve, dhe nga ana tjetër doemos atje pasqyrohet edhe ajo pika që çpon gurin se si e kanë përpunuar për dhjetëvjeçarë të tërë z.Vehbiu duke ia neveritur Fishtën. Po ky arsyetim qëndron edhe për pohimin e tij : Malësia është në agoni, ju i thurni vargje ! Turp !
Arsyetojmë rreth kalimit tjetër ku autori shprehet ... malësorët i këndonin me çiftelí e lahutë Kukësit të Ri dhe majës së shpatës së bacë Enverit. Me këtë pohim agresiv të autorit, por i kundruar si i trishtë nga ana e ime, unë shoh revoltën e anës së ngjizur në perëndim të autorit shkrimit, ku pjesa e trurit të tij që u njësua me lirin’e mendimit si edhe të fjalës në perëndim, revoltohet ndaj qëndrimit servil të rapsodit popullor. E njejta gjë ngjet edhe me atë përçmim që shpreh ai lidhur me servilizmin e malësorit i cili e kish të shtrëmbëruar në sergjen njerën nga “veprat” e diktatorit, (e cila i kujton atij serin’e plotë të veprave që zbukuronin raftet e bibliotekës së tij personale në shtëpi e ndaj të cilave mbase edhe asokohe ai kishte përçmim). Por sot i lirë, shpreh atë që dikur nuk e bënte dot ! Kurse ana e trurit të tij e cila heshti dhe vetëm heshti, duke përfituar nga të mirat që si rrjedhojë ia dhuroi sistemi për blatimin e tij besnik ndaj sistemit ... edhe tashti nuk ka se si të mos heshtë.
E quan autori Malësinë ... shkaktare të dhimbjes si plagë e hapur, e molepsur, rrjedhëse, e gangrenizuar. E mua më duket sikur më vijnë nga Éteri valë – valë në mëndje, këngët partizane që këndoheshin në Shkodrën e porsaçliruar : Ot Bregmata do Kotora to je zemla Cernagora ... (nga Kotorri deri në Bregmatë është tokë malazeze). Kjo ishte edukata internacionaliste, atavizëm simbolik i cili e ka saturuar trurin hibrid të z.Vehbiu. Kjo trysní e fortë përgjatë diktaturës, patjetër i ka lënë gjurmët e saja, se derisa ai Malësinë e quan gangrenë, dihet se gjymtyrët e gangrenizuara amputohen (priten) ! E kjo mendësí e rrënjosur thellë në pjesën me edukatë komuniste të trurit të z.A.Vehbiu, çon pastaj edhe në pohimin mbyllës të shkrimit të tij ku pohon se ... neveritem nga ata që malësorët i shohin si mishërim krenar i heronjëve të Fishtës !
Si e shoh unë pra këtë shkrim të z.Vehbiu ? Dy anët opozitare të hibridit të tij, herë pas here krijojnë shtjella të tilla të fuqishme në nënvetëdijen e tij sa që lindin tufane që, po të zgjasin shumë, lenë pas vetëm shkatërrime. Në këtë rast tufani la mbrapa vetëm dy faqe letër të cilat kam bindjen nuk janë pasqyra e vërtetë e të menduarit të z.Ardian Vehbiu !
I mbyll këto radhë me shpresën e madhe që sidoqoftë, me kalimin e kohës, pjesa me formim perëndimor civil dhe demokratik e zotit Ardian Vehbiu do të mbizotërojë dhe ai mos t’u bjerë më këtyre kambanave përçarëse të kombit tonë ! Mjaft na përçan’e vazhdojnë të na sakatojnë armiqtë e huaj!

Zemra Shqiptare, 04.08.2007



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora