E marte, 07.04.2020, 03:49 AM (GMT+1)

Komente

Alfred Papuçiu: Stabiliteti në Ballkan dhe Evropa Juglindore

E marte, 05.05.2009, 08:15 PM


Stabiliteti në Ballkan dhe Evropa Juglindore

Nga Alfred Papuçiu

Në radhë të parë desha të falenderoj Zotin Jayantha Dhanapala dhe Serge Sur, respektivisht Drejtor dhe Nën-drejtor të UNIDIR-it, si dhe sekretariatin e Fondacionit Helenik për Mbrojtjen dhe Politikën e jashtme që ka ftuan në Rhodes, në ishullin më nadh të Dodekanezit që të kujton jo vetëm një vend ideal për pushime, kulturë, por gjithashtu një vend për t'u mbledhur  në një konferencë të tillë të rëndësishme si "Sigurimi evropian në vitet 90-të: problemet e Evropës jugore". Gjatë shekujve, historia ka dëshmuar se Rhodes ka qënë shpesh herë i shkatërruar dhe i grabitur nga pushtuesit. Por "kryeqyteti i Evropës" si e cilësojnë miqtë tanë mikpritës grekë ka rezistuar dhe është kthyer në një qendër të madhe politike, tregtare, turistike dhe nga historia e saj na jep një shembull të bashkëpunimit që ne mund ta rrisim sëbashku, qoftë kjo nga vetë vendet e Ballkanit apo jashtë Ballkanit.  

Meqënëse kemi ardhur këtu me cilësi individuale dhe jo si përfaqësues zyrtarë të vendeve të ndryshme apo organizmave ndërkombëtare, më lejoni të them disa fjalë për temën e paraqitur, duke shprehur pikpamjet e mija personale, në kuadrin e diskutimit të përgjithshëm.     
 Do të doja të theksoja se nisma e UNIDIR-it dhe e ELIAMEP është shumë e volitëshme në këtë kuptim: zhvillimi i situatës në fushën e sigurimit ndërkombëtar në planin botëror, por gjithashtu rajonal është shumë i shpejtë. Duke patur parasysh ngjarjet e fundit të ndodhura në Evropën Lindore dhe në perspektivën e ndryshimeve të reja demokratike që do të kenë ndikime në nivelin e vendeve dhe rajoneve të tëra, është me të vërtetë e domosdoshme të shihet situata në Ballkan. Historia ka dëshmuar se Ballkani ka vuajtur nga dy luftra botërore, nga të cilat të gjitha vendet ballkanike kanë vuajtur shumë. Gjithashtu a nuk ka treguar ajo se siguria e vërtetë dhe e qëndrueshme në Evropë nuk mund të vendoset dhe të sigurohet pa qënë real sigurimi i Ballkanit ? Por ky sigurim do të ishte jo i plotë dhe i brishtë nëse duan ta realizojnë vetëm në fushën ushtarake, pa e mbështetur fuqimisht në raporte të qëndrueshme. Ne jemi mbledhur këtu për të dhënë sëbashku një kontribut, për t'i dhënë fund njëherë e përgjithmonë asaj që dëgjojmë shpesh në gazeta "ballkanizimit", për të na treguar se jetojmë në një zonë të pasigurt. Janë realizuar përparime të rëndësishme dhe vendet ballkanike janë angazhuar të punojnë me të gjitha forcat në drejtim të paqes dhe të mirëkuptimit në Evropën Juglindore. Optimizmi që lulëzon pak e nga pak kudo duhet të bëhet një realitet dhe mendimet e avancuara duhet të favorizojnë stabilitetin në Ballkan. Problemet që përballon Evropa ballkanike, si e cilëson një dokument i Institutit me prestigj të Kombeve të Bashkuara për punën kërkimore mbi Carmatimin (UNIDIR) janë të mëdha: duke filluar nga problemet e minoriteteve, të kufijve, të tensioneve dhe të mosmarrëveshjeve ndëretnike dypalëshe, të mjedisit, por sidomos, nga pikpamja e sigurimit, të problemeve të zhvillimit ekonomik. Sidomos ky problem që preokupon qysh prej kohësh Evropën jugore- një zonë kontakti dhe kooperimi me gjithë Evropën dhe botën, provokon migracione, tensione dhe ndoshta rrezikun e një lufte. Për këtë përpjekjet që janë bërë gjatë mbledhjeve të ministrave të jashtëm të vendeve të Ballkanit dëshmojnë për domosdoshmërinë jo vetëm të shkëmbimeve të pikpamjeve, si këtu në Rhodes, por gjithashtu të hapave konkrete që duhen ndërmarrë. Kjo mund të realizohej jo vetëm me anën e mbledhjeve të këtyre ministrave, ose të funksionarëve të lartë, respektivisht në kryeqytetet e tyre për problemet e sigurimit, por sidomos gjithashtu për të nxitur kooperimin ekonomik dhe në fushën e mjedisit. Përveç Konferencës për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë, Këshillit të Evropës, nismat e kooperimit multilateral në kuadrin e Pentagonales etj,. duhet të zgjerohen. Personalisht, mendoj se ne duhet të përdorim gjithashtu UNIDIR-in në Gjenevë dhe organizma të tjera të kooperimit rajonal që do të kenë një peshë gjithmonë e më të rëndësishme në ndërtimin e një Evrope të re. Mendoj se UNIDIR-i mund të organizojë mbledhje periodike, jo vetëm në këtë vend të bukur, mikpritës si është Greqia, por gjithashtu në vende të tjera, si edhe në Gjenevë, në të ardhmen. Mendoj se një nga organizmat rajonale të përshtatshëm për organizimin e veprimtarive të tilla është edhe Komisioni Ekonomik i OKB-së për Evropën. Nga përvoja ime personale, jam i bindur se ka mundësi të mëdha kooperimi në kuadrin e sigurimit evropian dhe sidomos për të zgjidhur problemet ekonomike të vendeve të Ballkanit apo të Evropës juglindore. Komisioni Ekonomik për Evropën përfaqëson një organizëm ku të gjashtë vendet e Ballkanit mund të kooperojnë dhe të përfitojnë nga asistenca e tij. Pse? Mund të realizohen projekte në fushën e ekonomisë, të tregtisë, të energjisë dhe të mjedisit, disa nga fushat midis të shumtave që mbulon KEE. Dhe që paraqesin interes për vendet e Evropës juglindore. Tashmë është një përvojë e frytshme në ndërlidhjen e rrjeteve të elektricitetit të vendeve ballkanike. 
Ne jemi mbledhur këtu si ekspertë, por në një mënyrë që çdonjeri i njeh më mirë problemet e vendit nga vjen dhe përpjekjet që duhen bërë për të zgjedhur mekanizmat ndërkombëtare që mund të sigurojnë një organizim të përbashkët të përpjekjeve. Meqë KEE si organizëm i OKB-së, mblidhet rregullisht në Gjenevë, përfaqësuesit e vendeve ballkanike, por edhe të vendeve të tjera evropiane.,etj që kooperojnë me Evropën Juglindore, mundet, që me anën e Komisionit, të organizojnë mbledhje periodike me qëllim që të realizojnë projekte që mund të përfitonin nga ndihma e KEE, PNUD-it, por gjithashtu të vendeve donatore, të interesuara që të nxisin tregtinë, kooperimin në fushën e energjisë, mjedisit, turizmit, etj. Për Evropën Juglindore shtrohen probleme shumë të vështira, siç janë problemet e pasigurisë politike ose ushtarake, por sidomos ekonomike. Këto vende janë më të varfëra në krahasim me vendet e tjera evropiane: akoma ekziston njëfarë proteksionizmi ndaj këtyre vendeve në shkëmbimet tregtare rajonale. Këto vende nuk kanë të njëjtin nivel jetese me pjesën tjetër të Evropës. Ndërkaq nuk do të ishte e drejtë që të mendoje se mund të realizohet sigurimi evropian pa marrë parasysh sigurimin e Evropës Juglindore. Historia dëshmon se nëse ka shumë probleme të minoriteteve, të pasigurisë politike, të kalimit drejt demokracisë me sadopak dhimbje, ky është një refleks i mungesës së zhvillimit ekonomik të domosdoshmëm të këtyre vendeve. Prandaj, në vend që të harxhohen shuma kolosale për të vrarë njerëzit, në vend që të prodhohen armë të reja klasike më të sofistikuara që përodren aktualisht bile edhe në vende të tilla që kanë pranuar Kartën e Helsinkit, duket menduar për paqen sociale, ekonomike, për t’i dhënë fund ndotjes së mjedisit që shkatërron në mënyrë të çfrenuar brigjet tona, pyjet tona, qytetet dhe fshatrat tona të bukur, viset tona mesdhetare. Unë jam i të njëjtit mendim të shprehur këtu nga ambasadori Todor Ditchev kur u shpreh : “ Ne kemi një prioritet. Ne duhet të ecim përpara në fushën teknologjike, energjetike, dhe jo ushtarake ”.

Falenderoj edhe njëherë UNIDIR-in dhe ELIAMEP që na dhanë mundësi të shkëmbejmë mendimet tona, si edhe të përpiqemi të gjejmë në gjuhë të përbashkët dhe të heqim dorë nga disa klishe të së kaluarës dhe nga mëritë e kohës së luftës së ftohtë. Ne duhet të veprojmë me një ndjejnë të lartë përgjegjësie jo vetëm për të mundur që t’u bëjmë ballë problemeve shumë preokupuese të aktualitetit, por gjithashtu për të bërë detyrën tonë ndaj brezave të ardhëshëm, për të mos u lënë atyre probleme të vështira për t’u zgjidhur për shkak të akumulimit të gabimeve dhe të hapave të gabuar të politikës së sotme. 

Botuar tek “ Un publications : “ Actes de la Conférence de Rhodes ”(1991) : “ Les problèmes des pays du Sud-Est de l’Europe ”. Genève 1991.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT