E enjte, 25.04.2024, 05:55 PM (GMT+1)

Faleminderit

Akademi për Dëshmorin Gjergj Sokoli dhe martirët e Mejës?

E marte, 05.05.2009, 11:00 PM


Dorëzimi i medaljes ''Adem Jashari'' bashkëshortes së Gjergjit, Ages dhe të birit, Kreshnikut
Dorëzimi i medaljes ''Adem Jashari'' bashkëshortes së Gjergjit, Ages dhe të birit, Kreshnikut

FJALA E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, DR. FATMIR SEJDIU, NË DHJETËVJETORIN E RËNIES SË DËSHMORIT GJERGJ SOKOLI  

E nderuara familje Sokoli, I nderuar zëvendëskryeministër i Qeverisë së Kosovës, z. Ramë Manaj, Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, I nderuar kryetar i Komunës së Prishtinës, z. Isa Mustafa, Të nderuar pjesëmarrës, Zonja dhe zotërinj,  

I.
Pranvera e vitit 1999 ka qenë pa dyshim më e rënda në historinë e Kosovës. Duke e parë se shekullit të sundimit të saj okupues në Kosovë po i vinte fundi, Serbia filloi përpjekjen e fundit për ta zhbërë Kosovën dhe popullin e saj shumicë. Me strategjinë e shndërrimit të Kosovës në tokë  të djegur, Serbia kreu krime të tmerrshme kundër njerëzimit, dogji e shkretoi qindra-mija shtëpi, shkolla e objekte të kultit dhe dëboi afër një milion shqiptarë nga vatrat e tyre.
Si në çdo tragjedi tjetër, edhe në tragjedinë e Kosovës të pranverës së vitit ’99, pati shumë ngjarje të cilat e tronditën ndërgjegjen njerëzore të botës së civilizuar, sepse përmasa e jehonës së tyre kapërcen çdo kufi kohe e hapësire. Pa dyshim, e tillë ka qenë edhe masakra e Mejës e prillit të atij viti, ku forcat serbe vranë dhe masakruan rreth 500 civilë shqiptarë. Në ato ditë të rënda u vra edhe Gjergj Sokoli, aktivist politik, deputet dhe luftëtar i luftës së fundit të Kosovës për liri e pavarësi.

II.
Ndonëse ishte vëllai i vetëm i tetë motrave dhe baba  i katër fëmijëve, Gjergji nuk e ndali asnjëherë veprimtarinë e tij. Si njëri ndër aktivistët më të shquar në rrethinën e Gjakovës dhe në nivel të Kosovës që nga fillimi i viteve ’90, në zgjedhjet e dyta nacionale, më 1998, ai u zgjodh deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Njëkohësisht, ishte edhe anëtar i Komisionit Parlamentar për Çështje Kushtetuese.
Pra, Gjergji kontribuoi në ndërtimin e institucioneve shtetërore të vendit tonë. Pikërisht për shkak të veprimtarisë së tij kombëtare e shtetërore, regjimi serb vazhdimisht e keqtrajtoi, e burgosi dhe e përndoqi. Por, vuajtjet nuk e demoralizuan Gjergji asnjëherë. Përkundrazi, ai e intensifikoi angazhimin e tij me të shpërthyer lufta në Drenicë; u mobilizua në mesin e aktivistëve që ndihmonin për evakuimin dhe strehimin e popullsisë së përndjekur dhe bashkë me aktivistët e tjerë, mbante bashkëpunim të vazhdueshëm me ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zona të ndryshme të luftimeve.
Kur  filluan sulmet e NATO-s, Gjergj Sokoli ndodhej në mesin e ushtarëve të UÇK-së në regjionin e Rekës së Keqe, ndërsa familja e tij ishte përndjekur bashkë me banorët tjerë të Rekës së Keqe përtej kufirit.
Vrasësit e Gjergjit u përpoqën ta fshehin krimin, por, pas luftës, Tribunali i Hagës e zhvarrosi trupin e Gjergjit dhe e dërgoi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Rahovec, ku pas analizës së testit të ADN-së u bë identifikimi i tij.

III.
Të nderuar pjesëmarrës të kësaj akademie përkujtimore,
Të nderuara familje të dëshmorëve,
Zonja dhe zotërinj,

Gjergj Sokoli gjithë jetën dhe veprën politike, shtetërore dhe luftarake ia kushtoi lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ai punoi edhe në fushën e solidaritetit midis qytetarëve tanë, si njëri nga dimensionet më njerëzore të vendit tonë. U dallua me fjalën e urtë edhe në pajtimin e ngatërresave dhe gjaqeve. Shkurt, Gjergji ishte një njeri që me vullnet dhe me vetëdije të plotë iu fal atdheut të tij për të cilin sakrifikoi edhe jetën.
Në pesëvjetorin e rënies së Gjergj Sokolit, Presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova theksonte: “Ai u vra nga armiku në ditët kur miqtë tanë të udhëhequr nga SHBA u vunë në mbrojtje të vendit tonë. Ai i pa shkëndijat e lirisë, që u kurorëzua më 12 qershor të vitit 1999, me hyrjen e NATO-s në Kosovë. Pra, Ai ndërroi jetë me shpirt të lehtësuar, sepse e shihte agun e lirisë. Ky është fati i burrave trima, siç ishte Gjergj Sokoli. Ata gjithmonë sjellin fat dhe lumturi për brezat që vijnë pas tyre”.

Duke pasur si motivacion shëmbëlltyrën e Gjergj Sokolit, veprimtarinë e tij të pareshtur politike e kombëtare, si dhe trimërinë e treguar në luftën e fundit për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në bazë të kompetencave që kam si President i vendit, kam marrë vendim që Gjergj Sokolin ta dekoroj më Medaljen “Luftëtar i Lirisë - Adem Jashari”.

Zoti e bekoftë Gjergj Sokolin.
Zoti e bekoftë Familjen Sokoli.
Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe miqtë e saj.

Babai i Gjergjit, Pjetër Sokoli dhe Fatmir Sejdiu
Babai i Gjergjit, Pjetër Sokoli dhe Fatmir Sejdiu

 
______________


Sejdiu: Pa u zbardhur fati i të gjithë personave të zhdukur, asnjë familje e Kosovës nuk është e qetë

27.04.2009

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu ka kërkuar nga drejtësia ndërkombëtare që të gjejë dhe të nxjerrë para drejtësisë të gjithë kryesit e krimeve në luftën e fundit ndaj civilëve shqiptarë në Kosovë, të cilët fshihen anëve të ndryshme të botës, por edhe një pjesë e të cilëve mbrohen nga qeveria serbe.
 
Duke folur në dhjetëvjetorin e masakrës së Mejës në komunën e Gjakovës, që shënohet edhe si Dita e të Zhdukurve të Kosovës, Presidenti Sejdiu ka theksuar se kjo masakër ishte realizim i vrasjes së planifikuar të një populli.
“Ky është një shembull të cilin e gjithë bota demokratike e jo vetëm Kosova duhet ta mbajnë mend, se ishte një poligon në të cilën u mblodhën fëmijët, gratë e të moshuarit dhe u realizua krimi i cili asnjëherë nuk parashkruhet”, tha Presidenti Sejdiu.
Presidenti Sejdiu edhe një herë i ka quajtur farsë gjykimet që organizohen në Serbi kinse për gjykimin e atyre që kanë kryer krime në Kosovë. “Janë të kota farsat e gjykimeve që udhëhiqen sot në Serbi, të cilat janë qëllim për të nxënë ecjen e tyre gjoja demokratike në një kompozicion të ri dhe për t’u shkëputur nga ajo logjikë dhe vepër vrastare që kishte Millosheviqi. Por u themi se të gjithë ata që e fshehin krimin dhe që duan t’u bëjnë farsë gjykimeve dhe veprave kriminale janë bashkëpjesëmarrës në ato vepra të liga”, ka theksuar Presidenti Sejdiu.
 
“Mbetet borxh i drejtësisë ndërkombëtare që të ndjekë dhe të qesë para gjyqit të gjithë ata që fshihen. Ata nuk janë vetëm në skuta të botës por janë edhe në mbrojtje të qeverisë serbe”, tha në vijim Presidenti Sejdiu.
Duke ndarë dhimbjen me familjarët e viktimave të masakrës së Mejës dhe duke u shprehur ngushëllime atyre për humbjen e më të dashurve, Presidenti Sejdiu theksoi se “rruga që duhet të ndjekim është rruga e besimit në vetveten, në forcat tona, në secilin njeri të Kosovës, rruga e besimit në aleatët e Kosovës, është rruga e besimit në Zot, rruga e besimit në drejtësi dhe njerëzi”.
Edhe me këtë rast Presidenti Sejdiu ka folur për çështjen e të zhdukurve dhe obligimin e vazhdueshëm për kërkimin dhe gjetjen e tyre. “Është borxh i institucioneve të Kosovës që të bëjmë edhe më shumë, sepse derisa fati i mbi njëmijë e sa personave të zhdukur nuk është zbardhur , asnjë familje e Kosovës nuk është e qetë”, theksoi Sejdiu.
Për të arritur deri te kjo, për të ditur ku janë varret e tyre, vijoi Sejdiu, duhet të intensifikohet puna në bashkëpunim edhe me mekanizmat ndërkombëtarë, të cilët mund të bëjnë trysni më të madhe ndaj Serbisë për dhënien e informatave për të zhdukurit.

Pal Sokoli, Fatmir Sejdiu
Pal Sokoli, Fatmir Sejdiu
 
________________
 
Fjala e kryeministrit të Kosovës Hashim Thaqi në Meje

Prishtinë, 27 prill 2009

I nderuari president i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu
Të nderuar Zëvendëskryeministra
I nderuar kryetar i Kuvendit Komunal Pal Lekaj
Zëvendësministra
Deputetë
Të gjithë ju përfaqësues të shtetit të Kosovës, të komuniteteve fetare,
Të nderuara familje të dëshmorëve, familje të të pagjeturve,

Sot përkujtojmë të pagjeturit këtu në Meje, por edhe të pagjeturit gjithashtu anekënd Kosovës.

Sot është një ditë e pikëllimit, por edhe në të njëjtën kohë e nxitjes për punë për të ardhmen.

Sot është një ditë për të përkujtuar të kaluarën tonë të dhimbshme, por edhe një ditë e marrjes së përgjegjësive të reja për të ardhmen tonë si shtet.

Është hera e dytë, që edhe këtë ditë e shënojmë në Kosovën shtet i pavarur, sovran dhe demokratik.

Është një ditë e marrjes së përgjegjësive dhe zotimeve tona për të ardhmen.

Është një ditë që e gjithë bota e kujton fytyrën e Serbisë në Kosovë, gjenocidin e kryer nga Serbia kundër popullit shqiptar në Kosovë.

Prandaj, sot, i gjithë shteti është këtu, jemi me ju çdo herë dhe çdo ditë e punës që fillon, fillon me shqetësimin dhe përkujtimin për njerëzit që kanë luftuar për Kosovën, që kanë rënë për Kosovën, që kanë rënë për shtetin e Kosovës dhe që ne sot kemi përgjegjësi ta ndërtojmë.

Dëshiroj që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, t’u shprehi ngushëllimet më të sinqerta, por edhe të njëjtën kohë, të rishpreh zotimin për punë të palodhshme për të ardhmen e shtetit tonë, për të ardhmen e Kosovës në NATO, në Bashkim Evropian dhe një të ardhme më të zhvilluar.

Medalja e Gjergjit
Medalja e Gjergjit

Te varrezat e vllezerve martir, Sokoli
Te varrezat e vllezerve martir, Sokoli
Presidenti ne Akademin e Gjergj Sokolit
Një minutë heshtje për Martirët
Një minutë heshtje për Martirët


(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora