Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Enver Bytyçi: Rishfaqja e "Edipit Mbret"

| E marte, 05.05.2009, 05:46 PM |


Rishfaqja e "Edipit Mbret"

Nga Enver Bytyçi

Në Shqipëri është provokuar kaosi. Nëse më e keqja evitohet, kjo u dedikohet rrethanave të pafavorshme ndërkombëtare, faktit se vendi tash është anëtar i NATO-s dhe ka aplikuar për t'u pranuar në BE, si dhe atyre pak njerëzve të përkushtuar në shërbim të saj brenda vendit. Një deputet i opozitës, Fatmir Xhindi, është vrarë, madje në mënyrë të tillë sikur të kishte qëlluar mbi të shejtani i padukshëm, sepse vrasësi thuajse nuk ka lënë gjurmë. Më 28 qershor zgjidhet parlamenti i ri dhe motorët e fushatës elektorale prej kohësh janë ndezur. Pikërisht në këtë moment krejt papritmas "shkrep rrufeja në qiell të pastër". As vetë miqtë e ngushtë të deputetit, të cilët e kanë shoqëruar deri në minutat e fundit, nuk besonin lajmin në televizor se "ka ndodhur gjëma".

Kjo ngjarje të kujton 15 Mars 2008 kur krejt papritur kishte ndodhur ngjarja e Gërdecit, e cila u mori jetën 26 personave, plagosi dhjetëra të tjerë dhe shkatërroi një fshat të tërë. Në pikë të drekës, në momentin kur punëtorët po bënin pauzën e mesditës. Ngjarja tronditëse ndodhi vetëm 18 ditë para se Shqipëria të merrte ftesën për të qenë anëtare e NATO-s. Në media është thënë se dikush ka salduar diçka dhe ka shkaktuar ndezjen e barutit. Ndërkohë Ylli Ponari thotë se saldimi kishte përfunduar një çerek ore para se të ndodhte shpërthimi.

Çdo gjë mund të thuhet, shumë shkaqe mund të përmenden e interpretohen, shumë çështje e shumë emra mund të lakohen. Akuza të pafund e "prova" pambarim përmes imagjinatës së botuesve e gazetarëve kundër qeverisë dhe kryeministrit janë dhënë. Por kurrkush nuk ka gërmuar deri më sot: A ishte rastësi ose jo shpërthimi në Gërdec vetëm dy javë para pranimit në NATO? Kurrkush nuk e ka shtruar pyetjen pse pikërisht në situatë të tillë kritike sulmohet e ardhmja dhe shpresa e vendit? Tash është vrarë një deputet. Nesër mund të fillojnë shpifjet e llojit "Gërdec" për ta denigruar qeverinë e kryeministrin, me çmimin që Shqipëria të rikthehet te 58 vitet e qeverisjes së socialistëve. Por askush nuk ka për ta shtruar çështjen kësisoj: Pse u gjet pikërisht të qëllohej ndaj një deputeti? Cila është lidhja midis aktit dhe vetë viktimës? Kush e kreu dhe cilat janë motivet?

Si në rastin e Gërdecit edhe në vrasjen e deputetit ka një lidhje, ka një interpretim. Këto dy ngjarje i lidh fakti që Shqipëria në ishte dhe është në momentin më të madh të kthesës historike, për t'u shkëputur njëherë e mirë nga e kaluara. Ky vrull i shqiptarëve, pse jo dhe i premierit të saj aktual në pushtet, përjetohet si disfatë. Ndaj "duhet ndaluar" Dhe kjo ndalje nuk kursen asnjë viktimë. Sofokliu na ka lënë "Edipi Mbret" vepër në të cilën personazhi kryesor vret babain dhe fle me nënën e ti, që të merrte kurorën e mbretit. Diktatori komunist në Shqipëri, i cili respektohet me krenari prej bijve e bashkëpunëtorëve të vet në PS, "kishte fjetur" më serbët e rusët për të "hedhur themelet e pushtetit" si dhe kishte asgjësuar elitën nacionale si dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë për ta përjetësuar atë pushtet. Viti 1997 na ka dëshmuar se "mençuria" e shndërruar në djallëzi e së majtës e shkatërroi Shqipërinë për hir të marrjes së pushtetit.

Krerët e së majtës i mundon humbja, i verbon suksesi i kundërshtarit.

Jo rastësisht në të dy këto dy krime të rënda kemi të bëjmë me profesionistë të stërvitur e të instruktuar me shumë mjeshtëri. Instruktorët ndoshta janë më mjeshtër se vetë specialistët e krimeve që punojnë në zyrat e shtetit. Por nuk përjashtohet mundësia që në këto zyra të bëjë pjesë ndonjë instruktor krimesh profesionistësh e të kujdeset që krimi t'i "mbetet në derë qeverisë". Nuk është çudi që të jetë sajuar ndonjë prapaskenar, që nuk përdoret këto ditë kome e dhimbjeje për familjen, por që merr përmasa sa më shumë afrohet 28 qershori. Shumë indikacione çojnë te ky përfundim. Gramoz Ruçi p.sh nuk prodhon kurrfarë politike në Shqipëri. Ai i duhet PS-së vetëm për fjalorin e tij bolshevik paralajmërues të tipit "Mos luaj me zjarrin". Edhe nëse në PS krijohet imazhi i ndryshimeve, përsëri fijet e lëmshit i mbledh dhe i shtrin Gramoz Ruçi. Ai është de facto kryetar dhe sekretar i parë i Partisë Socialiste. Por mund të përmendësh me shumicë emra të tjerë, bëma të tjera, fakte të tjera. Kush mund të besojë se Edipë të tillë janë bërë "demokratë" e patriotë, që ta duan më shumë Shqipërinë sesa karrigen e pushtetit?!!

Bota Sot