E enjte, 28.03.2024, 09:23 PM (GMT)

Faleminderit

Lec Kurti, madhështi e dyfishtë e kompozitorit dhe diplomatit

E marte, 05.05.2009, 06:26 PM


Lec Kurti (1884 - 1948)
Dokumenta të arkivit të familjes së dëgjuar shqiptare Kurti nxjerrin në pah krijimtarinë e kompozitorit të harruar dhe të braktisur shkodran

Dëshmia e patjetërsueshme për autorin e operës së parë shqiptare që regjimi i Hoxhës e quante tradhtar pse ishte kundër tij

Nga Prof.dr. Sokol Shupo & Luan Kondi

Nuk mund të kuptohet muzika klasike shqiptare pa krijimtarinë e Lec Kurtit, intelektualit të kompletuar shkodran, që historia e la tërësisht në harresë. Djali i Palok Kurtit, njërit prej kompozitorëve të parë shqiptar dhe muzikologut të Shkodrës, djepit të kulturës kombëtare, tashmë do të lançohet në të gjithë kompleksin e vet.

Në formimin e Lec Kurtit ka ndikuar padyshim familja dhe qyteti i tij i lindjes, ku kulturat dhe besimet fetare dhe karakteristikat e të gjithë zonave të veriut mplekseshin dhe bashkëjetonin në një tolerancë fetare të admirueshme. Shkodra është modeli i bashkëjetësës së kulturave dhe tolerancës fetare, vendi i akademikëve dhe institucioneve të lashta studimore të Shqipërisë, është vendi i Marin Barletit, Fishtës apo Migjenit; është vendi që kaq shumë ka dhënë për historinë, studimet, letërsinë dhe artet. Edhe Lec Kurti ishte produkt i këtij qyteti me emër shqiptar. Në fillim, nën kujdesin e Qendrës së Dokumentimit dhe Komunikimit të Muzikës Lokale, do të organizohet një koncert, ku do të luhen për herë të parë kompozimet e të famshmit Lec Kurti.

Historia e familjes Kurti

Familja Kurti është një nga familjet më me zë të qytetit të Shkodrës. I ati i Lecit ishte Palok Kurti, krijues i Bandës së parë shqiptare në Shkodër dhe në Gjakovë. Paloka rridhte nga një familje e varfër, por fati i buzëqeshi ndërsa martohet me vajzën e Anastas Papanikut, njërit prej pasanikëve më të mëdhenj të Shkodrës. Papanikët kishin ardhur nga Arta e Greqisë, ishin suljotë, pra me origjinë shqiptare dhe në Shkodër ishin pronarë të së parës kafe të qytetit që e kishin emëruar “Kafe Adriatiku”. Anastasi kishte një djalë dhe një vajzë, Gjonin dhe Angjelinën. Djali i Anastasit vuante nga tuberkolozi dhe nuk mundi të jetojë gjatë. Sipas dëshmive të familjarëve amaneti i Gjonit ishte që motra, Angjelina, të martohej me shokun e tij, Palok Kurti. Dy shokët kishin mësuar nga profesori italian, i famshmi i muzikës së atij vendi, Xhovani Kanale, të njihnin notat muzikore dhe madje, të kompozonin. Aty u shqua për intelekt në përvetësimin e mësimeve të muzikës Paloka, një i ri i pashëm dhe mjaft i dashuruar pas muzikës. Nga martesa, Paloka dhe Angjelina do t´u gëzoheshin edhe pesë fëmijëve, katër djemve dhe një vajze, Lecit, Zefit, Salvatorit, Ndocit dhe Tushës. Shtëpia e Kurtëve ndodhej në qendër të qytetit të Shkodrës, ku sot gjendet posta. Të gjithë pasurinë Palok Kurti do të shkrinte për shkollimin e fëmijëve të tij. Kështu, Leci do të studionte në Pesaro, deri në vitin 1916 për diplomaci dhe muzikë. Pas përfundimit të studimeve do të kthehej të kontribuonte në atdheun e tij. Në shtëpinë e Kurtëve një dhomë ishte e rezervuar për Lecin, i cili kalonte orë të tëra në piano. Tinka Kurti, gruaja e Palokës (burri i saj mbante emrin e gjyshit të tij), nipit të Lec Kurtit, ka dëgjuar të flitet shumë për Lecin në shtëpinë e burrit të saj. Deri tek aktorja e madhe e skenës dhe kinematografisë shqiptare kanë ardhur tregimet për Lec Kurtin, një itelektual dhe kompozitor i madh. “Nëna e burrit tim e përmedte shpesh kunatin e saj, Lec Kurtin. Ajo tregonte se ai kishte vendosur pianon në dhomën më të madhe të shtëpisë dhe kur punonte krijohej një qetësi totale. Leci, i ka rënë shumë bukur pianos. Gjithashtu, ai ishte një djalë shumë i pashëm dhe nuk pranoi të martohej kurrë”, thotë Artistja e Popullit, Tinka Kurti. Sipas saj, është interesant fakti se në shtëpinë e Kurtëve kishte pesë piano, që u shtetëzuan pas vitit 1944. “Më kujtohet fare mirë se, për t´i nxjerrë ato nga shtëpia, është prishur dhe çatia. Një nga pianot ia dhanë Radio Shkodrës, tjetrën Radio Tiranës dhe të tjerat shkuan në destinacoione të kësaj natyre”, thotë Tinka Kurti.

Shtetëzimi i materialeve të tjera të familjes Kurti

Pushteti i Enver Hoxhës mori nga familja e famshme shkodrane të gjithë fonotekën, disqe të panumërta me operat e autorëve më me zë të asaj kohe. “Ne kemi pasur në shtëpi `Karuzo`, `Beethoven`, `Verd`, `Pjetër Moskanji`, `Renata Tebaldi` dhe shumë e shumë autorë të njohur të muzikës klasike. Po ashtu, kemi pasur edhe një numër të madh dorëshkrimesh të Lec Kurtit, që pasqyronin krijimtarinë e tij. Të gjitha këto u morën dhe u dërguan në shtëpinë e kulturës. Më kujtohet fare mirë që nga padija ato u hodhën pa kujdes. Një pjesë e tyre humbën. Shtëpia e kulturës ishte vendosur në shtëpinë e Parrucajve, ku i zoti që e kishte pasur atë kishte ndërtuar një pseudoashensor, nëpërmjet të cilit me një çikrik njoftonte familjarët më anë të një letre se çfarë të sillnin lart, kur vinin miq. Më vonë, ajo kishte mbetur si një gropë ku hidheshin dorëshkrimet e krijimtarisë së Lec Kurtit dhe shumë kundërshtarëve të tjerë të regjimit. Sa herë burri im, i cili ishte instrumentist në shtëpinë e kulturës, merrte prej andej dorëshkrime. Një pjesë e tyre ishte e Lecit, ndërsa kishte edhe të Palokës, gjyshit të tij, që i njihte nga shkrimi, apo dhe të të tjerëve. Duke qenë maniak i këtyre gjërave, për të cilat bota e artit do t´i jetë mirënjohës, dita-ditës ai grumbulloi shumë dorëshkrime të veprave të Lecit. Materialet që sillte në fshehtësi në shtëpi im shoq i ruanim mes dyshekëve, për të mos na i gjetur ndokush, po të vinte për kontroll. Më pas, të gjitha këto materiale u futën në një kasafortë metalike dhe u `groposën` në bodrumin e shtëpisë, ku gjenden edhe sot e kësaj dite. Të them të drejtën, materialet ishin lënë në shtëpinë e kulturës pa kujdes dhe shpesh njerëzit i keqpërdornin ato, pasi askush nuk ja dinte vlerën”, vijon Tinka Kurti. Megjithatë, përsëri, ekzistonte frika. Familja Kurti i ruajti këto dorëshkrime me vlerë dhe që hedhin dritë mbi historinë e muzikës moderne shqiptare, deri në ditët tona.

Kujtimet, Lec Kurti shpëtimtari i nacionalistëve të emigruar

Pak ditë pas përfundimit të Luftës Nacionalçlirimtare, Lec Kurti, si edhe shumë të tjerë nacionalistë shqiptarë, mori rrugën e “arratisë” për t´i shpëtuar ndëshkimit të Enver Hoxhës, pasi kishte mbajtur postin e nënkryetarit të Partisë së Ballit Kombëtar, duke qenë njëkohësisht krahu i djathtë i Mit´hat Frashërit. Familjet e nacionalistëve të larguar nga Shqipëria për në Itali kaluan një moment të vështirë, pasi mbërritën në brigjet e shtetit fqinjë. Qeveria e Hoxhës kërkonte nga autoritetet italiane kthimin e tyre me çdo kusht prapa, në Shqipëri. Madje, Tirana komuniste bënte presion ndaj italianëve, se po të mos ktheheshin komunistët nuk do të lejonin kthimin e robërve italianë të luftës pranë familjeve të tyre. Italianët ishin në dilemë. Të ndodhur edhe përpara presionit të familjarëve të robërve të luftës, që kishin mbetur në Shqipëri, mendonin për një kthim mbrapsh të nacionalistëve të larguar. Në këtë kohë të gjithë shqiptarët mbaheshin të burgosur në Brindizi. Lec Kurti, duke qenë i pari shqiptar anëtari i Akademisë së Shkencave të Mbretërisë së Anglisë, kërkoi të shkonte në Londër për të biseduar me autoritetet e atij vendi për problemin mjaft të mprehtë të moskthimit nga autoritetet italiane të nacionalistëve të arratisur shqiptarë. Ai iu drejtua anglezëve me fjalët: “Nëse nuk do të ndaloni kthimin e nacionalistëve në Shqipëri, ky do të jetë turpi juaj”. Ishte kjo deklaratë, që detyroi autoritetet angleze të ndërhynin pranë qeverisë italiane, për të mos lejuar kthimin fatal. Atëherë, u vendos që shqiptarët të mos ktheheshin, por edhe të mos qëndronin në Itali. Kështu, të gjithëve iu dha e drejta për të emigruar diku tjetër. “Në Amerikë kam takuar një grua tepër të mbajtur, nga familja Cakrani, me origjinë nga Mallakastra, e cila kur mësoi se isha gruaja e nipit të Lec Kurtit, u habit dhe më tha se edhe ajo ndihej Kurt, pasi “babai” i saj ishte Lec Kurti. Pra, nacionalistët ja dedikonin jetën nga momenti i largimit nga Italia për në Amerikë dhe vende të tjera, Lecit dhe e kishin atë si baba shpirtëror. Këtë gjë e kam degjuar edhe nga goja e Mentor Çokut, në një takim në ambasadën egjiptiane, ku të dy ishim të ftuar”, rrëfen e madhja Tinka Kurti.

Diplomati i dekoruar nga Athina

Edhe babai i Lecit, Paloka, përveç krijimtarisë muzikore është marrë edhe me politikë. Por, ajo që të bie menjëherë në sy në biografinë e Lecit është se pas krijimtarisë muzikore, që vazhdoi deri në vitin 1916, ai i kushtohet tërësisht veprimtarisë diplomatike dhe politike. Nga dëshmi gojore mësojmë se për një kohë të gjatë ai ka qenë përfaqësues i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë. Po sipas këtyre dëshmive, nga viti 1918 deri në vitin 1922, Lec Kurti ishte konsull në Bari. Në karrierën e tij diplomatike nuk do të mungonte edhe detyra e të ngarkuarit me punë në Athinë, të cilën e kreu deri në vitin 1927, ku dhe është dekoruar nga shteti grek, për kontributin e tij në marrëdhëniet mes dy vendeve. Lec Kurti ka qenë edhe nënkryetar i Parlamentit dhe ministër i Arsimit në kohën e Mbretërisë. Natyrisht, shërbimi më i madh për kombin shqiptar ishte kontributi i Lec Kurtit si përfaqësues i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë (1927–1936). Pas kësaj, shkodrani me kulturë të gjerë, do të ishte Konsull në Romë deri në vitin 1939. Asgjë nga këto nuk është thënë deri tani, pak për mungesë të dokumentacionit arkivor dhe më shumë për neglizhencë ndaj veprimtarisë së një personaliteti si Lec Kurti. Gjatë përiudhës së regjimit komunist, ai konsiderohej padrejtësisht si një element tradhtar, vetëm pse ishte kundër pushtetit të Enver Hoxhës.

Dorëshkrimet e veprave, dëshmi e krijimtarisë së pasur

Në arkivin familjar të Kurtëve gjenden thesare të krijimtarisë së Lecit. Ndër to është edhe vepra skenike “Arbëreshja”, opera me libret të Lec Kurtit. Në faqen e parë të saj shkruhet: Venezia 1, maj 1915. Partitura e orkestrës nuk ka datë, ndërsa gjenden vetëm njëmbëdhjetë numra nga akti i parë, pra 129 faqe klavier dhe 90 faqe të orkestruara; “Luisa di Charpentier”, opera me libret të panjohur, “Quadro II”, (Quadro della Sartoria), ku shënohet Venedik, 23 mars 1916. Lec Kurti ka shkruar edhe Vepra për violinë dhe piano: “Sonata, për violinë dhe piano” në mi mazhor (Allegretto, Introduction, Andante, Sostenuto). Tek Andante mungojnë faqet e fundit; “Adagio, për violinë dhe piano” në fa mazhor, “Allegro un po sostenutto, për violinë dhe piano” në la minor, “Non troppo lento, për violinë dhe piano”, ku mungojnë faqet e fundit, “Sonata, për violinë dhe piano” në re mazhor, (Allegro non troppo, Andante molto, Trio), për të cilat nuk dihet koha kur janë shkruar. Po kështu, Lec Kurti ka shkruar “Sonata, për violinë dhe piano” në re minor (Allegretto), Venezia, që datojnë në 15 shtator të vitit 1915, “Romanza për violinë dhe piano”, Venedik, shkruar më 3 shkurt të vitit 1914. Krijimtaria e Lec Kurtit vijon me të tjera Vepra për ansamble dhome:¨”Trio, për violinë, violonçel dhe piano”, Venezia dhe mban datën 6 mars të vitit 1914. Në këtë të fundit mungojnë faqet e para. Përveç këtyre veprave në krijimtarinë e bollshme të Lecit janë edhe “Quartetto”, në sol minor, për harqe, shkruar më 24 prill të vitit 1914, Vepra për piano “Romanza senza parole”, në fa minor, Venedik 24 dhjetor 1913, vepër për piano pa titull, 283 masa, “Tema con variazioni”, me shtatë të tillë, në la minor, “Allegro molto moderato”, në do minor, Venedik 27 janar 1914, “Preludio”, në Re Mazhor, për piano, Venedik, 20 mars 1914, “Preludio”, (sostenuto), Venezia, 29 janar 1914, “Berceuse”, në La Mazhor, Venedik, 12 janar 1914, “Minuetto”, në la mazhor, Venedik, 6 dhjetor 1914, “Preludio”, në sol minor, Venedik, 20 dhjetor 1914, “Sonata”, në do minor, Venedik, 19 mars 1914 dhe tek ky dorëshkrim mungon faqja e fundit. Gjëndet edhe një dorëshkrim tjetër i plotë që mban datën 30 prill 1915 “Gavotte”, në si mazhor, Venedik, 24 shkurt 1912, “Scherzo”, në mi mazhor, Venezia, 17 dhjetor 1913, “Scherzo”, në la minor, Venezia, 12 dhjetor të një viti që tani për tani nuk dihet. Ekziston edhe një fletë tjetër dorëshkrimi, përsëri pa datë. Nuk mungojnë në veprat e Lec Kurtit edhe romancat si “Romanza senza parole”, në mi mazhor, Venezia, më 9 dhjetor 1913, “Preludio”, në la minor, Venezia, 20 mars 1913, ku ekziston gjithashtu edhe një kopje tjetër e ripunuar dhe më e zgjeruar, pa datë, “Andante”, në la mazhor, “Presto”, në do minor, nga ku mungojnë faqet e fundit, “Preludio”, në sol minor, 11 maj 1914. Veprat për kanto dhe piano e pasurojnë kompleksitetin e tij si kompozitor si “Nostri ricordi quelche dicevi, romanza drammatica, parole di L. Stecchetti”, Pesaro, 10 mars 1909. “Le fronde che vedresti rinverdire, romanza, parole di Ada Negri”, Venezia, 5 dhjetor 1913 apo “N’amasti mai”, romanza që janë shkruar në Venezia më 2 mars 1914. Të tjera krijime të Kurtit janë edhe “Fuga me katër zëra”, Sostenuto ku mungojnë faqet e fundit, “Fuga a 4 parti”, “Fugë me 4 zëra”, Andante, “Fuga a 4 voci”, “Fuga a 4 voci”, Moderato të cilave nuk u njihet data dhe vitit i i shkrimit. “Marsh Ëied”, klavier, 30 dhjetor 1913, si dhe dy partitura për orkestër sinfonike, njera daton Venedik më 10 mars të vitit 1914 dhe tjetra daton Venedik më 2 prill 1914. “Orkestracione prej kompozitorëve të tjerë”: C. Debussy – “La Cathedrale égloutie”, për orkestër sinfonike, Venedik, më 08 prill 1916, C. Debussy – “Minstrels”, për orkestër simfonike, Venedik, më 9 mars 1916, C. Debussy – “La fille au cheveaux de lin”, për orkestër sinfonike, Venedik, më 2 mars 1916, E. Grieg – “Soir dans la montaigne”, për orkestër sinfonike, ku mungojnë faqet e fundit, E. Grieg – “Au printemps”, për orkestër sinfonike që gjithshtu nuk është e plotë pasi nga ajo mungojnë disa nga faqet e fundit, L. Van Beethoven – “Sonata op 13”, fragmente nga hyrja, për orkestër sinfonike, Beethoven – “Sonata op 13”, koha e dytë, për orkestër sinfonike.

Jetëshkrimi

Kurti nga muzika në diplomaci

Kompozitor shqiptar i gjysmës së parë të shekulli XX. U lind në Shkodër më 1 shkurt të vitit 1884 dhe vdiq në Romë në vitin 1948. Por, ajo që të bën përshtypje është se nuk dihet data e saktë e vdekjes së tij. Dokumentet arkivorë të familjes Kurti dëshmojnë se Leci ka studiuar për kompozicion dhe për diplomaci në Pesaro deri në vitet 1916. Partiturat origjinale të viteve 1912–1916 shënojnë se janë kompozuar në Venezia, vetëm një romancë e vitit 1909 shënon Pesaro, Itali. Siç na dëshmojnë dorëshkrimet që disponohen prej familjarëve të tij, Lec Kurti është marë me krijimtari muzikore deri në vitin 1916 dhe më pas i kushtohet tërësisht veprimtarisë diplomatike dhe politike. Por, nga dëshmitarë mësojmë se në kohën që ka qenë përfaqësues i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë. Po sipas dëshmive gojore i është djegur shtëpia, ku dyshohet të kenë qenë edhe pjesa tjetër e partiturave të tij. Nga viti 1918 deri në vitin 1922, Lec Kurti ishte konsull në Bari. Më pas, i ngarkuar me punë në Athinë, detyrë që e kreu deri në vtin 1927. Detyra më e lartë diplomatike ishte ajo e përfaqësuesit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë (1927–1936). Pas kësaj do të ishte Konsull në Romë deri në vitin 1939. Gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore, Lec Kurti do të ishte nënkyetar i Ballit Kombëtar dhe disa ditë përpara 29 nëntorit 1944, u largua përfundimisht nga Shqipëria. Për arsye politike, krijimtaria e Lec Kurtit është lënë tërësisht në harresë deri në ditët tona. Por, ndonëse e pakët në numër, ajo dëshmohet të jetë e para krijimtari profesioniste laike në historinë e muzikës shqiptare. Ndër dorëshkrimet e tij gjendet e para sonatë për piano, e para sonatë për violinë e piano, e para temë me variacione për piano, i pari kuartet harqesh dhe e para operë në historinë e muzikës shqiptare.



(Vota: 2 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora