E marte, 19.03.2024, 02:29 AM (GMT)

Mendime

Agolli: Fryma e vëllavrasjes po përhapet si gripi i derrave

E hene, 04.05.2009, 09:23 AM


Nga Ilda Lumani

Shkrimtari i madh, Dritëro Agolli shprehet tejet i indinjuar pas vrasjes së deputetit të PS-së, Fatmir Xhindi. "Të rregullohet gjuha e parlamentit", - thotë ai i shqetësuar për gjendjen e përgjithshme të tensionit që mbizotëron në vend.

Zoti Agolli, si e keni përjetuar vrasjen e deputetit të PS-së, Fatmir Xhindi?

E kam ndjekur që mbrëmë si të gjithë njerëzit ngjarjen e dhimbshme. Unë them se vrasja e Fatmir Xh., deputetit të Kuvendit, është një ngjarje e dhimbshme dhe tronditëse në radhë të parë për fëmijët por edhe për të, sepse ai ishte i ri, 49 vjeç. Por, kjo është një ngjarje e dhimbshme dhe tronditëse për të gjithë shoqërinë dhe politikën, sepse plagos zotimet tona para botës, se do të bëjmë zgjedhje të ndershme dhe pa incidente.
Kjo duket që sot, që një pjesë e shtypit botëror flasin për këtë ngjarje që e dëmton gjithë politikën tonë. Gjithashtu, kjo ngjarje e Fatmir Xhindit na bën të mendohemi me seriozitet të madh për motivet e këtij krimi, burimet e tij, sepse bëhen shumë të tilla edhe tek njerëzit e thjeshtë, që vriten, ngujohen, që varen e vetëhelmohen, e gjithë kjo atmosferë në përgjithësi tragjike, mossiguria që ekziston përreth e doemos ato do të përfshijnë edhe sferat e larta, ligjvënësit dhe ata që ekzekutojnë këto ligje, pasi kjo nuk është një ngjarje e rrallë. Para ca vitesh u vra deputeti tjetër, Azem Hajdari.

Mendoni se situata politike apo ajo e përgjithshme ka ndikuar në këtë krim?

Duhet të arsyetojmë për shkaqet; ne duhet të shohim parlamentin që është vrasës me fjalë, fjalëvrasës. Njerëz me përgjegjësi të madhe qytetare e shtetërore bërtasin: "Pusho se të vras, mbylle se të nxjerr prej zhelesh!". Parlamenti, në vend të jetë vend që nxit paqen, bën të kundërtën, nxit njerëzit tërthorazi drejt sherrit, drejt grindjeve, dhe sot jemi këtu. Të gjitha këto futen në shoqëri. Kjo është si gripi, si gripi i derrave; 'gripi' i Parlamentit që i shtyn njerëzit drejt mikrobit në shoqëri.

Si e vlerësoni ju reagimin e shtetit në këtë rast?

Ky nuk është rasti i parë, janë vrarë edhe kryetarë komune në veri, për një grindje krejt banale. Është përhapur kjo frymë grindjesh, prandaj duhet të na bëjë të mendohemi mirë nga kjo gjë. Pasi, edhe një njeri me shkollë mund të vrasë. Gjithnjë vendi është i mbushur me paragjykime nga mesjeta dhe me paragjykime të fushatës. Në parlament njerëzit në vend të flasin me qetësi dhe fakte, ulërasin e thonë, ai është nipi i filanit, gjyshi i tij ka qenë komunist dhe, e gjithë kjo politikë e tillë e ka vënë në pozitë policinë e vendit. Persona me përgjegjësi të mëdha i nxitin njerëzit në këto gjëra. Vijnë të huajt dhe thonë, keni bërë përparime të mëdha, dhe kemi bërë në fakt. Por nuk duhet ta bëjmë si lopa që mbush kusinë me qumësht dhe pastaj e derdh. Kjo dhe të tilla si këto e kanë vënë në pozitë të madhe politikën, por edhe të huajt. Ishte Barroso dhe u shpreh se do të thotë në Bruksel për përparimet e mëdha që ka bërë Shqipëria; po tani ç'do të thotë? Sepse, para se të shkojë në mbledhje të hënën në Bruksel, kanë vajtur lajmet dhe gazetat e Brukselit, që kanë shkruar për këtë ngjarje. Ç'do të thotë ai më për përparimet tona dhe ç'do të themi dhe ne?

Si e vlerësoni në përgjithësi gjendjen e sigurisë së jetës në vend?

Unë i them gjithë këto gjëra me tronditje të madhe, se shpesh maxhoranca dhe opozita akuzojnë njëri-tjetrin se, jo i shfrytëzoni të vdekurit për politikë. Këto gjëra unë i them me dhimbje, më dhimbset dhe e them. Unë nuk akuzoj, por them që të mos ketë më acarime kaq të egra dhe ende ne nuk kemi gjetur gjuhën e Parlamentit, është rregulluar gjuha e kishave dhe teqeve, por nuk është rregulluar gjuha e Parlamentit dhe e këtij vendi.
Me dhimbje të madhe bashkohem me të gjithë ata që kanë folur për këtë tragjedi; Presidenti Bamir Topi, kryeministri i vendit, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama dhe gjithë politikanët e tjerë, dhe besoj se do të gjendet fajtori dhe se policia jonë është forcuar.
Është tepër komplekse kjo puna e gjendjes. Ne u bëjmë atentate dhe atyre që kanë rënë apo kanë vdekur dy herë. Heqim heronjtë e luftës dhe i vendosim në vende me plehra.
Kemi vrarë dy herë edhe partizanët që kanë luftuar për lirinë e vendit. I bëjmë atentat edhe Skënderbeut, duke e zhvleftësuar atë. Të gjitha këto e kanë ndërlikuar gjendjen dhe njerëzit vriten përditë dhe me përgjegjësi.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora