Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Dukagjini: Duam rrugë, ndryshe po vdesim përditë

| E enjte, 02.08.2007, 07:56 PM |


Ende është e freskët tragjedia e marsit 2007 në Dukagjin të Malësisë së Madhe, kur fugoni ra në humnerë, duke shkaktuar 10 të vdekur. Shkaku ishte ai i zakonshmi: gjendja skandaloze e rrugëve në zonën e harruar prej qeverive. Katër muaj pas tragjedisë, kur për fat të mirë ende nuk ka ndodhur tjetra, kryetarët e katër komunave i kërkojnë qeverisë që të akordojë fondet për sistemimin dhe asfaltimin e rrugës Shkodër-Dukagjin. Ata, në emër të popullit që përfaqësojnë, kërkojnë nisjen sa më parë të punës, për ta nxjerrë këtë zonë nga varfëria dhe izolimi. Ndërsa shoqata "Shpresa për jetë" e themeluar pas tragjedisë, solli një letër të hapur për institucionet shtetërore dhe Bankën Botërore.

Balë Vuksani, kryetari i Shoqatës “Shpresa për jetë”, e themeluar pak ditë pas ngjarjes tragjike në rrugën automobilistike Shkodër-Breglumi, ku humbën jetën 10 persona dhe u dëmtuan shumë rëndë tre të tjerë, u drejtohet me shqetësimin dhe indinjatë njerëzore titullarëve të institucioneve me të larta te shtetit shqiptar dhe personaliteteve më të larta përfaqësuese të qarkut Shkodër. "Me këtë letër të hapur, ne kërkojmë zgjerimin dhe asfaltimin e rrugës automobilistike Shkodër-Dukagjin. Kjo rrugë automobilistike bashkëkohore do t’i shërbente kësaj treve dhe në të gjithëve. Vetëm gjatë 17 viteve të fundit, në aksidentet tragjike të ndodhura në rrugën automobilistike Shkodër-Breglumi janë vrarë mbi 60 njerëz dhe janë plagosur mbi 200 të tjerë. Zona që përshkohet nga kjo rrugë përbëhet nga 30 fshatra, të cilat në vitet 1990 kishin mbi 20 mijë banorë, ndërsa sot kanë 14 mijë banorë, ku ka mungesë totale të shërbimit mjekësor, shërbim tepër të kufizuar arsimor, defekte shumë të rënda të energjisë elektrike dhe mungesë totale të informimit mediatik dhe të telefonisë. Për shkak të mungesës së infrastrukturës, familjet e këtij komuniteti po vazhdojnë të largohen nga kjo trevë, ndërsa ata që kanë mbetur vazhdojnë të përballen me një varfëri të tejskajshme.

Kjo situatë është shumë e rëndë dhe e papranueshme, kur dihen burimet natyrore dhe resurset e kësaj zone, siç janë burimet minerare, ujore, pasuritë turistike, bimët mjekësore, pemët frutore etj.

Për këtë e të tjera arsye madhore, komuniteti i kësaj zone nuk mund të mbetet më kontigjent i vdekjeve tragjike. I varfërisë dhe diskriminimit të thellë dhe kjo, për një një rrugë bashkëkohore automobilistike.

***

Me të njëjtin shqetësim, në redaksinë e “Shekulli-Kontakt” erdhi edhe kërkesa zyrtare e përgatitur nga kryetarët e komunave të zonës Dukagjin, Postribë, Shalë, Shosh dhe Pult, përkatësisht: Faz Shabaj, Ded Tonaj, Mark Kulla dhe Sokol Cubi. “Ne jemi kryetarët e komunave më të thella dhe më veriore të Shqipërisë. Në emër të banorëve që përfaqësojmë, ngremë shqetësimin e tyre shumë serioz dhe kërkojmë që të financohet asfaltimi dhe sistemimi i rrugës së makinës, e cila është rreth 70 km e gjatë dhe përshkon komunat Postribë, Pult, Shosh dhe Shalë. Kjo rrugë shfrytëzohet nga rreth 20 mijë banorë vendas dhe shumë të tjerë që lëvizin në këtë zonë, për vetë marrëdhëniet e lidhjet tradicionale që kanë me banorët e këtyre komunave. Në këto zona ka vende me resurse të mëdha të pashfrytëzuara. Në këto zona mund të shfrytëzohen turizmi veror, ai dimëror, shfrytëzim pyjesh, shfrytëzim i ujërave hidrike dhe burimeve nëntokësore.

Sipas kryetarëve të komunave, në këto zona është pengesë serioze mungesa e infrastrukturës për një zhvillim normal dhe për shfrytëzimin e resurseve të shumta dhe të bukurive mahnitëse që kanë këto treva. Ndaj ata kërkojnë që të angazhohet qeveria shqiptare, të kontaktojë me donatorët që operojnë në Shqipëri e të investohet në këto 70 km rrugë që janë domosdoshmëri për jetën e banorëve, vendas, të vizitorëve të shumtë dhe për zhvillimin perspektiv të këtyre zonave.

Kisha Katolike: "Nuk kërkojmë ndere, por, hidhini sytë te varfëria në Dukagjin"
Tragjedia e 12 marsit 2007 në Kir të zonës së Dukagjinit, ku humbën jetën 10 persona, në një aksident të rëndë automobilistik, shërbeu si një nxitje më tepër për përfaqësuesit e kishës së asaj zone, të cilët kanë ngritur zërin në kërkim të interesimit të munguar prej dekadash, kundrejt atyre banorëve që po jetojnë në kushte aspak njerëzore, ku mungon infrastruktura rrugore, shërbimi mjekësor, kushtet për arsimim, furnizimi me ujë e energji elektrike, për të mos folur për shërbimin telefonik që për banorët shihet si luks.

Nisur nga kjo mungesë e tejskajshme vëmendjeje, më 4 prill 2007 zëri i banorëve të Dukagjinit është përcjellë nga Sandra Bertoloto, përgjegjëse baritore e kishës katolike në zonën e Dukagjinit, me anë të një deklarate, e cila mori dhe miratimin e Arqipeshkvit metropolitan të Shkodrës, Angjelo Masafra.

"E ndjejmë për detyrë që me anë të kësaj letre të ngremë zërin, pasi në këto zona po vazhdon të mungojë kujdesi i strukturave të qeverisjes vendore e qendrore. Pasojat tashmë, jemi të gjithë të aftë t'i kuptojmë. Kisha katolike është e pranishme në këtë zonë që në fillimet e lirisë fetare dhe jemi të habitur se si ato që kanë pushtetin, nuk i shqetëson ndërgjegjja për kushtet në të cilat populli i Dukagjinit është i detyruar të jetojë",- nis letra e Bertolotos.

Ndërsa letra u nxit nga aksidenti i pak kohëve më parë, përgjegjësja baritore e kësaj kishe, zonja Bertoloto ka insistuar fort në zgjidhjen e problemeve që ka popullsia e kësaj zone. "Ishte e tmerrshme tragjedia rrugore, por është më e tmerrshme vdekja e shpresës tek ky popull. Ishte e tmerrshme tragjedia, ku humbën jetën 10 vëllezër e motra tanë, por është më e heshtur dhe e tmerrshme e ardhmja e fëmijëve tanë, që po rriten pa mësimin e duhur shkollor dhe në një errësirë totale intelektuale. Fëmijët tanë nuk dinë të shkruajnë dhe nesër nuk do të jenë të pranuar dhe as të integruar në shoqërinë civile, pikërisht sepse po rriten me mungesa, për të cilat dikush paguhet që t'ua garantojë".

Po ashtu, në këtë letër të hapur nisur Kryeministrit, Presidentit, Kryetares së Parlamentit, prefektit të qarkut Shkodër, si dhe kryetarëve të komunave të Dukagjinit, Sandra Bertoloto ka renditur dhe një sërë shqetësimesh të vetë asaj, por më tepër të banorëve të kësaj zone.  "Është urgjent fakti i mundësisë së linjës telefonike, pasi anëtarët e familjeve janë të shpërndarë nëpër botë, për të fituar bukën. Kjo do të ndihmonte dhe në tragjedi të tjera natyrore, jo të rralla në këtë zonë. Në zonën e Dukagjinit nuk funksionojnë strukturat shëndetësore. Dhe kjo është një tragjedi e heshtur dhe na dhemb", thuhet më tej në letër.

"Vetëm disa muaj më parë, më 09.11.2006, Arqipeshkvi metropolitan i dioqezës Shkodër-Pult, Angjelo Masafra, me anë të një letre të hapur dërguar institucioneve e strukturave të larta të vendit, theksonte se rruga dhe jeta në zonën e Dukagjinit janë të rrezikshme. Kush bëri diçka konkrete gjatë kësaj kohe, që të parandalohej tragjedia? Kush mban përgjegjësi në këtë vend për mungesat në detyrën që ka? Populli i Dukagjinit nuk kërkon as më shumë e as më pak se ajo që i takon. Ata që janë të zgjedhur për të na udhëhequr në të gjitha nivelet, nuk mund t'i bëjnë dot nder Dukagjinit nëse bëjnë diçka në të mirë, por thjesht përmbushin detyrën e tyre",- përfundon letra e kishës. 

Shekulli