E premte, 29.03.2024, 10:36 AM (GMT)

Faleminderit

Bedri Tahiri: Bahri Haxha - Intelektual dhe atdhetar i shquar

E hene, 04.05.2009, 07:57 PM


Bedri Tahiri
Bedri Tahiri
Në 10 vjetorin e rënies së dëshmorit Bahri Haxha

BAHRI HAXHA - INTELEKTUAL DHE ATDHETAR I SHQUAR

 - Më të mirën gjë që njohu e kuptoi njeriu në jetë është të mësuarit. (Naum Veqilharxhi)

- ”Herët a vonë, do të vijë liria!”. (Bahri Haxha)

Nga Prof. Bedri TAHIRI

Gjatë luftës sonë të fundit çlirimtare, që e zhvilluan trimat e  Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pati ngjarje dhe data, të cilat janë ngulitur thellë në kujtesën tonë historike. E tillë është edhe ajo e 2 majit 1999, ku u martirizua edhe intelektuali i shquar, organizatori dhe promotori i Lëvizjes studentore, edukatori sypatrembur, inxhinieri shembullor i informatikës dhe veprimtari sypatrembur i sektorit më të ndjeshëm të UÇK’së - Logjistikës, Bahri Rexhep Haxha (1972- 1999).
             
Trung i lashtë trimërie

      Në Manzën e Poshtme të Vushtrrisë së lashtë ( ish Svaraçaku i Poshtëm ), krahas familjeve të shumta shqiptare, të ardhura nga të katër anët e vendit, jeton edhe familja Haxha, historia e së cilës është kaptinë në vete... Haxhajt vinin andej nga përtej Qyqavica, nga Drenica e Kuqe, më saktë nga Galica heroike, emri i së cilës ia kishte futur dridhjet në shtat kralit serb në Beograd. Kreytrimi i Kosovës dhe udhëheqësi i Lëvizjes Kaçake, Azem Bejtë Galica me të shoqen Shotë Galica apo Nusen e Maleve, për pesëmbëdhjetë vjet rresht mbajtën ndezur flakadanin e lirisë.

      Krah për krah me kryekaçakun ishte edhe Vesel Haxha - Galica, i cili paskësaj vazhdoi veprimtarinë e vet luftarake edhe në Brigadën e tribunit Shaban Palluzha. Madje, edhe i ati plak, Rexhepi, kishte qenë këshilltar i mirë i kapedanit të Arbërisë së Vogël. Të gjitha këto peripeci atdhetarie lanë gjurmë të pashlyera edhe në shpirtin e pasardhësve të tyre, të cilët, kudo që vajtën i bartën vath në vesh.

Dëshmori i Kombit Bahri Haxha
Dëshmori i Kombit Bahri Haxha
Në gjirin e kësaj familjeje me traditë, që tashmë jetonte në Manzën e Poshtme, ku qe ruajtur me fanatizëm të shtuar ky amanet i brezave, u lind edhe djaloshi Bahri Haxha. Prindërit e tij; Rexhepi dhe Halimja nga Klina e Epërme e Skënderajt, patën dymbëdhjetë fëmijë, gjashtë djem: Bahriun, Shyqriun, Bakiun, Veselin, Artanin, Adnanin dhe gjashtë vajza: Fatimen, Zahiren, Hatiqen (në emër të motrës së parë, e cila pat vdekur sa ishin në Galicë), Feriden dhe Mevlyden.

      Bahriu erdhi në këtë botë më 3 shkurt 1972. Ishte fëmija i pestë i këtyre bashkë- shortëve, andaj edhe dashuria për të qe më e theksuar. Qysh herët u hetua se ishte natyrë e zgjuar dhe dispononte inteligjencë që nuk përkonte me moshën e tij. Madje edhe fizikisht ishte mjaft i shkathët dhe i fuqishëm. Rrëfimet e burrave, për trimat e vendit dhe luftërat tona shekullore, i përcillte me vëmendje të shtuar. Ato ia shtonin kureshtjen për të ditur edhe më shumë dhe ia sforconin ndjenjën e pastër të atdhetarisë. Sa me qejf e me dëshirë e merrte rrugën për në Galicë, sepse atje e priste historia, e priste varri i Azem Galicës, e prisnin gurët e kullave të larë me gjak, të cilët flisnin më shumë se vetë njerëzit. Deri vonë, deri kur vajti në shkollë të mesme e ka bartur plisin e bardhë në kokë. Bile, një ditë, një plak e kishte shpërblyer me ca të holla vetëm për hatër të plisit....

      Kur vajti në shkollë, në Nedakofc, që në fillim u dallua për të mirë. I urtë, i sjellshëm, i dashur dhe mbi të gjitha i zgjuar. Mësimet i përpinte, siç i thonë një fjale. Lexonte shumë, çka i binte në dorë, ama më shumë i pëlqenin librat ku flitej për luftërat, për heronjtë, për Kosovën, për Shqipërinë.

      Pjekuria e tij e parakohshme u kishte rënë në sy të gjithëve. Këtë ia kishte thënë edhe kujdestari i klasës të vëllait Shyqri disa herë. Qysh në klasën e pestë të shkollës fillore “Ali Kelmendi” në Vushtrri, kishte vizatuar hartën e Shqipërisë Etnike dhe e kishte vënë në ballë të klasës. Për këtë veprim të “ndaluar”, bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, ai u ndëshkua me parapërjashtim, ndërsa i ati, Rexhepi, u mor në biseda informative, siç i quanin politikanët mediokër të kohës zezonë, thirrjet në polici, ku përjetoi maltretime të shumta psikike e fizike.

      I tillë ishte edhe gjatë shkollimit të mesëm, në QMSH “Muharrem Bekteshi” në Vushtrri, ku më 1991, mori diplomën në drejtimin më të vështirë të asaj kohe; matematikor - natyror ose shkurt Programer, me sukses të shkëlqyeshëm, me të gjitha pesa.

Në rrethimin e parë të Adem Jasharit

Me të mbaruar shkollimin e mesëm, Bahriut i vije ftesa për rekrutim në Ushtrinë Jugosllave.

- Jo, kurrë nuk i shërbej ushtrisë së një pushtuesi!- tha ai, duke e bërë ftesën copë - copë.

Pas këtij veprimi të guximshëm duhej larguar paksa nga valët e stuhisë shkatërrimtare. Dhe, ku tjetër do të gjente strehim të sigurt, përveç në Drenicën e tij stërgjyshore! Disa ditë i kaloi në Galicë, te kushërinjtë e vet e pastaj edhe ta dajat, në Klinë të Epërme. Mu ato ditë, ishte fundi i vitit 1991, u sulmua komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari. Ishte ky sulmi i parë i 31 dhjetorit 1991. Kur u mobilizuan drenicarët për t’i vajtur në ndihmë familjes Jashari dhe komandantit të tyre, edhe Bahriu u gjend në mesin e atyre që kishin ndarë mendje ta bënin vdekjen si me le. Për fat, forcat serbe kishin nuhatur situatën dhe ishin tërhequr me bisht nën këmbë... Sidoqoftë, kjo qe një ngjarje që në shpirtin e djaloshit bëri kthesë të madhe, duke  ia sforcuar edhe më idealin për agun e shpejtë të ditës së bardhë...

Studenti shembullor

Më vonë, pasi fjeti pakëz puna, Bahri Haxha filloi studimet në Fakultetin e Elektroteknikës - drejtimi i Informatikës, në Prishtinë. Provimin pranues e kishte dhënë me sukses të kënaqshëm, duke zënë kryet e ranglistës. Për lëndët ekzakte, veçan për matematikë e fizikë, ishte shumë i shkathët, sa nuk ia merrte kujt dorën. Profesion dhe hobi e kam leximin, - shprehej ai në biseda me kolegët. Vërtet ashtu edhe vepronte.

Krahas mësimeve ai kryente edhe detyra të tjera në aktivitete politike e organizative studentore. Ishte në bashkëpunim të ngushtë me Unionin e Pavarur të Studentëve të Prishtinës. Ai, në bashkëveprim me të vëllain, Shyqriun, i cili ishte në krye të Unionit dhe me veprimtarin, tashmë dëshmorin, Mehë Uka, kishin marrë përsipër detyra me peshë kombëtare. Por, as UDB-ja jugosllave nuk flinte. Kukudhat e saj i kishin rënë në gjurmë aktiviteteve të tij atdhetare. Dhe, në tetorin e vitit 1997, e arrestojnë në Prishtinë, duke e maltretuar e duke e kërcënuar, me qëllim frikësimi. Por, kot. Ai me kohë ishte përcaktuar të ecte në rrugën e shtruar me gjemba, në rrugën e sakrificës, në rrugën e nderit, në rrugën e lirisë. Bahriu, si gjithnjë, edhe në demonstratat që u organizuan kundër mbylljes së Universitetit të Prishtinës, qe mjaft i zëshëm. Ai, që në fillim, ishte për vazhdimin e mësimit nëpër shtëpi private, gjë që edhe ia doli mban. Këmbëngultësia e tij me shokë, duke bërë thirrje edhe përmes valëve të Radio Zagrebit (emisionit në gjuhën shqipe), dha rezultate pozitive. Mësimet, përkundër vështirësive të shumta, zhvilloheshin për lakmi. Zemra e okupatorëve shtypës sa nuk u doli nga vendi.

Edhe gjatë demonstratave të mëdha  studentore, të vitit 1998, Bahri Haxha ishte në radhët e para. Ai tashmë edhe po banonte në Prishtinë, sepse nuk kishte kohë të shkonte as në shtëpi. Viti 1998, për studentin shembullor, në aspektin personal qe i mbarë. Atë vit i kurorëzoi dy momente të rëndësishme jetësore: mori diplomën e Inxhinierit të Informatikës dhe u martua. Martesa e tij me Naimen nga Suma qe fare e thjeshtë, pa dasmë, pa bujë, sepse ishte kohë e pa kohë dhe ai vetë ishte në shënjestër të gjakatarëve serbë. Madje, më vonë, shpeshherë i kishte thënë të shoqes të mora në qafë, sepse unë do të bie në këtë luftë. Pra, kishte parandjenjën e vetëflijimit për atdhe. Megjithatë në fletoren e tij edhe sot ruhet fjalia e shkruar me dorë: ”Herët a vonë, do të vijë liria!”.

Bahri Haxha, edukator i brezit të ri dhe ushtar i denjë i UÇK’së

Kur dhuna serbe ishte shtuar dhe ishte drejtuar kryesisht mbi arsimin shqip dhe kur disa, duke mos mundur të përballojnë katrahurën, kishin zënë të largoheshin nga ajo detyrë e shenjtë, Bahri Haxha, sypatrembur e entuziast i pashoq, rroku ditarin dhe u mishërua me edukimin e brezit të ri. Nuk deshi t’ia kthej shpinën Kosovës në këto orë të liga, andaj u punësua në SHMT në Vushtrri. “I gjallë nuk do ta lëshoj Kosovën. Ky është vendi ku edhe dua të vdes!”- ngulte këmbë, kur ia përmendnin largimin nga atdheu. 

Profesori i ri, i brumosur me dije shkencore e me atdhetarizëm të flaktë, nuk kënaqej vetëm me mësimdhënie.
Jo, ore jo!

Ai kishte rënë në kontakte me UÇK-në dhe ishte vënë në dispozicion të saj moralisht, materialisht e fizikisht. Me të formuar të celulave të para edhe në Shalë, ai ishte lajmëruar në Shtabin e Batalionit IV të UÇK-së në Ceceli, te komandant Gani Imeri. Ai, duke e vërejtur se trimi vinte nga një familje me tradita të shkëlqyera atdhetarie e trimërie dhe duke i parë aftësit e tij organizative e profesionale, u konsultua edhe me drejtues të tjerë të luftës dhe, pa u hamendur, e caktuan në sektorin më të ndjeshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Logjistikë. Aty ai duhej, ku mund të kontribonte më së shumti, gjykuan ata. Dhe, nuk kishin gabuar fare. Puna e tij në terren kishte bërë të veten. Dashuria e popullit për luftëtarët e lirisë shtohej dita - ditës saqë po shndërrohej në ideal të pashuar jetësor. Edhe radhët e vullnetarëve për t’i rrokur armët çlirimtare, nuk kishin të sosur, madje as armë nuk kishte për të gjithë.

      Në atë drejtim i ndihmonin edhe  vëllezërit e tij nga mërgata, sidomos Shyqriu, i cili ishte i lidhur drejtpërsëdrejti me Fondin “Vendlindja thërret” dhe me organizatorët e udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

      Dashuria për shkollën, për nxënësit dhe për lirinë, kishin lëshuar rrënjë thellë në shpirtin e tij të pastër dëborë, aq sa nuk kishte fuqi që mund ta largonte që andej. Forcat serbe disa herë e arrestuan, e maltretuan dhe e kërcënuan edhe me likuidim fizik, për mësimin ilegal, siç e quanin ata, por kurrë nuk hoqi dorë derisa u flijua në altarin e lirisë.

      Kështu, vetëm brenda muajve janar - mars të vitit 1998, familja e tij u bastis mbi dymbëdhjetë herë, me pretekst të kërkimit të armëve e të arrestimit të Bahriut. Herën e fundit e kishin bastisur mu ditën që ishte sulmuar Adem Jashari, më 5 mars 1998. Për fat, Bahriu kishte arritur të arratisej, kurse i ati, Rexhepi 60 vjeçar, arrestohet dhe dërgohet në burgun famëkeq të Smrekonicës, ku përjeton maltretime psikike e fizike.

      Bahriun më nuk mund ta kapnin dot. Ai ishte lart në male, atje ku shqipet e lirisë kishin hapur krahët dhe po i dilnin zot atdheut të sakatosur. “Bahriun e kishim përherë pranë vetes, në konsultime e në veprime. Sa e sa herë e rrezikoi veten për t’na sjellë ushqime, veshmbathje, barna, madje edhe municion të grumbulluar nga qytetarët”,- përkujton sot komandanti i tij, Gani Imeri. Edhe familja e tij e ngushtë, që nga dita e parë e bombardimit të NATO-s, sepse serbët lokalë, të inatosur në kulm, kishin sulmuar shtëpinë e tyre, kishte kaluar në Sllakofc. Ngjarjet rridhnin lumë. Ditën kur u sulmuan pozicionet e luftëtarëve të lirisë në majat e Shalës së Bajgorës, Bahri Haxha, u detyrua të bashkohet me familjen e vet dhe të përpiqet për ta shpëtuar nga më e keqja...

Një fund i tmerrshëm

E diela e 2 majit 1999 gdhiu ndryshe nga ditët e tjera. Dielli hezitonte t’i lëshonte rrezet mbi horizontin e zymtuar. Orteku mbytës rrokullimë lëshohej tatëpjetës.

- Hakmarrje!
- Hakmarrje!- çirreshin e ulërinin djajtë shpirtnxirë e duarpërgjakur. Militarë e paramilitarë serboçetnikë, të shfrenuar, si kanibalët mishngrënës, vërsulën mbi duarthatët, pasi kishin pësuar humbje të mëdha nga shqipet e lirisë.

Kolona prej katërqind traktorësh e mijëra vetash midis dy Studimeve të Vushtrrisë u gjakos keq dhe ngeli mu si gjarpri me trupin e prerë në shumë vende. Bishat e egërsuara u ndalën edhe para traktorit të Bahriut. Familja e tij ngeli pa frymë. Të gjithë e dinin se djali i tyre ishte në listën e zezë të cerberëve të përtej Tunës. Motër Mevludja ia jep një çantë dhe i thotë shfrytëzoje rastin e ik kah të mundesh, por ai ia kthen: “Jo, jo, se mbase unë vritem e ju shpëtoni”.

Dhe, hijenat tinëzare e identifikuan. Surratet e tyre të vrazhda sikur u hapën cazë. Po, po, sepse u gëzuan që më në fund e gjetën atë që po e kërkonin prej kohësh. Familja e Bahri Haxhës, sikurse dhe ajo e Selatin Gërxhaliut, që do të pësojë më vonë, ishin rrumbullakësuar me ngjyrë të kuqe në listat e tyre ogurzeza. As shuma e madhe e parave të plaçkitura atypari nuk ua zbutën zemrat të pashpirtëve. Sakaq ca krisma të mbytura i dhanë fund profesorit të nderuar.

-A ke çka bën tashti?- i thanë babë Rexhepit gjakatarët me krekosje prej të sëmuri histerik.
-Kaq patët mundësi, kaq bëtë more horra! - ua ktheu ai, që në ato çaste kishte ngelur i mpirë si mumie.
-Lëreni të gjallë se ashtu do të vuajë më shumë! - ia priti eprori, me një shenjë në ballë, atij që deshi ta vriste edhe këtë.

Pas pak ai e mori veten dhe iu afrua trupit të gjakosur të të birit dhe, duke ia lëmuar ballin, iu drejtua me këto fjalë: ”Po ku je trimi i babait që gjithmonë dëshiroje të bije dëshmor  për këtë  tokë, ja Zoti ta plotësoi dëshirën!”. Aty, nga traktori i tyre, i zbritën dhe i vranë  edhe mikun e tij, Ruzhdiun tridhjetë e pesë vjeçar  me të ëmen, Mihrijen, dhe babë, Bislimin.

Kasaphana vazhdoi edhe më, derisa kaloi numri paraparë mbi njëqind... Trupi i pajetë i Bahriut, bashkë me të tjerët, varrosen nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Studime dhe sot pushojnë të qetë në dheun e Kosovës së lirë. Kujtimi për të nuk shuhet kurrë. Atë e kujtojnë profesorët e tij, e kujtojnë nxënësit dhe kolegët, e kujtojnë bashkë- mendimtarët e bashkëveprimtarët, e kujton populli, e kujton Kosova, e kujton Shqipëria.

 Mbase, më mirë se të gjithë, e kujton vetë familja e tij, e cila ndjehet krenare që pati dhe rriti një djalë të tillë, për ta nderuar vendin e atdheun. Kështu, rrugën e tij, në frontin e dijes, e vazhduan dhe e thelluan vëllezërit:

-  Prof. dr. Shyqri Haxha, ligjërues në Universitetin e Kentit, i cili pos kontributit të madh intelektual e kombëtar, duke bërë përpjekje të vazhdueshme për aftësimin e kuadrove të reja nga Kosova, para ca muajsh u emërua Kryeshef Ekzekutiv i PTK-së;

- Vesel Haxha doktor shkence në Universitetin Shefild (Sheffield);

- Artan Haxha - Galica, sportist i dalluar (shok i ngushtë i shkodranit Rudi Vata), ku ka marrë katër medalje dhe po përgatitet në ekipin Celtic të Skotlandës.

Kjo, madje, edhe më mirë vërtetohet me vajzën e tij, Bahrijen, e cila edhe pse ka lindur në Londër të Anglisë, ku është edhe nxënësja më e mirë, Kosovën dhe UÇK-në i do shumë dhe mban në zemër.

-   UÇK-ja është shpirti im! - u thotë ajo gjyshit e gjyshes, Rexhepit e Halimes, duke ua hequr mallin e djalit, të cilin e mbajnë thellë në zemër.

Mbase, më mirë se të gjithë, e kujton vetë familja e tij, e cila ndjehet krenare që pati dhe rriti një djalë të tillë, për ta nderuar vendin e atdheun. Kështu, rrugën e tij, në frontin e dijes, e vazhduan dhe e thelluan vëllezërit:

- Prof. dr. Shyqri Haxha, ligjërues në Universitetin e Kentit, i cili pos kontributit të madh intelektual e kombëtar, duke bërë përpjekje të vazhdueshme për aftësimin e kuadrove të reja nga Kosova, para ca muajsh u emërua Kryeshef Ekzekutiv i PTK-së;

- Vesel Haxha doktor shkence në Universitetin Shefild (Sheffield);

- Artan Haxha - Galica, sportist i dalluar (shok i ngushtë i shkodranit Rudi Vata), ku ka marrë katër medalje dhe po përgatitet në ekipin Celtic të Skotlandës.

Kjo, madje, edhe më mirë vërtetohet me vajzën e tij, Bahrijen, e cila edhe pse ka lindur në Londër të Anglisë, ku është edhe nxënësja më e mirë, Kosovën dhe UÇK-në i do shumë dhe mban në zemër.

- UÇK-ja është shpirti im! - u thotë ajo gjyshit e gjyshes, Rexhepit e Halimes, duke ua hequr mallin e djalit, të cilin e mbajnë thellë në zemër.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora