Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mesdheu gjatë Luftës së Dytë Botërore

| E hene, 04.05.2009, 11:32 AM |


Përça e sundo

Lufta për Mesdheun/Si u shndërrua "Deti i Mesëm" në "Lindje të Mesme"

Nga Simon Ball

Në pranverën e vitit 1939, flotat ushtarake të mëdha të Mesdheut patën një shpërthim entuziasmi për luftë. Marina Mbretëronte fantazonte që t'i kopaniste mirë italianët e urryer. Regia Marina italiane, ndërkohë bënte plane të poshtëronte britanikët. Edhe marina franceze kërkonte luftë. Gjithsesi, ky entuziasëm nuk vazhdoi në momentin kur u nis të mendohet për pasojat. Në fund, tre fuqi të mëdha detare vendosën të mos luftojnë njëra-tjetrën. Në vend të kësaj, ato nisën të kenë dyshime mbi vetë konceptin e Mesdheut, pra besimin që deti është një zonë e unifikuar dhe jo pjesëza të shpërndara të Evropës, Afrikës Veriore dhe Azisë Perëndimore.

Secila prej këtyre fuqive të mëdha kishte nga një vizion të ndryshëm për Mesdheun. Britanikët e përshkruanin detin si një arterie. Ushtri dhe flota kalonin përmes tij drejt lindjes; lëndë të para, kallaj, gomëcaj dhe mbi të gjitha nafta kalonin që këtu drejt Perëndimit. Italiani Luigi Federzoni, në artikullin e tij me shumë ndikim "Hegjemoni në Mesdhe" të botuar në Foreign Affairs në vitin 1935, qahej për faktin se perandoria italiane, e dobësuar nga "parlamentarizmi i sëmurë" nuk kish përbërë deri sot "një kërcënim të menjëhershëm ndaj arteries imperiale nga Gjibraltari deri në Port Said". Edhe për italianët, Mesdheu përbënte një të tërë. Megjithatë, për ta orientimi i duhur i detit nuk ishte nga Perëndimi në Lindje, por nga Jugu në Veri. Tani që fashizmi kishte "forcuar në mënyrë të pallogaritshme eficencën spirituale, politike dhe ushtarake të Italisë", Britania do të zbulonte se zotërimi italian i linjave transmesdhetare Siçili-Tripoli dhe Dodecanese-Tobruk vinte në rrezik vetë arterien e saj Mesdhetare.

Edhe Franca kishte një flotë të jashtëzakonshme në Mesdhe, të ankooruar si në brigjet veriore, ashtu edhe ato jugore të Detit në Marsejë e Tulon në Francë, Bizerta në Tunizi dhe Oran në Algjeri. Ajo që marina nuk donte të pranonte, ishte se rivali i vet madhor nuk ishte as Marina Mbretërore as edhe Regia Marina, por ushtria franceze, për të cilën marinarët ishin thjeshtë një forcë shoqërimi. Detyra e tyre e përditshme ishte të transportonte mijëra trupa afrikane përgjatë Mesdheut për t'i shërbyer Evropës. Nëse francezët do të donin ndonjëherë të luftonin gjermanët, ata kishin ndërmend të risillnin në skenë luftën e 1914-1918, por këtë herë, duke shfrytëzuar kolonitë e tyre afrikane dhe jo Francën. Deri në fund të vitit të parë të një lufte evropiane, ishta planifikuar që gjysmë milioni afrikanë do të luftonin për Francën me miliona të tjerë që do të thirreshin, nëse do të ishte e nevojshme. Megjithatë, nëse fuqia detare italiane do të përdorej ashtu si duhej, Musolini i garantoi ministrit të Jashtëm të Hitlerit, Ribentrop se, "asnjë zezak nuk do të ishte në gjendje të kalonte nga Afrika në Francë përmes rrugës së Mesdheut".

Lideri i marinës, Admirali Fransua Darlan kishte një "skenar të artë". Nëse marina Mbretërore do të luftonte Italinë, ajo do të kërkonte një aleat. Britanikët do të ftonin francezët jo të lundronin nga Jugu në Veri, por edhe nga Lindja drejt lavdisë. Shanset e fitores në një luftë detare ndërmjet Francës dhe Italisë ishte shumë e vështirë të parashikoheshin; shanset në një konflikt mesdhetar ndërmjet një aleance franko-britanike dhe Italisë ishin të shkëlqyera. Në fund të luftës marina franceze do të ishte fitimtare. Më e rëndësishmja nga të gjitha, marina do të vendosej në Lindje të Mesdheut prej nga ky ishte e dyshimtë nëse aleatët e saj përpara do të mund ta largonin. Mendimi që britanikët të luftonin luftën e Francës në disavantazh të tyre ishte tërheqës.

Ishte Musolini që transformoi vizionet spekulativë të Mesdheut në një nevojë urgjente për veprim. Në fund të nëntorit 1938, ai urdhëroi dhëndrrin e tij, Galeaco Ciano, që të tmerronte Francën. Ciano, ministër i Jashtëm i Italisë u paraqit në Dhomën e Deputetëve në Romë për të deklaruar "aspiratat natyrore" të kombit italian. Në përgjigje për të, deputetët dhe të gjithë ata në llozhë shpërthyen në thirrje: Tunizi, Korsikë, Nicë, Savojë". Musolini i tha Këshillit të Madh Fashist, duke i bërë të betohen për të ruajtur fshehtësinë, se programi i tij në fakt ishte të pushtonte Shqipërinë dhe "më pas... ne kemi nevojë për Tunizinë dhe Korsikën". Edhe kritikët e Darlanit në ushtrinë franceze u detyruan të deklarojnë se, paralajmërimet e tij po bëheshin gjithnjë e më imediatë çdo ditë. Kryeministri francez, Eduard Daladie, bëri një udhëtim shumë të reklamuar në Tunizi në Janar 1939 për të theksuar gatishmërinë e Francës për të luftuar për zotërimet e saj në Mesdhe.

Darlan gjeti një aleat të gatshëm tek homologu i tij britanik, Lordi i Parë i Deteve, sir Roger Backhouse, i cili po përpiqej gjithashtu të kapërcente pengesën e apeluesve diplomatikë në përpjekjet për t'iu kundërvënë Musolinit. Madje, Backhouse ishte edhe më agresiv se sa Darlani: ai ishte për një sulm të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershëm kundër Italisë. Madje, ai kish urdhëruar të niste puna për një plan të tillë.

Planifikuesit e flotës italiane ishin po kaq luftëdashës. Ata propozuan krijimin e në "sistemi mbrojtjeje", pra, ideja e ndarjes më dysh të Mesdheut, duke penguar trafikun që kalonte përmes ngushticave Siçiliane. Përmes përdorimit të mençur të minave, avionëve dhe nëndetëseve të vendosura nga Siçilia në Panteleria, britanikët mund të pengoheshin që të përdornin arterien e tyre Perëndim-Lindje. Disa strategë të flotës italiane shihnin mundësi të mëdha për 'luftë asimetrike", duke përdorur pak njerëz të armatosur me armë të reja me qëllim që të shkaktonin dëme shpërpjestimorë ndaj armikut. Megjithatë, jo gjithçka mundej të shkonte vaj. Ndonëse një "sistem mbrojtjeje" mund të ngrihej menjëherë, vendosja e flotës kryesore të luftës ishte më problematike. Kishte vetëm dy porte italianë në gjendje që të mbanin luftanijet më moderne, Genoa dhe Venecia, të dyja këto mbetje historike që i përshtateshin më shumë operacioneve detarë të një epoke të mëhershme. Genoa ishte veçanërisht e ekspozuar ndaj sulmeve dhe si Darlan, ashtu edhe Backhouse e kishin identifikuar si shënjestrën e tyre të parë për bombardime detare. Përgjigja për këtë problem ishte një bazë e re detare në Taranto në ekstremin jugor, por ky nuk mund të përfundonte para vitit 1942.

Sprapsja e perceptuar e planifikuesve italianë shkaktoi tallje nga ana e shërbimeve të tjerë. A ishin ata të frikësuar të testonin flotën e tyre shumë të kushtueshme kundër britanikëve? Pietro Badoglio, shefi Suprem i Shtabit italian mendonte se zërat për luftë ishin marrëzi të rrezikshme. Retorika e Musolinit, u tha ai gjeneralëve ishte vetëm kaq, retorikë. Ai madje i shkëputi Musolinit një premtim se fjalimi i Cianos ishte thjeshtë një bllof për të mbuluar një operacion të kufizuar në Shqipëri.

Në 7 prill 1939, forcat italiane pushtuan Shqipërinë. Mbreti i vetëshpallur i shtetit të vogël në Adriatik kish bërë më të mirën për të përmbushur kërkesat e italianëve, duke u thënë bashkatdhetarëve të tij se, "ne duhet të bëjmë hapa të shpejtë dhe të fuqishëm drejt kulturës dhe qytetërimit perëndimor". Ai kish dërguar madje motrat e tij në bastionet e fanatizmit musliman në veri të veshura me fustanë të ngushtë për të përhapur mënyrën e ri italiane të jetesës. Pavarësisht gatishmërisë së zogut, Ciano kishte konkluduar se do të ishte më e kënaqshme që ai dhe jo një "Lindor" të merrte nderimet e shoqërisë feudale shqiptare. Formalisht, qëllimi i tij ishte të aneksonte Shqipërinë në kurorën italiane. Në realitet, Shqipëria do të shndërrohej në sheshin privat të lojërave për elitën fashiste. Atje, ata mund të ndërtonin shtëpizat e tyre të gjuetisë, ndryshonin emrat e rajoneve të tërë dhe të pasuroheshin përmes shfrytëzimit të rezervave të supozuara të naftës në Shqipëri. Shqipëria, thoshte Ciano, është "një spektakël i bukur", me Mesdheun si "pasqyrë" që tregonte zonat e gjelbërta rurale dhe malet e mbuluar nga dëbora.

Plani fillestar i Cianos ishte që Zogu të vritej. Por komploti për vrasjen e tij u zbulua. Në vend të tij, Ciano bindi Musolinin që një pushtim në shkallë të gjerë mund të siguronte fitoren me shumë pak përpjekje. Edhe Badoglio shumë i matur ra dakord se një luftë e kufizuar në Shqipëri mund të kryhej pa shumë telashe. "Incidenti" shqiptar përfundoi brenda vetëm 48 orëve. Zogu u largua për në Greqi. Ciano, i cili fluturoi drejt Portit të Durrësit të ndërtuar nga italianët ishte i lumtur. Situata në vend ishte "e shkëlqyer". Siç vërente diplomati i lartë britanik në Tiranë, "pavarësisht se cilat ishin ndjenjat e thella të grupeve të ndryshëm të popullit shqiptar në tërësi, mbetet fakti që nga këndvështrimi politik italianët e realizuan pushtimin me shumë më tepër lehtësi nga sa mund të pritej". Dhe siç theksonte vetë Ciano, edhe më mirë akoma që "reagimi ndërkombëtar ishte othuajse joekzistent". Por pavarësisht përzemërsisë së britanikëve, ai gabohej. Pushtimi shënoi fillimin e përpjekjeve të ethshme të Britanisë për të ridefinuar Mesdheun. Përpara pranverës së vitit 1939 kishte patur fjalë; në periudhën ndërmjet verës së 1939 dhe verës së 1940 kishte veprim.

Pjesa më e madhe e rrëfimeve për këtë periudhë vënë theksin në faktin që një pjesë e madhe e pritshmërive të pranverës së 1939 u hodhën poshtë prej ngjarjeve. Nuk pati një luftë Medhetare në vitin 1939. Një luftë shpërtheu në veri të Evropës Qendrore. Lufta anglo-gjermane e 1939 u luftua në Atlantik. Vetëm një vit pas operacionit të suksesshëm në Shqipëri, në prill 1940 Musolini urdhëroi më në fund flotën e tij që të mobilizohej për luftë. Por gjithsesi, edhe në kulmin e shfaqjes së luftëdashjes së tij ai vuri kushtin që, "më parë Gjermania duhet të mundë Francën". Kapitullimi i francezëve ndaj Gjermanisë në qershor 1940 nënkuptonte që beteja më e rëndësishme detare në Mesdhe ndodhi jo ndërmjet flotës anglo-franceze dhe italianëve, por ndërmjet Francës dhe Britanisë. Në korrik 1940, Forca H, flota britanike që vepronte nga Gjibraltari sulmoi flotën franceze në Oran. Darlani kishte dërguar flotën franceze në lindje të Mesdheut si pjesë e 'skenarit të tij të artë".

Megjithatë, realiteti i Mesdheut që kishin imagjinuar flotat britanike dhe italiane në pranverën e 1939 nuk ishte shumë larg asaj që ndodhte. Pas krizës shqiptare, Flota Mbretërore ndryshoi krejt papritur mendje dhe nisi të përqafojë këndvështrimin italian për Mesdheun.

Deri në maj 1939, Backhouse i kish bërë vetë gropën vetvetes. Pasardhësi i tij, Admirali Sir Dudley Pound, erdhi pasi kish komanduar Flotën e Mesdheut. Që nga zyrat e tij në Maltë, Pound, i kish parë disi me mospërfillje dhe madje përbuzje rrjedhën e skenarëve që vinin nga Londra për një gotidje të fuqishme dhe vendimtare ndaj Italisë. Manovrat e tij për të testuar mundësinë e lëvizjes së anijeve nëpër Mesdhe nuk ishin inkurajuese. Lëvizja e një karvani anijesh, nëse do të haste në kundërvënien e nëndetëseve dhe avionëve do të shndërrohej në një operacion madhor të flotës. Si rezultat, "Mesdheu Qendror dhe Lindor ndonëse në dukje një prej stacioneve të huaj më të afërt do të shndërrohej në më të largëtin prej të gjithëve". Mesdheu ishte i papërshkueshëm për gjithë trafikun joushtarak.

Terminologjia e përdorur për konceptin e ri të Britanisë për Mesdheun i dedikohej shumë konceptit italian për "një sistem mbrojtjeje" që e bënte detin të pakalueshëm për tregtarët dhe të vështirë edhe për luftanijet, nëse këto nuk ishin të fuqishme. Nëse Mesdheu ruhej ashpër në ngushticat Siçiliane atëherë forcat britanike mund ta arrinin gjithsesi nga Lindja. Kështu që, sipas këtij argumenti, Mesdheu dhe Lindja e Mesme "ishte qartësisht një problem strategjik". Në vitet tridhjetë, RAF kishte nisur të përdorte termin e përgjithshëm "Lindja e Mesme" për t'iu referuar Egjiptit si dhe Irakut, duke çuar kështu në aplikimin e kësaj fraze për të gjithë forcat britanike të vendosura përreth brigjeve lindorë të Mesdheut. Koncepti i ushtrisë ishte të krijonte postin e Komandantit të Përgjithshëm për Lindjen e Mesme. Por, deri në krizën e pranverës së 1939, gjeneralët nuk kishin qenë të gatshëm të vepronin sipas konceptit të tyre. Komandantët në Egjipt dhe Palestinë ishin kundër pasjes së një eprori në një kohë kur sfida e tyre kryesore mbetej revolta e brendshme. Kështu që ushtria e parkoi këtë komandant të përgjithshëm në anën tjetër të Mesdheut, në Gjibraltar, të gatshëm për të nxituar drejt Kajros në rast emergjence.

Vetëm në qershor 1939 ky u aktivizua. Gjenerali sir Archibald Wavell u dërgua më në fund në Egjipt në gusht 1939.

Kur Wavell takoi homologun e tij në marinë, pasardhësin e Pound si Komandant i Përgjithshëm në Mesdhe, admiralin Andrew Cunningham në bordin e anijes kryesore luftarake, HMS Warspite në Portin e Aleksandrisë ata nuk mund të vendosnin saktësisht se ku ishte Mesdheu. Ushtria dhe RAF ishin shumë të zënë me ngritjen e zyrave qendrore në Kajro. Marina Mbretërore vazhdonte të shmangej mes Maltës dhe Aleksandrisë. Cunningham pranonte se ai ishte "disi i largët".

Duke ndjekur traditën detare, Cunningham këmbëngulte që të flinte në anijen e tij kryesore. Ai ishte në pjesën më të madhetë kohës në det. Shpesh herë, kur zhvilloheshin takime të komandantëve të përgjithshëm ai ishte i paarritshëm, duke lënë pas një pjesëtar të lodhur të stafit. Pavarësisht autoritetit të tij mbi të gjithë Mesdheun, Cunningham nuk mund të lëvizte në Perëndim të Maltës. Si rezultat, ishte koncepti që ushtria kishte për Lindjen e Mesme dhe jo ai i Flotës Mbretërore për Mesdheun që fitoi terren. Mesdheu nuk ishte më një fije e këputur me "Sirinë dhe Greqinë, Italinë dhe Spanjën të vendosura si copëza të një kalldrëmi të artë në Detin Blu".

Pas vendosjes së komandantit të përgjithshëm erdhi një bollëk organizatash suplementare që të gjitha kërkonin vendin e tyre në diell. Për disa vite, ishte pranuar se komandantët mund të kishin nevojë të dinin se çfarë po ndodhte në hapësirën e madhe që ata duhej të kontrollonin; gjithashtu, ata do të kishin nevojë të dinin se çfarë kishte ndërmend të bënin. Megjithatë, askush nuk po mblidhte informacione të tillë. Në kohën e krizës së Mynihut në vjeshtën e vitit 1938, shërbimi detar i zbulimit pikasi anije lufte që lundronin nga Italia në Libi, por askush nuk i tha komandantit të përgjithshëm në Egjipt se kush do të mbronte vendin nga një sulm i befasishëm prej Libisë. Agjentët në Libi i vëzhguan anijet e luftës që vinin, por nuk ua komunikuan informacionin zyrtarëve në Foreign Office në Londër. Kur telegrami më në fund u deshifrua, ai i kaloi Ministrisë së Luftës nga Foreign Office. Më pas, Ministria e Luftës i dërgoi telegraf Kajros. I gjithë komunikimi kalonte përmes Londrës. Dukej sikur ata në Mesdhe as nuk i flisnin njëri-tjetrit. Për këtë çështje kishte tre shkolla mendimi. Njëra prej tyre këmbëngulte se, problemet e mëdha të shtetit duhej të vendoseshin në Londër. Ushtrisë do t'i jepej informacioni që i nevojitej dhe do të urdhërohej që të vazhdonte me çfarëdolloj operacionesh për të cilët qeveria jepte mandatin. Një shkollë e dytë mendimi kundërshtonte se ky model kontrolli qendror ishte jorealist. Ndonëse, Londra dhe Kajro mund t'i flisnin njëri-tjetrit lehtësisht përmes telegrafit, Lindja e Mesme ishte vërtetë një botë gjysmë autonome. Një shkollë e tretë mendimi shkonte edhe më tej dhe argumentonte se, sundimi ushtarak dhe civil gjysmë autonom në Lindjen e Mesme duhej të integrohej. Britania kishte nevojë jo thjeshtë për mjete ushtarakë afatshkurtër, por edhe instrumenta politikë që i kushtoheshin ruajtjes afatgjatëtë fuqisë britanike.

Këta diskutime disi akademikë u sollën në qendër të vëmendjes për shkak të dështimit të turpshëm të shërbimit të fshehtë në lidhje me Shqipërinë. Sulmi italian kishte ardhur kaq i befasishëm për britanikët, saqë i gjeti anijet kryesore të Flotës së Mesdheut të "shtrira me nge në portet italianë", siç thoshte Churchilli. Edhe nëse qeveria britanike do të kish dashur të ndërhynte, vetë flota e tyre ishte praktikisht peng e sjelljes së mirë. Shumë mirë që Neville Chamberlain kishte thënë se, Musolini kish vepruar si një "horr dhe tinzar"; shërbimi i fshehtë duhej që të kishte pikasur veprimet e atyre që shiheshin si diçka më pak se xhentëlmenë.

Ngjarjet në Shqipëri i detyruan të gjithë që të mendojnë se hapi i parë që duhej ndërrmarë ishte të krijohej një organizatë disi e pavarur zbulimi në rajon. Duhej quajtur qendra e Zbulimit e Lindjes së Mesme - ndonëse zakonisht përmendej me emrin jo shumë të këndshëm "Minjtë". Diplomatët dhe spiunët nuk pranuan që të merrnin pjesë në shpresën se, Minjtë do të kufizoheshin vetëm tek zbulimi ushtarak. Forcat detare dhe ajrore preferonin t'u dorëzonin Minjve sa më pak informacione që të ishte e mundur, madje Flota Mbretërore në një pikë thoshte në mënyrë disi fyese, se nuk mund të çonte dëm një oficer detar dhe do të çonte më mirë një Royal Marine. Por, Minjtë nuk filluan të operojnë në tetor 1939.

Burokracitë e vjetra në Londër dyshonin se, pasi të krijoheshin, këto agjenci do të rrëshkisnin nga kontrolli qendror. Ky dyshim doli i vërtetë në terren. Brenda pak muajsh, numri i të punësuarve në to u rrit nga disa pak oficerë në 1000 vetë që u vendosën në kolonat gri, një kompleks shumë modern zyrash në Kajro. Ngadalë, por me siguri asetet nisën të zhvendosen drejt Lindjes. Organizata të reja - të zbulimit, politik dhe ekonomik si dhe ato më ushtarake - nisën të bulëzojnë përreth kolonave gri. Ky impuls krijues pati një rëndësi shumë të madhe. Shumë shpejt, i gjithë koncepti i 'Lindjes së Mesme", një botë e ndryshme e identifikueshme që përfshinte Mesdheun Lindor kishte kolonizuar imagjinatat e politikanëve dhe gazetarëve. "Uniteti i Mesdheut", ideja origjinale në thelb të frikës së madhe për luftë të pranverës së 1939, tashmë po zbehej. Përpjekjet për të ndalur apo sprapsur përhapjen e konceptit të Lindjes së Mesme rezultuan të pafrytshme. Winston Churchilli u tha atyre që grindeshin se, "një milion anglezë kishin luftuar dhe shumë kishin vdekur në atë që e njihnin si Lindje e Mesme, dhe e tillë do të mbetej!" Deri në mesin e viteve '40, termi Lindje e Mesme qarkullonte universialisht. Dhe të mbërthyer e ka mbajtur imagjinatën e të gjithëve që nga ajo kohë.

Shqipëria

Në 7 prill 1939, forcat italiane pushtuan Shqipërinë. Mbreti i vetëshpallur i shtetit të vogël në Adriatik kish bërë më të mirën për të përmbushur kërkesat e italianëve, duke u thënë bashkatdhetarëve të tij se, "ne duhet të bëjmë hapa të shpejtë dhe të fuqishëm drejt kulturës dhe qytetërimit perëndimor". Ai kish dërguar madje motrat e tij në bastionet e fanatizmit musliman në veri të veshura me fustanë të ngushtë për të përhapur mënyrën e re italiane të jetesës. Pavarësisht gatishmërisë së Zogut, Ciano kishte konkluduar se do të ishte më e kënaqshme që ai dhe jo një "Lindor" të merrte nderimet e shoqërisë feudale shqiptare. Formalisht, qëllimi i tij ishte të aneksonte Shqipërinë në kurorën italiane. Në realitet, Shqipëria do të shndërrohej në sheshin privat të lojërave për elitën fashiste. Atje, ata mund të ndërtonin shtëpizat e tyre të gjuetisë, ndryshonin emrat e rajoneve të tërë dhe të pasuroheshin përmes shfrytëzimit të rezervave të supozuara të naftës në Shqipëri. Shqipëria, thoshte Ciano, është "një spektakël i bukur", me Mesdheun si "pasqyrë" ku dukeshin zonat e gjelbërta rurale dhe malet e mbuluar nga dëbora.

RD