E enjte, 28.03.2024, 09:30 AM (GMT)

Kulturë

“Viti i mbrapsht” i Kadares, ogur i mbarë kinematografik

E enjte, 02.08.2007, 06:08 PM


Gara fetare, siç e quan regjisori Fatmir Koçi, romanin “Viti i mbrapsht” të Kadares, u bë promotori i konceptit regjisorial të “Koha e kometës”, që ka mbledhur edhe yje të Hollivudit

Nga Brunilda Merko

Prodhimi kinematografik më i ri shqiptar, “Koha e kometës”, u prezantua sot për herë të parë për median shqiptare. Në një konferencë për shtyp ku të pranishëm ishin regjisori Fatmir Koçi, autori Ismail Kadare, aktori kryesor Blerim Destani dhe përkrah tij aktorja Masiela Lusha, Ralf Moeller, Tomas Haince, producenti i kompanisë filmike L.A.R.A Enterprises Alan Mixhiç, drejtori i Qendrës Kombëtare Kinematografike Xhevdet Feri, u bënë të njohura më shumë detaje mbi këtë produksion kinematografik. Edhe pse dikur bëhej fjalë për një vit të mbrapsht, dhe sipas Ferrit, vazhdon të jetë për reshje, nuk është më i tillë për kinematografinë, sepse qeveria shqiptare sapo i ka akorduar një fond prej 500 milionë lekë. “Kemi pasur një mirëkuptim të vazhdueshëm që në procesin e krijimit të skenarit. Ka pranuar lirinë e krijimtarisë. Është skenar shumë i vështirë. Ky lloj skenari ka fatin e keq dhe të mirë, se duhet produksion me disa standarte. Ndryshimi i kulturave është pasuri dhe e kundërshton dhunën në tërësi. I thërras ndërgjegjes për të tipizuar atë që jemi dhe më ka nxitur të jem këmbëngulës” u shpreh regjisori Koçi. Ndërkohë që në qetësinë e vet regjisoriale, autori i veprës nuk është përzier fare, jo për shpërfillje,por si një zakon të vetin. “Është vepër e vështirë dhe s'e kam menduar ta bëj film. Kur Koçi më tha se donte të bënte film i thashë: ti qofsh, bëje! Kam zakon që nuk fus hundët dhe s'e lexoj asnjëherë skenarin. Besoj se kur autori ia beson veprën regjisorit heq dorë përkohësisht nga autorësia. Dhe vepra merr jetë të dytë”, u shpreh shkrimtari Kadare. Edhe pse ai nënvizoi se shumë prej romaneve të tij që janë bërë skenarë filmash nuk kanë qenë shumë për të lakmuar, por në të gjitha rastet ai nuk është përzier.
Ndërkohë ka ndodhur krejt ndryshe me Alain Midzic, menaxheri i përgjithshëm i LARA Entertainments, kur ka rënë në kontakte për herë të parë me këtë ide. “Kur Blerim Destani erdhi në fillim dhe më dha librin e Kadaresë e kuptova pse ma dha këtë libër. Sot është shumë e vështirë të prodhosh filma historikë, pasi duhen shumë lekë. Por Blerimi më tha unë jam rritur në Maqedoni dhe kam lindur në Bosnjë ndaj do të shkoj vetë në këto vende, pasi e njoh mirë këtë pjesë të Ballkanit.Kemi një regjisor të madh dhe një libër nga Kadare që na jep mundësinë të realizojmë një film shumë të mirë. Gjëja më e rëndësishme është se kemi mundësi t'ju tregojmë të tjerëve se Shqipëria përbën një element të rëndësishëm në të gjithë Evropën”u shpreh ai gjatë konferencës. Por përzierja e aktorëve shqiptarë me ata të huaj është edhe më e madhe, si një domosdoshmëri për krijimin e një filmi që ndoshta në të ardhmen do të prezantohet denjësisht në vente botërore, siç edhe e cilësoi njëri prej aktorëve. “Kur më thanë se ky film do të realizohej në Shqipëri thashë se ka nevojë për "përzierje" të aktorëve shqiptarë e ndërkombëtarë nëse filmi do të shkojë në Kanë apo të marrë pjesë e të paraqitet ndërkombëtarisht. Mendoj se është mundësi e mirë për të mësuar më tepër për Shqipërinë edhe njerëzit në tërë botën. Asnjë nuk e di se sa i madh do të jetë filmi, por shpresojmë që kjo punë dhe kjo dashuri mes Tom Cruise të ri e Meryl Streepit me të është shumë mirë”, tha Ralf Muler . Ne jemi europianë, kështu ka thënë mbreti Vid, kur sundonte në tokën shqiptare, kështu thotë edhe aktori që e interpreton atë, Tomas Hajnce. “Mbreti Vid ishte nga Gjermania dhe ka kuptim që edhe aktori të jetë gjerman. Në një moment mbreti Vid i thotë Shestanit: Të lutem kujtoni se jemi evropianë.Diversitete të ndryshme, vende të ndryshme bëhen pjesë e të tërës dhe duhet të bashkëpunojnë më shumë me njëri-tjetrin. Kjo do të sjellë cilësi që filmat amerikanë nuk e kanë pasi ata realizohen vetëm me amerikanë”, tha Tomas Hajnce.
Filmi “Koha e Kometës”, deri tani është xhiruar në disa lokacione të Maqedonisë, Pesë ditët e fundit të xhirimeve janë menduar të bëhen në Shqipëri, në zonën e Shkodrës dhe konkretisht në fshatrat e mbi Koplikut, për të vijuar në zonën e Velipojës për ta mbyllur me kalanë e Bashtovës. Pjesa më e madhe e kostumeve janë marrë nga AlbaFilm. Vetëm një pjesë e vogël janë qepur. Buxheti i filmit mendohet të shkojë mbi 2.5 milionë euro ndërsa premiera do të shfaqet në fund të dhjetorit.

Synops
Historia ndodh në një fshat të vogël në juglindje të Shqipërisë në vitin 1914. Pesë fshatarë vendosin të nisen në luftë. Vendi po kalon një periudhë në kaos. Shqipëria po jeton 6 muajt e mbretërisë së Vilhelm Vidit. Shestan Verdha, një burrë i pashëm, beqar, vihet në krye të këtij grupi burrash. Luftëtarët gjejnë një hartë të vjetër të perandorisë osmane që nuk i korrespondon aspak kufijve shqiptarë e ballkanikë të epokës. Burrat marshojnë ditë e natë për të gjetur luftën, por nuk e gjejnë, ndoshta kanë humbur rrugën për shkak të hartës së tyre të vjetër. Pas shumë shtegtimesh, Shestan Verdha takon Anjezën, një vajzë e re katolike të cilën i ati po e dërgon në manastir. Takimi i tyre ishte fatal. Bien në dashuri. Në këtë film do të gjejmë personazhe historikë qoftë të pranishëm qoftë të përmendur si mbreti Vilhelm Vid, Kuz Babai një rebel mysliman, përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha, ushtritë e huaja prezente në Shqipëri si Gjermania, Austro-Hungaria, Anglia, Italia.

Aktorët pjesëmarrës, emra të njohur të kinematografisë botërore
Filmi është një realizim shqiptaro-gjerman-maqedonaso-francez, “Koha e kometës”, dhe përbëhet nga një kast e mrekullueshëm aktorësh të njohur në kinematografinë botërore. Aktori Ralf Muler, i cili ka marrë pjesë në blokbasterin e njohur botëror “Gladiatori”, artisti gjerman Tomas Haince në rolin e princit Vid. Muzika do të realizohet nga kompozitori i shquar shqiptar që jeton në Hollivud, Aldo Shllaku. Për të shtuar edhe emra të tjerë si aktori nga Maqedonia Vllado Jovanovski, aktorja Naomi Valeska (mbretëresha Sofi), të mirënjohurin Çun Lajçi, Masiela Lushën, Blerim Destanin në rolin e protagonistit kryesor, Shestanit dhe njëkohësisht producent.


Ambicjet e kometës

Nga Naser Pajaziti  

Skenë nga filmi "Koha e kometës" 
 
Shkup - Trupa e filmit "Koha e Kometës" shfaqi pamjet e para të projektit të xhiruara gjatë këtij muaji në Maqedoni. Gjithçka deri tani flet për një punë të mirorganizuar, ta administruar, të përpiktë që nga mbledhja e energjive krijuese kudo që janë aq sa i lejon buxheti si asnjëherë tjetër për një film shqiptar, 2.5 milionë euro, deri tek propaganda, marrëdhëniet me median. "Koha e kometës" vetëm dje ka pasur tri konferenca shtypi, në Shkup, Tiranë dhe Prishtinë, ndoshta me qëllimin që trupa të mos bezdiset më prej gazetarëve.
"Filmi është një sfidë me të cilën synohet promovimi i vlerave të filmit ballkanik dhe arritja e një prestigji ndërkombëtar në festivale." Ky ka qenë mesazhi i Alain Midziç, producenti boshnjak i shtëpisë gjermane të produksionit L.A.R.A Enterprises gjatë prezantimit të filmit në ambientet e Hotel Holiday Inn në Shkup. "Mendoj se do të kemi sukses me këtë film që shpalos një tematikë interesante dhe që ndërlidhet me kulturat, vlerat dhe traditat në Ballkan. Ka edhe shumë punë për të bërë, punë në postproduksion, nuk do të ngutem por dua të jem i shpejtë",- tha Midzic. Ai bëri të ditur se premiera e filmit do të jetë gati për t'u shfaqur në dhjetor të këtij viti.

Regjisori i filmit, Fatmir Koçi, tha se është një sfidë e re në realizimin e këtij filmi, edhe pse ai pranon se çdo vepër e shkrimtarit Ismail Kadare është vështirë për t'u adaptuar në skenarë filmi, sikur përshtatja e romanit të shkurtër "Viti i mbrapshtë". "Nuk mund të them se kam ndryshuar mënyrën e të bërit film. Në këtë rast, kjo vepër si çdo vepër e shkrimtarit Ismail Kadare është e vështirë për t'u adaptuar në skenar filmik. Për mua ka qenë një fat që zgjodha pikërisht "Vitin e Mbrapshtë". Mendoj se është një vepër e fuqishme, e cila na jep një tablo historike",- thotë regjisori shqiptar.

Ai shprehet se roli kryesor i është besuar aktorit të talentuar shqiptar Blerim Destanit, i cili me natyrën e tij e përmbush rolin e personazhit Shestan Verdha. "Ai ka arritur të dominojë rolin. Karakteri i Shestanit kërkon lirinë në kuptimin e vërtetë të fjalës. Ky është një film shumë i vështirë, shumë kompleks, edhe pse nuk ka masivitet hollivudian, që ne nuk mund t'i bëjmë dot, dhe që normalisht në rajonin tonë nuk mund të bëhen dot. Nuk e kam për natyrë t'i imponoj ndonjë mesazh spektatorit, por ajo që mund të them është se tek secili nga ne ka një kërkim të vazhdueshëm për sa jetojmë në kuptimin më real të fjalës",- thekson regjisori Koçi.

Aktori dhe kooproducenti i filmit "Koha e Kometës" Blerim Destani, tha se më në fund ia ka arritur të realizojë qëllimin e tij me këtë film. "Para dy viteve më kujtohet për herë të parë kur kam lexuar skenarin, më ka pëlqyer shumë dhe doja me shumë dëshirë ta realizojmë këtë projekt. Atëherë ishte një ide një ëndërr, por tash gëzohem që ajo po realizohet. Jam i impresionuar për pjesëmarrjen e aktorëve të mëdhenj ndërkombëtarë në këtë film, ku shpresoj që të mos mungojnë edhe arritjet dhe çmimet",- tha aktori Destani.

Aktori i Holivudit, Ralph Moeller i njohur përmes filmit "Gladiatori", në këtë film të regjisorit shqiptar Koçi luan rolin e një komandanti austriak të lodhur nga lufta. "Ajo që më kënaq shumë është ajo që po gjej në kinematografinë shqiptare. Të gjithë filmat e mi deri tani kanë qenë aksion, mirëpo po has në vlerat e një kinematografie ku rëndësi u jepetmesazheve",- thotë Moeller. Ai shtoi që "jam i kënaqur që në këtë vend kam njohur traditën, vlerat, popullin dhe kam mësuar shumë nga kolegët pjesëmarrës në këtë film".

Një tjetër aktore shqiptaro-amerikane, ndër të paktat personazhe femërorë në "Kohën e kometës", Masiela Lusha, e cila interpreton Anjezën, është e impresionuar nga tematika e filmit. "Ndërsa isha për xhirime në Argjentinë, mora ftesën për këtë film. Pasi lexova skenarin mbeta e impresionuar aq sa dhe kam qarë. Jam krenare që marr pjesë në këtë film, ku shpalosen vlerat dhe traditat tona historike. Njëkohësisht jam e lumtur që për herë të parë po kthehem në vendin tim",- ka theksuar aktorja Lusha.

Projekti filmik është një komedi romantike, ndërsa ngjarja bazohet në zhvillimet e vitit 1914, disa muaj para fillimit të Luftës së Parë Botërore. Xhirimet do të kryhen në 38 vende të ndryshme, nga të cilat 34 gjenden në Maqedoni, ndërsa 4 të tjerat në Shqipëri, ndërsa kostoja e filmit arrin mbi 2.5 milionë euro. Në periudhën prej 18 korrikut deri më 27 gusht xhirimet do të realizohen në Shkup, Kumanovë dhe Bistër, ndërsa të tjerat në Shqipëri, kryesisht në veri në rajonin e Shkodrës.

Në rolet e tjera interpretojnë artisti i njohur maqedonas Vllado Jovanovski, Çun Lajçi, Genti Zenelaj, Xhevdet Jashari, Luan Jaha, Adem Karaga, Marsela Lena, Naomi Valeska, Mendim Murtezi, Sefedin Shabani, etj. Drejtor i fotografisë është irlandezi Donal Gilian (Donal Gillian). Skenografia i është besuar Igor Toshevskit, ndërsa për kostumet kujdeset kostumografja maqedonase Zhaklina Krstevska. Pjesa më e madhe e kostumeve janë pasuri e Alba Film Studios dhe shumë pak janë krijuar të reja. Ato të garderobës së ish-Kinostudios shqiptare janë mbi 40 vjet të vjetra.

Ngjarja

Në vitin 1914, pas 450 vitesh të sundimit të Perandorisë Otomane, Shqipëria çlirohet. Për ta shmangur kaosin e mëtejmë, britanikët, gjermanët dhe francezët zgjedhin një princ gjerman, Vilhelm Wid si mbret në Shqipëri. Mbreti pritet ngrohtë nga të gjithë, përveçse nga ekstremistët muslimanë dhe nga lideri i tyre Kus Babaj, i cili dëshiron që Shqipëria të jetë provincë e perandorisë otomane. Ai i shkruan mbretit dhe i kërkon që të bëhet synet, në të kundërt ata nuk do ta pranojnë si mbret dhe do të shpallin luftë. Në Malet e Shqipërisë Juglindore, pesë fshatarë vendosin që të shkojnë në luftë. Me vete kanë vetëm një hartë të Perandorisë otomane e cila nuk i njeh kufijtë e Shqipërisë. Shestani (kapidani) dhe njerëzit e tij Cutja, Doska, Todi dhe Alushi vendosin që të luftojnë për mbretin me qëllim që ai të arrijë të vendosë paqen. Natë e ditë ecin në këmbë që të gjejnë luftën. Nuk e gjejnë dot sepse kanë gabuar rrugë, sepse janë udhëhequr nga harta e vjetër. Në rrugë e sipër, Shestani, musliman, njihet me Anjezën, një vajzë e re katolike, babai i së cilës e ka sjellë në një manastir që të bëhet murgeshë. Shestani dashurohet me të por ndjenjat e tij të sinqerta dhe vullneti i fuqishëm që të luftojë për mbretin, nuk do të jenë mision i lehtë. Gjatë udhëtimit, Shestani dhe grupi i tij do të ballafaqohen me pengesa të ndryshme përderisa nuk e gjejnë të vërtetën e tyre dhe ndiesinë për jetën.

Kadare përkrah guximtarët

Shkrimtari Ismail Kadare i cili ka kohë që nuk shfaqet në shtypin shqiptar, ishte dje i pranishëm në konferencën e dytë për shtyp që dha brenda ditës stafi i "Kohës së Kometës" në Tiranë. I pyetur nëse ai ka ndërhyrë gjatë punës së skenarit që bazohet romanin e tij "Viti i mbrapshtë", shkrimtari është përgjigjur prerë "jo". Nuk e ka bërë këtë në asnjë nga herët kur janë ekranizuar veprat e tij. "Që në momentin që ato janë zgjedhur nga regjisorët, është punë e tyre",- ka thënë Kadare. Sa për ekranizimin e veprës në fjalë, Kadare nuk eka fshehur admirimin emocional. I është dukur gati e guximshme sipërmarrja e regjisorit Fatmir Koçi për të bërë film "Vitin e mbrapshtë" jo vetëm se është një vepër komplekse, por që Kadare vetë nuk e ka besuar ndonjëherë se mund të jetë një roman edhe filmik.

Blerim Destani – Shestan

Është aktor dhe kooproducent i cili ka tërhequr vëmendjen me dy filmat e deritanishëm "Metropolet" dhe "Kosova gjurmim i dëshpëruar". Ai nuk është vetëm aktor, por interesohet për të gjitha aspektet e produksionit të filmit dhe tanimë ka grumbulluar përvojë në fushën e regjisë dhe prodhimit kinematografik.

Masiela Lusha- Anjeza

Është aktore e lindur në Shqipëri dhe që jeton në SHBA. Është angazhuar deri tani në filma televizivë, video muzikore, reklama, në njërën prej tyre shfaqet përkrah aktorit amerikan Ben Aflek. Arritja e saj më e madhe deri tani është suksesi në serialin televiziv amerikan "Law&Order" të regjisorit Dick Wolf.

Çun Lajçi – Kus Babaj

Është aktor i njohur shqiptar në një numër të madh serialesh televizivë dhe filma në vitet '70-'90 në Kosovë, ish-Jugosllavi. Ndër më të njohurit janë "Klubi i vetëvrasësve" 1978, "Gjurmë të Bardha" 1980, " Proka" 1984, "Rojet e Mjegullës" 1988, dhe interpretimi në filmin e regjisorit shqiptar Kujtim Çashku, "Kolonel Bunker" 1996.

Ralph Moeller – komandanti Ralph Keitell

Është aktor amerikan me origjinë austriake i cili njihet për interpretimin në filma dhe seriale të njohur botërorë. Disa prej filmave artistikë prodhime të Hollivudit ku Moeller është angazhuar janë "Gladiatori", "Mbreti Skorpion", "Kumbari", "Batman dhe Robin" dhe tek "Saga vikinge".

Hëna duket gjithnjë e plotë që këtu. Ti do të qëndrosh këtu dhe do të shohësh se si ajo kërkon të bjerë mbi këto rrënoja… Kristian Risteski, Lajn producent, maqedonas thotë se Havzi Pasha (një personazh i njohur i historisë maqedonase) i ndërtoi këto konakë për të kaluar fundjavat ose stinën e nxehtë të verës. Burri, historitë e të cilit mund t'i gjesh ndërsa kërkon të eksplorosh në këtë stacion të historisë, ku çdo gjë duket e realizuar me kujdes, vjen përmes rrëfimeve të Risteskit dhe na duket aq sentimental, pavarësisht se figura e tij në histori është përshkruar ndryshe. Sigurisht që maqedonasit do të flisnin ndryshe për të. Në Ballkan nuk mund të flasësh për burra sentimentalë, por për burra të fortë dhe të egër… Këto janë leksionet që historia na ka dhënë deri tani; dhe Risteski, një artist që e njeh mirë historinë, e di se thellë brenda çdo rrëfimi qëndron diçka e padukshme. Diçka të cilën kinemaja këto kohë e ka vendosur në fokus dhe kërkon ta zbulojë. Për Risteskin, është koha për t'u njohur me të vërtetat dhe për ta parë Ballkanin si një vend që mund të flasë pa droje për gjërat "e ndaluara"… për gjërat që historia i ka mbuluar me një shtresë tashmë të fortë hekuri, të cilat e bëjnë më të ndërlikuar të tashmen…

"Nuk mund të jemi përjetësisht depresivë", thotë Risteski, i cili është skeptik ndaj kinemasë maqedonase, e cila vitet e fundit është kthyer në një art që i flet vetëm një shtrese të shoqërisë. Shumë njerëz në Maqedoni ndihen të papërfaqësuar nga kinemaja e tyre, ndoshta ngaqë prirja për të qenë gjithnjë të shqetësuar i ka bërë regjisorët të fokusojnë në filmat e tyre gjithnjë shtresën më problematike, fshatrat dhe shqetësimet që hasin njerëzit jo vetëm të karakterit social ose politik, por edhe individual, duke shmangur kështu ato çka kërkon të shohë në ekran një njeri i civilizuar.

Por nuk është vetëm Maqedonia ajo që ka luhatje dhe vuan mungesën e një kinemaje të vërtetë. Risteski, i cili është njëri nga producentët më të njohur të këtij vendi, që ka në cv-në e tij bashkëpunime ndërkombëtare, e sheh këtë si një problem të vendeve të vogla të Ballkanit.

Në Shqipëri mund të numërohen vetëm nja dy filma të mirë dhe ky përcaktim është i diskutueshëm për të, po ashtu edhe në Kosovë. Janë shumë arsyet që mund ta shpjegojnë krizën kinematografike në rajon dhe kryesisht në vendet tona, por ky producent kërkon t'i lidhë shpjegimet me historinë…

Hëna tashmë ka kaluar mbi çatinë e një shtëpie të ndërtuar me gurë të Havzi Pashës. teksa je shumë afër saj mund të shohësh se si ajo i ledhatohet, duke dashur të hyjë brenda. Por në shtëpitë e Pashajve është e vështirë të hyjë edhe hëna…

Tashmë Risteskit i duhet ta lërë përgjysmë bisedën për kinemanë në rajon… Këtij burri që ende nuk i ka shkelur të 40-at, do t'i kishte pëlqyer të ishte ndryshe në këtë hapësirë… Por, i bindur se ka ardhur koha që kinemaja në rajon të ndryshojë, ai ndodhet këtu për t'i dhënë jetë njërit prej prodhimeve kinematografike që synon të jetë më përfaqësuesi i rajonit këto vitet e fundit…

"Koha e kometës", një bashkëpunim shqiptaro-francezo-maqedonas dhe gjerman po merr jetë vetëm disa hapa larg nesh. I mbështetur në librin e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare "Viti i mbrapshtë", filmi do të vijë nën regjinë e Fatmir Koçit dhe me një kastë të zgjedhur aktorësh.

Konakët e Havzi Pashës janë shndërruar në një shesh të vërtetë xhirimi. Dikush kujdeset të ndezë disa kandila të vjetër, pak më tej, disa burra me veshje popullore po pjekin në hell një qengj, disa të tjerë kujdesen t'i hedhin dru zjarrit…

Ndërsa pranë një kali, teksa hëna vazhdon rrokullisjen e saj mbi këtë vend historik, të gjithë janë përqendruar për të ngjizur në ekran vetëm dy minuta nga njëra prej periudhave më interesante të historisë së Shqipërisë.

Në këto konakë koha është kthyer mbrapa. Dhe në këtë fshat, jo shumë larg Shkupit, po ringjallet Shqipëria e viteve 1913-1914. Një ringjallje e cila nuk kërkon t'i ndreqë gabimet e së shkuarës, por që nëpërmjet saj t'i flasë së tashmes.

Të gjithë këta njerëz që orvaten t'i kryejnë punët që u takojnë secilit, kanë harruar gjithçka që ndodh në jetët e tyre jashtë këtyre mureve dhe kësaj hapësire.

Ata të gjithë janë të shndërruar në nxënës të mirë të historisë, duke ndjekur deri dhe në frymëmarrje lëvizjet e Kus Babait…


Trishtimi i Kus Babait

Asnjë nga miqtë e tij nuk mund t'ia heqë trishtimin e dashurisë Kus Babait. Në tavolinën e mbushur me mish dhe verë, i rrethuar nga shokët e tij të aventurës, ky personazh i njohur i letërsisë sonë e ka të pamundur të heqë nga mendja imazhin e atij djali (Shestanit) të cilin e kishte parë ashtu kalimthi mbi lumë. I mirë, si një kaproll, ai e kishte joshur me lëvizjet e tij. Një dashnor i pandreqshëm Kus Babai, nuk mund t'i shmangë dot lëndimet e dashurisë. "Ti çarçafët lan me lotë, me lot çarçafët e mia, …ah ai djalë që unë pash sot, harram i qoftë dashnia". Kjo është kënga që ai nxjerr nga buzët e tij të trishtuara…

Në punët e sevdasë askush nuk është i sigurt. Dhe këta luftëtarë pasionantë që janë nisur të luftojnë për të mbrojtur vendin, e dinë që, nëse në luftë janë të fortë, në dashuri të gjithë janë të të pafuqishëm për t'u dhënë udhë ndjenjave të tyre.

I rrethuar nga kamera, një ekip i jashtëzakonshëm që ndiqte lëvizjet e tij, Kus Babai (Çun Lajçi) e ka përsëritur deri në orën 02.30 të mëngjesit drekën kur ishte aq i lënduar…

Ai duhet të ishte burri potent që kërkonte t'i bënte ballë luftës, por dhe dashnori plot epshe që nuk ka frikë t'i pranojë prirjet e tij dashurore.

U thotë miqve se i ka nisur një letër mbretit, Vidit. i ka shkruar se do të jetë në krah të tij për ta mbrojtur nga lufta, vetëm nëse do të bëhet synet. Luftëtarët e tjerë qeshin me guximin e Kus Babait. Dikush edhe pyet se "Mirë mbreti pranon, por mbretëresha Sofi, a do ta pranojë një burrë të tillë"?.

Kus Babai nuk është vetëm një burrë romantik, por dhe një njeri që është nisur t'i dalë në krahë Baba Dovletit dhe të ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve në Shqipëri. Ai i ka treguar gjoksin luftës dhe nuk ka frikë prej saj, ashtu si prej dashurisë…

Për herë të parë ndoshta në kinemanë shqiptare do të na shfaqet një personazh me prirje homoseksuale, të cilat trajtohen në film pa asnjë lloj kompleksi, por si një dashuri si gjithë dashuritë e tjera.

Regjisori Fatmir Koçi e sheh personazhin e Kus Babait si një burrë të lirë, i cili në njëfarë mënyre kërkon të predikojë rëndësinë që ka liria tek secili prej nesh. Ai nuk pranohet asnjëherë nga Shestani (djali që dashurohet), por ai e ndjek deri në fund instinktin e tij dhe nuk kërkon asgjë, vetëm ta takojë një herë atë; dhe kur e takon, kupton se ai ishte një personazh i lirë dhe si të gjithë njerëzit e lirë nuk mund të pranonte kompromise….

Trishtimi i Kus Babait është skena që u xhirua nga ora 17.00 e mbrëmjes të së enjtes deri në orën 02.30 të mëngjesit të djeshëm në një kënd të konakëve të Havzi Pashës. Një ekip prej gati 100 vetësh rrekeshin t'i jepnin jetë një momenti nga një pjesë e historisë më delikate të Shqipërisë midis viteve 1913-1914.

Një preokupim që të bënte të shpresoje se ndoshta më në fund do të mund të kemi një film të gatshëm për ta çuar pa asnjë drojë në festivale të ndryshme ndërkombëtare, ku që nga kamera, fotografia, ose produksioni ishte i një niveli të admirueshëm…

Sipas Vitit të mbrapshtë

Nëse Kadare ndihet i sigurt ta rrëfejë historinë duke prekur pjesën më delikate të saj, për Fatmir Koçin ngritja e një rrëfimi historik në kinema, më shumë se rrëfim i së shkuarës është një rrëfim i të tashmes.

Andi Deliana, as/regjisor i këtij filmi, e sheh shndërrimin e "Vitit të mbrapshtë" në "Koha e kometës", si një adaptim vizual. Sigurisht që filmi është një tjetër medium dhe e përcjell në mënyrë të ndryshme mesazhin e një novele, a romani, por thelbi mbetet i njëjtë. Është ngjizja interesante që Kadareja i ka dhënë historisë, ajo që i bën të sigurt që ky film përveç produksionit do të ketë ndoshta edhe një nga skenarët më të mirë të shkruar këto vite në Ballkan. Kjo është fjalia që na e thotë Kristian Risteski, i cili e sheh këtë prodhim kinematografik si një shkëputje nga skenarët disi skematikë dhe pothuajse të njëjtë." Ky film ka një nga skenarët më të mirë që është paraqitur kohët e fundit në Ballkan. Është filmi i parë me temë historike që ka qëndrim korrekt ndaj historisë. Ky film i ka të gjitha parakushtet për të qenë favorit i festivaleve ndërkombëtare", thotë ai.

Në qendër të filmit është historia e pesë fshatarëve nga pjesa lindore e Shqipërisë, që një ditë të bukur njoftohen për ardhjen e mbretit Vid në Shqipëri nëpërmjet gazetës. Ata vendosin të nisen ta ndihmojnë mbretin, të luftojnë për të kundër agresorëve të tij, të lumtur që më në fund Shqipëria kishte një mbret. Ishte koha kur po mbaronte Lufta Ballkanike dhe në prag të Luftës së Parë Botërore. Shqipëria ishte një zallamahi e vërtetë, kishin hyrë trupat franceze, austro-hungareze, grekët ndodheshin në kufi, dhe serbët kishin zbritur pak më poshtë… E gjithë historia zhvillohet vetëm disa muaj para Luftës së Parë Botërore. Këta individë kërkojnë që Shqipëria t'i bashkohet Evropës dhe të mos jetë më pjesë e Perandorisë Osmane. Ata janë të etur për luftë, si burra ata nisen drejt saj për të gjetur se kush është armiku, dhe pasi kalojnë peripeci të shumta kuptojnë se lufta nuk është gjë tjetër veçse diçka e mbrapshtë… Një histori dashurie lind në film mes personazhit kryesor Shestanit (Blerim Destanit) dhe një vajze (intepretuar nga Marsela Lusha), e cila pas shumë peripecish mund më në fund të jetë në krahët e dashurisë. Kështu, në vend që të gjenin luftën, ata gjejnë dashurinë…

"Make love not ëar", kjo fjali e thënë nga Andi Deliana, as/regjisor në këtë film, është ndoshta mesazhi më i mirë për Ballkanin e sotëm, i cili po rreket të shkëputet nga e kaluara. Një film që kërkon të përcjellë këtë mesazh në gjuhën shqipe, në gjuhën e vendit, fati i të cilit ka qenë dhe vazhdon të jetë ende peng i historisë në rajon, është më shumë se një mesazh. Koçi ndihet i sigurt se ky është mesazhi për të cilin të gjithë kanë nevojë, por, nga ana tjetër, për të, është vërtet diçka pozitive bashkëpunimi që ka në këtë film me emra të njohur të kinemasë, çka e ka bërë më të lehtë dhe ndoshta më të sigurt punën.

Buxheti për realizimin e filmit është 2,5 milionë euro. Xhirimet do të shtrihen në 38 vende të ndryshme, 34 nga të cilat ndodhen në Maqedoni dhe vetëm 4 në Shqipëri. Drejtor fotografie është irlandezi Dnal Gillian, i cili ka punuar në filmin e Stiven Spilbergut "Shpëtoni ushtarin Rajan", si asistenti i parë i drejtorit të fotografisë, si dhe në klipe të shumta muzikore me grupin U2.

Rolet kryesore u janë besuar aktorëve me përvojë, si artisti i ri gjerman me prejardhje shqiptare, Blerim Destani, artisti i Hollivudit, Ralf Muler, i cili ka marrë pjesë në filmin "Gladiatori", artisti gjerman Tomas Haince, aktorja e talentuar Marsela Lusha, aktori maqedonas Vllado Jovanovski, i njohuri Çun Lajçi. Në role të tjera janë Gentian Zenelaj, Xhevdet Jashari, Luan Jaha, Adem Karaga, Marsela Lena, Naomi Valeska etj.

Tashmë në disa vende historike të Maqedonisë, historia e një periudhe të trazuar të Shqipërisë po nis të zbardhet¦

Ndoshta Risteski ka të drejtë, e kaluara nuk mund të na mundojë më. Ajo është thjesht e shkuar. E tashmja ka rëndësiâ



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora