Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Alfred Papuçiu: Mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit të Shqipërisë...

| E hene, 04.05.2009, 05:04 PM |


Mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit të Shqipërisë me organizatat ndërkombëtare

Nga Alfred Papuçiu

Ky studim i realizuar gjatë kohës që punoja në Komisionin Ekonomik të OKB-së për Evropën dhe i botuar atëhere në shtypin shqiptar kishte si synim të nxiste ecurinë e bashkëpunimit të vendit tone sidomos me organizma ekonomike, në një çast tepër të volitshëm për Shqipërinë. Ato kanë qënë dhe mbeten mendime personale, nisur nga dëshira që shprehnin dhe kolegët e mij shumëkombësh të departamenteve të ndryshme të KEE, me të cilët ndaja gëzimet, arritjet dhe realizoja studime për seminaret në vendet e ndryshme të Lindjes, apo për botimet e OKB-së. Më poshtë po japim një pjesë të këtij studimi të vitit 1991.

Bashkëpunimi me organizatat ndërkombëtare me bazë në Gjenevë është zgjeruar nga viti në vit. Ai pati një hop sidomos qysh nga viti 1987 kur u ndoq më nga afër ecuria e bashkëpunimit me to.
Bashkëpunimi ka qënë më i frytshëm me Komisionin Ekonomik të OKB-së për Evropën. Sidomos pas vizitës së sekretarit Ekzekutiv të Komisionit Gelard Hintereger në Shqipëri, në qershor-korrik 1990 u krijuan fusha të tjera dhe u hapën horizonte të reja për ecurinë e mëtejshme të këtij bashkëpunimi. Divizioni i Energjisë i KEE përgatiti një studim për energjinë në vendet e Ballkanit. Ekpsertë të këtij divizioni kanë qënë në Shqipëri dhe kanë parë nga afër mundësitë e shkëmbimeve, si dhe kanë dhënë ndihmesën e tyre për ecurinë e problemeve që kanë lindur për qymyret, energjinë elektrike dhe energjinë në përgjithësi. Një grup prej tre ekspertësh shqiptarë, që u pasua nga një numër të tjerësh erdhën në Gjenevë për të konkretizuar bashkëpunimin në drejtim të naftës, gazit, energjisë elektrike, qymyreve etj. Në kuadrin e projektit të KEE “Energjia për vitin 2000, specialistët shqiptarë mund të marrin pjesë në 17 projekte, një pjesë e të cilave financohen nga KEE dhe projektet rajonale me PNUD-in. Në këtë drejtim, duhet punuar që të shkojnë në këto seminare, mbledhje, specialistët tanë më të mirë në këto fusha dhe që të zotërojnë një gjuhë të huaj ndërkombëtare. Në fushën e energjisë mundësitë janë të shumta. Në një kohë kur në vendin tonë shtrohet detyra e zgjerimit të njohjes për futjen e energjive të reja, duke përfshirë edhe atë diellore, duhen bërë hapa më të shpejta për t’iu përgjigjur gatishmërisë së treguar prej vitesh nga divizioni i energjisë së Komisionit Ekonomik për Evropën. Pa dashur të bëjmë një kritikë, duhet theksuar se studimit të KEE lidhur me energjinë në Ballkan, organet kompetente ju përgjigjën me vonesë. Është e nevojshme të hiqet ndrojtja për të pasur edhe Shqipëria vendin e saj në botimet e KEE dhe organizmave të tjera ndërkombëtare. Specialistët tanë më me zë në fushën e energjisë, të transportit, mjedisit, tregtisë etj., duhet t’u përgjigjen kërkesave të këtyre organizmave, pasi është në interes të vendit tonë dhe të zgjerimit të bashkëpunimit edhe me vendet e tjera që të tregojnë arritjet dhe problemet tona. Akoma institucionet tona dhe specialistët tanë vuajnë nga kompleksi i vetizolimit. Dhe kjo në disa raste ka arritur deri në absurditet. Kërkohej njëherë të jepeshin të dhëna mbi shkëmbimet tona tregtare me vendet e tjera. Ishte e vështirë që ato të jepeshin pasi quheshin “të pabotueshme”, “sekrete”. Ndërkohë, që brenda dhjetë minutash në Qendrën Ndërkombëtare të Tregtisë në Gjenevë mund të siguroheshin të dhënat për shkëmbimet tona tregtare, si dhe kalimin e tyre edhe tek të tretët, pasi ato nuk përbënin më “sekret” deri sa ishin nënshkruar marrëveshje me shtete të tjerë.
 Bëmë një digresion të vogel, për t’u kthyer përsëri tek fusha e energjisë. Shqipëria dhe ekspertët e saj në fushën e energjisë marrin pjesë në katër projekte kryesore që realizohen nga Komisioni Ekonomik i OKB-së për Evropën: në projektin KEE PNUD për qymyret me fuqi kalorifike të ulët, në projektin KEE PNUD për efektshmërinë e ndërtimit të ndërtesave (projektet e shpërndarjes së energjisë), projekti i KEE “efikasiteti i energjisë për vitin 2000”, si dhe projekti mbi studimin e zhvillimit të gazit evropian. Janë dhënë disa mendime racionale nga drejtori i divizionit të Energjisë, Brendov, i cili është ekspert me famë botërore në fushën e energjisë, lidhur me organizimin e ndonjë seminaria po kurseve të specializimit, të shkëmbimit të mendimeve për energjinë, gazin, në vendin tonë. Brenda disa ditësh (2-3 ditë), duke ftuar ekspertët më me zë në fushën e energjisë, apo edhe të gazit në veçanti mund të shkëmbehen mendime racionale për zhvillimin e tyre, për financimin e teknologjisë së re, si dhe për shkëmbimin e përvojës dhe të specialistëve. Kërkohen rreth 400 mijë dollarë për ristrukturimin e kaldajeve ekzistuese. U hodh mendimi që tani që vendi ynë është anëtar i BERD (Bankës Evropiane për Rindërtimin dhe Zhvillim), kjo shumë mund t’i kërkohej zyrtarisht këtij organizmi. Janë arritur disa kontakte me italianët për ndërtimin e dy termoçentraleve, apo për futjen e teknologjisë së re për nxjerrjen e qymyreve. Por gjatë bisedimeve me ekspertë të divizionit të Energjisë së Komisionit Ekonomik për Evropën rezulton se duhet parë mundësia e bashkëpunimit edhe me gjermanët, britanikët, polakët, që janë kompetentë në këtë drejtim. Është hedhur gjithashtu mendimi i organizimit të një seminari të shkurtër për gazin në Shqipëri që duhet të marrë sa më parë rrugë siç është rënë dakord, pasi do të ndihmojë në ecurinë e forcimit të lidhjeve për kalimin e gazit evropian edhe nëpër territorin e vendit tonë. U ra dakord që dhjetë specialistë tanë të shkojnë me specializime të shkurtra në Hungari, si dhe në katër kurse për energjinë dhe mjedisin në Poloni, Cekosllovaki, Jugosllavi dhe pranë “Sharbonazh de Fransë”. Por duhet menduar qysh tani që të shkojnë atje specialistët që mund të ndihmojnë më tepër. Ka ardhur gjithashtu koha, ndoshta mund të ketë edhe rezerva në këtë drejtim, që në sesionet e Komisionit Ekonomik për Evropën, apo edhe në projektet që ndiqen qoftë për energjinë apo edhe mjedisin, etj., të marrë pjesë rregullisht të paktën një specialist që të ndjekë ecurinë në vazhdimësi. Pasi ka ndodhur shpesh, megjithëse janë bërë premtime nga pjesëmarrësit në sesione edhe pranë funksionarëve të lartë të KEE apo të ndonjë organizmi tjetër ndërkombëtar, përsëri ato kanë mbetur në letër. Janë kërkuar nga ana e sekretarit të Komisionit Ekonomik për Evropën emrat e tre ekonomistëve shqiptarë që mund të ndihmojnë në të ardhmen në formulimin e analizave ekonomike për Shqipërinë apo edhe për vende të tjera, duke i mbuluar shpenzimet vete Komisioni. Akoma nuk ka përgjigje. U kërkua një studim lidhur me problemet e tregtisë sonë të jashtme dhe mundësitë e zgjerimit që të futej në botimet e KEE por nuk erdhi. Arsyet mund të jenë nga më të ndryshmet, por në fund të fundit këtu humbasim ne pasi dihet mirë se botimet e Kombeve të Bashkuara lexohen nga afaristë, ekonomistë, drejtorë konsorciumesh, specialistë, të cilët mund të jenë të interesuar të zhvillojnë bashkëpunimin me vendin tonë për privatizimin, ekonominë e tregut etj. U veprua drejt që gjatë konsultës së Brukselit me vendet e Bashkësisë Evropiane, si dhe përfaqësues të organizimave ndërkombëtare për ndihmën për Shqipërinë, ishin sjellë të përkthyera ligjet e reja lidhur me privatizimin, mbi monedhën dhe shkëmbimet, mbi ekonominë e tregut në përgjithësi, mbi investimet e huaja, etj., të cilat u vlerësuan nga një numër pjesëmarrësish. Nëpërmjet tyre, një pjesë e mirë prej tyre realizojnë se ku janë mundësitë dhe siguritë për investime në vendin tonë.
 Le të shohim mundësitë që ekzistojnë vetëm në fushën e tregtisë. Në veprimtaritë që ka organizuar Komisioni Ekonomik i OKB-së për Evropën, si edhe në disa të Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Tregtinë dhe Zhvillimin (UNCTAD), të Qendrës së Tregtisë Ndërkombëtare, kanë marrë pjesë edhe specialistët tanë. Duhet rritur bashkëpunimi me këto organizma për vete faktin se ekspertiza e tyre si për ndërmarrjet e përbashkëta, marketingun, privatizimin, hartimin e ligjeve për arbitrazhin, është shumë e vlefshme. Mjafton të përmendim faktin se herë pas here këto organizma angazhojnë specialistët më me zë nga vende të ndryshme të botës, bëjnë analiza të hollësishme për rajone dhe vende të veçanta, duke e parë jo vetëm gjendjen aktuale të tyre por edhe perspektivën, mundësitë që ekzistojnë. Botimet e OKB-së janë shumë të pasura në këtë drejtim dhe mjafton të vizitosh Bibliotekën e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, për të realizuar se sa punohet në drejtim të ecjes përpara edhe në fushën e shkëmbimeve tregtare, ekonomike në përgjithësi. Përveç botimeve, informatizimi i kësaj biblioteke ka sjellë që çdo vit të rritet numri i lexuesve, si dhe i shkëmbimeve të botimeve me biblioteka të vendeve të ndryshme. Por ç’ndodh? Në këtë bibliotekë nga Shqipëria vijnë vetëm dy tre botime, si “Studime ekonomike” e ndonjë tjetër kur mund të dërgohen edhe botime të tjera. Sidomos në këtë periudhë tranzicioni, kur ekonomia e vendit tonë kalon situata krize dhe stanjacioni, kur janë vendosur lidhje me Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, është më se e rëndësishme të bëhen të njohura hallet tona për të çarë në tregjet e huaja për kromin, qymyret, elektricitetin, bakrin, naftën, produktet ushqimore (në një masë ndoshta të kufizuar, sa të realizohen nevojat në vend), gazi, duhanet, konjaku etj. Por kjo nuk mund të arrihet vetëm në bisedat me afaristët që vijnë në Shqipëri, por duke u angazhuar totalisht ekonomistët, specialistët më të mire të tregtisë së jashtme që zotërojnë siç duhet gjuhë të huaja ndërkombëtare, në botimet e OKB-së, KEE, UNCTAD-it etj, pa pritur “që të piqet mire mendimi”. Koha ikën shpejt. A nuk do të ishte më e volitshme që një analizë për ekonominë tonë të mos e bënte vetëm zoti Kajzer, profesor i Universitetit të Oksfordit, (për të cilin natyrisht kam respekt dhe e kam njohur personalisht), si përfaqësues i një organizmi ndërkombëtar i ardhur nga Londra si konsulent për një muaj në Gjenevë, por këtë ta bënin bashkë me të, apo edhe vetëm ekonomistët tanë më të mire, të cilët nuk mungojnë. Kjo edhe për fusha të tjera me interes, të shkencës, teknikës, drejtësisë, të të drejtave të njeriut, mjedisit, mbrojtjes civile. Mjafton të përmendim, edhe nga një përvojë e vogël personale se janë dërguar rregullisht të gjitha ligjet për ndërmarrjet e përbashkëta, për shkëmbimet tregtare, monedhën, të cilat natyrisht janë shfrytëzuar nga specialistët tanë, por që nganjëherë është vepruar vonë për të bërë sa më konkrete dhe më të kapshme psh ligjin për ndërmarrjet e përbashkëta, pasi disa klauzola të tij linin edhe dy kuptime (flas për ligjin fillestar të vitit të kaluar).Ndërkohë duhen ftuar, siç është vepruar deri më sot specialistë të zotë të KEE, që kanë përvojë të gjatë dhe mund të japin ndihmesë për të dhënë leksione, si dhe për të biseduar me specialistët tanë të tregtisë; apo Brendov i departamentit të energjisë, me një përvojë të sukseshme në këtë fushë; Armangil për transported, Brian Duke, duke e ftuar për problemet e administrimit të ekonomisë dhe mundësinë e organizimit të seminareve në vendin tone; Keneth Dadzie, zëvëndëssekretar i përgjithshëm i OKB-së dhe sekretar i përgjithshëm i Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Tregtinë dhe Zhvillimin; P. Civili, drejtor i prograneve dhe administrimit të UNCTAD-it; Zhon Burley, shef i grupit të kooperimit teknik të UNCTAD-it, të cilët mund të japin gradualisht ndihmesën e tyre, si dhe të vijnë si ekspertë me shpenzimet e këtyre organizmave ndërkombëtare.
 Përsa i përket problemeve të mjedisit, me zhvillimin e industries në vendin tone, të TEC-eve, të bujqësisë, të komunikacionit, nuk mund të quhet se jemi të “imunizuar”, “nuk kemi polucion”, në ajër apo në det, në liqene etj. Prandaj është e domosdoshme që organizmi përkatës për mbrojtjen e mjedisit në vendin tone, përveç arritjeve që ka, të mendojë më tepër për perspektivën.
 Janë bërë disa hapa në këtë drejtim. Delegacionet tona kanë marrë pjesë në konferenca në Norvegji, Gjenevë, në disa mbledhje rajonale. Tani ka ardhur koha që t’i jepet një përgjigje e shpejtë kërkesës dhe dëshirës së Komisionit Ekonomik për Evropën të OKB-së, që edhe Shqipëria të marrë pjesë rregullisht në projektet për problemet e mjedisit. Shpesh here, specialistët tanë kanë marrë pjesë në to me shpenzimet e OKB-së dhe PNUD-it. FIllimisht duhet nënshkruar “Konventa për ndotjen atmosferike transkufitare të distances së gjatë”, e cila shpesh here është kërkuar me ngut, por kopjet e shumta që janë marrë, siç duket akoma nuk janë nxjerrë nga sirtari. Ajo konventë, edhe nëse një specialist i një fushe tjetër e sheh, nuk na sjell asnjë dëm përveç të mirave; asnjë frikë nuk duhet patur se mos shkelet ndonjë “parim”. Nëshkrimi i saj do të jape mundësi që të merret pjesë denjësisht dhe shpesh here pa shpenzime udhëtimi apo qëndrimi në mbledhjet e organizuara si në Gjenevë dhe gjetiu. Gjithashtu asistenca nga ana e KEE apo e organizmave që merren me problemet e mjedisit do të jetë më e frytshme. Vetëm se në këtë drejtim duhet punuar që të marrin pjesë specialistët më të aftë, që zotërojnë një gjuhë ndërkombëtare për të komunikuar lirisht dhe për të shfletuar konventat, si zoti Pano me shokë, pasi në rast të kundërt pjesëmarrja e “shurdhët” e ndonjë specialisti pa gjuhë të huaj në seminare apo konferenca, nuk do të jape rezultatin e duhur.
 Lidhur me problemet e transportit, ekspertët shqiptarë kanë marrë pjesë në kuadrin e projekteve rajonale të KEE, të zhvilluara në Gjenevë apo gjetiu, apo edhe në Bernë për hekurudhat. Tashmë vendi ynë, pas shumë ndërhyrjesh e shprehjes së dëshirës së mire të funksionarëve të transportit të KEE, ka nënshkruar projektin TEM lidhur me autostradën. Natyrishtr, përveç fondeve që ka aktualisht Komisioni Ekonomik për Evropën, i cili është edhe përgjegjës i projektit për autostradën, duhet kërkuar një mbështetje në fonde për ndërtimin e infrastructures, për rregullimin e rrugëve, si dhe transportin në përgjithësi.
 Mundësi të shumta ekzistojnë edhe për fusha të tjera të rëndësishme, si të bujqësisë, pyjeve, statistikave (sitemi EDIFAKT), informatizimin, sigurimin e bursave në fusha me interes, por në këtë drejtim duhet menduar më tepër. I duhet dhënë rrugëzgjidhje problemeve sa më pare dhe i duhet përgjigjur dëshirës së mire të shprehur në kohë, jashë pasioneve, ngurimeve, gjetjes së specialistëve më të zotë, si dhe t’u jepet fund meskiniteteve që janë vënë re disa here në këtë drejtim.

Gjenevë, 1991