E marte, 23.04.2024, 09:51 AM (GMT+1)

Mendime

Robert Martiko: Kolegji Saverian i Shkodrës dhe psikologjia e turmave

E marte, 05.05.2009, 06:54 PM


KOLEGJI SAVERIAN I SHKODRES DHE...
... DHE PSIKOLOGJIA E  TURMAVE…
 

Nga Robert Martiko
 
Falë shkrimit të shkrimtarit Leon Leka, duke lexuar rreth historisë së persekutimeve të Kolegjit Saverian të Shkodrës, lexuesit i jepet rasti  të dallojë dhe njëkohësisht të gjejë të ilustruar, akoma edhe një herë, egërsinë e jashtëzakonshme të megavdekjeve më të mëdha të regjistruara në historinë e njerëzimit, te kryera ne emër te politikave të marrëzisë së organizuar.
Meqënëse në këtë rast, kemi të bëjmë me tmerre ekzemplare të kryera prej njeriut ndaj të përngjashmit të tij, padashur iu drejtova librave dhe koncepteve të Frojdit, për të kuptuar e zbuluar psikologjinë e egër të turmave në momente të caktuara kronikale apo historike...
Dukuria me interesante e njekohësisht më e rëndësishme e formimit të turmës është ekzaltimi apo intensifikimi i emocionit. Kjo bën që secili pjesëmarrës te mos largohet nga aksioni pa kënaqur më parë instiktet e tij apo zbutur pasionet e tij prej krimineli të papërmbajtur. Cdo individ i tillë ndjehet si i dehur në ato çaste... Psikologu amerikan Uiliam Mc. Dugll e shpjegon këtë fenomen duke e quajtur parim të induksionit të drejtpërdrejtë emocional. Eshte fakt që shënjat të cilat dallojmë te një gjëndje emocionale, janë të tilla që shkaktojnë automatikisht të njëjtin efekt edhe te personi që vrojton. Ky përkim automatik është aq i fortë sa më i madh të jetë numri i personave tek të cilët vërehet njëkohësisht ky efekt. Në këtë rast fryma kritike e individit të veçuar zhduket. Sa më trashanike të jenë motivet afektive aq më shumë mundësi ka që ato të përhapen në turmë në trajtat më ekstreme, mizore e shtazarake...
Për ta thjeshtuar problemin, do te doja të shtoja se pikërisht në këtë mënyrë, shpjegohen atrocitetet ndaj shkollave fetare, priftërinjve qytetarëve apo edhe banorëve të thjeshtë të një komuniteti apo kombi të caktuar. Mbasi vëllavrasjen komuniste nuk e kreu vetëm një grusht njerëzish por me mijëra njerëz, të cilët duke shoqëruar prijësit e kopesë, dallonin se në shoqërinë e tyre mund të zbusnin e qetësonin deri diku instinkte të shumta shtazarake: me gjak, hekur, zjarr e litar...
Pak a shumë psikologjinë e turmës, poeti romantik, gjerman Henrik Hajne e ilustron artistikisht nëpërmjet këtyre vargjeve të thjeshta te poema e tij e famshme Ata Troll: 
“...Bota e shtazëve të ulëta
zien mjerim, urrejtje e mburrje...”
Nga ana tjetër, ç’gjë më e bukur mund të ekzistojë... më poetike në altarin e arsimimit të një vendi, se sa një kolegj, ku shpirtra të rinj, gjithë gëzim e jetë u drejtohen bankave të shkollës, për të mësuar e më pas, për të shpërndarë kudo dritën e bukur të arsyes, diturisë e mënçurisë!... Në shkrimin e Leonit bëhet fjalë për Kolegjin Jezuit Saverian të Shkodrës apo për një nga qëndrat e para të mësimdhënies në Shqipëri: një vend ku shkollat përgjithësisht mungonin. E megjithatë, ky burim i pastër drite e kulture nuk emocionoi askënd pozitivisht nga kopeja e kuqe... Përkundrazi. Komunistët e porsaardhur në pushtet, nuk u rezervuan për të burgosur e kaluar në thikë e zjarr pothuajse të gjithë nxënësit saj. Ndodhi pak a shumë njësoj si me shkollën teknike të amerikanit Harri Fulc, i cili në një rast, për të mësuar studentët shqiptarë të mos përbuznin punën, futi vetë duart në ujërat e zeza të shkollës, për të zhbllokuar një nevojtore që nuk funksiononte. Për një shoqëri ballkanase, të prapambetur deri në palcë, në të cilën, nëpër fshatra, punonin më shumë gratë se sa burrat, ky qe me të vërtetë  një gjest i pakonceptueshëm në atë kohë.
Gjatë gjysmë shekulli komunizëm në Shqipëri, krahas krimeve më monstruoze në historinë e njerëzimit, natyrisht, u shtrëmbërua edhe vetë e vërteta. Fjala vjen, ballistët u akuzuan nga propaganda e kuqe se gjoja prisnin gishtërinj grash shqiptare për të grabitur unaza, ndërkohë që komunistët në valën e grabitjes së pasurive private prenë me mijëra koka bashkatdhetarësh.. Kështu ndodhi edhe me jezuitët. Ky grupim fetarësh, që historikisht është dalluar ndaj urdhrave të tjera fetare të kishës katolike, për hir të pastërtisë dhe flakës së pasionit shpirtëror, është paraqitur për të paditurit, (madje edhe në Evropë) si klishé: një sinonim i intrigës dhe pabesisë... Ç’gjë më qesharake dhe më e pabazuar! Vecanërisht, kur u hedh një sy statistikave të krimit e vëllavrasjes në Shqipëri. Gjatë diktaturës komuniste u ekzekutuan për motive politike 5.037 burra dhe 450 gra. U dënuan me burgime 16.788 burra dhe 7.367 gra. U dëbuan nga qytetet e zonat  kufitare 11.356 familje. U pushkatuan apo vdiqën në burgjet shqiptare 64 shtetas të huaj dhe u burgosën 1.215 burra dhe 38 gra të huaja. U pushkatuan 95 kosovarë të ndodhur ne Shqipëri.
Pikërisht, këto tmerre të kryera në një vend të vogël si Shqipëria, më bëjnë ti kthehem edhe njëherë psikologjisë së mësipërme të turmës, lukunisë së ujqërve apo vulgut të ekzaltuar. Për të ilustruar ndjenjën e intensifikimit emocional të turmës apo kopesë, ju jap fjalën, këtë radhë do të flas pa kurrfarë termash shkencore... Sigurimi famëkeq shqiptar arriti të përdorë me mjaft sukses jelekun e torturës, dëmtimin e organeve gjenitale, kamxhikun dhe drurin, lënien pa ushqim e ujë për ditë të tëra... Përdorej rrymë elektrike deri në humbjen e ndjenjave. Të burgosurve u varnin në qafë zinxhira apo pesha të rënda, u mbushej goja me kripë, u shuhej cingarja në trup e në sy, u thyheshin kockat e u shkulej mishi me darë... Në palcë të dimrit futeshin të arrestuarit në ujë të ftohtë. Përdoreshin kimikate për shkatërrimin e sistemit nervor... Përdorej zgjoi i bletëve si dhe dhjetëra metoda të tjera nga më mizoret që janë në gjëndje të konceptojnë vetëm mëndje të djallëzuara e të përbindshme.
Edhe në një rast tjetër kam shkruar për Zef Lekën babanë e dashur e dinjitoz të Leonit. Në çdo rast të asgjësimit absurd të njeriut paqësor e të ndershëm, bëj pyetjen: “Si është e mundur individë të tillë që në raste të tjera mund të përbënin lulen, krenarinë, nderin dhe dritat e civilizimit të një kombi, të trajtoheshin me dhunë, burg e tortura fizike prej vetë bashkatdhetarëve të tyre?”...
Më del parasysh edhe një plejadë e tërë etërish e dritëdhënësish katolikë si Pjetër Mershkalla, Zef Pllumi, Simon Jubani, Dom Ndre Zadeja, Gjergj Vata, Daniel Dajani, Gjon Shllaku, Mark Çuni  e shumë humanistë e heronj të tjerë, ushtarë të panjohur nga gjithë Shqipëria... Kur erdhi çasti i përballimit me vështirësitë, vuajtjet dhe vdekjet, këtë fundit arritën ta përbuznin. Pikërisht, këtu qëndron edhe madhështia e tyre. Ndofta kishte ardhur koha kur fjala e urtë “Si vis pacem para bellum”, (“Nëse do paqen përgatit luftën”) do të duhej të zëvendësohej apo modifikohej me një tjetër:  “Si vis vitam, para mortem”... Që do të thotë: “Nëqoftëse do jetën, përgatit vdekjen.” Veç këtu bëhet fjalë për një vdekje jo të zakonëshme por mjaft heroike e dinjitoze.
Mbasi vdekja e martirëve nuk mund të përbëjë kurrë asgjësim shpirtëror por një rilindje të madhe morale e shpirtërore... Eshtë një përsëritje e shembullit më sublim për gjithë njerëzimin, të vdesësh apo dhurosh jetën tënde për një botë më të bukur, më të butë, më ideale, më të edukuar e më të ndershme...
Në anën tjetër, kopeja e uritur për gjak, si rudiment tragjik i të kaluarës, përherë e zhytur në padituri, mjerim e mburrje endet si kufomë e verbër, përjetësisht e pakorrigjuar në mjegull dhe errësirë...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora