E enjte, 23.09.2021, 09:20 AM (GMT+1)

Shtesë » Shoqëria

Raportet në çift, ku ndahet pushteti mes burrit dhe gruas

E hene, 04.05.2009, 12:12 AM


Në kohën e sotme marrëdhëniet në çift kanë pësuar një ndryshim të madh. A nuk duket se “lufta e mileniumit mes burrit dhe gruas”, për sa i përket rolit të fuqisë dhe dominimit është duke u spostuar gjithnjë e më shumë drejt polit femëror. Në një farë mënyre në botën aktuale, ekzistenca është drejtuar më shumë drejt kërkimit të karakteristikave dhe vlerave pozitive të përfaqësuara nga femrat: hapje, dialog, pritje, shkëmbim emotiv. Ndërkohë që burrit çdo ditë e më shumë i kërkohet t’i largohet natyrës së mbyllur, të shmangë vrazhdësinë në dashuri, t’i japë kënaqësi partneres, ta respektojë atë në marrëdhëniet intime, sjellje këto që në të kaluarën nuk njiheshin.

Rolet

Një herë e një kohë këto role ishin të qarta, dhe fuqia në çift apo në familje ishte mbi të gjitha e fokusuar tek burri. Ndërkohë që sot në çift ekzistojnë divergjenca dhe diskutime për sa i përket mënyrës së rritjes së fëmijëve, ndarjes së punëve të shtëpisë, dhe jo më raporti i forcës për ta kthyer peshoren gjithnjë nga Ai. Çiftet e reja funksionojnë nëpërmjet komunikimit, nëpërmjet të shprehurit të personalitetit të secilit, dhe herë pas here arrihet në një kompromis të drejtë edhe në këtë aspekt. Është një pikë takimi, por që nuk arrihet një herë dhe vendoset përfundimisht, sepse në jetën e përditshme ky kompromis kërkon fleksibilitet, tolerancë, ndjeshmëri dhe kreativitet. Kur kjo nuk ndodh, kemi kthimin tek burri arkaik, që kërkon të jetë në qendër të vëmendjes me anë të forcës dhe fuqisë së fjalës së fundit, dhe që mbi gruan e tij tregohet i dhunshëm e agresiv.

Origjina

Gjithsesi duhet thënë se nuk është e lehtë për një burrë, që brenda çiftit, të ndjekë valën e ndryshimit e cila sot ndjehet si tendencë nëpër botë. Kjo për faktin se origjina nga vijnë burrat (sidomos në Shqipëri) nuk ua mëson atyre këtë. Në këtë zanafillë gjyshërit dhe baballarët dukeshin se ecnin mbi binarët e një ligji prioriteti mbi gruan, të ligjëruar prej qindra vitesh. Dhe gjatë gjithë kohës nga ky mentalitet është ngulitur kaq shumë mbajtja e një kontrate të tillë, sa thuajse ajo ishte një ligj që garantonte qelizën sociale, familjen dhe trashëgiminë. Sot çiftet kërkojnë të rrinë së bashku vetëm nëse ka dashuri, mirëkuptim, ndarje të vlerave dhe të mënyrës së njëjtë të të kuptuarit, për t’u rritur së bashku dhe për t’u realizuar. Përndryshe diskutohet prishja e kontratës, në çdo moment.

Deri ku shkon fuqia e gruas?

Evoluimi i marrëdhënies mes burrit dhe gruas, shpesh herë bëhet tepër i brishtë për shkak të prishjes së ekuilibrave tradicionalë. Gratë mund të vendosin për shumë gjëra që lidhen me problemet e shtëpisë, por shpesh atyre u duhet të fshihen pas fjalës së burrit, e cila gjithsesi mbetet e fundit. Po përtej shtëpisë dhe familjes sa mundësi kanë gratë të shprehin hapur mendimin pa qenë të paragjykuara nga burrat ose kolegët e tyre? Sa hapësirë kanë gjetur për t’u pozicionuar edhe ato në role vendimmarrëse? Këto pyetje janë kthyer në çështje të ditës tashmë dhe gruaja shqiptare ka filluar të kërkojë terren edhe në majat drejtuese. Teksa synohet vendosja e kuotës gjinore në kodin e ri zgjedhor shohim se si presioni i grave të vetëdijshme për forcën e tyre sa vjen e rritet. Një nga lëvizjet më të reja që është shfaqur së fundmi në mbështetje të politikave gjinore është edhe rrjeti i grave “Barazi në Vendimmarrje”, i cili ka më shumë se një vit që trajnohet nga Instituti Nacional Demokratik (NDI). Rritja e intensitetit të grupeve të tilla ka vënë jo rrallë në lëvizje shumë programe politikbërëse të cilat falë zërit të tyre janë hartuar në favor të gruas. E megjithatë gratë kërkojnë më tepër barazi reale në vendimmarrje. Sa do të arrihet kjo, ende nuk e dimë. Por një gjë dihet mirë se tashmë peshorja ka filluar të lëkundet.



(Vota: 9 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora