E shtune, 20.04.2024, 05:47 AM (GMT+1)

Faleminderit

Jorgo Telo: Opininon per nje opinioniste shpirtpasur e te mirenjohur Kozeta Zylo

E diele, 03.05.2009, 10:45 PM


Opininon per nje opinioniste shpirtpasur e te mirenjohur Kozeta Zylo

Nga Jorgo Telo

Ç’mrekulli të kuvendosh  e ç’fatmirësi kur pena jote arrin të bëhet objekt vlerësimi e gjykimi prej nje pene me përmasa të veçanta atdhetare, intelektuale, siç është pena e shpirti i pasur, intelekti cilësor i zonjes së nderuar, poeteshës e publicistes se emigruar Kozeta (Këze) Zylo, kësaj labëroreje intelektuale prej Mezhgoranit pranë Vjosës ëndërrimtare…!

Një zonjë e nderuar që di të vlerësojë, di të inkurajojë shqiptarisht, intelektualisht e miqësisht këdo (të njohur a të panjohur), mjafton që asaj  ia mbush shpirtin me produkte letrare të qenësishme dhe i krijon hapësira të mundshme për të përshfaqur, siç di ajo vlerat intelektuale në rrafshin letrar e gjuhësor e sidomos në planin e shqiptarizmës së vërtetë…

Meritointelektin e saj e njeh dhe e admiron shumëkush që e ka njohur këtë fenomen të spikatur që rreket të japë shumëçka nga shpirti i saj i pasur.

Kësisoj flas me plot gojën e me bindje të thella që më dalin prej burimit – shpirt se: Kozeta Zylo nga viti në vit po i  bën vend vetes duke flatruar lirisht, jo duke ecur rëndom drejt  Majave të Olimpit letrar, për të plotësuar bindshëm atë “Panteon të rralluar”, (siç e ka cilësuar Akademiku i Madh, REXHEP QOSJA.)

Jemi mësuar kësodore që opinonet si dukuri vetëm e ne njerëzve që mendojmë e komunikojmë në forma të larmishme me njëri – tjetrin, shpesh të jenë të paracaktuara apo “opinione të sëmura”… Kështu jemi mësuar në mjediset shkollore në marrëdhëniet drejtor – mësues apo mësues – nxënës.

Si  ish – kolegë, por pa u njohur nga afër me zonjën Kozetë kemi përjetuar  gjithaqlloj opinionesh.  Kështuqë dime të çmojmë e të ndajmë mirëfilli opinionet e sëmura nga opinionet vizionale, të drejta e të mirëqena. 

Dua të dal këtu te deduksioni logjik se te Kozeta kemi të bëjmë me një opinioniste vizionale, e cila, me sa di e me sa e njoh  përmes shkrimesh, nuk bie aspak poshtë krahasimisht me ata që hiqen sot në median e shkruar dhe atë elektronike si kritikë, analistë apo opinionistë “esnafë”. Sot ka ardhë një klimë e tillë  tejet e rinovuar brenda mjediseve intelektuale.  Brenda e jashte vendit të shqipeve, sidomos në trurin e emigruar e në Diasporë është rritur skajshëm përkushtimi, shpirti i përgjegjshmërisë për ato çka nxjerr gjithësekush nga goja apo nga maja e penës.  Po shohim se konditat e reja te shpërthimit të mendimit të lirë e pluralist, përherë e më bindshëm po dalin në dritë  vlerat e vërteta e jo si asohere, kur pa të ashtuquajturën “Vitaminë “M” nuk mund të botoje as një artikull në gazetë e jo më të botoje një libër, apo të shfaqje pa censurë e autocensurë gjithçka ndërmendoje…

E tillë, jashtë çdo autocensure  shpaloset e gjithe krijimtaria letrare e publicistike e intelektuales së kompletuar Kozeta Zylo, atje në Manhattanin e largët. E ndërkohë falë arritjeve të shkencës elektronike ajo arrin të depërtojë me pasurinë e vet shpirtërore e mendimore në çdo shpirt e zemër brenda e jashtë  mëmëdheut, për të cilin e zhurit malli i përligjur i emigrantit…

Dallohen qartë dashuritë që gëlojnë në zemrën e Kozetës: për bashkëshortin, për lirinë, për mëmëdhenë e vendlindjen… Dashuria e përditshme për poezinë qëndron si një vello e bardhë, duke i lezetosur edhe dashuritë e tjera…

Duke përpirë para disa ditësh tërë varganin e poezive ndjenjësore te libri poetik ”Monumenti i Lotit”, promovuar në Kolegjin Globe Institute of Technology për midis 250 pjesëmarrësve, arrin të konkludosh se poetët në përgjithësi e Kozeta në veçanti kanë aftësinë të eksplorojnë tërësorë në brendinë e pikës së lotit.

 Sepse më afron rastësia me poeten Kozetë.  Para dy vjetësh kam hedhur në internet një cikël poetik të titulluar “Britma e lotit dhe e gjakut”, me të cilat përshëndeta vëllezërit kosovarë në ditët e shpalljes e njohjes së Pavarësisë së shumë ëndërruar. 

Kjo tregon qartë se ne shqiptarët, jo vetëm dimë ta dallojmë shpejt lotin në pasqyrën e shpirtit që janë sytë, por dimë edhe ta zbërthejmë atë në përbërësit bindjesorë, shpirtërorë e ndjenjësorë, pra në krejt dimensionet qe mund të ofrojë pika e  lotit në rrethana të përcaktuara, spontane apo të imponuara…

Duke qëmtuar etshëm nëpër faqet e forumeve shqip të internetit, kam mundur të takohem shpeshërisht me talentin vezullues të Kozetës e falë ndërmjetësimit miqësor të Eduard M. Dilos, mundëm të  lidhemi ndërsjelltas me këtë vlerë shqiptare, zëri i së cilës oshëtin  si dikur zëri e pena e Rilindësve tanë të shquar jashtë mureve të “Kështjellës – Shqipëri”. Është një zë- buçitës, jehona e të cilit na hyn denjësisht në çdo qelizë të qenies e na rrit krenarinë e të qenit krijues përmes fjalës shqip e sidomos për emrin shqiptar, emër që na obligon në vijimësi ta ngremë lart e më lart me dinjitet real.

Kam lexuar rralle, që ndokush edhe mund të ketë dashur apo të dojë të hedhi pluhur apo baltë mbi këtë kreaturë bukuroshe në pamje e në shpirt, porse kam parasysah dhe një thënie të artë që vjen nga meçuria njerëzore: “Fjalën e keqe, ambicjen dhe shpifjen shpërfille, se ajo vyshket vetë…” ose siç themi ne zagoritet  për ndokënd që s’duhet ta dëgjojmë: “Fërshëllejë, të kërcejë”. Këtë porosi ka prej meje zonja Kozetë,  si i moshuar tashmë; pra të mos sikletoset nga hedhurinat dalëboje, që drejt përdrejt ose prapa shpine hedh akëkush…(ndoshta të tilla i ka kultivuar koha e diktaturës e u duket vetja se ata/ato dinë të bëjnë letërsi e publicistikë…) Ehu, sa i pamatë është ritmi i zhvillimit bashkëkohor dhe sidomos ardhmëria e inteligjencies shqiptare, kudoqoftë ajo…!

Duke perifrazuar thënien e pavdekshme të Shekspirit: “E kemi vetë në dorë, të bëhemi të atillë apo të këtillë…”,  i them me zë të lartë zonjës Kozetë: “Vazhdo flatro, moj zonjë e nderuar, kreaturë bukuroshe në rrugën e mrekullueshme që ke zgjedhur e të ndrittë pena përherë!”

Shfrytëzoj çastin të grish jo vetëm zonjën e nderuar Kozetë, por edhe dashamirës të tjerë, që po t’u bjerë rasti le të bëjnë një kalim nga biblioteka e Federatës shqiptare “VATRA”, ku do gjeni mundësinë të më njihni më mirë edhe mua, autorin e këtij shktrimi përmes 13 librave të mi , të cilat, i gatshmi dhe i papërtuari poet e publicist Eduard Dilo, pati mirësinë i ia dorëzoi zotit Agim Karagjozi. Gjithashtu edhe nëpër forumet shqip do gjeni mjaft krijime të pabotuara ende.

Me moton: “Ç’ke për të thënë, thuaje, sa ke sytë çelë, se varrit nuk mund t’i thuhen dot kurrgjë”, nuk po resht së shkruari  ç’më përmban truri e shpirti…. Edhe në këtë  aspekt e kam një shtysë të brendshme të shprehur në dy vargje poetikë:

 “Dua shpirtit t’i bëj qejfin,
Të mos thotë: “Eja, të vdesim…!”

Si përfundim, duke përshëndetur e përgëzuar këtë ekzemplar të çmuar të femrës fisnike shqiptare, i bëj thirrje gjithkujt: Njiheni Kozeta Zylon, duke e shfletuar e lexuar imtësisht dhe intensivisht Atë!



(Vota: 5 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora