E marte, 19.03.2024, 06:25 AM (GMT)

Mendime

Qemal Sakajeva: Zhvarrimvarrimet

E diele, 03.05.2009, 12:37 PM


Zhvarrimvarrimet

“Tani varret pëshpërisin: Shpëtoni të vdekurit, përse kaq e gjatë nata?” - Fridrih Niçe

Nga Qemal Sakajeva, Ish-drejtor i Televizionit Shqiptar (1992 - 1997)

Mallkimi

Ka një nëmë të frikshme. Në të dy të folmet e shqipes, ajo thuhet “me gjithë shpirt”. Dhe me të njëjtin kuptim. Është, biologjikisht, asgjësuese deri në gen. Jugorët, mallkimin, e formulojnë nga shenja: “Të humbtë nishani!”. Domethënë, si qënie e gjallë, përfundofsh në mosekzistencë! Edhe më keq se aq. Sepse, përjashtohet mundësia e përtëritjes. Veriorët, mallkimin, e shprehin me fillesën: “Të humbtë fara!”. Kur farëza zhduket, lloji ka ikur, përgjithmonë e në mosqënie. Ka ndodhur shfarosja e pakthyeshme. Diçka, si prej një nëme, erdhi shkretimi ndërnjerëzor pas Luftës së Dytë Botërore.

Vuajtja e gjatë

Në ditët e një udhëtimi në Gjermani, në pranverë të vitit 1996, një nga njerëzit e rëndësishëm të Televizionit ARD, me qendër në Mynih, i quajtur Peter Hans Fogt, duke kaluar përgjatë bulevardit kryesor, të kryeqendrës së Bavarsisë, tregoi me gisht për diku pranë. -Aty ka mbajtur fjalimin e njohur Adolf Hitler, pas të cilit filloi Lufta e Dytë Botërore, - tha. Socialdemokrati Fogt e urrente diktatorin Hitler, bashkë me filozofinë që e ngriti në pushtet. Ai kallëzoi për atë foltore historike dhe, ne na u ndërmendën kronikat bardhezi, të filmimeve të kohës. Por nga rasti gjerman, atij i shkrepi të mësonte: -Çfarë është bërë me familjet e mëdha shqiptare, pas mbarimit të Luftës? Ndoshta mendimin e tha nga që duhet të njihte përvojën sovjetike. Dinte që, Shqipëria, përveçse, ka qenë vend komunist ortodoks, siç edhe është cilësuar në Perëndim, ajo qe aleate e ngushtë e Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike. Udhëheqja e saj adhuronte dhe zbatonte leninizmin dhe stalinizmin. Ajo i pati mbajtur e mbrojtur deri në fund, në tokën shqiptare, shtatoret gjingande të tre diktatorëve: Lenin, Stalin, Enver. Kolegu i shpjegoi gjermanit që, komunistët, me të mbërritur në pushtet, mbaruan një punë fët e fët: asgjësuan familjet e mëdha, i pushkatuan, i burgosën, i dërguan në rezervate çnjerëzore. Ato që në Rusi quheshin Gulagë, në Shqipëri thirreshin Kampe të Internimit. Ndonjë që shpëtoi, u arratis dhe vdiq në mërgim. Pasuritë ua morën përdhunshëm. Shqipëria duhet të ketë qenë, ndoshta, i vetmi vend në Europë që mbeti pa asnjë familje të madhe. Ato u zëvendesuan nga të tjera familje, që nuk kishin emër, por u sajuan. Qenë të pashkolluara, përgjithësisht, por bënë pushtet të pakufishëm. U mblodhën në një zonë të caktuar të kryeqytetit, në shtëpi komode, të ruajtura nga ushtarë të armatosur që ndërroheshin, e pakta, tri herë në njëzetekatër orë. Dhe zona mori emrin ”Bllok”. Fëmijtë e tyre, edhe pse me shkollim të privilegjuar, nuk shkuan më tej se sa të thirreshin “Elita e Bllokut”. Gjermani ndezi sinjalin e krahut të djathtë të veturës. Pasi e skajoi përanash, foli: -Hitleri e shkatërroi vendin. Po nuk i zhduku familjet e mëdha. Shqipëria qënka rrënuar më keq se Gjermania. Atje qënka asgjësua vlera e kombit. Paskeni për të vuajtur gjatë! Familjet e mëdha shqiptare, sidomos intelektualët e zotë, nuk ishin se u zhbënë deri atje sa iku edhe pjesëtari i fundit, për të mos pasur nxjerrje filizi nga tharja tërësore e trungut. Ata vdiqën nëpër burgjet e tmerrshme ose u pushkatuan, u groposën diku humbëtaz e pa shenjë ose në vetminë e skuadrës së pushkatimit, njeriut të Sigurimit si deshmitar i kryerjes së gjithçkaje sipas urdhërit, kukusë së kukuvajkës dhe ulërimës së erës së pasmesnatës që mbyste krismat. Fara e tyre ose Nishani i tyre, duhet të mos ishte më, edhe në kuptimin e thjeshtë: Nuk duhej të kishte muranë, për të mos pasur kujtim. Duhej varrhumbja, që të vinte harrimi. Kumti i çdo here të përsëritur dhe pëshpëritur: Po u përballe me diktaturën, shkove e s’u vajtove! Edhe vajtimi ndalohej. Kërkoheshin vetëm brohoritje. Nuk kishte egërsi më të skajshme se mohimi i procesit njerëzor të varrimit. E vetmja mundësi për të ndrequr diçka, te pinjollët e zhytur në mjerim, pas shëmbjes së Diktaturës e të mbështetur nga shteti demokratik, qe: Të gjindeshin varrhumburit.T’u zhvarroseshin eshtrat. T’u bëhej varrimi ditën, dhe në prani të njerëzve, mes lotëve nga sy të tharë. Në një vend, si për të gjithë, larg zallishteve pëllcitëse, përrenjve me ferra e shtufinave shkurrore.

Çfarë toke i duhet njeriut?

Televizioni Shqiptar nuk thirri për Zhvarrimvarrime. Shoqëria e çliruar, nga Diktatura dhe Komunizmi, Frika dhe Shtypja, Përndjekja dhe Ndëshkimi, u gjend njerëzishëm përpara një procesi të vonuar, të dhimbshëm e të shpeshtë, me emër të dyzuar e tingëllim të vrazhdë, si fërkim i ashpër klasor edhe në demokraci: Zhvarrimvarrim! Demokracia perëndimore e brishtë dhe krimi diktatorial nuk mund të rrinin në këtë vend si gjysmëshekulli të shkuar. Partia Demokratike, që në muajin korrik të vitit 1991, kërkoi në Kuvendin Popullor: “Të dekretohet menjëherë shpallja e pafajësisë për të pushkatuarit, të burgosurit, të internuarit, të dënuarit e të përndjekurit politikë” dhe “ T’u kthehen menjëherë eshtrat familjeve ose të afërmve të të pushkatuarve, të vdekurve ose të “zhdukurve pa gjurmë” në kampe e burgje apo vende ekzekutimi, të cilët janë varrosur në vende sekrete, në varre individuale ose në gropa kolektive pa identitet”. Fjala “Zhvarrimvarrim” tingëlloi e panatyrshme, lënduese si gërrmim në shpirtëra të paqetësuar, proces çnjerëzor dhe njerëzor absurd, që zhvarros për të varrosur. Kurrkush nuk dinte se sa e gjatë shkonte lista. Të shumtëve nuk u qe shënjuar gropa e dhimbjeve, sa vetjake dhe aq gjithëpopullore. Por, ata ishin përfolur e sharë papushim, përditë e pandërprerë, në gazeta e foltore, nëpër salla mbledhjesh e libra, më shumë për së vdekuri se për së gjalli, deri atje dhe atëherë sa, me ta u sajua klasa e urryer. U pagëzuan me emërtime të sjella nga Bashkimi Sovjetik: Armiq të Popullit! Kulakë! Sabotatorë! Nuk duhej vonuar asnjë grimë. Edhe Fridrih Niçe, sikur kishte thënë enkas: ”Tani varret pëshpërisin: Shpëtoni të vdekurit, përse kaq e gjatë nata?”. Të afërmit e mbijetuar, të nëpërkëmbur, në gardhim politik si kolerë shoqërore në karantinë, të stëkequr trishtueshëm nga fyrje të qëllimta dhe jetesa e vështirë, sidoqoftë, me një lehtësim në zemër, rrokën lopatat, kazmat dhe u nisën në kërkim të të dashurve, të të humburve të ekzekutuar. U përpoqën të gjenin informacion, të zbulonin shenjëza, të hetonin dëshmitarë të mundshëm, qoftë edhe të tërthortë, ndonjë nga ata të ligjit apo të skuadrës së pushkatimit. Kishte nëna që rronin ende dhe, mbanin mend sa shami kalbën me lotë. Bij dhe bija që nuk patën të drejtën natyrore të njohin të atin dhe, takimi i parë i vetdijshëm i tyre më të, ka qenë çasti kur në thellësi të dheut të ftohtë, sytë u mbetën tek kafka me vrimë dhe plumb brenda. Gra të plakura që kishin jetuar vetëm pak vite me burrin, vështronin mjegullt deri edhe nxjerrjen e lopatës së fundit të dheut, që zbuloi duar të lidhura me tel, si në çastin e pushkatimit, tashmë i ndryshkur deri në shkërrmoqje. Dikujt iu gjetën vetëm gjysma e eshtrave. Ose, më pak e hiç. Pjesën tjetër e kishte rrëmbyer përroi ose lumi, gjatë prurjeve të shumta, ose, ndoshta, nga që aty, u hap gropë e thellë, ku qe ngulur piketa e mbjelljes së fidanit të plepit, në aksionin e përvitshëm “Dhjetori - muaji i pyllëzimeve dhe luftës kundër gërryerjes”. Sidoqoftë, ata e shihnin veten fatlumë. Sepse, shumë të tjerë, endeshin papushim e pashpresë, në kërkim të ndonjë të dhëne, gati të humbur, të varrhumburve. Pasi dështonin, të dëshpëruar, këmbëngulnin ende, duke besuar se,edhe i afërmi i tyre, do ta kishte, patjetër, një varr. Pas fitores së demokracisë, nuk ka pasur diçka më të dhimbshme e më njerëzore njëkohësisht, një rast i madh për Pendim e Pajtim. Në fund të fundit, çfarë po kërkonin të gjallët? Vetëm eshtra! Dhe, çfarë po u jepej të vdekurve? Thjesht, varri! Siç ka shkruar Lev Tolstoi, në tregimin “Sa tokë i nevojitet njeriut?”, dhënë nga Dheu i Zotit, si hise vetjake për secilin. Televizionit Shqiptar i mbetej të kryente një mision njerëzor, detyrë historike dhe punë profesionale: Të jepte lajme për Zhvarrimvarrimet. Të xhironte telereportazhe nga ato procesione të bashkëngjitura: Zhvarrim diku, Varrim tjetërku. Të përgatiste dokumentarë për figurat e mëdha, të ndihmonte kësisoj edhe për ringjalljen politike të të pushkatuarve padrejtësisht, në emër të ideologjisë përjashtuese. I madh ishte volumi i kërkimit gjetës, funeraleve të organizuara dhe nevojave për informacion. Ky proces ndodhte kudo dhe në gjithë Shqipërinë. Ishte gati i pamundur përballimi i hapësirës së gjeokrimit, i çdo rasti e, që të gjithë bashkë, formonin Ushtrinë e të Asgjësuarve, të vëllait nga vëllai, për t’u shpallur, njëri Armik, tjetri Hero. Ky ishte nga shërbimet më dinjitoze që kreu Televizioni Shqiptar, gazetarët dhe operatorët e departamentit të lajmeve. Ishte një nga përpjekjet më të vyera, për të pasuruar njohjen mbi prapësitë kriminale të diktaturës. Ishte bar qetësues për shpirtërat e të mbeturve gjallë. Ishte pasurim i arkivit historik televiziv për studiuesit. Ishte freskim i kujtesës së dëmtuar njerëzore me të vërteta, për të mos u përsëritur kurrë më përçudnime aq mizore. Në atë ndërmarrje të pazakontë për informim, për të bërë të njohura sa më shumë Zhvarrimvarrime, u hap kohë e posaçme transmetimi, brenda lajmeve dhe jashtë tyre, duke formuar grupe xhirimi të mjaftueshme. Për të mos bërë gabime, sepse televizioni nuk mori e as mund të merrte autorësinë e të vërtetës së kulluar, u bashkëpunua nga afër edhe me Komisionin e të Përndjekurve Politikë. Por, i gjithë trajtimi televiziv, u sulmua ashpër nga të majtët. Ata nuk lanë vend dhe kohë pa e akuzuar Televizionin Shqiptar se “po ringjall kriminelët”. Telefonata, deri agresive, përsëriteshin pas kronikës së radhës. Partia Socialiste, si forcë politike, deklaroi kundërshtimin e vet ndaj procesit dhe rolit të televizionit. Në një takim në Mokër të Pogradecit, nënkryetari i grupit parlamentar të socialistëve, tha përpara popullit: “Ne nuk e duam demokracinë e gënjeshtërt që di të ngrejë dy gishtat dhe të nxjerrë të vdekurit nga varret”. Ata që kërkoheshin zallishteve e s’gjendeshin, bokërrimave e rrëzë maleve ku iu dha kokrra e plumbit e s’diheshin, brigjeve të lumenjve ku ujërat gërryenin skeletet bashkë me dherat e zbrujtura, për në humbje të përhershme, ishin të vdekur të ekzektuar dy herë: Fizikisht - me armë ose litarë. Publikisht - me libra, gazeta, radio, televizion e fjalime. Vendi i fshehtë, ku u hodhën natën, nuk ishte varr, por gropë fyese dhe urrejtjeje, e veçantë ose e përbashkët. Gjetja e shenjës dhe e marrjes së eshtrave prej aty, nuk qe nxjerrje të vdekurish, por shërbim i vonuar i së drejtës së tyre dhe të Zotit, mohuar që të dyja nga diktatura. Bash në atë kohë, kryetari i Komisionit Nismëtar të Shoqatës së të Burgosurve Politikë, Osman Kazazi, në kuvendin për viktimat e pafajshme të diktaturës, më 12 shtator 1991, thirri qetësinë: ”Ne nuk duam hakmarrje, por një Shqipëri me të vërtetë të lirë dhe demokratike”. Humbësit e pushtetit u bënë tharmi i ngritjes e përhapjes së një thashethemnaje të pështirë se, “Televizioni Shqiptar po rehabiliton Armiqtë e Popullit”. Këtë detyrë atdhetare për kombin, u përpoqën ta përbaltnin, duke i vënë institucionit nofkën “Televarrimzhvarrimi”. Këto zëra ishin kori i bashkëpunëtorëve të vendimeve për mbajtjen e luftës së klasave, të prokurorëve e gjykatësve që ligjëruan pushkatimet e varjet politike e, prapë mëtonin pushtet, të komisarëve që komanduan skuadrat e breshërive dhe të tërheqjes së litarëve, e përsëri vrisnin, të informatorëve vullnetarë dhe duartrokitësve fanatikë. Ata përqasën turpshëm titullin e romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të Ismail Kadaresë, për të pagëzuar median elektronike të çliruar si “Telegjenerali i Ushtrisë së Armiqve të Popullit”. Padyshim, në atë përcaktim politik, niseshin nga dy të vërteta historike: Ata që u ekzekutuan, ishin kundërshtarë të komunizmit, deri në armiq. Ata që u pushkatuan nga diktatura, si kundërshtar politikë, ishin të shumtë, deri në parmasa ushtrie.

Eshtrat e të vdekurit

Diktatura komuniste e porsaardhur në fuqi, qysh në Kongresin e Përmetit, më 24 maj 1944, sipas shembullit urdhërues të AVNOJ-it, të Jugosllavisë së Titos, ndër vendimet bazë pati ndalimin e kthimit të Mbretit Zog dhe familjes mbretërore, në Shqpëri. Këtë hap politik të shpejtë e shoqëroi me një veprim çnjerëzor të menjëhershëm: hodhi në erë me dinamit memorialin e Nënës Mbretëreshë, Sadie. Ai shpërthim makabër përurues pati nisur luftën me të vdekurit, për të ngatërruar historinë me varre të përdhosur, vendvarre të merituar e vendvarre të pamerituar. Ku nuk kishte çmimin e vërtetë vlera kombëtare në jetë, nuk kishte nderim zyrtar në vdekje. Pa u vonuar, Sigurimi i Shtetit mbërriti te Mbreti i Letrave Shqipe, Gjergj Fishta. E zhvarrosi natën dhe, eshtrat e rrasura në thes, i hodhi në lumë, me urrejtje të pashoqe. Përmasa u zgjerua: revolucioni po hante dhe bijtë e vet. Shpirtin e Nako Spiru të vetvrarë, e detyruan të endej si fantazmë, me arkivoklin e eshtrave mbi sup, nëpër disa zhvarrimvarrime, sa herë që ndërrohej sezoni politik ose kahja e drejtimit të saj. Pas tij pati plot të tjerë, gati në panumërim, me fat të ngjashëm si Koçi Xoxe i plotfuqishëm, anëtarja e Byrosë Liri Gega, ministri i Mbrojtjes Beqir Balluku, ministri i Brendshëm Kadri Hazbiu, kryeministri Mehmet Shehu. Faik Konica i madh, që në gjallje, la porosi për zhvarrimvarrimin e tij, kur të vinte dita. Edhe Mbreti Zog është varrosur për t’u zhvarrosur dikur. Mendësia e vjetër e politika hakmarrëse e socialistëve veproi e, sa s’u shpreh: Ju që na zhvarrosët “Babën” për në Sharrë, “Nënën Mbretëreshë” në Sharrë do t’ua çojmë. Nëna Mbretëreshë Geraldinë, gjithashtu, u varros për t’u zhvarrosur, doemos. Mjaft shpirtëra përtej - në Jetën e Pasosun, përkëtej në Jetën e Rrejshme - i kanë eshtrat në Humbjen e Përjetshme. Atij procesi jetësimi (zhvarrimi!) dhe tjetërsimi (varrhumbja!), për fatalitetin e vet, nuk i shpëtoi as ideatori - Diktatori. Si drejtësi e ndëshkim i zbritur nga Qielli dhe fati i kërkuar (lypësi - gjetësi), edhe ai u zhvarros një natë, në të aguar, nga vendvarri i gjykuar i pamerituar, për t’u varrosur tjetërkund. Diktatura komuniste në Shqipëri shpërfilli, kreu të kundërtën dhe, përdhosi kumtin e shenjtë hyjnor: “Eshtrat e të vdekurit nuk luhen!”. Pritet që, në këtë tokë, të mbarojë Nata e Gjatë, për të ardhur Shpëtimi i të Vdekurve. Panteoni ynë do të bëhet kur të varroset një luftë që veçsa është mundur.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora