E enjte, 28.03.2024, 10:47 PM (GMT)

Faleminderit

Myrfet Shasivari: Prizreni i mbetet borxh heroinës shkodrane Marie Shllaku!

E diele, 03.05.2009, 06:40 PM


Marie Shllaku
Heroina e Kombit Marie Shllaku
Prizreni i mbetet borxh heroinës shkodrane Marie Shllaku!

Harrimi i heronjve të kombit

Nga Myrfet Shasivari Bota Sot

Çështja deri në kufijtë e shqetësimit apo edhe të brengosjes të secilit njeri të vetëdijshëm, veçmas në vitet e pasluftës, është ajo, kur në Prizrenin e historisë së lavdishme të kombit, askush deri më sot, së paku nga kasta intelektuale, nuk u kujtua që për Marie Shllakun, këtë trimëreshë sypatrembur, të ngrihet ndonjë lapidar, bust apo përmendore. Dhe propozimi për përkujtimin e luaneshës së maleve të Kosovës, Marie Shllaku, e cila me tërë qenien e saj fizike e shpirtërore iu kushtua kauzës kombëtare, që në Prizrenin e Lidhjes Shqiptare, t’i ngrihet një përmendore në qendër të qytetit, nuk do të trajtohej si një propozim i karakterit euforik, dhe se aq më tepër, për një këtë lloj propozimi, “do t’i hiqnin kapelet” të gjitha subjektet politike, jo para propozuesit, por para të bëmave heroike të trimëreshës Marie, e cila, ndonëse ishte në moshën 24 vjeçare, nuk u ligështua për asnjë moment para torturave shtazarake psikike e fizike, që ndaj saj e ushtronin çetnikët e Rankoviqit dhe hyzmeqarët shqiptarë të asaj kohe në qelitë e hetuesisë në Prizren. Me këtë rast, për lexuesin tonë, në vija të përgjithshme do të shpalosim disa të dhëna rreth figurës së heroinës shkodrane, Marie Shllaku, e cila nga Gjykata e Qarkut në Prizren në një proces gjykimi, të zhvilluar nga 29 qershori e deri më 11 korrik të vitit 1946, dënohet me pushkatim, tok me atë Bernard Llupin (prift), Kolë Parubin (profesor) dhe Gjergj Martinin (mësues), të cilët dalin para togës së pushkatimit më 24 nëntor të vitit 1946, dhe pasi nuk iu nënshtruan demagogjive të hetuesve serbë e të prokurorit Ali Shukria, bëhet ekzekutimi i tyre. Ndërkaq që historianët dhe intelektualët e tjerë, duke hulumtuar rreth veprimtarisë së patriotes dhe luftëtares Marie Shllaku, njoftojnë se ajo me idetë atdhetare u brumos qysh në vitet e shkollimit fillestar, kur për mësues e pati edhe poetin Gjergj Fishta. Kurse falë mendjemprehtësisë dhe guximit, ajo arriti dhe u emërua sekretare e ministrit të atëhershëm për Infrastrukturë Publike Ilaz Agushit, një patrioti të spikatur nga Kosova. Pasi Marien e karakterizonte shpirti luftarak, ajo i ndërpreu studimet në Romë të Italisë dhe caktohet me detyrë në Prizren, ku bëhet sekretare e inxhinierit Xhafer Deva, i cili në kohën e Luftës së Dytë Botërore vepronte si ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Rexhep Mitrovicës. Por, derisa në vitin 1944, për shkak të rrethanave të krijuara politike-ushtarake, e tërë qeveria u detyrua të shkonte në ekzil, Marie Shllaku, mbeti e vetmja femër në mbi 50 çeta të luftëtarëve, të cilët nëpër malet e Kosovës, dhëmbë për dhëmbë luftonin me mizërinë e ushtrisë çetnike-partizane, së cilës mjerisht i ishin bashkuar edhe shumë sahanlëpirës shqiptarë. Ajo njihet edhe si pajtuese në mes të Shaban Polluzhës dhe të Mehmet Gradicës, të cilët me armë në dorë fuqishëm iu kundërvunë hordhive jugosllave çetnike kur po tentonin administrimin ushtarak në Kosovë në vitin 1945.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora