E marte, 23.04.2024, 02:14 PM (GMT+1)

Mendime

Konsiderata lidhur me zgjedhjen e Presidentit të Shqipërisë

E marte, 31.07.2007, 05:43 PM


(Fatos Nano për President?  Kaq poshtë ka rënë Shqipëria?)

Shkruar nga:  Sopot Haçi (Derguar per ''Zemra Shqiptare'' nga miku i zotit Sopot Haçi, Mërgim Korça)

Nga vetë titulli i shkrimit tim, çdokush e kupton se nuk ka se si unë të isha një përkrahës i zgjedhjes së zotit Fatos Nano si president qoftë edhe konsensual i vëndit tim.   Kjo është më se e qartë.   
Nga ana tjetër, e ndjej të nevojëshme të sqaroj, se nuk jam nisur nga asnjë shtysë paragjykuese karakteri partiak, (pa le inati personal), lidhur me personin që pretendonte dhe që ishte vënë në listë për t’u zgjedhur si President i Shqipërisë.  Jo, i dashur lexues.   E vetmja trysní e cila më detyron të ulem e t’i hedh në letër mendimet e mia, është shqetësimi që ndjej si qytetar i mëkuar në familje me normat e shënjta të atdhedashurisë si edhe të etikës e moralitetit, që populli ynë i ka patur të rrënjosura ndër shekuj por që kanë ardhur duke u zvetënuar përgjatë diktaturës e si pasojë, me përmbysjen e saj, fatkeqësisht nuk janë më themeli i karakterit të njerëzve !   Pasoj’e kësaj dukuríe të trishtë është fakti që vëndi ynë ka 16 vite që ësht’akoma në (gjoja) fazë tranzicioni.   E unë shtroj pyetjen :  deri kur ?   Përgjigja ësht’e qartë, më se e qartë.   Përderisa kandidatë për presidentë si edhe pushtetarë të secilit nivel, do të jenë njerëz të cilët vuajnë nga sëmundja e pashërueshme e grykësísë për pushtet absolut apo pasurí të vënë pa e çarë kokën se si ose me se, Shqipëria nuk do të dalë dot nga bataku në të cilin sa vjen e zhytet thellë e më thellë !   Nisur nga këto kritere dua t’ua kujtoj fluturimthi një pjesë të bëmave të Fatos Nanos, (njëri nga ata që pretendoi për postin e presidentit), pjesën më të madhe të të cilave në dinamikë populli shqiptar i ka njohur, por e bëj këtë hap me që duket se ka edhe shumë deputetë, që e kanë të drejtën legjislative t’a zgjedhin presidentin tonë, të cilët ... i kishin harruar  këto bëma të F.Nanos!    E ndjej të nevojshme të sqaroj se do të mundohem t’a trajtoj paraqitjen e fakteve ... sa më shkurt.
E fillojmë me formacionin e tij moralo-karakterial.    Në shtypin shqiptar të disa kohëve më parë, Fatosi paraqitej se si në adoleshencën e tij kishte qenë një djalë garrip, me pak fjalë, një djalë çapkën.  Madje per ta ilustruar  shtonin se gjatë vazhdimit të shkollës së mesme (“Sami Frashëri”, nëse nuk gaboj), ai si “garrip” që ishte, hapte vrima ne WC-të e vajzava të shkollës për t’u njohur me intimitetet e tyre.  Ata bejnë sikur harrojnë, se një veprim i tillë, i  cilitdo tjetër (sidomos, larg qoftë, t’i dilte sikur edhe ndonjë kushëri i largët paksa “reaksionar”) do të përjashtohej nga të gjitha shkollat e vëndit.  Ndërsa “garripi” Fatos, i biri i komunistit Thanas Nano, ishte vetëm një “garrip” i nderuar, që mund të bënte çfarë të donte, pa i hyrë gjëmb në këmbë!    Përgjatë atyre viteve të adoleshencës ai djalosh u dashurua e në vijim edhe u martua.   Gjatë kohës që  Fatosi  qe i burgosur në burgun e Bënçës, bashkëshortja dhe nëna e fëmijëve të tij qe sakrifikuar tërësisht për bashkëshortin t’ia lehtësonte sa mundej vuajtjet e burgut.   Mirëpo në vazhdim, formacioni “moral” i Fatosit, i brumosur që në rinín’e herëshme me norma tejet të posaçme, i fryu në vesh dhe i sugjeroi se si kryeministrit nuk i kishte hije të mos kishte një nuse të re, të bukur, (paçka se mbase edhe një çikë të përfolur).   U tha, u bë:  Kryeministri e shqelmoi Rexhinën dhe drejt’e me kurorë në kishë, të vënë nga vetë uhëheqësi grek i Kishës tonë Orthodhokse, Fortlumturía e Tij Janullatosi!   
Përgjatë këtij konteksti le të mos harrojmë edhe faktin që ai u dënua nga gjykatat shqiptare të të trija shkallëve si një hajdut ordiner, lidhur me ndihmat që fqinja jonë Italia, i ofroi Shqipërisë në periudhën më të vështirë të qënies së saj ku, Kryeministri jonë ish komunist i reformuar në socialist brënda natës, së bashku me ministrin e punëve të Jashtëme të Italisë, socialistin De Michelis, nëpërmjet kompanisë “Levante”, gllabëruan pjesën e “luanit” që sipas tyre u takonte për hise!   Vetë Fatosi  dhe PS-ja e përmendin burgosjen e tij ordinere si luftë politike të Sali Berishës, kurdo e ku munden, si një dënim të padrejtë. Por të vërtetën e atyre ndihmave dhe veprimet e asaj periudhe i njohin mirë shumica e shqiptarve!
E nisa pikërisht me këtë paraqitje të moralitetit të F.Nanos, për t’ju vënë në dijeni se si “garripi” Fatos, na u shndërrua në vazhdim në kandidat për President të Republikës!(?) 
E vazhdojmë me egërsín’e Fatos Nanos si komunist.   Mbas portretit “moral” të Fatosit tonë kombëtar, trajtojmë së rishmi fluturimthi një aspekt tjetër të tijin.   Fatosi dhe e gjithë familja e tij i përkasin klanit më të egër komunist të Enver Hoxhës. Luftën  e klasave ata e kanë zbatuar, mos u çudisni aspak, brënda familjes së tyre. Në vitin 1973 unë “qarkullova” nga Universiteti ku isha pedagog, për në qytetin e Laçit. Në atë qytet prej disa vitesh banonte edhe familja e inxhinierit F.P.  E shoqja e tij quhej Sashenka dhe ishte e motra e Fatos Nanos. Natyrshëm lind menjëherë pyetja: çdonte ajo ne Laç? Çfare kishte ndodhur? Ajo kishte mbaruar Fakultetin e Shkencave të Natyrës, në mos gaboj degën e Kimi-Biologjisë. Por ndërkaq si pjesëtare e familjes Nano, të shokut Fatos, ajo ishte emëruar, hiç më pak, por Sekretare e Rinisë për Tiranën. E re siç ishte, kishte rënë në dashuri me komshiun e saj inxhinier F. familja e të cilit, me qenë se ishte marrë me tregëti përpara vendosjes së diktaturës, konsiderohej e “deklasuar”.  Natyrshëm familja Nano ishte egërsisht kundra një lidhjeje të tillë.  Sashenka, nga ana e saj, e patundur në vendimin e marrë.  Mrekulli atëhere: shko me atë që don ti, por në Laç. Lufta e Klasave , ajo kuçedër që i shkaktoi aq shumë dëme popullit shqiptar, pa asnjë brerje ndërgjegjeje, ishte zbatuar në familjen e komunistit Fatos Nano. Do të më duhet të shtoj këtu, për hir të së vërtetës, se motra Fatosit është një grua e përsosur.   Ajo iu nënështrua luftës së klasave të familjes së saj, pa u ankuar kurrë.
Falë kësaj “besnikërie” ndaj P.P.Sh.-së, Ne vitet 80-te Fatosi emërohet N/Drejtor i të famëshmit “Instituti i Studimeve të Marksizëm Leninizmit”, i cili drejtohej nga Nexhmije Hoxha. Në këtë Institut “mashtrimi i historisë” ishte detyra Nr.1. Çdo gjë transformohej sipas interesave të PPSH-së dhe sidomos udhëheqësit të saj Enver Hoxha. Aty u botuan “VEPRAT” e famshme të të vetmit Marksist-Leninist që njihte bota, pasi të gjithë të tjerët ishin shndërruar në tradhtarë, revizionista, socialimperialista etj,etj. Pa dyshim që Fatosi ka dhënë një kontrbut tepër të shquar në këtë mashtrim të madh të Historisë së vëndit të tij, gjë që nuk ka si dhe pse të harrohet … Përgjatë kësaj vazhde nuk e konsideroj të domosdoshme të thellohem në bëmat e shokut Fatos të periudhës së komunizmit shqiptar, sepse ai n’atë periudhë, më të zymtën e popullit shqiptar, mund të bënte çfarë të donte, mjaft mos t’i shkelte mbi kallo diktatorit suprem, shokut Enver, besnik i verbër i të cilit ka qenë F.Nanua.
Prandaj do të kalojmë drejpërdrejtë në periudhën mbas vitit 1990 ku dhe Fatosi ka treguar “talentin” e tij të veçantë si drejtues partie, si kryeministër i disahershëm i vëndit, si një politikan, (natyrisht duke njohur shkëlqyeshëm thënjen se “politika është grua e përdalë”), si deputet që e ka trajtuar parlamentin si një vend argëtimi e sidomos si një shetitës i lumtur në të gjithë botën, pa i sjellë asnjë dobi vëndit te vet, (me përjashtim të vetë Fatosit).  Përgjatë kësaj periudhe, cilat janë pikat kyçe përgjatë “trajektores politike” të Fatos Nanos ?   A-ja e tyre, posti i kryeministrit mbas zgjedhjeve krejtësisht të manipuluara të 31 marsit 1991 nga ana e komunistëve.   Po në vazhdim ?  Ngjarja makabre e krimit komunist të 2 prillit në Shkodër, ku as Presidentit komunist Ramiz Alia, as Kryeministrit Fatos Nano, pa le ministrit të Brëndshëm Gramoz Ruçit,  nuk u hyri gjemb në këmbë !(?)  Me gjyqe të sajuara e të manipuluara ata, duke dënuar disa policë të thjeshtë, arritën t’a mbyllin atë masakër të vërtetë të organizuar me snajpera profesionistë! 
E kjo klikë komunistësh të regjur, në qershorin e po atij viti famëkeq 1991, qenë edhe farkëtuesit e mashtrimit tjetër të madh:  nën shëmbullin e diktatorit komunist Enver Hoxha, (i cili në Kongresin e I-rë të 1948-ës i a ndërroi emrin P.K.SH.-së në P.P.SH.), këta “të vetëquajtur demokratë” i a kthyen në Kongresin e X-të emrin P.P.SH.-së në Partia Socialiste Shqiptare (???) dhe ish anëtarët e P.P.SH.-së, komunistët, automatikisht u kthyen në anëtarë të P.S.SH.-së dhe u ripagëzuan “socialistë të rinovuar”!   Dhe në krye të kësaj partie (gjoja) socialiste, kush na zgjidhet?   Komunisti i deridjeshëm shoku Fatos Nano!   E doemos simbas kësaj flurudhe politike sot, në vitin 2007, papjekuría politike e një pjese politikanësh tanë na e propozuan shokun Fatos si kandidat për President të Shqipërisë!   O Zot ruajna mëndjen e kokës kur ka ardhur koha e për presidentë të vëndit propozohen Fatos Nano-t me shokë!   Megjithatë të mos nxitojmë e t’i qëmtojmë në vazhdim pikat kyçe të trajektores politike të F.Nanos.   Ky i kishte vënë detyrën vetes që, partia e udhëhequr prej tij, mos të bashkëpunonte në asnjë drejtim me “pozitën” edhe kur projektet e propozuar prej saj ishin në favorin e socialistë-komunistëve.  Në këtë kohë Presidenti Berisha, i qe drejtuar popullit që, për të mirën e vëndit, të pranohej se ishin Të gjithë bashkëvuajtës dhe të gjithë bashkëfajtorë duke e thelluar këtë pohim me thirrjen Opozitarë por vëllezër !(?)  Edhe me këto thirrje të tijat që  futnin në të njejtin thes të mirët me të këqinjtë, prapseprap Fatos Nanua nuk u paqtua me to dhe vazhdonte të sabotonte çdo veprim, ligj apo reformë që ndërmerrte P.D.-ja apo qeveria demokratike.  E ka harruar lexuesi i këtyre radhëve se kush qe nismëtari i parë i firmave “huamarrëse” që në vazhdim u quajtën “piramidale” ?   A mund të harrohet se kush e solli Ajdin Sejdinë me projekte dhe para shumë që do t’ia ndërronin pamjen vëndit ?  Ishte pikërisht Fatos Nanua arkitekti i atyre skemave fatale për ekonomin’e popullit tonë. 
Vazhdojmë fluturimthi me bëmat e F.Nanos.  Në metingun elektoral të opozitës që ai drejtonte në Sheshin e Flamurit në Vlorë, ai lëshoi mashtrimin e tij më të madh: kthimin 100% me gjithë interesat të të gjitha të hollave të humbura në firmat huamarrëse piramidale dhe krijimin e 250.000 vëndeve të punës. Një premtim elektoral që Partia Socialiste dhe Fatos Nanua e harruan sapo e rimorrën me dhunë pushtetin që kërkonin. Ata gjatë 8 vjeçarit të drejtimit socialist të vëndit, kthyen diku rreth 10% të huave nga disa firma, dhe nëpërmjet komisionit të posaçëm të drejtuar nga Farudin Arapi, i përdorën asetet e këtyre firmave në mënyrat më korruptive për shpërblimin dhe pasurimin e përkrahësve të tyre !   Ky problem kardinal vazhdon e është në vazhdim akoma i pazgjidhur dhe nuk ka asnjë arësye përse të lihet në harresë !  
Duke vazhduar rreth “bëmave të F.Nanos”, nuk e mendoj kurrsesi që lexuesi i këtyre radhëve t’a ketë harruar faktin e bujshëm që edhe u përfol aq shumë kur, i ndodhur në Zvicër, F.Nanua u pohoi kosovarëve që kishin shkuar t’a takonin, se sa komunist i devotshëm dhe konsekuent ishte ai duke u thënë ... Të gjithë e kanë një babë dhe ky babë për ne shqiptarët është Enver Hoxha !    Lidhur me këtë pohim publik të tij nuk ka kuptim të merrem unë, (që as e provoj dot e as mundem t’a kundërshtoj), sepse këtë informacion kaq personal dhe intim Fatosi do t’a ketë nga brënda gjirit të familjes së tij.   Sa për ne, shqiptarët e tjerë, gjithsecili të hetojë.   Unë personalisht p.sh. nuk kam si t’a pranoj atë atësí !  
Po në vijim, cilën nga maskaradat e tija të kujtojmë ?   Të gjitha e kërkojnë përparësín’e paraqitjes, po të mos nxitojmë.   E vazhdojmë me takimin e tij enigmatik në Kretë krah për krah me armikun e popujve dhe satrapin-kasap të Bosnjes edhe Kosovës, Sllobodan Millosheviçin.  Se si u zhvilluan bisedimet përgjatë atij takimi famëkeq, vetëm Sllobodani si edhe Fatosi e kanë ditur.  I pari ... e drodhi këmbën e prandaj nuk ka se si të flasë, kurse Fatosi ynë nuk do të flasë.   Por fakti që Fatosi “shqiptar” u vu përkrah kriminelit serb, kjo dihet e dihet botërisht, sepse ai e quajti Kosovën pjesë të Serbisë !(???)   
Si u bë Fatos Nanua “padrinua i drogës”.   Vërtet që natyra i fali F.Nanos një shtat për të mos i a patur zili asnjeri, por i dha mëndjen djallëzore dhe mungesën e karakterit.   E si t’a kompensonte ai mangësín’e tij ?   Me pushtet si edhe me pasurí.   Mbështetur në djallëzín’e tij si edhe në përvojën e madhe të fituar duke qenë krahu i djatht’i Messalinës (e shoqja e Perandorit Romak Neronit – S.H.) shqiptare Nexhmije Hoxhës, ai jo që u bë kryetari i P.S.-së por edhe kryeministër i vëndit.   Ç’i mungonte tashmë ?   Pasuría.   Ja se si e vuri edhe atë.      Përgjatë trazirave të 1997-tës, mbahet mënd mirëfilli se si grupet e trafikantëve i shpërthyen dyert’e burgjeve dhe pa vonesë u fuqizuan shumë.  Këto grupe asokohe i mbështeti P.S.-ja duke i kategorizuar si grupe politike.   Në vazhdim ato grupe dihet se si e eliminuan njeritjetrin dhe automatikisht trafiku i drogës u muar në dorë nga grupet në pushtet.   Pikërisht në ato çaste kritike për vëndin, kryeministri djallëzor Fatos Nano në bashkëpunim me Kryetarin e Komisionit të Ligjeve në Parlament z.Fehmi Abdiu-n, organizuan dhe e realizuan më 15 Janar të 1998-ës shfuqizimin e asaj pakete ligjore, aq të rreptë kundra krimit të organizuar, e cila kishte hyrë në fuqi në vjeshtën e vitit 1996.    Kështu grupi i “të afërve” të z.F.Nano u bënë garantët e trafikut dhe shpërndarjes së drogës, (kryesisht në Greqi e deri në një farë mase edhe në Itali).   Doemos ky aktivitet kërkonte edhe mbështetje infrastrukture dhe natyrshëm “mbiu” nga hiçi edhe kompania“Xhoi Travel”.  Kësisoji, mbështetur në të ardhurat e trafikut të drogës,  ata u fuqizuan së tepërmi në dy fusha :  ndërtim si edhe turizëm.   Pra z.Nano e kompensoi më së fundi mangësín’e tij natyrore dhe me “pushtet” edhe “pasurí” pushtoi edhe Xhoanën e bukur dhe të re, krahun e tij më se të djathtë (së paku deri tashti).
E ku kanë të sosur “heroizmat” e kryeministrit shqiptar F.Nano ?   Vazhdojmë me “burrërín’e tij” më 14 shtator të vitit 1998.   Mbas vrasjes së Azem Hajdarit dhe revoltës së dhjetramijëra personave në Tiranë, “trimi dhe i mënçuri” kryeministër, duke e zbatuar proverbin popullor “Këmbët e lehta, faqja e bardhë”, para rrezikut të linçimit nga masat e revoltuara, një t’u veshur si fshatar, e braktisi detyrën dhe ... e mbajti frymën në Maqedoni !    Ç’të keqe ka në këtë mes ?   Fatosi me këtë veprim i a shpëtoi jetën aq të vyer kryeministrit të vëndit, (pa ç’ka se në atë rast ishte vetë kryeministër).   Gjëra që ngjasin këto.
Në vazhdim e ndjej sinqerisht për detyrë para lexuesit që të rri shtrembër por të gjykoj drejtë.   Kur qe rasti që në gjirin e  Vlorës një grup klandestinësh kishte rënë në ujërat e ftohta të Jonit,  Fatos Nanua mbajti një qëndrim tejet të prerë sa zyrtar e po aq edhe burrëror duke deklaruar se ata ishin shkelës të ligjit dhe si pasojë nuk u tund fare nga pozitat e tija dhe i la të tridhjetë nënështetasit e tij të vdisnin të ngrirë !    Cili kryeministër tjetër do t’i kishte këto “këllqe” ?   Sinqerisht asnjeri tjetër.   Vetëm biri i denj’i E.Hoxhës, mund t’a mbante këtë qëndrim të palëkundur ... kriminal !   
Se sa konsekuent dhe shum’i kujdésshëm nga ana diplomatike ka qenë në zbatimin e detyrave si kryeministër,  F.Nanua e ka treguar edhe herë të tjera.   Marrim sa për një shëmbull rastin e grupit të nxënësve kosovarë, të ardhur si turistë në vëndin “amë”, autobusi i të cilëve u përmbys përgjatë rrugës së kthimit në Kosovë sa ishin akoma brënda territorit shqiptar, duke mbetur shumë syresh të vrarë si edhe të plagosur.   Situata vërtet ishte shum’e rëndë dhe logjika sipërfaqësore e kërkonte që kryeministri të ishte në krye të saj.  Mirëpo Fatosi ynë kombëtar si edhe kryeministër i vëndit, gjëndej në një pozitë tejet të vështirë.   Ai, së bashku me gruan e tij të rinovuar  dhe në “periudhë shtrimi”, Xhoanën, ndodheshin duke u argëtuar në njerin nga buzuqet e Greqisë ku doemos ishte angazhuar policia sekrete greke si edhe garda greke t’ia ruante paprekshmërínë fizike çiftit.   Sapo e mori lajmin e fatkeqësisë të nxënësve kosovarë, impulsi i par’i tij duhet të ishte të braktiste të gjitha qejfet, (bile t’a linte edhe Xhoanën në Greqi ku ajo në fakt e ndjente veten krejtë si në shtëpin’e saj nga përvojat e kaluara), e të turrej atje ku formalisht e thërriste detyra qeveritare.  Këtë do të kishte bërë çdo kryeministër, por jo Fatos Nanua i drejtpeshuari i të drejtpeshuarve.  Ai në çast e nuhati se një veprim i tillë i nxituar i tij do të krijonte “incident diplomatik” se do t’a quanin fyerje personale që Kryeministri i Shqipërisë i bënte Kryeministrit të Greqisë ... dhe Fatosi u pëmbajt :   sakrifikoi veten duke vazhduar të pinte e të bënte qejf në atë “buzuqin grek” pa rënë fare në sy.   Kjo gjakftohtësí si edhe patriotizëm i Fatosit shqiptar shmangu dy incidente, jo vetëm atë me palën greke, por edhe incidentin që do të krijonte me Serbinë, e cila mezi ç’e priste të futej në valle personalisht kryeministri shqiptar për nënshtetasit e saj e pastaj të bënte namin !   Mirëpo Fatosi nuk e hante atë kokër ulliri, ishte më i zgjuar e largpamës se sa drejtuesit e Serbisë !
Këto që radhita deri tani janë disa nga pikat kulmore të bëmave të F.Nanos si udhëheqës shteti apo partie.   Në qoftë se lexuesit kjo radhitje i a ngacmon sadopak kujtesën, ai pastaj për t’u futur më hollësisht në pazaret e korruptuara, sjelljet hakmarrëse si edhe qëndrimet rrugaçërore të F.Nanos, le të lexojë tre librat e botuar nga autorët :
Preç Zogaj, me titull “NGA  HIRI”,
Afrim Krasniqi, me titull “RËNIA E DEMOKRACISË”, dhe Nikollë Lesi, me titull “SI E NJOHA FATOS NANON ...”
Kësisoji do të formonte një idé mjaft të qartë për njerin prej personazheve kryesore të cilët këta 16 vitet mbas shkërmoqjes së diktaturës kanë luajtur me fatet e kombit edhe të popullit duke patur si objektiv vetëm dhe vetëm interesin dhe përfitimin personal !  
Dhe unë, i mbështetur në realitetin historik derisa për hir të interesave të ngushta të Jugosllavisë, P.K.Shqiptare duke u bërë vegël qorre e saj, sapo e mori pushtetin zhduku me themel kategori të tëra brezash duke filluar nga politikanët antikomunistë dhe intelektualët e shquar të kombit, zhbíu nga themeli institucionet fetare së bashku me plejadën e drejtuesve të tre besimeve themelorë të ndërsjellë, e vazhdoi pastaj diktatori me zhdukjen e një pjesë të madhe të mbështetësve dhe bashkëpunëtorëve të tij e kësisoji e deformoi karakterin e shqiptarit si pasoj’e diktaturës së tejzgjatur e cila të moralshmen dhe patriotiken i quajti të pandershme dhe armike, duke e katandisur  shoqërinë  shqiptare deri në pikën që në vitin 2007 akoma ka guximin Fatos Nanua të pretendojë e të vendoset President i Shqipërisë, pyes veten si edhe lexuesin :   A do të shërohet ndonjëherë ndërgjegja e shqiptarit e t’i rikthehen vlerat dhe virtytet aq të vyera që ka patur kombi ynë ?   A do të vijë dita që në listën e kandidatëve për presidentë të ardhshëm të Shqipërisë as mos të ketë kush guximin të mendojë se mund të propozohen njerëz të pamoral dhe të pakarakter si Fatos Nanua ?   Të dilte njeri e të më siguronte se kjo do të jetë e ardhmja e Shqipërisë, ah, sa të qetë do t’a bëja gjumin në vazhdim !  
Disa radhë, në vënd të epilogut.   Pohimi që kërkoj për të ma qetësuar shpirtin, mbase e ka një fillim me zgjedhjen e zotit Bamir Topi si President i Shqipërisë.   Nuk e them aspak me ndrojtje por e kam bindjen se presidenti i  ri, i krahasuar me të gjithë presidentët e “mbas shkërmoqjes diktaturës”, padyshim që është vërtet i pari me një të kaluar të pakomprometuar me diktaturën.   Dikush e quajti president konstitucional por jo konsensual.  Ësht’e vërtetë, por pikërisht këtu fillon edhe kryet e një rruge të ndryshëme dhe të re. Duke votuar zotin Bamir Topi për president, vetë personaliteti i tij na bën të shpresojmë se do të jetë ai që do të jetë në gjëndje t’i japë fund periudhës s’ashtuquajtur të tranzicionit, (që e tillë nuk qe kurrë), e të na garantojë së pari, këputjen e urave me diktaturën komuniste dhe nga ana tjetër të vendosë gurin e themelit të demokracisë së vërtetë që është kthimi si edhe ruajtja e së drejtës legjitime të pronës private të trashëguar ose të vënë me punë të ndershme !

Tiranë më 31 korrik ‘07



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora